Si e vrau Ramë Habili, Kajo Karafilin pas sherrit për Myrvete Pezën

Botohet për herë të parë ngjarja, e vrasjes së një prej atentatorëve më të famshëm të kohës



Ramë Habili, Lindi 1895 – Vdiq 23 qershor 1951
Në 7 prill 1939 merr pjesë në mbrojtjen e Durrësit ndaj pushtimit italian. Më pas nuk angazhohet me asnjë grup politik, por shprehte publikisht ndjenjat kundër Italisë,duke qenë si ishte një familje pro-zogiste.
Mbas kapitullimit të Duçes futet në çetën e Pezës dhe ka marrë pjesë në luftën e Arbanës. Si partizan ka pasur gradën tog-komandant.
Largohet nga forcat partizane në nëntor 1943.
Po në nëntor 1943 hyn në radhët e Ballit Kombëtar ku emërohet komandanti forcave të armatosura të zonës së Kavajës.
Në janar 1944 zbulon kufomën e fshehur të Kajo Karafilit në Lis-Patros.
Në 3 korrik 1944, një çetë partizane e komanduar nga Sali Verdha, i djeg shtëpitë. Të nesërmen hakmerret ndaj autorëve duke u djegur të njëjtin numër shtëpish nëHarizaj.
Në nëntor 1944 e deri sa vdiq në 23 qershor 1951 qëndron në arrati me armë në dorë kundër regjimit komunist.
……

