Kritika politike e Ismalit Qemalit mbi ushtrimin e sovranitetit të Vidit

Nga dr. Lavdosh Ahmetaj

Fillimi i janarit 1914, një moment kritik ky për gjendjen politike të Shqipërisë, kur institucionet e brishta dhe formale vendore ishin në kolaps ndërsa punët administrative për aq sa ishte e mundur i ishin ngarkuar KNK, pasohet nga impresione të thella politike në koshiencën e Ismail Qemalit. Pikërisht nga Parisi Ismail Qemali, i cili po përgatitej për në Konferencën e Paqes me atributin e delegatit të Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, reflektonte politikisht për vitet e tranzicionit shqiptar 1912-1914. Ajo që spikat në shënimet e tij, ka të bëjë me përgjegjësinë politike të Sovranit për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ku ndodhej. Reflektimet politike e marrin nismën e tyre në vendimin e Fuqive të Mëdha, ku ishte sanksionuar forma e funksionimit politik-juridik të qeverisjes shqiptare me atributet e një principate autonome, sovrane dhe trashëgimore, duke përjashtuar çdo lidhje suzereniteti me Turqinë, dhe me kursin e asnjanësisë nën garancinë e gjashtë fuqive të mëdha. Ndërsa kontrolli i administratës civile dhe financiare i ngarkohej një Komisioni Ndërkombëtar të përbërë nga përfaqësuesit e gjashtë fuqive dhe një përfaqësues nga Shqipëria .
Memoria politike e Ismail Qemalit ndalet në një nga momentet më të bukur të jetës princërore, pikërisht atë të zbritjes së Princit në qytetin e Durrësit, i shoqëruar nga princesha (e shoqja) dhe trashëgimtarët e tij, ndërsa oborri përbëhej nga një mareshall, një mjek, një sekretar privat dhe dy dama nderi, njëherësh nuk mungonin ta shoqëronin edhe një çift qensh të egër!
Në bazë të vendimit të Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913, ishte përcaktuar edhe mbështetja financiare për Vidin, e cila, në bazë të kujtimeve të Ismai Qemalit nuk ishte akorduar ende dhe nuk kishte kaluar në arkën princërore, pasi në kohën e zbritjes së sovranit në Durrës kishte vetëm dhjetë milion franga ari, prej të cilave sipas gjasave mediatike Princi kishte në dorë vetëm atë pjesë të subvencionuar nga shtetet e Austrisë dhe të Italisë, e konsideruar si paradhënie, ndërsa 75 milionët e shteteve të tjerë ende nuk ishin lëvruar, duke mos plotësuar pikërisht atë vendim ndërkombëtar që kishin marrë vetë.
Ndërkohë, ajo që bie në sy në vështrim të parë, është fakti se ardhja e Sovranit shoqërohet me entuziazëm nga një publik i gjerë shqiptarësh, me shpresën se do të kishin Sovranin e tyre, gjë e cila tregonte njëherësh edhe besimin që ata kishin ndaj vendimit politik të Fuqive të Mëdha.
Por, nga ana tjetër, në vëmendjen politike të Ismail Qemalit kishte lënë gjurmë të thellë fakti që Princi ne kabinetin qeveritar kishte zgjedhur si Ministër Lufte rivalin e qeverimit të tij, Esad Pashë Toptanin!
Në një tjetër këndvështrim, mendimi i politikës europiane dukej se ishte ngjizur urtësisht duke caktuar një Princ të shoqëruar me një karakter politik të matur dhe në funksion të kundërpeshës së humbjes së territorit politik shqiptar, i cili kishte pësuar tkurrje të konsiderueshme si asnjëherë në historinë e tij.
Megjithatë situata politike arriti të bëhej edhe më kritike, gjithnjë duke e parë në kontekstin e kohës dhe në terrenin ballkanik, dhe Ismail Qemali kritikonte veprimet e dhunës ndaj shtëpisë së Esat Toptanit, duke e bombarduar atë me miratimin e posaçëm të vetë Princit; pra, ishte gjetur rruga e dhunës për të zgjidhur situatën politike në krizë, gjë që nuk funksionoi sepse Princi nuk kishte vizion politik për të zgjidhur situatat në përshtatje me konjukturat e kohës, e njëherësh forca e ushtruar nuk kishte marrë parasysh forcën ushtarake të Esad Toptanit, i cili ishte në trevën e tij ushtarake dhe me një mbështetje sociale të cilën mbreti as që e çonte nëpër mend.
