Fan Noli, si e ngriti Gjykatën Politike për kundërshtarët e tij

Nga Veli HAKLAJ*
90 vjet më parë – kundërshtarët politikë të Nolit që u gjykuan nga Gjykata Politike



1. Revolucioni i Qershorit 1924
Krahas përpjekjeve të vlerësueshme të autoriteteve politike dhe shtetërore shqiptare për stabilitetin e vendit dhe ruajtjen e integritetit, vitet 1921 – 1924 u karakterizuan nga rivalitete të ashpra politike në Shqipëri, deri në ballafaqime me armë dhe revolucione.
Në pranverën e vitit 1924, dy grupe rivale luftonin për të marrë pushtetin politik në Shqipëri. Atentati i organizuar ndaj Ahmet Zogut do të ishte paralajmërimi më serioz për mënyrën që do të përdornin kundërshtarët e tij për ardhjen në pushtet. Vrasja e deputetit Avni Rustemi, më 20 prill 1924, shërbeu si shkak për zhvillimin e kryengritjes së Qershorit.Opozita organizoi një varrim me efekte revolucionare të Avni Rustemit kufoma e të cilit u çua në Vlorë me anijen “Beogradi”. Duke e quajtur kudo Avniun si “hero”, shtypi i opozitës arriti deri atje sa ta quajë atë si “mbret i vdekur i Shqipërisë.”
Deputetët e mbledhur në Vlorë, më 1 e 2 maj 1924, formuan një komitet revolucionar nën kryesinë e Fan Nolit, i përbërë prej Qazim Koculit, Spiro Kolekës, Koço Tasit, Ali Këlcyrës për Shqipërinë e Jugut; Luigj Gurakuqit, Xhemal Bushatit për Shqipërinë e Veriut.Pas diskutimeve të gjata, vendosën fillimin e kryengritjes së Qershorit. Ali Këlcyra, i shoqëruar me duartrokitje të paprera nga të pranishmit, tha: “Kjo shkelje e Statutit, pas nenit 127 të tij, autorizon dhe detyron popullin që të rrokë armët për mbrojtjen dhe shpëtimin e atdheut”.
Në vijim të veprimeve revolucionare, në Vlorë u krijua Komisioni Administrativ i Përkohshëm si krah politik i kryengritjes, i përbërë nga Fan Noli, Sulejman Delvina, Kostë Paftali dhe Mustafa Tragjasi. Ky komision e shpalli veten si përfaqësues të vetëm të popullit dhe kërkoi që të njihej si i tillë edhe nga bota. Me krijimin e këtij komisioni dhe nën udhëzimin e tij, drejt qendrës së shtetit filluan marshimin tri fuqi kryesore: forcat e Bajram Currit nga Shqipëria verilindore (duke futur këtu dhe forcat e Elez Isufit); të garnizonit të Shkodrës të komanduara nga Rexhep Shala; të garnizonit të Përmetit të komanduara nga Kasem Qafëzezi, në përbërje të të cilit hynë dhe forcat vullnetare të shoqërisë “Bashkimi”. Më 10 qershor 1924, forcat e ardhura nga Shkodra nën komandën e Ndok Gjeloshit, të prira nga deputeti Xhemal Bushati hynë të parët në Tiranë duke sjellë triumfin e kryengritjes.
Tërheqja e forcave të drejtuara nga Ahmet Zogu bëri që kryengritja e Qershorit 1924 të triumfonte pa ndonjë kosto të madhe. Sipas përllogaritjeve amerikane gjithsej ishin vrarë 26 veta dhe 50 të tjerë ishin plagosur.
Qeveria e Nolit e uzurpoi pushtetin në një mënyrë krejtësisht jokushtetuese dhe nuk ndërmori hapa për të ligjëruar pozitën e vet me zgjedhje të përgjithshme, që do të kishin qenë rrjedha e natyrshme, nëse ajo do të kishte gëzuar besimin e popullit.
Sipas analizës që bën Patric Najbor, në librin e tij studimor “Historia e Shqipërisë dhe e familjes së saj Mbretërore 1443 – 2007”, “në kundërshtim me atë që për shumë kohë është folur, Fan Noli, ishte larg të qenurit demokrat meqenëse qeveria e tij bolshevike eci drejt diktaturës duke shpallur në të gjithë vendin gjendjen e shtetrrethimit, duke vendosur gjykatat e jashtëzakonshme dhe duke mos mbajtur premtimin e tij për të organizuar zgjedhjet. Fan Noli nga ana tjetër thoshte se “demokracia është një komedi hipokrite, parlamenti një morg, dhe zgjedhjet e lira një komedi e vërtetë””.