Një ndër emrat më të spikatur të rezistencës në Shqipërinë e Mesme kundër regjimit komunist në vitet 1944-1950ka qenë Ramazan Habili, i njohur më shumë me emrin e shkurtuar Ramë Habili. Emri i tij sot nuk është shumë popullor, por për kohën e tij, ai ka qenë një figurë shumë e njohur në rrethet e Kavajës, Durrësit, Peqinit, Lushnjes e Shijakut. Në një punim në lidhje me rezistenën antikomuniste të z.F.Petrela, krahas emrave legjendarë të Hamit Matjanit, Alush Lleshanakut, Sul Selimes etj., përmendet edhe Ramë Habili. Për të nuk është shkruar deri më sot, përveçse ndonjë përmendjeje shkarazi në gazetat e veteranëve ku shtrembërohet gjithçka në lidhje me aktivitetin e tij, në stilin e njohur të komunistëve. Historianët “zyrtarë“ nuk kanë bërë ndonjë punim të posaçëm mbi aktivitetin e luftëtarëve antikomunistë të atyre viteve, siç duket ende i konsiderojnë sipas përcaktimit juridiko politik të komunistëve, pra kriminelë, reaksionarë, diversantë, armiq e të tjera kësodore. Por nuk është qëllimi ynë të merremi me historianët “zyrtarë” të derisotëm.
Nxitje për këtë shkrim u bë rënia në kontakt me disa dokumente që kishin të bënin me Ramën dhe që bujarisht një nip i tij A.Habili na i vuri në dispozicion, të cilët hedhin pjesërisht dritë mbi atë të vërtetë të hidhur të luftës civile në Shqipëri 1943-’44, të quajtur gabimisht “nacional çlirimtare”. Sipas këtyre dokumenteve del në dritë të diellit praktika e forcave partizane për terror e grabitje, vrasje e djegie shtëpish, propagandë shpifëse e trillime, të cilat pasqyrohen në dokumentet e kohës dhe sidomos në shkresat e shtetit komunist pas 44-ës.
Pikërisht një tubë shkresash të tilla kemi sot në dorë të cilat sqarojnë deri diku veprimtarinë e Ramës dhe rrjedhjen e ngjarjeve të asaj kohe, të cilat edhepse e shtrembërojnë të vërtetën, gjithsesi japin disa fakte demaskuese për krimet e forcave partizane e organeve të Sigurimit më pas. Edhepse janë përpiluar nga zyrtarë të Sigurimit të shtetit, dhe prandaj plotësisht të njëanshme, këto shkresa dokumentojnë të vërtetën e asaj kasaphane që ishte lufta antishqiptare për të marrë pushtetin e Partisë Komuniste dhe sadizmi e egërsia e hierarkëve të lartë të Forcave të ndjekjes apo Sigurimit.
Nëse lexohen shkresat, aty del që pushteti komunist ka qenë thjesht një bandë e organizuar e cila rrëmbeu pushtetin dhe, – pas marrjes së pushtetit, e ka ushtruar këtë të fundit me “filozofinë e bandës”  – pra në shkelje të plotë të çdo ligji e rregulli të së drejtës. Vetëm në këtë prizëm mund të kuptohet psh., se përse u paracaktua që të ndiqej Ramë Habili si “kriminel lufte” ndërkohë që nuk mund të akuzohej për asnjë krim të tillë, pasi nuk ishte bërë ndonjë gjyq, apo nuk kishte ndonjë ligj që të mund ta përcaktonte si të tillë. Veprimet e tij, që nga nëntori i vitit 1943 kur u lagua nga forcat partizane e deri në fund të 1944-ës, janë udhëhequr nga e drejta legjitime e vetëmbrojtjes së jetës, nderit e pasurisë, të cilat çdo njeri i denjë për këtë emër do të luftonte. Pra thjesht aktet e vëtëmbrojtjes nuk mund të quhen “krime lufte”.
Sipas tregimeve që kemi nga të afërmit e Ramës, të cilat vërtetohen direkt ose tërthorazi nga dokumentet që kemi në dorë, familja e tij ka qenë prozogiste dhe, për këtë arsye, kundër pushtimit nga fashistët italianë. Ka dëshmitarë të gjallë që konfirmojnë se Rama ka qenë në grupin e vullnetarëve që kanë luftuar në Durrës në 7 prill 1939 kundër pushtimit nga Italia. Fakt tjetër domethënës është qëndrimi i familjes Habili në vite. Ka fakte historike dhe dokumente që babai i Ramës, Abaz aga (Habili) ka qenë njeri më shumë influencë në krahinën e vet, ndërsa dihet se në rebelimin e 1924 është dënuar nga qeveria fanoliste (shih K.Dervishi: “Personat shpallur të pandehur nga qeveria Noli dhe – Vendimi i gjykatës politike – më 25 tetor 1924”). Për shkak të këtij qendrimi, shtëpia e Abaz Habilit digjet nga “revolucionarët e 24-ës” të komanduar nga Bajram Xhani. Tregojnë se kur Abaz Habili kthehet dhe i gjen të djegura kullat e veta, qesh edhe bën një betim tipik shqiptar: “-Ah ç‘m’i dogje pleshtat mor Bajram Xhani! Por mos më daltë shpirti po s’të vara në rrapin e Luzit!” Në fakt, mbasi erdhi Zogu në fuqi, në 1925 Abaz Habili, si kapiten rezervë i Zogut, ndjek dhe arreston Bajram Xhanin, të cilin pas një gjykimi të rregullt, e varin vërtet në një rrap. Pra këto janë fakte që dëshmojnë lidhjen e kësaj familjeje me pushtetin zogist. Prandaj Rama ushqente natyshëm ndjenja anti-italiane.
