Historiku i shkollës fillore “Pashko Vasa “ - Grupçin nga 1931 - 1960


Shkruan: Mr.sc.Mehdi Memeti


Mr.sc.Mehdi Memeti
 Në virgjilie të 100 vjetorit të pavarsisë së shtetit shqiptar dhe 104 vjetorit të alfabetit shqip

( E kaluara, e tashmja dhe e ardhshmja janë tre faktorë që përherë jan ndërlidhur dhe ndërlidhen mes vedi )
I. Historiku i shkurtër i shkollës fillore “Pashko Vasa” fsh.Grupçin prej vitit 1931-1945 dhe  prej vitit 1945-1960

Në vend të hyrjes

Ti bëshë një retrospektivë arsimit dhe veprimtaris së gjithmbarshme mbi ngjarjet dhe jetën edukativo-arsimore të një institucioni shoqëror,që ka lënë gjurmë në shpirtin e një populli besoj se është vështirë.Duhet të shkruhet për shumë ngjarje e ndodhi brenda asaj periudhe duke u munduar në një far mënyre mundësisht të lehen disa shkrime e më pastaj të gjykohen e vlerësohen sipas kohës dhe hapsirës.
Kjo shkollë llogaritet si një ndër shkollat më të mëdha në   Tetovë e rrethinë, dhe mundësisht, e shohë të udhës që të shkruhet diçka për këte trevë,që gjer më tani si duket ka ngelë në margjina.Prandaj këtë tekst ua dedikoj si nxënësve, arsimtarëve, prindërve të nxënësve dhe gjithë të interesuarve gjithë dashamirëve të arsimit shqip  të kësaj ane ,në Maqedoni  e më gjërë.
Në këtë drejtim gjykimet dhe vlerësimet mbi ngjarjet në një far mënyre fiksohen,dallohen prej një periudhe në tjetrën.
Për këtë veprimtari edukativo-arsimore vështir se dikush do ta çonte ose peshonte farën e diturisë që ka hedhur ky institucion në këto treva të Dervenit.Por ne mendojmë siç thot : Naum Veqilharxhi rilindasi ynë kombëtar ” Është vështir ta hudhish farën e pastaj e krijon perëndia”).
Natyrisht nëpër përvjetore flitet për suksese, për rezultate të lakmueshme,vazhdimisht ,por në një far mënyre përjashtohet mundësia, mjerisht  të përmenden disa sakrifica që ka përjetuar kjo shkollë respektivisht veteranët e arsimit, nxënësit shqiptar dhe shkolla shqipe në pergjithsi.Sa për ilustrim po potencoj: Mësimi në gjuhë joamtare,Planet dhe programet mësimore, kuadri deficitar (joprofesionalizmi), niveli kulturor i ulët i prindërve, largimi i arsimtarëve nga puna, mosvazhdimi i shkollimit të mesëm sa duhet ,sistemi arsimor etj.që ka qenë preokupim parësor  nga ana e arsimtarëve,që kanë punuar e vepruar në këta treva.

