Memorandumi i 1977-ës/ Plani i revoltës, si do të rrëzohej dyshja Hoxha – Shehu

Nga Veli HAKLAJ

Dosier/ Përpjekjet e emigracionit politik shqiptar për rrëzimin e regjimit të dyshes Hoxha – Shehu

 Vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, përveç të tjerave, solli dhe një rritje të emigracionit politik dhe ekonomik shqiptar, në Jugosllavi, Greqi, Itali, Turqi, Egjipt, Francë, SHBA, Kanada, Australi etj.
Organizatat kryesore në të cilat vepronte ky emigracion ishin: Komiteti Shqipëria e Lirë, Balli Agrar, Grupi i Legalitetit, Balli i Ali Këlcyrës, Grupi i Bllokut Indipendent, Shoqëria Letrare Shqiptare Amerikane, Organizata “Vatra”, Organizata “Shqipëria e Lirë”, Organizata “Heroizma shqiptare”, Organizata Vorio-Epiriote, Organizata A.A.N.O., Shoqata “Vëllazërimi turko-shqiptar” etj.
Sipas dokumenteve arkivore, rezulton që në gjysmën e dytë të viteve ’70, të shekullit të kaluar, kemi një radikalizim të qëndrimeve të emigracionit politik shqiptar, e reflektuar kjo dhe në përmbajtjen e trakteve dhe fletushkave që hidheshin në Shqipëri, me anë të të cilave synohej ndërgjegjësimi i popullit shqiptar për një veprim të armatosur për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nëpërmjet disave prej këtyre materialeve propagandistike përcillet informacion me vlerë dhe për format gjakatare të veprimit të strukturave të shtetit diktatorial në Shqipëri nën drejtimin e nomenklaturës së kuqe, veçanërisht të dyshes Hoxha – Shehu.
Publikimi i këtyre dokumenteve, sidomos tani që janë artikuluar hapur dhe po punohet nga disa parti politike, por edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, për rehabilitimin e figurës së Enver Hoxhës, mendojmë se do të kontribuojnë sadopak për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare, për të mbajtur qëndrimin e duhur në respekt të vlerave të demokracisë dhe pluralizmit të arritura me jo pak vështirësi në këto 23 vite postdikatoriale.