Me kapitullimin e Italisë fashiste, Rama me disa kushurinj të vetët, i nxitur edhe nga lidhjet e hershme që kishte me familjen e Myslim Pezës, hyn në radhët e partizanëve, ku madje emërohet si tog-komandant. Kjo dëshmohet nga shkresat e Sigurimit që kemi në dorë. Nga rrëfimet që kemi mësojmë se gjatë atij 2-muajshi në radhët e partizanëve, Rama konfliktohet me një nga njerëzit më të afërt të Myslim Pezës, të ashtuquajturin atentator, Kajo Karafili. Ky i fundit ishte si punë dhëndrri i familjes Peza, pasi kishte lidhje jolegale me mbesën partizane të M.Pezës, e cila për këtë shkak madje ishte ndarë edhe nga pretendenti serioz për t’u martuar me të, Qemal Deliallisi nga Shijaku. Tregohet se ky i fundit, në një rast, i thotë M.Pezës: “Ky tosku po shef shumë nga gratë tona! Do i vesh fre apo si do e dajmë kët punë?” M.Peza nuk reagon në lidhje me këtë ankesë, ndësa nga ana tjetër i thotë Kajos ta përcillte mikun deri “përtej përroit” me qëllim që ta ekzekutonin. Q.Deliallisi e kupton dhe arrin ta shmangë kurthin duke e vënë përpara Kajon deri sa largohet në një distancë sigurie. Me këtë rast ai largohet nga “grupi i Pezës”.
Pakashumë e njëjta situatë përsëritet edhe me Ramë Habilin, i cili njihej si një burrë shumë i përkushtuar ndaj zakoneve shqiptare të nderit të familjes, prandaj s’mund t’i pranonte lehtë skenat “rozë” të Kajos. Thuhet se i ankohet M.Pezës në lidhje me sjelljen e Kajos dhe i thotë që “Gratë i kemi lënë në shtëpi. Këtu kemi dalë për të mbrojtë vatanin!” Ky qëndrim i kushtoi prishjen me M.Pezën dhe konfliktimin me K.Karafilin. Pas dy muajsh qëndrimi në radhët e partizanëve, i bindur në qëllimet antishqiptare dhe filoserbe të komunistëve, si dhe i neveritur nga sjelljet e shthurura “partizançe”, largohet prej tyre duke u kthyer në Kavajë ku merr kontakt me krerët e Ballit Kombëtar dhe menjëherë emërohet komandant i forcave të armatosura balliste. Pikërisht në këtë periudhë, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe direktivave të së ashtuquajturës “Konferencë e Labinotit” për luftë kundër forcave nacionaliste, fillojnë konfrontimet me armëmes palëve.
Por llogaritë e Ramës me Kajon nuk ishin mbyllur. Le të hapim një parantezë këtu se çfarë e kishte sjellë Kajon në Pezë. Dihet se Myslim Peza ka qenë një kaçak në kohën e Zogut deri në fillim të vitin 1930, për shkak se kishte vrarë një figurë shumë të njohur të Tiranës, Osman Balin në vitin 1926. Gjatë kaçakllëkut të vet, M.Peza bën edhe vrasje të tjera, të cilat janë të dokumentuara nga shkresat e kohës. Myslimi arratiset në Jugosllavi ku bashkohet me Haxhi Lleshin e të arratisur të tjerë për shkaqe të ndryshme ordinere. Në këtë grup bashkohet edhe Kajo Karafili në fund të viteve ’30-të. Në Jugosllavi bëhen “miq” Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Esat Dishnica, Kajo Karafili e të tjerë, që më pas do të luajnë rol në jetën politike të vendit. Atje, siç duket, stërviten e përgatiten sipas planeve serbe për krimet e masakrat që do të bëjnë më vonë me kthimin në atdhe pas rrëzimit të Zogut nga Italia fashiste.Kthimi i tyre shënon një ndër krimet e para të këtij grupi terrorist, i cili është vrasja e një personaliteti të Rilindjes kombëtare dhe nacionalisti të sprovuar Neki Bej Starovës. Kishte thashetheme që Neki bej Starova kishte lidhje me vrasjen e Halit Lleshit, babait të Haxhiut. Për këtë qëllim ata ngarkojnë Kajon që ta kryente këtë vrasje terroriste, të cilën ai e kryen sipas zakonit komunist të vrasjes pabesisht. Ky krim ia rriti “prestigjin” Kajos si atentator, saqë ai pikturohet nga historiografët komunistësi “një nga atentatorët më të mirë gjatë Luftës Antifashiste”… Këto të ashtuquajtura “njësite guerile” s’ishin gje tjetër veçse banda kriminelësh të rinj, të cilët kishin kryer ndonjë krim të turpshëm dhe s’mund të rrinin në shtëpi, prandaj gjenin rastin për të “dalë partizan” ku mund ta ushtronin “mjeshtërinë” e tyre edhe më lehtë. Ka një grup famëkeq në zonat e Shqipërisë së Mesme për të cilët janë thurur legjenda për krime ordinere, ndër të cilët është edhe Kajo. Në vitin 1940, kur vritet Neki Starova, Kajo ka qenë 19 vjeç. Edhe atentatorët e tjerë të trumbetuar nga komunizmi kanë qenë adoleshentë ose rreth të 20-tave. Pëkërisht tipa të tillë si Kajo, Adnan Qatipi, Lym Keta, Vojo Kushi e ndonjë killer tjetër janë “heronjtë” e luftës partizane. Por të mos zgjatemi më tej në këtë temë. Pikërisht këto krime terroriste e lidhnin aq fort Kajon me Myslimin dhe gjithë banditët e tjerë që kishin marrë malet. Pikërisht këto krime në bashkëfajësi e detyronin M.Pezën që të duronte një pusht si Kajo Karafili, t’u hidhte sytë vajzave e grave të pezakëve.
Por le të kthehemi në marrëdhëniet e Ramës me Kajon. Në fund të vitit 1943, Kajo Karafili gjendet në malësitë e Kavajës, pikërisht në katundin Lis-Patros. Edhe në këtë zonë relativisht të qetë, fillojnëaksionet e “zakonshme” të partizanëve, duke plaçkitur tregtarët e njerëzit e pasur të Kavajës, si edhe duke mbjellë terror në popullsinë e vendit. Kjo e acaron gjendjen dhe për Kajon u hap nami si një personazh filmash vvestern. Afërmendsh jonga ata të Kinostudios, të cilët në fakt janë kontribuesit kryesorë të faktologjisë komuniste mbi luftën civile 43-44.