I. Derveni dhe shtrirja e pozitës gjeografike
( Kushtet shoqëroro-ekonomike)

Kjo krahinë shqiptare shekuj me rradhë ka qenë e pandarë,qoftë në aspektin gjeografik qoftë në aspektin  shpirtëror  e politik ,duke filluar që nga përfshirja historike para 3000 vitesh e këtej deri në kohën e pushtimit turk,respektivisht  me largimin e shtetit otoman nga këto troje,deri në vitin 1912.Pas viteve 1912-ta me ndarjen teritoriale administrative; që d.t.th.Dervendi-fshatrat e dervenit që I takojnë administratës së Shkupit,dhe fshatrat e Dervenit që I takojnë administratës së Tetovës. Kjo ndarje e këtillë ka ndikuar që edhe sot e kësaj dite vendasit (banorët e këtyre vendeve vetë ta ndajnë Dervenin në dy pjesë (M.M.)
-Dervendi i epërm
-Dervendi i poshtëm
Kështu në kohën e ndryshimeve të mëdha  të vitit 1941-1945
Dervendi i epërm i ka takuar Shtetit shqiptar, ndërsa Dervendi I poshtëm shtetit Bullgar. Poashtu edhe pas viteve 1945,   administrativisht Dervendi  ndahet në dy pjesë: Në Dervendin e epërm –Komuna e Tetovës, dhe Dervendi i poshtëm-Komuna e Shkupit,që e njejta gjendje është edhe sot e kësaj dite.Kështu në vitin 1996 kemi ndarjen e re teritoriale administrative ku fshatrat e Dervenit të epërm i takojnë Komunës së Zhelinës dhe fshatrat e Dervenit të poshtëm Komunës së Sarajit.
Derveni është një krahinë që shtrihet në mes dy qyteteve : Shkup- Tetovë dhe që përfshinë kryekëput 41 fshatra të popullarizuara me shqiptarë,të cilët jetojnë me shekuj në trojet e tyre etnike.(M.M.)