Kështu që nuk ishte gjetur i mundur funksionimi i mjeteve politike dhe ligjore për zgjidhjen e krizës së krijuar prej ambicieve personale të Esad Pashë Toptanit, krizë e cila u zgjidh nëpërmjet ndërhyrjes politike të ministrit italian Karlo Alioti, në sajë të cilit Esad Toptanit i ishte krijuar mundësia politike që të dilte pa ndonjë pasojë fizike nga situata e krijuar prej atij vetë . Esadi familjarisht u shoqëruar nën kujdesin e marinarëve italianë deri në anijen “Austria” dhe më pas nëpërmjet një anijeje italiane u largua në perëndimin europian, duke dhënë fjalën se nuk do të shkelte më në Shqipëri.
Ndërsa Durrësi gjendej i rrethuar dhe nuk kishte asnjë komunikim me trevat e tjera të Shqipërisë, njëherësh edhe juridiksioni më i lartë i shtetit shqiptar, Princ Vidi, ishte vënë në pozicionin e një mjerani pa asnjë informacion dhe lidhje politike, qoftë edhe me miqtë të cilët e sollën në fronin e principatës shqiptare. Pikërisht në këtë kohë Ismail Qemali ndërmori një lëvizje interesante: ai së bashku me pesëmbëdhjetë shoqërues të tij u drejtua për në qytetin e Durrësit, për t`i prezantuar Princit pikëpamjet e tij politike në lidhje me daljen nga kriza, pikëpamje që ishin diskutuar para së gjithash me San Xhulianon gjatë një takimi në Romë, në kohën që ishte duke ardhur nga Londra për në Shqipëri, madje ishin përcaktuar edhe disa masa si më të përshtatshme për daljen nga situata e krizës ku ishte futur shteti shqiptar. Në takimin e këtyre dy personaliteteve të politikës shqiptare, duket një kontradiktë e paevitueshme midis tyre: ndërsa Ismail Qemali i kishte paraqitur edhe konkluzione të cilat ishin konsultuar me San Xhulianon, mbeti i çuditur për mungesën e reflektimit të Vidit ndaj gjendjes së krizës, e cila ishte në fazën më dramatike për shtetin shqiptar, madje ishte treguar i paaftë të bënte qoftë edhe një vërejtje ose pyetje, të cilat mund të dilnin përgjatë diskutimit ose në kohën pas takimit.
Ndërsa Ismail Qemali, me urtësinë dhe maturinë e tij politike, jepte argumente për daljen nga gjendja e vështirë, Vidi përsëri nuk kishte arritur të artikulonte asnjë pyetje rreth masave të propozuara, kurse ditën tjetër të takimit Vidi kishte pritur delegacionin e Vlorës dhe të gjitha delegacionet e tjera, gjë e cila kishte marrë pamjen e një mbledhjeje të gjerë me krerët e të gjitha krahinave të Shqipërisë. Këtë mbledhje e kishte hapur vetë Princi në gjuhen frënge, duke shpjeguar se i kishte mbledhur për të shprehur opinionet e tyre personale lidhur me gjendjen e vendit. Dhe së fundi princi i kishte falenderuar krerët, duke u thënë se pasi t’i studionte vërejtjet e dala nga kjo mbledhje, do të njoftonte për vendimin e tij. Por ajo që u reflektua pas takimit, ishte vakësia në të cilën ndodhej sovrani për të mundësuar zgjidhje praktike të krizës.
Ismail Qemali, duke parë inaktivitetin politik të Vidit, kishte organizuar në sheshin e Vlorës një mbledhje të banorëve të të gjithë krahinës dhe të refugjatëve të krahinave të tjera, për shkak se nga trevat e jugut shqiptar kishin ardhur një numër i konsiderueshëm banorësh, të cilët ishin strehuar në ullishtat e Vlorës, pra në rrethinat e saj. Takimi ishte shoqëruar me diskutime të gjata dhe ishte vendosur formimi i një Komiteti Shpëtimi Publik, nën kryesinë e Ismail Qemalit . Njëherësh u njoftuan Fuqitë e Mëdha dhe Princi me një proklamatë, në të cilën prezantoheshin disa shqetësime politike, të cilat kishin të bënin me ekzistencën e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e Sovranit. Komiteti i Shpëtimit Publik, i përbërë prej tridhjetë përfaqësuesish nën kryesinë e Ismail Qemalit, përcaktoi disa masa konkrete:
së pari, i kërkonte Fuqive të Mëdha të garantonin transferimin e fuqisë së Princit tek Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe të merrnin të gjitha masat e nevojshme, por duke bërë të mundur mbajtjen e legjitimitetit të Sovranit në fronin shqiptar;
së dyti, të sigurohej bashkimi kombëtar dhe tërësia kombëtare shqiptare;
së treti, ndalimi i shkatërrimit të njëqindmijë jetëve njerëzore, të cilët ishin përndjekur nga tokat e tyre dhe ishin detyruar të nguleshin në rrethinat e Vlorës, pikërisht në qoshen e kombit e cila kishte mbetur ende e lirë.