Nga rrëfimet që kemi nga dëshmitarë të asaj zone dhe familjarë të Ramë Habilit, mësojmë se në një aksion, grupi i Kajos arrin të rrëmbejë të lidhur një ushtar gjerman në vendrojen e tij. E marrin në mal dhe fillojnë e i bëjnë “gjyqin partizan”. Ushtari i shkretë nuk kuptonte asgjë se çfarë po thuhej por e merr me mend se po e dënojnë.Arrin t’u shpëtojë nga duart partizanëve dhe të zgjidhet, e çuditërisht të kthehet i gjallë në Kavajë. Shkon e takohet me Ramën dhe i shpjegon se çfarë i kishte ndodhur. I kërkon që ta shoqëronte për në vendin ku ishin partizanët dhe Rama pranon, i prekur edhe në sedër për gjithë ngjarjen. Thuhet se kanë qenë vetëm tre vetë në këtë aksion, pra ushtari gjerman, Ramë Habili edhe një person tjetër i Ramës. Zbulojnë vendin ku ishin partizanët dhe me një goditje me snajper e ekzekutojnë personin që kishte organizuar rrëmbimin, pra Kajo Karafilin. Partizanët çorientohen kur shohin komandandin e tyre “legjendar” përtokë dhe shpërndahen në panik duke qëlluar kuturu. Pikërisht kjo ngjarje ku tre vetë shpërndajnë një batalion partizanësh, përshkruhet si luftë heroike e partizanëve kundër forcave gjermano-balliste, kurse e vërteta është krejt tjetër. Rama kthehet në Kavajë, ndësa komunistët nxorën trakte duke thurur legjenda rreth kësaj ngjarjeje dhe se gjoja Kajo ishte gjallë dhe ende në krye të forcave partizane. Kjo gënjeshtër e provokon Ramën i cili, sipas dokumenteve që kemi në dorë, shkon përsëri në fshatin Lis-Patros dhe pas një hetimi disa ditor, arrin të zbulojë vendin ku ishte fshehur kufoma e Kajos dhe për të bindur njerëzit e sjell në Kavajë, që të shihej nga gjithë populli. Vetëm në këtë mënyrë mund të bindeshin njerëzit që terroristi Kajo Karafili ishte vërtet i vdekur. Ndoshta mund të duket si spekullim, por kemi arsye të dyshojmë se ky akt i guximshëm kundër një eksponenti të komunistëve kishte lidhje edhe me historinë familjare të Ramës, duke qenë si i jati i këtij të fundit, Abaz aga kishte pasur lidhje me Neki bej Starovën, të vrarë pabesisht nga Kajo Karafili. Ishte si të thuash një shpagim në distancë. Besojmë që miqësia e vjetër nuk mund të injorohej nga një burrë i rritur në bazë të zakoneve shqiptare si Ramë Habili, megjithëse sot për sot nuk mund ta vërtetojmë këtë gjë.
Pikërisht ky akt në mbrojtje të qetësisë e të rendit i kushtoi shumë Ramës, sepse më pas komunistët, sipas dokumenteve të kohës, ia djegin shtëpinë atij dhe dy kushurinjve të afërt. Të nesërmen, brenda 24 orësh ai hakmerret duke djegur po ashtu 3 shtëpi dhe duke konfiskuar mallin e gjënë e gjallë që i kishin rrëmbyer nga shtëpia.
Me ardhjen në fuqi të komunistëve, Rama e kishte të qartë se me çfarë gjakatarësh kishte të bënte, prandaj vendos të rezistojë me armë deri në fund me shpresën se pushteti komunist s’do ta kishte jetën e gjatë. Ndërkohë i burgosin dhe internojnë gjithë familjen, i rrëmbejnë pasurinë, tokat, shtëpinë etj.. Por ai vazhdon të rezistojë duke ruajtur bindjen që ndaj një regjimi kriminal s’kishte rrugë tjetër përveç rezistencës. Krijon grupin e vet dhe bie në kontakt me grupet e ngjashme nga krahinat fqinje siç janë ai i Hamit Matjanit, Sul Selimes,Shaban Shelgut etj.. Reziston për 7 vjet me armë kundër regjimit komunist, saqë për të filluan të thuren legjenda sikur ishe i pakapshëm nga plumbi. Në fakt, gjatë gjithë jetës së vet ai nuk është plagosur kurrë, kurse ka fakte që është helmuar me pabesi. Myslim Peza i dërgon njerëzve të Ramës, – ku ky i fundit furnizohej me ushqim, – një sasi helmi vdekjeprurës shumë të fortë, me instruksionet se si të veprohej duke e përzier me ushqimet.Thuhet se Rama ka konsumuar një sasi të tillë helmi të përzier me mjaltë, e cila ka shkaktuar vdekjen e tij.
Mbas vrasjes në pabesi, kufomën e sjellin në Kavajë, ku e lënë të pavarrosur dy ditë, me qëllim që të terrorizonin njerëzit, ndërkohë që fëmijët, nëna, gruaja dhe nipat e mbesat e Ramës ishin nëpër kampet e internimit duke luftuar me vdekjen.
Ky shkrim bëhet pikërisht për ta kujtuar sot 61 vite pas vdekjes një figurë të injoruar të luftës kundër pushtetit komunist, një personazh që përkushtimin ndaj atdheut e kishte treguar duke luftuar me armë për mbrojtjen e tij, si një borxh ndaj të vërtetës historike, që është fshehur e vazhdon të fshihen pabesisht nga historianët e regjimit.
Krahas këtij shkrimi mund të lexoni edhe dokumentet e nxjerra nga arkiva, të cilat dëshmojnë qartë portretin e Ramë Habilit, pavarësisht se ai është pikturuar nga njerëzit më të ndyrë që ka pjellë toka shqiptare, xhahilët e Sigurimit të Shtetit.


