PRINCIPATA SHQIPTARE DHE MBRETËRIA E GREQISË NË KONTEKSTIN E MARRËDHËNIEVE NDËRKOMBETARE 1913-1914

PROF. DR. ROMEO GURAKUQI

 1. Hyrje në trajtimin e problemit

Trajtesa e mëposhtme është pjesë e një monografie kërkimore në dorëshkrim, në pritje të botimit, që synon të ndriçojë mbi një bazë dokumentare arkivore një problem të diskutuar në mënyrë përgjithësisht fragmentare, së fundmi në shtypin shqiptar, gjegjësisht problemin e vendosjes së vijës kufitare në mes shtetit helen dhe shtetit shqiptar më 1913-1914. Punimi është një përpjekje për të shqyrtuar një pjesë të historisë së vendosjes së një vije ndarjeje politike në mes shtetit të fundit ballkanik të lindur nga shpërbërja e Turqisë evropiane, Principatës Shqiptare, me Mbretërinë e Greqisë. Punimi nuk merr përsipër në këtë fazë të shqyrtojë rrjedhën e ballafaqimeve mes Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve, (trajtuar me një kujdes të veçantë në veprën e prof. Arben Putos) , dhe rrugën që ka ndjekur diskutimi i ndërlikuar i përcaktimit definitiv të parimeve dhe pikave orientuese të kufirit të Shqipërisë së Jugut dhe Juglindjes, por përqendrohet në periudhën vijuese që pason vendimin e datës 11 gusht 1913 të Konferencës së Ambasadorëve. Ky përkufizim politik është një nga pjesëzat e historisë së dhimbshme të krizave ballkanike 1912-1914, kriza të cilësuara si kriza rritjeje dhe të përparimit të pjekurisë së shteteve të Ballkanit bashkëkohor . Në këndvështrimin tonë, mund të themi se kriza greko-shqiptare 1912-1914 ka qenë edhe një krizë e shkaktuar nga tejkalimi i pamotivuar i procesit natyral rritës të Mbretërisë së Greqisë, në dëm të një kombi me rilindje të vështirë e të ndërlikuar.

Trajtesa merret me shqyrtimin e një pjesëze të caktuar të problemit të trashëgimisë otomane në sferën politike, në segmentin më të epërm të periudhës së dezintegrimit dhe largimit të kësaj perandorie nga Evropa Juglindore. Kjo, sepse problemi i Shqipërisë së Jugut dhe caktimi i kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë probleme të mirëfillta të fushës së politikës së jashtme, që kanë implikuar jo vetëm palët e interesuara, por para së gjithash Fuqitë e Mëdha në tërësi.

Periudha që ndjek punimi ynë është e fokusuar në procesin e implementimit në terren të vendimeve të Fuqive të Mëdha mbi vijën kufitare në mes Shqipërisë dhe Greqisë, me procesin e vështirë dhe të ndërlikuar të zbrazjes së padëshiruar të Shqipërisë së Jugut nga trupat pushtuese greke, që asnjëherë nuk u plotësua konform vendimit të Fuqive të Mëdha, me lindjen e një lëvizjeje autonomiste e separatiste, të dirigjuar nga Athina në këtë pjesë të vendit, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe mjaft të rënda për kujtesën shqiptare dhe greke, dhe në fund fare, me misionin e pamundur të shtetit shqiptar dhe të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për ta shtrirë integritetin shtetëror në të gjithë hapësirën e njohur ndërkombëtarisht. Punimi ka si datë përmbyllëse rivendosjen e pushtimit grek mbi Shqipërinë e Jugut, më 31 tetor 1914, në rrethanat e precipitimit të Luftës së Parë Botërore dhe dezintegrimit të autoritetit shtetëror të Principatës Shqiptare, justifikuar ky ripushtim me nevojën e vendosjes së një autoriteti publik mbi këtë krahinë.

Siç mund të kuptohet, bëhet fjalë për segmentin fillestar të një marrëdhënieje të ndërlikuar në mes dy shteteve, marrëdhënie që do të riciklohet në forma të ndryshme, por gjithnjë me nota kontrastuese, edhe në vitet që pasojnë Luftën e Parë Botërore.