II. Historiku i shkollës fillore “Pashko Vasa “ - Grupçin
Prej vitit 1931 e deri në vitin 1945

Shkolla fillore e fshatit Grupçin për të parën herë është hapur në vitin 1931.Asaj kohe, ” pushteti sërb filloi të hapë shkolla edhe nëpër vendbanimet me popullatë të pastër shqiptare, filloi të hapë shkolla në gjuhën sërbe ” ).
“ Inisijatori dhe përpjekësi më i zjartë për ndërtimin e kësaj ndërtese dhe për hapjen e shkollës,ka qenë ish mësuesi Mile Gliniq me kombësi malazez.Mësuesi i sipërpërmendur bashkë me kolegun e vetë Boshko Boshkoviqin kan qenë si mësues të parë në fshatin Çiflik “).
Këta dy kolegë tue mos e pëlqyer fshatin Çiflik për shkak të pozitës gjeografike, sepse ky fshat ka qenë më i vogli në trevën e Dervenit të epërm ; nga ana tjetër nuk kishte lokal të përshtatshëm për mësim,bënë ç’mos për meremetimin e një shkolle të re në fshatin Grupçin.Që edhe sot e kësaj dite është shkollë qëndrore në këtë trevë.
Kështu, pas shum përpjekjeve të veta të shumta arrijnë qëllimin e tyre, dhe në vitin shkollor 1931/ 1932 fillojnë punën e tyre në këtë ndërtesë të fhatit Grupçin.Dhe kështu Çifliku ngelet shkollë 4 vjeçare në kuadër të Grupçinit deri në vitin shkollor 1993/1994, ku bëhet 8 vjeçare,.
Këta dy shokë të parët që kanë filluar të përhapin kulturën e kësaj ane në Dervendin e epërm.Më vonë në këtë shkollë vijnë edhe disa mësues e mësuese të cilat ishin . Aleksandër Qylafiq I cili ka punuar me klasën foshnjore dhe me klasën e parë.Smila Mitroviq e cila ka punuar me klasën e II-të. Nikolla Dubleviq I cili ka punuar me klasën e tretë ( III )-të. Jole Zhuviq I cili ka punuar me klasën e katërt ( IV)-të.Nikolla Petroviq si dhe Dushan Divjak.
Këto janë arsimtarë dhe arsimtare që kanë punuar prej vitit 1931-1940.
“Në këtë shkollë nuk kan marrë pjesë vetëm nxënësit e fshatit  Grupçin por edhe fshatrat tjera si : Dabërcë, Llërcë, Çiflik, Kapizhdoll, Novo-sellë I, Rogle, Merovë,Cerovë.”Sedllarevë  )
Ndonëse ka qenë shkollë 4 vjeçare,prapëseprap vlenë të theksohet se numri I nxënësve nuk ka qenë I mjaftueshëm,mbasi interesimi I tyre nuk ka qenë në nivel të duhur.
Me plasjen e luftës së II-të Botërore në vitin 1940 shkolla mbyllet. Në vitin 1941 me ardhjen e fashistëve gjerman,siç potencohej asaj kohe dhe me coptimin e shtetit tonë,tue e ndarë në Shqipërinë Italiane dhe Bullgarinë fashiste, kjo pjesë e vendit, ngelë nën sundimin Bullgar.
Dhe natyrisht se gjatë sundimit të tyre,shkolla në vend që të shërbenë  për edukatë ,arsim,dije,kulturë dhe ngritjen e popullit kthehet dhe e bëjnë shtab ushtarak dhe burg,ku burgosin dhe torturojnë popullin e pafajshëm të kësaj ane, krahine dhe kështu vazhdon deri në vitin 1945.
Historiku i arsimit të Dervendit është pjesë përbërëse dhe e pandarë e historisë së shkollës tonë kombëtare. Ashtu si në fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore edhe në fushën e edukimit dhe arsimit, populli i trevës së dervenit,intelegjenca e saj, ka bërë luftë dhe po bënë dhe do të bëjë pa ndërpre për zhvillimin dhe përparimin e tij.
Emisarët e Dinastisë së Karagjorgjeviqëve në decenien e katërt të shekullit XX, për jetësimin e elaboratit të Gerashaninit siç potencuam edhe më lartë, Mile Gliniq dhe Boshko Boshkoviq me kombësi malaziez   u angazhuan me të madhe që në pjesën perëndimore të Sërbisë jugore të përhapin ndikimin sërb, gjegjësisht kulturën sërbe.Në këtë drejtim gjoja se janë iluminist të vërtetë dhe se gjoja u dhimbset shumë, populli i pa arsimuar, i kësaj ane u angazhuan me të madhe që të hapin shkolla, në pjesën më të madhe të maqedonisë perëndimore jo vetëm në trevën e Dervendit por edhe më gjërë.Qëllimi i tyre  ka qenë që ky korpus  “arsimtarësh” ta ngulitin gjuhën sllave, gjegjësisht ate sërbe edhe këtu në këtë trevë.Gjatë kohës së veprimit të tyre ky institucion vlersojmë se nuk arriti rezultate të duhura.
Këte e dëshmojnë edhe planprogramet e asaj kohe se cilëve lëndë më tepër u kan kushtuar rëndësi :Gjuhës sërbe,religjionit,historisë dhe muzikës. Po paraqesim një planë pre kl. I-IV-tën i cili dukej kështu :
Lëndët mësimore                                     I     II     III     IV     Gjithsejt :
1.Mësim besimi                                       1      1      2       2           6
2.Gjuhë popullore sërbe                         10     9      6       5          30
3.Gjeografi                                               -      -       2       3           5
4.Histori                                                   -      -       1       3           4
5.Njohja e natyrës dhe rekomandime
mbi shëndetin                                       -      -       3       3           6
6.Matematik dhe gjeometri                      5      5      4       4          18
7.Vizatim                                                 -       1      1       1            3
8.Bukurshkrim                                         -       1      1       1            3
9.Dituri praktike nga bujqësia                 -       -       3       3            6
10.Muzik                                                2/2    2/2    1       1            4
11.Gjimnastik                                         4/2   4/2     2       1            7
Gjithsejt :                                                19     20    26      27         92   )

Plani mësimor i aprovuar me ligj në vitin 1929-nga Ministria e arsimit në mbretërin e Aleksandar Karagjorgjeviq,me pak ndryshime nga ai i vitit 1926,filloi të realizohet edhe në këta treva me qëllim që ta edukojnë këtë popullatë në frymën pansllaviste ta mjellin gjuhën sërbe dhe kulturën e tyre sikurse çdo pushtues me këngët “Oj srbija milla moja” këte e dëshmojnë edhe banorët e kësaj ane,që si qëllim të vetëm kan pasur që si e si ta asimilojnë këtë popullatë.

