Eqerem Vlora, tutori i Principatës së Vidit

Nga Dr. Lavdosh Ahmetaj

Në kohën kur qeveria e Vlorës praktikisht kishte dalë nga loja politike dhe klasa politike shqiptare ishte në një pafuqi dhe pështjellim, ndërsa KNK kishte marrë edhe atributet ekzekutive, Eqerem Vlora ndërmori një axhendë diplomatike në botën gjermanike, mesa duket duke marrë shtysë nga rekomandimi i konsullit të përgjithshëm austro-hungarez, në cilësinë e këshilltarit parapërgatitës të Princ Vidit. Ai e konsideronte mbështetjen e botës gjermanike dhe caktimin e një princi gjerman në krye të shtetit shqiptar si një shans të papërsëritshëm për fatet e Shqipërisë, pasi një marrëdhënie e tillë parashihte përkimin e interesave strategjike të Austro-Hungarisë me interesin shqiptar për shtetformim.
Në shkrimet dhe analizat e Eqerem Vlorës bie në sy një konceptim më shkencor i politikës globale dhe një vlerësim më realist të çështjes shqiptare. Duket se kontaktet me politikën zyrtare të Monarkisë dualiste i shërbyen atij për një njohje më të themeltë të politikës gjermanike kundrejt Ballkanit. Ai u ndesh me ide dhe pikëpamje të shprehura drejtpërdrejtë nga trashëgimtari i fronit të Perandorisë Austro-hungareze, Franc Ferdinandi, i cili, sipas Eqerem Vlorës, bën një analizë shkencore në lidhje me pozitën e Monarkisë në Ballkan, mbi vështirësitë që duhej të përballte jo vetëm monarkia, por çdo politikë këmbëngulëse dhe e drejtuar nga një qëllim serioz dhe global në shërbim të shqiptarëve, por pse jo edhe të dualizmit politik.
Gjatë bisedës me të, Eqerem Vlora, në shtjellim të mëtejshëm të ideve, reflektoi dy pikëpamje:
së pari, atë të trializmit, që do të thotë pjesëmarrje politike dhe aktive të Shqipërisë në këtë dualitet global;
së dyti, pozitën e shqetësuar të shqiptarëve kundrejt ndikimit në rritje të elementit sllav në Monarki.
Por Franc Ferdinandi, duke u mbështetur në argumente politike dhe historike, shprehet se Shqipëria nuk kishte të bënte me grupimin trialist. E parë kjo në disa aspekte:
së pari, sipas një marrëveshje midis Monarkisë dualiste dhe Italisë, Shqipëria duhet të mbetej një shtet i lirë dhe i pavarur; ose thënë me një gjuhë tjetër, Shqipëria duhej të ndiqte fatin e saj politik për të qenë një shtet tampon që, për nga pikëpamja e pozitës gjeografike, i shkonte më për shtat;
së dyti, Shqipëria si shtet, duhej të ruante baraspeshën ballkanike, sepse duke qenë në një pozitë gjeografike me elementë të veçantë strategjikë, ishte e natyrshme që Monarkia t`i jepte këtë atribut strategjik, që për më tepër ishte në përputhje me interesat shqiptare;
së treti, formacioni shtetëror shqiptar duhej të shmangte hegjemoninë e pakufizuar të sllavëve në hapësirat politike ballkanike, e kjo kishte arsye të thella edhe doktrinare, pasi të dy fqinjët ortodoksë kishin të instaluar në filozofinë e tyre politike shovinizmin politik;
së katërti, Shqipëria shtetërore duhej të gëzonte dashamirësinë dhe kujdesin e veçantë të pjesëve gjermane dhe hungareze të Monarkisë çka kishte një domethënie të madhe për politikën shqiptare në fatin e saj politik.
Nga mënyra se si Franc Ferdinandi kishte analizuar situatën gjeopolitike, Eqerem Vlora nxjerr konkluzionin se pikërisht për shkak të pikëpamjeve të tij të qarta për çështjet ballkanike dhe për domosdoshmërinë e një shteti shqiptar të konsoliduar, serbët ndërmorën atentatin ndaj tij duke e konsideruar si një rrezik potencial për interesat e tyre hegjemone në Ballkan.