2. Nga veprimtaria e Prokurorisë së Gjyqit Politik

Menjëherë pas marrjes së drejtimit të qeverisë, Fan Noli do të përcaktonte si përparësi nxjerrjen në gjyq dhe marrjen e masave të tjera kundër elementëve kundështarë. Për këtë do të angazhoheshin drejtpërdrejtë Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria dhe Gjykata Politike.
Simbas dekret-ligjit mbi gjykimin politik, Gjykata Politike filloi veprimtarinë e saj më datën 5 korrik 1924. Për t’i hyrë punës në rregull dhe për të pasur gjyqi një rrjedhë natyrale në caktimin e fajeve, dy ditë më vonë, më 7 korrik 1924, Prokuroria e Gjyqit Politik do t’i drejtonte shkresën nr. 2 Ministrisë së Punëve të Brendshme duke i kërkuar listën e autorëve principial të vëllavrasjes në këtë mënyrë: a) zyrtarë të shkallës së lartë (regjentë, ministra e ish-titullarë); b) komandantët e ushtrisë dhe të xhandarmërisë; c) komandantë e fuqive civile; d) misat e Kuvendit Kushtetues. Në përfundim të kësaj qarkoreje, Prokuroria e Gjyqit Politik kërkonte që lista të ketë bashkangjitur sa më shumë landë e informata për fajin që u ngarkohet, ndërsa për kategoritë e tjera të fajeve thesonte se do të shtrinte ndjekjet më vonë.
Nga ana e saj, Ministria e Punëve të Brendshme do t’ua përcillte menjëherë këtë shkresë strukturave vendore të policisë me kërkesën për të dërguar sa më parë të dhënat e kërkuara.
Pas grumbullimit me shpejtësi të informacioneve të kërkuara (duke aplikuar sajime politike), në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Gjyqit Politik, Ministria e Punëve të Brendshme do të dërgonte të dhënat për këtë çështje me shkresën nr. 439/I-J, datë 15 korrik 1924, ku do të evidentonte listat e misave të Kuvendit Kushtetues, komandantët e ushtrisë, oficerët e ushtrisë dhe xhandarmërisë, nëpunësat e lartë të administratës, kryetarët e fuqive civile, duke i cilësuar të gjithë të pandehur si shkaktar të vllavrasjes së qershorit.

3. Akuzat e Ministrisë së Punëve të Brendshme

Megjithëse Fan Noli me mbështetësit e tij përgatitën dhe finalizuan Revolucionin e Qershorit 1924, në mënyrën më paradoksale, ata do të plotësonin me urgjencë dosjet për gjoja implikimin në vllavrasje të Ahmet Zogut dhe mbështetësve të tij, të cilët realisht nuk preferuan të bënin rezistencë, por u larguan për në vendet fqinje.
Ministria e Punëve të Brendshme, e Qeverisë Noli, do të përcaktonte këto faje për personat e implikuar:
“Misat e Këshillit të Naltë akuzohen për dekretime jashtë Statutit, me përkrahjen morale të veprave ekstra-ligjore të qeverive Vërlaci-Vrioni.
Sa për minsitrat, ishin ata që duke mbet’ nën përshtypjen e Ahmet Zogut e të dridhun prej kërcënimit të tij, hoqën dorë nga kompetencat e tyre, e duke mos dhënë dorëheqje, vepruan sa ma liksht tue dalë në çdo rast jashtë ligjit, dhe së fundi, armët e mbledhuna me shumë mund dhe shpenzime në vitin 1922, ia shpërndanë popullit për ta shti këtë në një gjakderdhje të kobshme me qëllim që të realizojshin ambicionet e tyne të ndjekuna jashtë ligjës, kur ushtria donte me i dalë zot mbrojtjes së Statutit e interesave të Atdheut.
Sa për misat e Kuvendit Kushtetues, për këta mjaftojnë procesverbalet e bisedimeve të tyre; shtojmë edhe se pandehen si faktorët e kësaj vllavrasjeje për shkak se tue pa sheshazi veprimet e qeverive nuk merrshin ndonjë masë, [por] përkundrazi qëndronin në përkrahje të tyre.
Sa për komandantët e ushtrive, këta pandehen si vegla të verbta, jo aq fort të qeverive, por të personit Ahmet Zogu, që s’kish kurrfarë autoriteti ekzekutiv para se t’u bante komandanti i Operacionit të Veriut, të cilët, ndonëse janë këshillue prej shokëve mbi nevojën e mbrojtjes së Statutit, nuk mund të hiqnin dorë nga përkrahja e angazhimi ndaj Zogut, disa për interesa personale e disa për mënina partizani. Kështu janë të pandehun edhe ata nëpunësat e naltë që janë në këtë listë.
Sa për kryetarët e fuqive civile, këta pandehen për tolerancë e bindje që kanë tregue ndaj propozimeve të qeverive të sipërthanuna, jo vetëm tue marrë armë, por se kanë ndigjue me marrë pjesë në luftime për frontet që i ka dërgue qeveria e Iliaz Vrionit.
Besojmë se sidomos guximin ma të madh Ahmet Zogut e qeverive Vërlaci e Vrioni ua kanë dhënë angazhimi i oficerëvë të përmendun në listë, të cilët ushtrin e diftojshin të përçame e jo të zonjën më qitë në krye ndonjë revolucion kundra veprimeve ekstra-legale. Megjithëkëtë, për kësi të pandehurish, u kemi shkrue edhe zyrave e ministrive kompetente, e kur të marim përgjigje kemi me u dhanë më shumë shpjegime.”