Kjo marrëdhënie do të jetë e përshkuar:

1. Nga një orientim konstant i Greqisë, për të pasur një kufi tokësor dhe detar sa më të përshtatshëm dhe më të kontrollueshëm në pikëpamje strategjike, pa marrë parasysh vlerësimin real të së drejtës, bazuar mbi kritere etnografike, gjeografike, ekonomike dhe strategjike.

2. Nga ngjizja gradualisht e një lëvizjeje artificiale irredentiste të emërtuar vorio-epirote, që herë-herë ka marrë pamjen e një lëvizjeje për më shumë të drejta administrative dhe në raste të veçanta ka kulmuar deri në thirrje për autonomi politike e separatiste. Çuditërisht, më e theksuar prirja e fundit ka qenë në një krahinë dhe në një popullsi me sfond të mirënjohur historik iliro-arbëror, siç është Himara. Kjo ndoshta për shkak të dy shkaqeve thelbësore: presionit me sfond osman që bejlerët e pashallarët shqiptarë në shërbim të Turqisë ushtruan mbi këtë rajon në 100-vjetshin e fundit para pavarësisë dhe për shkak të një ere lirie dhe helenizmi që u vinte atyre nga ishujt jonianë, mu përballë bregdetit himarjot.

3. Nga një politikë pothuajse e pandjeshme e Greqisë zyrtare ndaj interesave nacionale e demokratizuese të shqiptarëve dhe rreshtim pothuajse konstant përkrah Serbisë dhe kundër Shqipërisë edhe në çështje në të cilat Greqia kishte interes krejtësisht të largët. Në këtë qëndrim të saj Greqia zyrtare (përjashto mbretin Gjergji III) nuk është kujdesur aspak ta përdorë sjelljen e mundshme luajale ndaj shqiptarëve si një shprehje të vullnetit të mirë dhe mirëbesimit reciprok mes fqinjëve, duke ushqyer për rrjedhojë vazhdimisht një lloj opinioni të brendshëm mosbesues ndaj këtij vendi në Shqipëri.

4. Një pamundësi konstante e shtetit shqiptar për të ndërtuar përfaqësime institucionale politike, që do të lehtësonin ushtrimin e mirëfilltë të integritetit territorial shtetëror dhe mundësonin gëzimin e lirisë për regjionet (në Jug, por edhe në Veri), me specifika etnike dhe religjioze. Mbi të gjitha shteti shqiptar do të dështojë në njohjen në vijimësi të përfaqësimeve të efektshme dhe të përshtatshme në të gjithë piramidën e nënpiramidën shtetërore të veçantive të popullsisë mbi të cilën ushtron de jure sovranitetin. (Më vonë kemi rastin e Mirditës, të ndarë në pesë rrethe administrative, dhe shkatërrimi nëpër zona të ndryshme elektorale i bashkësive me interesa përfaqësimi të njëjta).

5. Një dëshirë e paartikuluar mirë nga pala shqiptare për të përfshirë në shtetin kombëtar së bashku me të gjitha pjesët e banuara nga shqiptarët edhe ndonjë territor ku popullsia për rrethana të kuptueshme historike ishte tërësisht e përzierë dhe e ngatërruar në një mënyrë të pazgjidhshme.

6. Pamundësia e përhershme për të ndërtuar një linjë të qëndrueshme të politikës se jashtme dhe një bashkëngjitje në një aleancë strategjike ndërkombëtare, që ia mundësonte forcimin e pozitave vendit në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, ka qenë një prej sjelljeve të munguara të klasave politike shqiptare.