Situata në vitin 1977

Në fillim të dhjetorit 1977, drejtuesit më të lartë të nomenklaturës komuniste në Shqipëri, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, do të informoheshin se prej datës 8 deri më 19 nëntor 1977, në 35 fshatra të rretheve Vlorë, Fier, Tepelenë, Përmet, Skrapar, Kolonjë dhe Korçë ishin gjetur 130 fletushka me përmbajtje kundërkomuniste, nga të cilat 73 titullohen “Komunikat e Zyrës së Lajmeve Ushtarake”, 30 “Thirrje të Këshillit Ushtarak për çlirimin e Shqipërisë etnike” dhe 27 “Memorandume”. Thirrja dhe memorandumi ishin firmosur nga Leka Zogu, ndërsa komunikata ishte bërë në emër të “Këshillit Ushtarak”.
Komunikata kërkonte të publikohej se “Këshilli Ushtarak i veshur me detyrën e lartë për çlirimin e popullit shqiptar e të Shqipërisë etnike kreu një aksion kundër ambasadës së regjimit komunist të Tiranës në Paris”. Në thirrjen e këshillit ushtarak, mbasi tregohej “domosdoshmëria e krijimit të këtij këshilli”, midis të tjerave thuhej: “Shqiptarë, përgatituni, dita e çlirimit po afrohet, regjimi gjakatar do të zhduket, Kosova e Çamëria janë tonat, shqiptarët e mërgimit janë vënë në lëvizje, mjaft me jetë mjerimi nën komunizëm, luftë qeverisë ateiste”. Ndërsa memorandumi i drejtohej kryetarit të mbledhjes së Sigurimit Evropian, në të cilën midis të tjerave thuhej: “E konsiderojmë se Jugosllavia nuk është e denjë për të organizuar Konferencën e Sigurimit e të Bashkëpunimit Evropian, mbasi afër një mijë intelektualë kosovar, maqedonas e të Malit të Zi janë futur nëpër burgje nga regjimi titist sepse kërkojnë të flasin, shkollohen e administrohen shqip. Kërkojmë nga kryetarët e shteteve që do të marrin pjesë në këtë konferencë që të dezaprovojnë publikisht veprimet e regjimit aktual në Shqipëri, i cili e mban legjitimitetin e tij vetëm me tortura e kampe përqëndrimi …”
Duke u bazuar në përmbajtjen e tyre e në të dhënat që disponoheshin nga organet e specializuara në Shqipëri, u arrit në përfundimin që këto materiale ishin përgatitur jashtë shtetit nga organizata kundërkomuniste e “Legalitetit” me në krye Leka Zogun, nën drejtimin e zbulimit amerikan.
Dihet se në fillim të viteve ’70, të shekullit të kaluar, emigracioni politik jashtë shtetit filloi të riorganizohet për të intensifikuar veprimtarinë e tij kundër regjimit komunist në Shqipëri, regjim që identifikohej me dyshen Hoxha-Shehu. Organizata e “Legalitetit” në vitin 1972 zgjodhi “Këshillin Ushtarak për çlirimin e Shqipërisë etnike”, nën drejtimin e Leka Zogut. Organizata “Heroizma shqiptare” me në krye Ndue Gjonmarkaj, e krijuar në vitin 1965 nga zbulimi italian e Vatikani, në vitin 1975 mbajti kongresin e saj. Ndërsa në vitin 1974 krerët e “Komitetit Shqipëria e Lirë” nën drejtimin e zbulimit amerikan krijuan në mënyre sekrete organizatën “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, me në krye Rexhep Krasniqin.
“Legaliteti”, “Heroizma shqiptare” dhe “Fronti i Rezistencës”, duke patur të njëjtën platformë kundërkomuniste, përveç dërgimit të grupeve luftarake për të kryer akte të mprehta dhe veprimtarisë kundër përfaqësive shqiptare jashtë shtetit etj., në bashkëpunim me njëra-tjetrën, vunë në programin e tyre edhe shpërndarjen e materialeve propagandistike në Shqipëri.
Shpërndarja e këtyre materialeve me përmbajtje të theksuar kundërkomuniste, gjatë orëve të natës të datës 8 nëntor 1977, në një territor të gjerë të Shqipërisë, tregonte se kishim të bënim me një aksion politik të kundërshtarëve të Partisë së Punës dhe pushtetit të saj në Shqipëri.
Këto materiale propagandistike u gjetën dhe u dorëzuan nga 64 persona, që nga regjimi i atëhershëm konsideroheshin me përbërje të mirë politike, dhe vetëm në katër raste nga persona që konsideroheshin me përbërje të keqe politike. Në Fier, Tepelenë e Përmet në disa raste me përmbajtjen e tyre ishin njohur shumë persona, por nuk disponoheshin të dhëna për reagimin ndaj tyre.
Duke u nisur nga të dhënat e grumbulluara rreth këtij problemi se: shpërndarja e tyre në gjashtë rrethe u konstatua fillimisht nga njerëz të ndryshëm, brenda datës 8 nëntor 1977; shtrirja e shpërndarjes së tyre kufizohej brenda një brezi territorial në vijë të drejtë, nga Vlora në drejtim të Korçës; në raste të veçanta fletushkat u gjetën në vende të pyllëzuara mbi shkurre; duke u bazuar dhe në informacionin e marrë nga Zbulimi se i arratisuri Z.Sh., përkrahës i Leka Zogut dhe sekretar i organizatës “Heroizma shqiptare”, është shprehur se për hedhjen e materialeve propogandistike në Shqipëri në të ardhmen do të përdoren edhe aviona; u konkludua se këto materiale ishin futur dhe shpërndarë në vendin tonë nëpërmjet ajrit me avion ose mjete të tjera (balona).
Megjithëkëtë, nuk u përjashtua edhe veprimtaria e zbulimeve të huaja nëpërmjet futjes së grupeve të armatosura dhe aktivizimit të bazave e lidhjeve të tyre.
Sigurisht që nga organet e specializuara u morën masa dhe u ngarkuan detyra të posaçme në drejtim të të arratisurve që ishin aktivizuar e pritej të dërgoheshin në formën e grupeve të armatosura në Shqipëri, veçanërisht për ata që ishin aktivizuar nga Leka Zogu dhe “Fronti i Rezistencës”, që drejtohej nga Rexhep Krasniqi.