Takimin me Berhtoldin Eqerem Vlora e konsideron të frytshëm në sensin që pikëpamjet e tyre ishin përputhur dhe kishin arritur të kuptoheshin mirë me njëri tjetrin, ngjarjet kishin bërë që politika zyrtare e Monarkisë të ishte më realiste, reflektimet politike të Berhtoldit përputheshin me pesimizmin e tij të theksuar, pesimizëm në sesin realist dhe të spikatur politikisht dhe aspak të ndonjë prirje apatike, e cila të kishte efekte të forta në mentalitetin politik të Eqerem Vlorës.
Në disa takime me shefin e shtabit të përgjithshëm, kontin Hetcendorf, ku u trajtua në sensin politik ekzistenca e shtetit shqiptar prej Eqerem Vlorës, në diskutimin e tij për ardhmërinë politike të Ballkanit dhe të Shqipërisë, ushtaraku i lartë austriak reflektoi tre pikëpamje:
së pari, Serbia ishte prishësja e vetme e paqes dhe se vetëm një luftë preventive dhe në kohën e duhur do të ishte shpëtimi për Monarkinë dhe Shqipërinë, nga rreziqet që sillte politika pansllaviste në Ballkan;
së dyti, kriza ballkanike nuk mund të zgjidhej përmes politikës miqësore që mund të ndiqte Monarkia ndaj sllavimit;
së treti, në kontekstin trialist të politikës globale dukej se, në mjediset zyrtare të Monarkisë dualiste mbretëronte fryma autoritariste e Meternikut, i cili me sa duket kishte lënë frymën e tij në shtetin dhe diplomacinë austriake.
Kontaktet e Eqerem Vlorës ishin të organizuara në mënyrë të tillë që të mos binin ndesh me interesat e shtetit shqiptar; ai e kishte të qartë politikën globale e për më tepër ishte i ndërgjegjshëm për misionin publik që kishte në qenien e tij politike. Më tej në takimet e punës me Princ Vidin në Vjenë, Eqerem Vlora nxjerr si konkluzion se ai ishte një princ që nuk kishte njohje të mjaftueshme për historinë, kulturën, traditën e shqiptarëve, por ishte me një kulturë të mjaftueshme ushtarake, i ndershëm dhe madje më tepër se ç’duhej, për më tepër ishte i vendosur të merrte dhe të mbante, pa asnjë iluzion, një përgjegjësi të madhe mbi vete. Ky konkluzion mbi Princ Vidin dhe vlerësimi që jep për të, vjen pasi ai kishte takuar shumë pretendentë për fronin e Shqipërisë dhe të gjithë ishin të pakrahasueshëm me karakterin dhe kulturën e Vidit.
Duke e vlerësuar si të tillë, Eqerem Vlora punoi intensivisht me Princ Vidin në një përgatitje paraprake për çështjet shqiptare, historike, politike dhe praktike, për t’u prezantuar para shqiptarëve sa më denjësisht. Ai i kishte shpjeguar pozitën gjeografike të Shqipërisë, prirjet separatiste të ortodoksisë ambicjet e monarkive fqinje, situatën e Himarës si territor dhe popullsi shqiptare etj., duke qartësuar Princin për problemet me të cilat do të përballej në krye të shtetit shqiptar. Vidi e dëgjonte me mjaft vëmendje dhe respekt këshilltarin e tij. Kjo mund të quhet dhe faza më e rëndësishme e purgatorit princëror.