Ja dokumentet e Sigurimit të Shtetit për Ramë Habilin

Shënim – Këto janë disa dokumente të cilat po i botojmë në ortografinë origjinale, bashkë me gabimet dhe kemi ndërhyrë vetëm në pjesën qëështë në kllapa, thjesht për të qartësuar kuptimin



Biografija e katër kriminelave të luftës:
Rram Habili – Lindur në katundin Gjinaj-Habilaj; një orë e gjysmë lark Kavajës. Familja e tij është e njoftun në atë katund prej kohe si për pasuni edhe për trimëri, dhe populli i këtij katundi ka një simpathi të vjetër për ta.
Rram Habili para kapitullimit të Italisë ka pas një qendrim asnjëanës me kapitullimin e Italisë u hoth në rradhët e UNC ku qendroi afro dy muaj. Në operacionin e parë, në nëntor të 1943, u hoth në rradhët e Ballit. Këtu mori pjesë aktive në cdo operacion që u bë kundër UNC, është sjellë shumë i keq nër katunde ku kish pas (h)ëngur dhe vetë bukë para se të dezertonte. Ky ka rrafur popull dhe ka burgosur, në Ball bënte pjesë aktive me gradën Toger në qytet (Kavajë) ka mbajt një qendrim shumë të keq kundra popullit. Me shkatërrimin e plotë të Ballit dhe Okupatorit, Rrama u arratis, dhe deri tashti qendron në arati. Ky ka nxjer Kajo Karafilin Prej Varit dhe e coi për tmer në Kavajë. Kajoja ka qenë N/Komandant në Grupin e Pezës.