Traktet e hedhura në Shqipëri në maj 1977

Disa nga materialet propagandistike me përmbajtje kundër udhëheqjes së Partisë së Punës së Shqipërisë u gjetën më 8 maj 1977, në orën 5.00 të mëngjesit, nga një roje magazine, në vendin e quajtur Gjirizëm, në lumin Vjosë, të vendosura në tetë qeska plasmasi. Vendi i ngjarjes lokalizohej në Çarshovë, dhjetë metra afër urës së Biovizhdës, afro dy mijë metra larg kufirit me Greqinë. Në vijim po japim për lexuesin përmbajtjen e disave prej tyre.

Trakti i parë – Enver Hoxha është Pasha i Zi
Enver Hoxha thotë se Brezhnievi është Cari i Kuq. Edhe neve shqiptarët e lirë [themi] se Enveri është Pasha i Zi me një egërsi të papërshkruar, ma i keq nga pashallarët e turkut. Enver Pasha ka zhdukur mijëra shqiptarë të pafajshëm.
Enver Pasha me bejlerët dhe agallarët e tij po vazhdojnë të sundojnë akoma në atdheun tonë të dashur, por ditët e sundimit të tij janë të shkurtra. Prandaj jini gati që tani dhe përgatituni për ringjalljen e një Shqipërie të lirë demokratike.
Skllavëria e Enver Pashës u bë e padurueshme. Kanë kaluar ma tepër se 30 vjet nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe në asnjë vend të botës ushqimet ndahen me racion. Vetëm në Shqipëri të Hoxhës edhe ushqimet që jepen nuk janë të mjaftueshme dhe nga pikëpamja [e] kualitetit ma të këqija.
Shqipëria e mjerë u bë çiflik i Enver Hoxhës. Të gjitha prodhimet e vendit me vleftë shiten në treg e shpenzohen [paratë] ca për partinë dhe shumicën e ka në bankat e Zvicrës në emrin e Enverit …
Të gjithë shqiptarët, me përjashtimin e atyre që janë në Parti Komuniste vuejnë ditë e natë. Detyrohen të punojnë gjoja vullnetarisht si skllavët e mesjetës dhe si të zeztë e Amerikës para 200 vitesh.
Enver Pasha i Ziu krenohet se Shqipëria ndodhet në përparim e lulëzim të plotë. Të gjitha planet u realizuan. Mbasi është kështu, pse nuk lejon të vizitojnë lirisht Shqipërinë turistët nga shtetet e tjera për të admiruar përparimet e Hoxhës me shokë! Pse ndalohen shqiptarët të shkojnë në vendet e tjera!
Burgjet janë plot patriotë të pafajshëm. Vuajnë sa është e pamundur të përshkruhet. Spiunët janë në çdo qytet, në çdo katund, në çdo shtëpi. Së shpejti do të vijë edhe radha e tyre.
Vuajtjet e popullit krenar shqiptar nga çdo pikëpamje s’kanë kufi. Populli historik shqiptar po jeton ma keq nga të gjithë njerëzit e kombeve të dheut, bile edhe nga ata të Afrikës.
Enver Hoxha kaloi në egërsinë edhe amin dadan(?) të Ugandës.
Rroftë Shqipëria e Re, e Lirë, Demokratike!
O. A. SH

Trakti i dytë – Deri kur do të durojmë sundimin që na imponon Hoxha
Hoxha tradhëtoi bashkëpunëtorët e tij. Tradhëtoi luftën nacionalçlrimtare. Tradhëtoi dhe po tradhëton Atdheun për ofiqe personale dhe të familjes së tij dhe për shtypjen e popullit të mjerë.
Deri kur do të durojmë robnin dhe sundimin që na imponon Hoxha me spiunët dhe me të shiturit e pushtetit.
Luftuam që të jemi të lirë, jo që të ndërrojmë sundues.

Trakti i tretë – Dhurata me fjalët e Biblës
Mik i dashur,
Ju përshëndesim dhe dhurojmë një dhuratë nga [të] Krishterët të cilët interesohen dhe i luten Zotit për ju.
Ju lutemi të lexoni me kujdes fjalët e Biblës të bashkangjitura në dhuratë.
Këto fjalë do t’u tregojnë udhën për te perëndia dhe do t’u japin paqe të sigurtë të mendjes dhe të zemrës.
Nëse keni dëshirë të dini ma tepër për Jezu Krishtin, ju lutemi të dëgjoni nga radio çdo të hënë dhe të premte, në ora 13 e 30 minuta, në valë të shkurtra 41 metra.
Le të ju bekojë Perëndia.
Kjo librezë përmban vetëm disa të pakta stihë, të marra nga Bibla e Shenjtë – fjala e Perëndisë. Jini të lutur të përpiqeni ta blini Biblën dhe ta këndoni vetë, sepse ajo është zbulesa e së vërtetës hyjnore.