Periudha e vendosur në fokusin e punimit, më shumë sesa një periudhë ballafaquese në mes shtetit të porsaformuar shqiptar dhe Mbretërisë së Greqisë, është një periudhë kur kjo e fundit, për shkak të objektivave të saj dhe Fuqive që e përkrahnin (Franca para së gjithash, dhe Rusia pas saj), u ballafaqua me dy Fuqitë më të interesuara për Adriatikun Lindor: Perandorinë Austro-Hungareze dhe Mbretërinë e Italisë. Perandoria Austro-Hungareze, e vetmja Fuqi e Madhe që ka operuar në mbrojtjen e mirëfilltë dhe të qëndrueshme të të drejtave nacionale të popullit shqiptar, që ka punuar për një periudhë të gjatë në pikasjen e tërësisë të popullsisë ilirike të rënduar mjaft nga pesha e turqizimit dhe helenizimit disashekullor, dhe në ringjizjen e një identiteti komunitar nacional shumë të vështirë për t’u formësuar, ka qenë pengesa më e madhe për shtetet e reja ballkanike që po përpiqeshin në mënyrë të pandalshme të copëtonin dhe asgjësonin një krijesë të re shtetërore në rajon. Megjithëse në çështjen e caktimit të kufirit jugor të Shqipërisë, Perandoria Dualiste ia la pozicionin e parë Mbretërisë së Italisë, për arsye të interesave më të drejtpërdrejta strategjike të aleates së saj në Kanalin e Otrantos dhe Arkipelagun e ishujve Jonianë, mund të themi që Vjena asnjëherë nuk u tërhoq mirëfilli në një plan të dytë dhe nuk hoqi dorë nga parimet thelbësore të politikës së saj të jashtme në mbrojtje të riformimit të shtetit ilirik në Ballkan dhe të barazisë së interesave e vendimmarrjes me Italinë në çështjet shqiptare. Madje, sa herë që Italia ka ngurruar në ndjekjen me seriozitet dhe vendosmëri të objektivave strategjike të Aleancës Trepalëshe, Austria ka marrë rolin parësor. Megjithëse Italia e mori me shumë ngurrim misionin e mbrojtjes së një kufiri sa më realist mes Shqipërisë dhe Greqisë, ajo fuqi ka operuar në rastin e Shqipërisë së Jugut me një vendosmëri dhe qëndrueshmëri krejtësisht të dallueshme nga ajo që tregoi në rastin e Shqipërisë së Veriut, ku tradhtoi pa ngurrim interesat e Shqipërisë katolike, duke toleruar deri edhe ndarjen e kësaj pjese vitale të nuklit ilirik nga trungu mëmë dhe duke dobësuar në këtë mënyrë orientimin evropian të shtetit të sapolindur shqiptar në të gjitha periudhat vijuese të historisë bashkëkohore. Sipas të gjitha gjasave, vendosmëria italiane në rastin e Shqipërisë së Jugut ka qenë e lidhur para së gjithave me interesat e saj strategjike në anën lindore të Kanalit të Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit, të cilën ajo dëshironte ta kontrollonte me çdo kusht.

Pozicioni i Greqisë në këtë krahinë të Ballkanit, në periudhën e marrë në studim, ka qenë plotësisht i pacenuar nga faktori shqiptar, për shkak se ky faktor ka qenë ende në një situatë të paformësuar, qoftë në aspektin shtetformues, qoftë në aspektin identitar nacional. Pengesën më të madhe ndaj ambicieve greke në Shqipërinë e Jugut e kanë përbërë faktet e pamohueshme etnografike mbi të cilat u mbështetën Austro-Hungaria dhe Italia, dhe një grupim i vogël i forcave patriotike shqiptare, të cilat kanë ditur të thonë fjalën e vet, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha.