Ndërsa ky bashkëpunim vazhdonte në mënyrë miqësore dhe vlerësuese, Eqerem Vlora kishte krijuar rezervat e tij në marrëdhënie me zyrtarët gjermanë, më konkretisht për reagimet e burokracisë në Ministrinë e Brendshme të Monarkisë, të cilët merreshin me çështjet ballkanike dhe që përgjithësisht e kishin mirëpritur bashkëpunimin me shqiptarët dhe me Princin, por Eqeremi kishte rezervat e tij duke reflektuar se atmosfera e Ministrisë së Jashtme nuk shprehej aq miqësore, madje pala gjermane mbante një farë inati ndaj shqiptarëve për faktin se ishin ndarë kaq lehtë dhe pa dhimbje prej shtetit osman. Megjithatë ndaj Princit tregoheshin korrektë dhe mjaft disponibël, edhe pse Eqerem Vlora nuk çlirohej dot nga mendimi se gjithë procesin e formimit të shtetit shqiptar ata e shikonin si një inskenim të dyshimtë. Për të ekuilibruar situatën e krijuar, ai, me miratimin e Princit, kishte thirrur kunatin e tij, Eqerem Libohovën, si këshilltar ushtarak. Ky kishte punuar për një kohë të gjatë në administratën diplomatike të Perandorisë Osmane dhe me njohuritë e tij ishte treguar i gatshëm të ndihmonte krijimin e raporteve diplomatike midis Princit dhe diplomacive të huaja në Vjenë.
Në Këln Eqerem Vlora ishte prezantuar me dërgatën shqiptare prej 18 vetësh; përveç tyre, me cilësinë e vëzhguesit dhe të këshilltarit, ishte Kastoldi, i cili kishte shërbyer edhe në Maqedoni për organizimin e xhandarmërisë, njëherësh ishte i njohur si një përndjekës i tërbuar i shqiptarëve që ishin me ide nacionaliste dhe miqësore ndaj politikës austriake. Ai mbahej nga politika italiane si njohës i Shqipërisë, politikën e së cilës e shoqëroi deri në Konferencën ë Paqes në Paris. Ai, sipas Eqerem Vlorës, bënte pjesë në atë grup propagandistësh italianë të cilët, me ekstremizmin e tyre, ndihmuan lindjen e shumë keqkuptimeve midis politikës italiane dhe asaj shqiptare.
Kujtimet politike të Eqerem Vlorës janë një burim i çmuar, në pikëpamjen e një përvoje politike parashtetformuese, edhe për faktin se ato na orientojnë në krijimin e një koncepti më të qartë të një figure politike, e cila përflitet ende sot edhe pse ka kaluar një kohë prej 100 vjetësh: është fjala për Esad Toptanin, i cili ishte një nga mjeshtrat e politikës të fillimshekullit të njëzetë. Në profilin e tij Esadi përvijohet si një lider i një sistemi politik orientalist, e kjo pasqyrohet në shtëpinë e tij, e cila kishte funksionet e një selie politike, për të qenë i gatshëm në çdo orë të priste e të përcillte këdo që kishte dëshirë për të folur me të, dhe në në çdo kohë shtëpia (selia) gjendej e shtruar për këdo që vinte për të biseduar. Me këtë gatishmëri për të takuar njerëzit e tij në çdo moment kohor, me këtë mënyrë të të bërit politikë, të krijohet përfytyrimi i një lideri politik që ishte i orientuar në politikën e klanit, të cilin e mbante të gjallë sa herë që i jepej mundësia politike për ta shfrytëzuar në shërbim të interesave dhe ambicieve politike vetjake. Në këtë hulli duhen parë edhe fjalët që qarkullonin, se udhëheqësit e lëvizjes muslimane të Shqipërisë së Mesme i kishin kujtuar Esadit premtimin që u kishte bërë për të luftuar për një Shqipëri me një qeverisje muslimane, madje hamendësohet se Esad Toptani iu ishte përgjigjur inspirimeve të kësaj natyre, duke i sqaruar se nuk e kishte harruar premtimin e tij dhe vazhdonte të ishte me ta, por duhej pritur çasti i duhur për të bërë një lëvizje më të fortë kundër vullnetit të “shtatë krajlave”.