III. Historiku i shkollës fillore “Pashko Vasa“
fsh.Grupçin  prej vitit 1945-1960

Më 1945 , menjiher pas çlirimit të vendit tonë nga okupatorët dhe nga armiqtë e vendit siç potencohej asaj kohe (mendimi im ) filluan të hapen përsëri shkollat si gjetiu edhe në këtë trevë,edhe ate me mësim në gjuhën shqipe.Kështu me vendosje të pushtetit popullor menjiher u dha mundësi popujve tanë që të punojnë dhe ta përparojnë gjuhën e tyre amtare.
Kështu sipas të dhënave oficiale gjatë luftës së II Botërore  prej vitit 1941/ 1944 u ndërpre shkollimi.Më pastaj siç potencuam edhe më lartë në vitin 1945 menjiher kjo shkollë fillon punën së pari herë ku dhe mësimi fillon të zhvillohet në gjuhën amtare.”(Populli i kësaj ane (krahine),fillon të edukoj nxënës në gjuhën amtare,që s’ka patur rast  një gjë të këtillë ta bënë në të kaluarën e tyre).
Është me rëndësi të ceket se prej vitit 1948-1950 nxënësit kan mësuar në fshatin Grupçin  nga gjith fshatrat tjera për rreth.
Sipas të dhënave dhe dokumenteve arkivore”), mësuesi i parë që ka hapur shkollën dhe ka edukuar nxënës në këtë shkollë ka qenë :
1.-Fevzi Zabzuni – prej qytetit të Ohrit, I cili ka qenë mësues në këtë shkollë prej vitit 1945-1947.
2.-Sulejman Arsllani - I lindur në Tetovë në vitin 1929.Si mësues në këtë shkollë ka qenë prej vitit 1945-1948.
3.-Ahmet Kalishti – I lindur në Tetovë në vitin 1926.Ka qenë si mësues në këtë shkollë vetëm 4 muaj.
4.-Iljaz Iljazi – I lindur në Tetovë më 1930. Ka qenë si mësues gjatë vitit shkollor 1946 / 47.
5.-Hysni Vela – I cili ka qenë në këtë shkollë vetëm 3 muaj, të vitit shkollor 1947 / 48.
6.Avdirahim Sinani – I lindur në fshatin Çollopek të Tetovës më 1926. Ka qenë mësues në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 1947 / 48, 1948 / 49.
7.Gani Hetemi – I lindur në Korçë të Shqipërisë. Ka qenë mësues në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 1948 / 49.
8.Havushe Memeti- e lindur në Tetovë në vtin 1931.Ka qenë mësuese në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 1948 / 49.
9. Rami Ismaili – I lindur në Gajre të Tetovës më 1933. Ka qenë mësues në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 1948 / 49. 1949 / 50, 1950 / 51.
10.  Refik Shaqiri – I lindur në Veshallë të Tetovës në vitin 1932. Ka qenë mësues në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 1948 / 49.
11. Memet Gega – I lindur në Tetovë, ka punuar gjatë vitit shkollor 1951 / 52.
12. Rami Memeti – I lindur në Tetovë në vitin 1921. Kaq qenë si mësues gjatë vitit shkollor 1951 / 52.
13. Abdyl Krasniqi – Ka punuar në vitin shkollor 1951 / 52.
14. Memet Abdyli – I lindur në Reçicë të Tetovës në vitin 1930. Ka qenë si mësues në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 1952 / 53, 1953 / 54.
Kështu gjatë vitit shkollor 1953 / 54 kjo shkollë kthehet në shkollë 8 vjeçare.Drejtori I parë për të parën herë emërohet Nexhat Idrizi, I lindur në fshatin Gajre të Tetovës,dhe ka qenë si drejtor I kësaj shkolle vetëm 4 muaj deri më 15 janar të vitit 1954. Punën e ndërpreu pasi u emërua si inspektor I arsimit në këshillin e rrethit të Tetovës.