Profil i Rexhep Krasniqit

Rexhep Krasniqi, me origjinë nga Malësia e Gjakovës, lindi në Gjakovë më 1906. Në qytetin e lindjes mbaroi katër vjet të shkollës fillore dhe dy vitet e fundit në Shkodër. Kreu liceun “Theresianum” të Vjenës (Austri) e cila ishte, dhe gjithnjë është, një ndër shkollat më të njohura të Europës Qendrore. Më 1934 mbrojti doktoratën me temën “Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipnisë”.
Mbas përfundimit të studimeve, Dr. Krasniqi kthehet në Atdhe dhe fillon punën si profesor i historisë dhe gjeografisë në shkollën qytetëse të Gjirokastrës, ku ma vonë emrohet edhe si zëvendësdrejtor. Më 1938 u transferua në Tiranë, ku emrohet Drejtor i Arsimit dhe ma vonë Inspektor Epror pranë po asaj ministrie. Në fund të vitit 1941 ai emrohet Komisar i Naltë i Shkollave Shqipe për Tokat e Lirueme dhe drejtor i Shkollës Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku njëkohësisht dha mësimin e gjuhës gjermane. Më 1943 (12 shkurt – 28 prill), merr pjesë në qeverinë e Maliq Bushatit si ministër sekretar shteti i Arsimit.
Në vitin 1943, zgjidhet nënkryetar i Asamblesë Kombëtare (parlamentit) ku për të parën herë morën pjesë përfaqësuesit e zgjedhun me vota të lira (demokratikisht) ndër vise të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë (trevat e verilindjes shqiptare). Në këtë kuvend shpallet bashkimi i tokave të zaptueme me shtetin shqiptar si dhe pavarësia dhe neutraliteti i Shqipërisë përkundrejt fuqive luftuese.
Dr. Krasniqi u zgjodh dy herë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit kur ajo drejtohej prej z. Musa Shehu e Xhafer Deva.
Me ardhjen e komunizmit në fuqi, i tha lamtumirën atdheut e, së bashku me grupin kosovar të Lidhjes së Prizrenit, mori rrugët e mërgimit. Qëndroi për një kohë të shkurtër në Siri dhe prej andej emigroi në Australi. Aty kah viti 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme Amerikane me marrë pjesë në riorganizimin e formimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në New York dhe rizgjidhet Kryetar i Komitetit të cilin e drejtoi për 35 vjet rresht, deri në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.
Dr. Krasniqi është autor i një numri të madh studimesh të botueme shqip, anglisht dhe gjermanisht. Konferencat e tija akademike në universitete të ndryshme t’Amerikës e t’Europës si dhe shkrimet e botueme në shtypin e mërgimit, sidomos në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, gazetën “Shqiptari i Lirë”, mund të përbëjshin disa blej (vëllime).
Lidhur me shërbimet e tij ndër shkollat shqipe, në Shqipninë Verilindore, jashtë kufijve politikë të Shtetit Shqiptar, më 1994 prof. Krasniqi u dekorua prej Persidentit të Shqipnisë Demokratike Dr. Prof. Sali Berisha me urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë.
Prof. Rexhep Krasniqi vdiq në Nju York, SHBA, më 13 shkurt të vitit 2000, duke i dhuruar federatës “Vatra” me qendër në SHBA gjithë bibliotekën e tij të pasur si dhe mijëra faqe studime të klasit të parë, kryesisht në fushën e historisë dhe albanologjisë, të cilat presin për t’u botuar.
(Rexhep Krasniqi, Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë, tezë doktorate, Vjenë, 1934, Tiranë, 2007, f. 5-7/Profil i përgatitur nga Idriz Lamaj; Fjalori enciklopedik shqiptar, Kristalina KH, Tiranë, 2008, f. 1340; Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, “55”, Tiranë, 2006, f. 471).

Blogger news

Blogroll

Archives

About