Pra, ajo që është në përqasje të mendimit të Ismail Qemalit dhe sekretarit të Vidit ka të bëjë edhe me anën dëshpëruese të këtyre dy personaliteteve në lidhje me gjendjen depresive që binte në sy dhe se si ulej dita-ditës standardi mbretëror në Pallat. Kjo situatë kishe bërë një efekt të keq tek trupat mbrojtëse të Durrësit, të cilat në situatën e kulmit të krizës luftonin gjithë ditën pa asnjë inkurajim dhe “ishin lënë në baltë pikërisht nga njeriu për të cilin kishin luftuar” .
Ndërsa Armstrong vazhdon më tej arsyetimin se, në çastet e ikjes së “madhe”, njerëzit që e kishin shoqëruar Princin për zbritjen e tij në Durrës tani gjendeshin të dëshpëruar dhe me zemër të thyer për këtë fund të pakëndshëm të kësaj aventure mbretërore, madje disa prej kësaj trupave shoqëruese kishin menduar se edhe mund të kalonin jetën në Durrës, ndërsa shpresat e tyre ishin thyer më një të rënë të shpatës esadiste.
Pra, duke e analizuar situatën politike dhe kombëtare, duket se Princi ishte strukur në qytetin e intrigave ose në atë qytet të cilin Ismail Qemali, pasi ishte njohur me strehimin politik të Sovranit, ishte ndjerë i dëshpëruar dhe kishte menduar se ky qytet ishte një vend ideal për intrigat e shteteve që nuk e donin formimin e shtetit shqiptar, ndofta prandaj e kishin ideuar kryeqytetin e Princërisë shqiptare pikërisht në qytetin e Durrësit. Ishte situatë e cila analizohet nga Ismail Qemali për të shprehur me indinjatë fatkeqësinë e Princit, i cili ndodhej i strukur e i pa përkrahur politikisht dhe ushtarakisht, dhe në një dëshpërim të plotë, për të thënë se autoriteti i tij politik dhe sovraniteti i tij nuk ekzistonin më; ai politikisht nuk funksiononte.
Ndërsa analitika e Ismail Qemalit thellohet edhe më tej në kohën që ai jep argument për shpërdorimin në mënyrë jo efektive të parave që kishte dhënë Europa, kështu dhjetë milion franga ari Princi i kishte harxhuar marrëzisht në krijimin e një Gjykate Kasacioni, në kohën që në Shqipëri nuk kishte asnjë gjykatë ose emërimin e inspektorëve të arsimit publik, në kohën që nuk kishte shkolla, ndërsa edhe më e rënda ishte mbajtja e ministrave të plotfuqishëm të akredituar në shtete të huaja, por nga ana tjetër ata rrinin në shtëpitë e tyre. Ky fakt duket i pasqyruar edhe përmes kujtimeve politike të sekretarit të Princit: “Gjashtë muaj Mbretëri 1914”.
Aty del në pah se pikëpamjet e Ismail Qemalit përkojnë me dëshminë okulare të sekretarit të Princit. Për të argumentuar mbi këtë përqasje, po i referohem tre ideve të Armstrongut në pozicionin e sekretarit:
së pari, kabineti i kontestuar nga Ismail Qemali përbëhej në pjesën më të madhe nga “të huaj”, nga burra të cilët nuk kishin qëndruar kurrë në vendin e tyre dhe dinin pak për të;
së dyti, disa nga ministrat e qeverisë nuk arrinin të flisnin gjuhën shqipe, madje punët zyrtare i kryenin në gjuhën turke;
së treti, partia esadiste kishte një përfaqësim të fuqishëm në Shqipërinë e Mesme, pra ishte pikërisht Shqipëria e Mesme e cila ishte zgjedhur si kryeqendra e Sovranit të fronit shqiptar. Prandaj Ismail Qemali ishte i dëshpëruar në kohën që kishte marrë vesh vendndodhjen e qeverisë së Princit.
së katërti, Esad Toptani ishte pronar i një sipërfaqe tokash të konsiderueshme në Shqipërinë e Mesme, e për rrjedhojë influenca ekonomike ishte e fuqishme, madje duke iu referuar një telegrami të Aqif Pashë Elbasanit, në lidhje me situatën e fillim janarit 1914, tregohet se si regjistroheshin fshatarët në ushtrinë e Esad Toptanit: “Punët janë shumë keq. Rebelët po shtohen. Në çdo fshat shkruhen nga 15-20 xhandarë me 250 grosh rrogë. Thuhet se në mes tyre ndodhen edhe intelektualë e oficera”.