15.Buran Hoxha - I lindur në Tetovë në vitin 1953/ 54 ka qenë mësimdhënës në klasët e larta. Për nevoja më të mëdha shoqërore të asaj kohe transferohet në muajin nëntor të vitit 1953.
16. Ismail Zati - I lindur në Tetovë në vitin 1930.Caktohet si mësim dhënës në këtë shkollë por për sjelljet e tija jo shoqërore me kolegët e vetë largohet menjëher në një shkollë tjetër,siç thuhet në dokumentet në dorëshkrim.
17. Alivebi Hashimi - I lindur në tetovë në vitin 1932 si mësimdhënës vjen ma vonë pas transferimit të Nexhatit si drejtor I kësaj shkolle dhe vazhdon me punë edhe më tutje.
18. Zylfi Haliti – I lindur në Dobrosht të Tetovës në vitin 1931.Caktohet si mësues në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 1953/54 ku qëndron edhe më tej.
19. Mamaut Mamuti – I lindur në tetovë në vitin 1925, I cili caktohet si mësues në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 1954/55, pastaj e ndroj mësuesi Abdyl.
20. Rijan Zina – I lindur në Tetovë me 30.04.1931. U emërua si mësimdhënës në këtë tetëvjeçare deri më datën 15.XI.1955, dhe pastaj u ndërue në fhatin Zhelinë.
Mbas datës së sipërpërmendur I vetmi në këtë shkollë mbetë vetëm mësuesi
21.Mahmut N.Mehmeti -I cili punoi në këtë shkollë prej vitit 1946 e deri në vitin shkollor 1956/57 mbetet në këtë fshat.
Si mësues është prej vitit 1946.Së pari herë ka qenë në rrethin e Kumanovës,ku ka ndejtur dhe punuar në shërbim plot 4 vjet dhe pastaj në vitin 1953 u emërua në fshatin Llërcë.
22. Bajram Selimi – Me datë 01.01.1956 u emërua si mësues I dytë në këtë fshat d.m.th.në fshatin  Llërcë pas mësuesit Mahmut I lindur në Tetovë, dhe mbeti deri në fundë të vitit shkollor 1955/56
23. Muhamed Hoxha – I lindur në fshatin Domenik të Prishtinës. I cili në vitin shkollor 1956/57, punoi vetëm dy muaj dhe në vitin shkollor 1957/58 u transferue në fshatin llërcë.Ky mësues iu bashkangjit mësuesit Mahmut Mehmetit.Njëherit edhe mësuesi Mahmut u transferue në qytet.
24. Enver Palloshi dhe Media Palloshi – Si mësues kan qenë në vitin shkollor 1957/58, 1958/59.Kështu pas mbarimit të vitit shkollor këta dy mësues transferohen për në Leshkë ndërsa në vendin e tyre vjenë mësuesi
25.Ekrem Dalipi – Është I lindur në fshatin Carev Dvor rrethi I Ohrit më 11.X.1936. Mësimet e para I ka krye në fshatin Kranjë kurse shkollën e mesme Normale e ka krye në Shkup.Ky mësues Ekrem Dalipi në shkollën fillore të fshatit Grupçin që asaj kohe quhej “ Zheden ” erdhi qysh me 01.IX.1959 dhe ndejti deri në fundin e vitit shkollor 1959/60.Ky mësues I udhëhiqëte tërë klasat vetë dhe si drejtor shkolle.Mandej prej aty mësuesi shkon për në Resnjë.
Karakteristik është me përmendë se prej vitit 1945  e der në vitin 1957/58 arsimin e ka udhëheqë rrethi i Komunës së Tetovës.Sipas dokumenteve që kemi arritë të zbulojmë prej vitit 1958 e këtej,formohet Enti i arsimit në Tetovë që ka udhëheqë deri në vitin 1965.Kështu prej vitit1965/66 formohen administratat me drejtori nëpër shkolla me dokumentacion të vetin,ku janë udhëheqë me kartona për sigurim pensional invalidor.
Përfundim