Reflektimet politike të Eqeremit shprehin të kundërtën e politikës së Esadit, duke vlerësuar se e gjithë klasa e bejlerëve ishte në mbështetje të Princit dhe se nuk kishin vlerë një tufë fshatarësh pamend. Në analizën e tij shkencore ai thellohet edhe më tepër duke parë dialektikën e zhvillimeve dhe ndryshimeve në realitetin politik të kohës. Ai dallon atë klasë bejlerësh që kishin qenë mbështetës të shpalljes së pavarësisë, por koha pas kësaj ngjarjeje politike kishte lëkundur disi pozitat e saj, e për rrjedhojë ata nuk kishin më autoritetin e dikurshëm në shoqërinë shqiptare, megjithatë klasa e bejlerëve i kishte qëndruar besnike Princit pasi në të shpreheshin interesat kombëtare, edhe pse kjo binte në kundërshtim me interesat e tyre klasore. Por analiza trajton edhe pozitat e palëve në proces: njohja e Vidit si Princ i Shqipërisë ka të bëjë njëherësh me anën tjetër të medaljes, me reputacionin politik të Esad Pashë Toptanit, i cili duket në opsionin e tij si njeriu më i mundshëm për të përballuar krizën në të cilën gjendej Shqipëria, madje vërehet se Esadi, megjithë të metat e tij, ishte njeriu i vetëm që mund të drejtonte disi me siguri anijen e shtetit shqiptar në tronditjet e thella që po përjetonte Shqipëria në vitet e para të pavarësisë.
Procesi i njohjes dhe instalimit të Princit në krye të shtetit shqiptar përfshinte krijimin e një shtrese popullore më fleksibël ndaj rrjedhave politike, për të inspiruar për një politikë më moderne, e shprehur më së shumti në krahinat e Shqipërisë Jugore, e cila e kishte përkrahur Princin me të gjitha mundësitë e saj. Por, në anën tjetër nuk mund të anashkalohej përkrahja e Shqipërisë Katolike, e cila ishte mbështetësja kryesore e politikës së Vidit për formimin e shtetit të ri. Në vëmendjen politike të E. Vlorës qëndron fakti se fjala e bejlerëve nuk ishte më vendimtare për qëndrimin e shqiptarëve, sidomos të asaj klase të mesme e cila përbënte një pjesë të konsiderueshme të popullit shqiptar. Ndërsa dukej se në Shqipërinë e Mesme nuk kishte ndryshim cilësor në përmirësimin e shtresave sociale, për më tepër kjo shoqëri ndihej më e dëmtuar dhe e indoktrinuar nga ideologjitë osmane, e reflektuar kjo deri në shprehje si “duam babën”, ose me kërkesa për përmbysje radikale deri në ndryshimin e simbolikave në flamurin kombëtar dhe në përdorimin e një alfabeti arab. Pra, ishte pikërisht kjo klasë e cila u bë prè e propagandës së Turqvë të Rinj për një “Shqipëri muslimane”, dhe që e konsideronte Vidin si një njeri që duhet të largohej nga Shqipëria sepse ishte kundër muhamedanizmit. Në analizën e strukturës klasore, ajo që duhej të ndryshonte ishte pikërisht klasa e mesme dhe popullsia në tërësi.
Ajo çka vëren Eqerem Vlora është se modeli qeverisës i Princit si fytyra e Europës moderne ndihej në minorancë, sepse në selinë e Princit nuk dukej se kishte një “aromë popullore” dhe hyrje-daljet në selinë e tij ishin më të pakta krahasimisht me njerëzit që vinin si mysafirë në selinë e Esad Toptanit; kontradiktë kjo, për më tepër brenda trupës politike që po ndërtonte shtetin e ri shqiptar. Ky ndryshim drastik kishte prodhuar opinionin e stilit oriental, i cili kishte filluar të përshpëriste për jetën e Princit dhe të oborrit princëror. Ky opinion kerkonte që princi europian, e për më tepër me origjinë gjermane, të shdërrohej në një princ ballkanik, i cili duhej t`i priste nënshtetasit e tij nën “hijen e Blinit”. Ndërkohë Princi e veçanërisht princesha, nuk e kishin aspak të lehtë të përshtateshin dhe të vendosnin lidhje me vizitorët, t’i kuptonin dhe t’u përçonin mendimet dhe ndjenjat e tyre, aq më tepër çifti princëror nuk fliste gjuhën shqipe dhe as e kishin idenë e konstitucionit shpirtëror e mendor të kombit shqiptar, me një kulturë të veçantë dhe të huaj për ta. Por ajo që ishte e pamundur të perceptohej nga Princi ishte pikërisht fakti se suksesi politik i tij duhet të varej pothuaj nga ky mirëkuptim i ndërsjellë.