Kavajë. datë 24/IV/1948
Nxjerrë nga Rraporti nr.162/9. Extra.45. datë 27/IV/1945

Rreaksioni ilegal
Rreaksioni ilegal gjatë muejit prill ka qenë në këtë pozitë: në ditët e para të prillit ka qenë i bashkuem si ma parë D.M.TH. Grupi i Kavajës i përbamë nga Ramë Habili. Këta në fundin e muajit mars ishin në rrethin e Lushnjes por mbasi u gjurmuen nga andej u hodhën në N/Prefekturën e Kavajës në katundin Vilë. Këtu janë (n)darë në tre grupe: Hamit Matjani kaloj në anë të Lushnjes, Shaban Shelku në anë të Peqinit dhe Ramë Habili për në Kavajë u hodh në katundin Kanaparën; i ndihmuem nga Kapllan Berberi me të cilin ka miqësi të vjetër.
Ky i përcolli për në katundin Seferaj ku atje ranë në lidhje me Haxhi Metan Dervishin, i cili ka qenë edhe në vjetin e kaluem në arrati bashkë me Ramë Habilin por mbasi ishte në gjendje të dobët fizikisht ndejti në shtëpi(((( pregatiti terrenin ku ra në linjë me Kryetariu e Këshillit N.Çl. të katundit Hysen Shahu.)))



(Shënim red. – Duhet të jetë para datës 2 prill 45)

Rrethi i Kavajës
Në rrethin e n/prefekturës së Kavajës kemi vetëm një grup t’arratisur që përbënet prej pesë vetash:
1)Ram Habili (udhëheqës i grupit)
2)Xhemal Callushi
3)Kolë Veshi (Koneshi)
4)Rexhep Gosa
5)Skender Gosa

Ramë Habili – lindur në kat.Gjinaj-Habiliaj të Kavajës, rrjeth nga një familje pasanike e këtij katundi. Babai i tij ka qenë si bajraktari i atij katundi dhe ka patur gradën kapiten rezervë në kohën e Zogut, por gjat kohës së okupacionit ay dhe i biri i tij Ram nuk muartin (morën) pjesë në asnjë anë, me kapitullimin e Italis Rama u hoth në rreshtat e Ushtris N.Cl por andejë dizertoi pse është njeri fodull dhe mendje math, dhe u bashkua me reaksjonin. Nuk ka bërën ndonjë krim gjatë kësaj kohe veç se në nëdorin (nentorin, në fakt janar – shën.red) e 1944, në luftimet që u bënë në katundin Lis-Patros me partizanët e grupit të Pezës mbeti i vrarë një komandant bataljoni partizan i quajturi Kajo Karafili, trupin e këtija me që nuk mundën ta tërhiqnin partizanët me gjithë ca fshatarë e mshehën dhe kur ka shkuar Ram Habili atje ka torturuar 10 ditë rrjesht fshatarët deri sa ja treguan trupin e shokut të vrarë dhe ky e mori e e shpuri në Kavajë ku e ka lanë dy ditë pa mbuluar. Pastaj Rama ka marrë pjesë në djegie e operacjone të ndryshme kundra partizanëvet dhe ka bërë dëme (se)pse ky i njifte shtëpitë partizane.
(shën i red. Jepen biografitë e pjesëtarëve të tjerë)
Ky grup qarkullon në rrethin e Peqinit në katundet Garunjë, Gjyshaj dhe në Hys-gjokaj të Darsis dhe qendrojnë te këta persona:
Sabri Varshani, Qamil Zymbilija dhe Nezir Byliku nga kat.Garunjës Darsi. Tek Rust Gjyshiija e Shir Meta nga kat.Gjyshaj. Por ky grup vërtitet edhe në rrethet e kësaj nënprefekture (Kavajë – shën.red) në malësinë e sipërme në katundin (Gjinaj) Gjylaj Habilaj dhe në katundin Gosaj në shtëpinë e Rexhep Gosës. Në malësinë e poshtëme kanë ndejtur tek Ismail Elezi në kat.Patk-Milot dhe tek Abdyl Zyba. Në katundin (Rrikaj) Ndikaj tek Abdyl Ndorjaku (Nerjaku) dhe tek Qazim Gosa në kat.Gosë të malësisë së siperme.
Armatimi i tyre përbënet nga pushkë dhe revolvera.
Nuk kanë ndonjë të huaj me vete veç ata që u sipërshënuan e që janë shqipëtarë.
Komandanti i këtij grupi ka influencë në katundet Gjinaj, Habilaj, Gosë, Patk-Milot, Rrikaj e Kryevidh. Rexhep Gosa ka influencë në katundin Gosë. Nuk kanë mundësi mobilizimi.
Në rrethin e Kavajës qarkullimi i tyre është i vështirë dhe këta lëvizin më tepër në qarkun e Peqinit dhe të disa katundeve të Lushnjes. Lëvizja e tyre bënet natën dhe në një mënyrë individuale që të evitojnë çdo pjekje me forcat t’ona. Deri tani nuk kanë bërë ndonjë sulm kundra forcavetN.Cl.
Parrulla sidomos në fillim janë hedhur shumë në rrethin e Kavajës, parrullat nuk kanë qenë të dala nga një organizim por të lindura nga individë reaksjonarë dhe nuk kanë gjetur vend në popull.
Nga Ushtrija N.Cl nuk është sulmuar asnjë herë ky grup.
Shef’ i Seksjonit
Major
Bako Dervishaj)