Ndërsa, në këto kushte Princi kishte dërguar Mehdi Bej Frashërin, me atributin e Ministrit të Financave, në dy kryeqytetet e Austrisë dhe Italisë, për të kërkuar ndihmë financiare, ndërsa ata luanin politikën e veshit të shurdhër; në këto rrethana Princi i ngjante një spekulatori të falimentuar, i cili e kishte kuptuar situatën politike por si kishte ngelur gjë tjetër veçse të largohej. Pra, ishte koha kur Lufta e e Parë Botërore kishte filluar të jepte shenjat e para, dhe Europa s`kishte mundësi të merrej me krizën e Shtetit Shqiptar, e për pasojë anijet e Fuqive të Mëdha e braktisën qytetin e Durrësit, duke e lënë në dorë të ngjarjeve të luftës, ndërsa “Sovrani” i ndiqte me jahtin e vogël italian që ia kishin lënë në dispozicion të largimit të turpshëm.
Bindja e Ismail Qemalit për daljen nga kriza ishte nëpërmjet një akti drejtësie me karakter ndërkombëtar, i cili duhet të jepej për shqiptarët dhe Shqipërinë; kjo, sipas tij, përbënte domosdoshmëri edhe për shtetet fqinjë, të cilët kishin kërkuar zgjerimin e kufijve të tyre politikë, e për rrjedhojë shkatërrimin e Shqipërisë politike. Në këto kushte, Ismail Qemali rekomandonte se duhet të krijohej blloku ballkanik, shoqëruar me një pavarësi të garantuar nga Fuqitë e Mëdha, i cili do të ishte faktori vendimtar për krijimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin që kishte demonstruar një nacionalizëm primitiv.
Duke parë kohën e shkurtër të mbretërimit, shoqëruar kjo me mungesën e një energjie princërore në koshiencën e Vidit, Ismail Qemali shprehet se ky mbretërim ishte më i pasur në episode groteske, sesa në veprime për organizimin e një shteti i cili ishte në moshën foshnjarake të tij; kjo me sa duket ishte një argument për të vërtetuar kujdesin e pamjaftueshëm që Europa politike kishte treguar në zgjedhjen e një princi i cili duhej të kishte treguar vullnet të jashtëzakonshëm për të ngritur një shtet që do të formonte institucionet politike, duke u shoqëruar me harmoninë politike midis krahinave të ndryshme shqiptare, gjë që nuk rezultoi si e tillë. Por nuk mund të neglizhojmë përzgjedhjen e Sovranit, nga pikëpamja fetare princi ishte protestant dhe si i tillë nuk mund të kontestohej nga asnjë përkatësi fetare, por e vërteta është tjetër gjë, pikërisht goditja iu dha në pikën më te fortë të tij, sepse nuk u shoqërua nga një propagandë efikase, madje u la në heshtje si rezultat i paaftësisë personale të vetë Vidit, i cili nuk e njihte terrenin politik të Shqipërisë; kështu në kohën e marrëveshjes së Korfuzit, ku bëhej fjalë edhe për Himarën, Princi sipas Eqerem Vlorës nuk e dinte se nga binte kjo krahinë.
Gjurmët e kohës na çojnë edhe më tej, të gjitha sulmet drejtoheshin tek përkatësia fetare e tij, qenia e Princit me besim të krishterë, duke u artikuluar si “kaurr” nën frymën e fondamentalizmit musliman, e shoqëruar me sulmin e esadistëve, të cilët kishin marrë formën e një ushtrie të rregullt, përbëjnë atë vektor politik të cilin Princi s’arriti ta kontrollonte ushtarakisht.
Pra, po ta shohim me kujdes kritikën politike të Ismail Qemalit ndaj Vidit, duket se rezultoi e drejtë, për shkak se Vidi ushtroi dhunë ndaj ministrit të kabinetit të tij, në kohën që kishte në dorë të gjithë instrumentet politikë dhe juridikë për ta evituar krizën e publikuar me aq ironi nga mediat europiane. Pra, trajtimi i Ismail Qemalit është një vlerë e shtuar, nga pikëpamja e përvojës politike, por edhe nga pikëpamja teorike e politikës si shkencë.

Blogger news

Blogroll

Archives

About