4. Lista e të pandehurve

4.1 Nga Këshilli i Naltë

Xhafer Ypi dhe Refik Toptani

4.2 Nga ministrat

Shefqet Vërlaci, Myfit Libohova, Kostaq Kota, Mustafa Aranitasi, Iljaz Vrioni dhe Abdurrahman Dibra.

4.3 Nga misat e Kuvendit Kushtetues

Ahmet Hastopalli, Anton Beça, Bexhet Hyti, Bektash Çorrushi, Hasan Biçakçiu, Selaudin Blloshmi, Selim Muniku, Shevqet Daiju, Taqi Buda, Halit Rroji, Qemal Vrioni, Ferid Vokopola, Hamit Muftiu, Dr. Leon Gjini, Pilo Papa, Qazim Durmishi, Mihal Tutulani, Qemal Karaosmani, Seit Vrioni, Eqrem Vlora, Dhimosten Haxholli, Ilija Muzina, Jan Papadhopllo, Mihal Kaso, Niko Lezo, Petro Harito, Petro Poga, Telemak Labovitjadhi, Eshref Frashëri, Dr. Haki Mborja, Kristaq Kosturi, Lon Llogori, Skender Pojani, Sylejman Starova, Ahmet Zogu, Ali Begeja, Jusuf Gjinali, Rauf Fico, Rexhep Jella, Sait Toptani, Rexhep Matja, Shahsuvar Alltuni, Zija Toptani, Dr. Syrja Pojani, Fiqri Rusi, Hafiz Ismeti, Hafiz Xhemal, Izet Dibra, Jashar Erebara, Salih Vuçiterni, Terenc Toçi, Xhelal Zogu.

Komandanta ushtrie, oficerë e nëpunësa

Fuad Toptani, Alush Agë Rrogozhina, Xhafer Taga, Hamit Çollaku, Alush Agë Luma, Malo Bushati, Musa Juka, Abedin Nepravishta, Shuk Serreqi, Ndrekë Kuçi, Vasil Kalluçi, Kasem Lluja, Abdyl Lluja, Nevruz Taçi, Sadik Zhara, Shefqet Taga, Hysen Keçi, Ceno Beg Gjakova, Ali Derhemi, Qazim Bodinaku, Gjelosh Gjoka, Hasan Sheh Petrela, Xhemal Herri, Osman Mema, Abdurrahman Bej Dushku, Hyshref Bej Frashëri, Mehmet Agë Jella Bulqizë, Dilaver Beqiri, Avni Bej Delvina, Ramadan Jella, Fejzi Alizoti, Ali Koka, nënkolonel Banush Hamdiu, major Xhemal Aranitasi, major Leon de Gilardi, kapiten Shefki Shatku, kapiten Llesh Topallaj, nënkolonel Ali Shevqet, kapiten Mark Kodheli, kapiten Bahri Begolli, kapiten Osman Gazepi, kapiten Demir Aliu, major Veis Sevrani, kapiten Hamit Gjylbegu, toger Hysni Dema, toger Fiqiri Dine, kapiten Prenk Previzi, toger Ali Bekteshi, toger Haxhi Shkupi, toger Mehmet Dajçi, toger Gjon Fusha, Muharrem Bajraktari, toger Luigj Shantoja, toger Qerim Nasufi, nëntoger Nexhip Bekteshi, nëntoger Hysen Selmani, nëtoger Tahir Osmani, nëntoger Mehmet Starova, Ismail Osmani.(AQSH, F. 152/6, V. 1924 (Noli), D. 40, f. 7)


*Studiues
AQSH, F. 152/6, V. 1924 (Noli)
Joseph Sëire, Shqipëria- ngritja e një mbretërie, Dituria, 2005
Kastriot Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005, Tiranë, 2006
Robert Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit, Tiranë, 2001
Tanush Frashëri, Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi, Tiranë, 2005
“Gazeta Shqiptare”, 6 tetor 2008
“Ora e Maleve”, 10 maj 1924

Blogger news

Blogroll

Archives

About