Në analizën e tij Eqerem Vlora jep shpjegimin e tij edhe për figurën e Turhan Pashë Përmetit si kryeministër dhe diplomat në Perandorinë Osmane, i cili kishte shërbyer për rreth 50 vjet me ndershmëri dhe shumë sukses, kishte qenë ambasador dhe mik personal i carit të Rusisë, duke punuar si diplomat në të gjitha kryeqytetet e Europës. Ai ishte një burrë shteti i kultivuar dhe tejet i arsimuar, i cili mund të kishte kryer çdo lloj funksioni shtetëror, por jo kryeministër në shtetin e ri shqiptar të sapokrijuar. Profilit të këtij kryeministri mbi të gjitha i mungonte aftësia për të njohur dhe për t`i trajtuar njerëzit, toni i nevojshëm për t`i bindur, përvoja e nevojshme për t`i marrë prej dore ata dhe për t`u mbrojtur prej tyre, kuturia për të çarë përpara nëpër të gjitha sajesat e politikës e mbi të gjitha rrethanat krejt të jashtëzakonshme të Shqipërisë. Pra ishin këto që do ta shkurajonin këtë personalitet politik për t`u përshtatur në një terren ballkaniko-feudal, i ngjizur me ideologji muhamedane. Por, ajo që të çudit në aftësinë e tij praktike për të qenë një statist normal, ishte paaftësia për t`u përshtatur në gjëra tepër të thjeshta: kështu Eqerem Vlora tregon se ai nuk ishte në gjendje të më orientonte se ku do të ishte Ministria e Jashtme, e cila nuk kërkonte më shumë se tre a katër dhoma pune. Por ç`të shihja – tregon Eqeremi. – Ai nuk dinte të më thoshte se ku mund të ishte zyra e kryeministrit! Pra, në kushtet e një strukture politike që ishte në momentet e saj të ngritjes, çfarë mund të funksiononte në kohën që kryeministri, edhe pse me kulturë të jashtëzakonshme, nuk mund t`u jepte zgjidhje problemeve kaq ordinere, për më tepër që Shqipëria ishte një shoqëri me ndikime të fuqishme orintale, shoqëruar me kryqëzimin e interesave të shteteve fqinje dhe europiane, të cilat ishin të gatshme të vepronin në shërbim të politikave te tyre. Mjafton të themi se, në kohën që një grup të deleguarish me përbërje nga disa shtete europiane kërkuan të bisedonin me rebelët e Shqipërisë së Mesme, është e çuditshme që rebelët mbajtën një qëndrim armiqësor ndaj përfaqësuesit të Monarkisë dualiste, me idenë se ata ishin mbrojtësit e Princit. Këto qëndrime ishin pasqyrime të politikës midis shteteve rivale në Shqipëri, e për pasojë efektet dukeshin në procesin shpërbërës në brendësi të kryeqytetit të shtetit të ri, në Durrës, ku metamorfoza e shpërbërjes dukej jo vetëm midis njerëzve të thjeshtë, por edhe në shoqërinë më të lartë, e cila kishte në dorë fijet e manipulimit të politikës së Princit. Për pasojë u thellua dhe arriti përmasa të rrezikshme psikoza e kundërvënies Austrohungari-Itali, jo vetëm midis shumë ithtarëve, por edhe në organet me përgjegjësi shtetërore, në oborrin princëror, në përfaqësitë e huaja, në qeveri, në rrethet e oficerëve hollandezë dhe xhandarmëri. Ky fenomen u shfaq në kohën që tre ushtarakë italo-shqiptarë u arrestuan nga oficerët hollandezë me akuzën se kishin komunikuar me rebelët me anë të sinjalit të dritave. Në këto kushte
Qeveria e Princit caktoi menjëherë një komision të posaçëm hetimor nën drejtimin e Eqerem Vlorës, ku bënin pjesë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme Fejzi Alizoti dhe prefekti i Durrësit. Komisioni nuk arriti ndonjë përfundim të qartë. Duke e pare me kujdes fenomenin, Eqerem Vlora arriti në përfundimin se simpatia e italianëve ishte në anën e rebelëve, aq më tepër që shanset e Princit gjerman, i cili natyrisht qëndronte më afër austriakëve sesa italianëve, ishin zvogëluar mjaft. Atëherë në këto kushte qeveria u përpoq të merrej vesh me rebelët, e për këtë qëllim u ngarkua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, koloneli Filips, i cili shkoi në Shijak dhe u përball me kërkesat e tyre që ngulmonin në lejtmotivin “duam babën”. Sipas dëshmive okulare të Eqerem Vlorës, prapa kërkesave të rebelëve qëndronin të gjithë armiqtë e pavarësisë shqiptare, duke filluar nga agjentë dhe propagandistë grekë, serbë, turqit e rinj e të vjetër. Agjentë të tillë, si peshkopi i Durrësit, shfrytëzonin në mënyrë perfekte paditurinë e fshatarëve muslimanë për të prishur imazhin politik të Shqipërisë me idenë se shqiptarët nuk dinë të qeverisin, ata janë të papjekur politikisht.