Nr.410/4
Durrës 2/4.1946
Drejtoris Mbrojtjes Popullit

Me datën 31/3/1946 në mbramje u kap i biri Ram Habilit, i cili mbahesh i mëshefun prej Rap Sadiut nga katundi Bullutaj e Kavajës.
Po me ketë datë është përpjekë krimineli Hamit Matjani e Ram Habili me dy partizan të Mbrojtjes në katundin Domën të Kavajës.
Përfundimi negative.
Myftar Tare





Ministrija e Luftës dhe Mbrojtjes Kombëtare
Drejtorija e Mbrojtjes Popullit
Tiranë,
Më 8/V/1945

S.II
Seksionit M.P. Krahinës I-rë (Këtu)
Nr.2820Prot.

Në lidhje me t’uajën Nr.02-229/II dt.5.5.45
Komisioni qendror i krimeve të luftës në bazë të proceseve të Komis.(ionit) Hetues të Durrësit akuzon si strehuesa të kriminelit Ram Habilit 29 Persona; prej këtyre kërkon lirimin e 10 personave:
Skënder Kërçuku, Dervish Cila, Shefik Bardhori, Ali Gipsi, Avdyl Zyba, Kristo Nuk Suli, Ismail Sali Elezi, Musa Gipsi, Sen Leshteni, Xhemal Patrozi.
Ju në shkresën Nr.02-229/II dt.5/5/45 nuk na bëni fjalë për këta që propozon Komisioni. Kjo tregon se juve nuk mereni vesh hiç me Komisonin kështu që ai propozon të tjerë dhe ju raportoni të tjerë për lirim dhe puna vonohet.
Presim përgjigje sa ma shpejt mbi sa u shkruajt ma sipër.
Drejtor i Mbrojtjes Popullit
Gjeneral N/Kolonel
(Koçi Xoxe)

(Firma N.Kerenxhi)





Shtabi i Krahinës Ushtarake të Korp Armatës Parë
Seksioni i Mbrojtjes Popullit
Nr.prot. 180
Tiranë 20/1/1945

Shokut Vilson
Durrës
Ram Habili. Nga katundi Gjinaj-Habilaj rreth i Kavajës, ky më parë ka qenë në radhët partizane, më von dezertoj dhe u hoth në krahët e reaksionit, atje ka treguar aktivitet, ka luftuar haptas partizanët dhe ka patur gradën toger. Populli i Kavajës ka një urrejtje të veçantë për të. Gjithashtu ky ka nxier prej varrit Kajo Karafilin dhe e ka ekspozuar në rrugët e Kavajës për t’i futur tmerin popullit. Të hetohet mirë rreth këtij elementi dhe të faktohen veprat që ky ka bërë.
Shef i seksionit Mbrojtjes Popullit
Major Bako Dervishi
Vilson Pecani

Blogger news

Blogroll

Archives

About