            Në këtë punim jemi munduar të paraqesim disa pikpamje  rreth çështjes së arsimit dhe edukimit në trevën e Dervenit,gjegjësishttë veteranëve të arsimit që kanë kontribuar në fshatin Grupçin e rrethinë.Jemi munduar të paraqesim disa argumente se si borgjezia sërbomadhe  muar aksion për hapjen e shkollave  edhe në trevat e dervenit me aspirata djallëzore asimiluese.megjithate në hapa me kohën gjërat ndryshojnë dhe kështu pas 1945 kjo trevë fillojë të lulëzojë me arsimtarët e parë të kësaj ane , nga Shqipëria ,Kosova të cilët me mundin e tyre të palodhshëm dhe me punën vetë mohuese i kontribuan çështjes kombëtare .Ata do të ngelen fytyra të paharuara të kombit tonë duke mos kursyer asgjë pavarsisht nga baticat dhe zbaticat serioze politike të asaj kohe si dhe nga gjendja e vështirë ekonomike, ata përsëri vlersojmë se kanë qenë më të dashurit e popullit shqiptar. Ngjarjet e vitit 1968,1981,1987 kanë qenë vitet e tmershme që nuk do të harohen kurrë në historin e popullit shqiptar.Janë ngritur  gishtat dhe kanë dënuar njëri tjetrin,kanë suspenduar shokë prej pune,kanë ndëruar emrat e fëmijëve të tyre etj,përsëri vlersojmë se s’mund të quhen tradhëtar (mendimi im ) . Mendoj se është gabim  për arsye se ata mund të quhen njerëz që skan pasur guxim e jo tradhëtar sepse historikisht tradhëtarët janë zhdukur dhe duhet të zhduken.Mendojmë se tradhëtar janë vetëm ata të cilët në një far mënyre e ndrojnë identitetin e tyre kombëtar.Por ne vlersojmë se ata kanë qenë patriot dhe do të ngelin kombëtar pavarsisht se dikush ka vuajtur më tepër e dikush më pak e dikush fare s’ka vuajtur, megjithate ata i kanë kontribuar çështjes së edukimit dhe arsimit shqip dhe do të ngelen figurat më të çmuara të kombit tonë. (mendimi im-M.M.)
Mendojmë se Sistemi i edukimit dhe arsimimit është një  proces dinamik dhe vazhdimisht pëson ndryshime gjithashtu edhe në këte trevë, që janë pasojë e ndryshymeve shoqërore si në aspektin ekonomik,politik dhe arsimor.
Paraqes disa pikpamje  rreth Shkollës fillore në fshatin Grupçin , dhe rrethinë prej mbretërisë SKS (Sërbe kroate dhe sllovene), d.m.th. prej vitit 1931 dhe pas vitit 1945 e deri në vitin 1960. Bëjë një vështrim rreth disa veteranëve të arsimit shqip që kanë kontribuar me të madhe në këte trevë për  edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.
Nga ana tjetër do të mundohem të paraqes edhe pozitën gjeografike të kësaj ane me disa të dhëna statistikore të vërtetuara shkencërisht që t’u lëmë gjurmë gjeneratave të reja  në të ardhmen.
Kërkoj ndjesë për lëshimet që më janë bërrë pa qëllim dhe u kërkoj ndjesë të gjithë atyre arsimtarëve që nuk janë të përfshirë në këtë punim.Çdo sugjërim qëllim mirë do të jetë i mrëseardhur.
Urime ,lavdi u qoftë atyre arsimtarëve që prehen,dhe atyre që janë gjallë,që I kontribuan arsimit shqip  në këto treva prej vitit 1945-1960 , kuptohet gjithë të tjerët që kanë vepruar e punuar prej atëherë e deri më sot.
Urime, dhe I gëzofshim  festat e Nëntorit për jetë dhe motë

Nëntor, 2012



Blogger news

Blogroll

Archives

About