Ndërsa, të vetmit që ngritën krye për të shpëtuar pavarësinë e Shqipërisë ishin nacionalistët, të cilët ishin nga të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, e në krye qëndronin bejlerët të vegjël e të mëdhenj. Ata ishin të vetëdijshëm se zhvillimet sociale dhe politike të Shqipërisë do të vepronin kundër interesave të tyre, e megjithatë ata nuk u bashkuan me rrjedhat që mund të shkatërronin ekzistencën e shtetit të ri shqiptar.
Pika kulmore e krizës së shtetit të ri shqiptar ishte më 23 maj 1914, për shkak të makinacioneve të politikës italiane me në krye Kastoldin, të cilit me të drejtën e këshilltarit të Princit i krijohej mundësia e manipulimit të Princit; dhe ashtu ndodhi, në këtë ditë ai ishte prezent në përfaqësinë italiane, e cila gjendej në Pallatin e Princit, për të parë gjendjen dhe për të biseduar. Gjysmë ore më vonë ai kthehet bashkë me sekretarin e përfaqësisë italiane dhe atëherë në ambientet e pallatit filloi një panik i vërtetë, ndërsa baron Alioti kishte deklaruar se nuk mund ta garantonin më sigurinë e Princit, duke dhënë urdhër të shmangte një ndeshje të mundshme midis marinarëve italianë me rebelët, e për pasojë ishte i detyruar të tërhiqte ushtarët e tij.
Pra ishte koha e humbjes së besimit te forcat ndërkombëtare, të cilat e kishin detyrë ligjore mbrojtjen e kreut të shtetit shqiptar. Për t`iu referuar kësaj dite Eqerem Vlora shpjegon pikën kulmore të shpërbërjes së shtetit të Vidit, duke mos besuar më ndonjë mundësi shpëtimi, e cila reflekton bindshëm në pikëpamjen e Nolit që thotë se kritika e vetme që mund t`i drejtojmë Vidit, është se nuk arriti të bënte mrekullinë. Kjo mendoj se është e vërtetë edhe për shkak të panikut që u krijua në pallatin e Princit, të gjithë largoheshin me ç’të mundeshin, madje edhe njerëzit më të besuar të Princit kërkonin rrugë dhe mjete për të shpëtuar kokën.
Pra, duke mbyllur këtë analizë edhe në trajtën e rrëfimtarit bazuar në bibliografinë politike dhe historike të Eqerem Vlorës, mendoj se është një lëndë e cila do t’i shërbejë riplotësimit në mënyrë serioze të përfytyrimeve që kemi për ringritjen e shtetit, por edhe të shkatërrimit të tij. Duket qartë se mekanizmat dhe institucionet e çdo shteti në thelbin e tyre janë qenie të gjalla, të ndjeshme ndaj shtrëngatave shkatërruese, por njëherësh edhe reaguese për ata që kanë një ideal shtetformimi, shoqëruar me përgjegjësi për jetën dhe moralin e një shpirti politik.

Blogger news

Blogroll

Archives

About