2. Luftërat Ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër

Më 12 tetor 1912 shpërtheu Lufta Ballkanike. Brenda një periudhe të shkurtër, shtetet e reja të Ballkanit e dërrmuan Perandorinë Osmane. Fillimi i Luftës Ballkanike më 1912 i kapi në befasi përgjithësisht Fuqitë e Mëdha, të cilat nuk ishin të përgatitura për një fitore kaq të shpejtë dhe të bujshme të aleatëve ballkanikë. Po aq në befasi u kapën edhe shqiptarët dhe veprimtarët e shqiptarizmës nga përparimi i shpejtë i ushtrive aleate ballkanike, edhe pse mundësia e plasjes së një lufte në këtë rajon nuk ishte një gjë e re. Pavarësisht nga kjo, duhet të nënvizojmë se në qoftë se analizohen me kujdes zhvillimet respektive në vendet ballkanike dhe në Turqi, nuk kishte asgjë befasuese, dhe kjo prej faktit që vendet e reja të krishtera ballkanike që prej pavarësisë së tyre kishin bërë një përparim të rëndësishëm ekonomik dhe ushtarak. Me një punë të kujdesshme europianizuese, këto vende kishin arritur të implementojnë në jetën e tyre të përditshme mjaft nga mentaliteti dhe institucionet evropiane dhe në këtë mënyrë ato arritën të jenë të pajisura në mënyrë të atillë, sa të përfshiheshin në një betejë me një vend dhe popull aziatik, i cili i kishte rezistuar në mënyrë të qëndrueshme procesit europianizues. Historianët e shpjegojnë rastin e ngritjes së shteteve kombëtare në Ballkan me suksesin e nacionalizmit të krishterë, nacionalizëm i bazuar mbi frymën e tregtarëve ballkanikë të diasporave dhe me impaktin që pati mbi ata ideologjia perëndimore . Përndryshe ata do të operonin në territoret shqiptare nën Perandorinë Osmane, gati të papenguara nga një faktor shqiptar i paorganizuar në pikëpamje ushtarake dhe politike. Shpallja e pavarësisë dhe formimi i qeverisë së drejtuar nga Ismail Qemali përbënte vetëm embrionin e shtetit, por në asnjë mënyrë një entitet politik në gjendje t’u rezistonte ushtrive të shteteve më të organizuara fqinje. Vetë kancelaritë e Evropës e bënë veshin shurdh dhe vendimet e Vlorës mbetën në letër të papërfillura. Autoriteti i qeverisë së Vlorës u kufizua në trekëndëshin Vlorë-Berat-Lushnjë, ndërsa në pjesën tjetër, “bejlerë kryetarë fisesh nuk i përfillnin këta persona të veshur sipas modës europiane”. Nga ana tjetër mbi Shqipërinë dhe shqiptarët do të peshonte rëndë për kohën, por edhe për të ardhmen, çështja e lidhjes së ngushtë me shoqërinë otomane. Kjo gjë edhe në kuptimin se tokat shqiptare nuk do të dalloheshin lehtësisht nga trashëgimia otomane dhe aleatët ballkanikë do ta përdornin këtë si pretekst për realizmin e objektivave të veta pushtuese.

Me fillimin e Luftës Ballkanike, trupat greke të përqendruara në Thesali arritën të thyejnë rezistencën otomane në pjesën perëndimore të Maqedonisë. Fillimisht u pushtuan Follorina e Kosturi dhe më pas, forcat ushtarake të komanduara nga gjenerali Damianos, arritën që në fillim (6) të dhjetorit 1912 të pushtonin Korçën dhe njëkohësisht filluan të mbysnin forcat nacionaliste shqiptare duke burgosur pjesën më të madhe të tyre në pjesën e Shqipërisë së Jugut. Në këtë mënyrë Mbretëria e Greqisë arriti të plotësojë synimet e veta më parësore. Kjo, sepse me marrjen e Janinës (ndërkohë Greqia kishte pushtuar edhe Selanikun), Greqia tashmë u bashkua me territorin që grekët e quanin Epir dhe që në fakt ishte segmenti më jugor i Toskërisë shqiptare, ku bashkësitë shqiptare kompakte jetonin përkrah vertikalisht, grekëve, hebrenjve dhe turqve.

Në këto zhvillime e sipër në terrenin e luftërave ballkanike u mblodh Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, më 17 dhjetor 1912, për të zgjidhur problemet e lindura nga lufta në mes Aleatëve Ballkanikë dhe Turqisë. Më 17 dhjetor 1912, ambasadorët e Fuqive të Mëdha të akredituar në Britaninë e Madhe u takuan nën kryesinë e Sir Edward Greyt, për të mbikëqyrur procesin e paqes në Ballkan dhe për të mbrojtur interesat e Fuqive të Mëdha në rajon. Kjo konferencë u mblodh me cilësinë e “Mbledhjes së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha nënshkruese të Traktatit të Berlinit”. Duhet të kihet parasysh se Konferenca e Ambasadorëve synonte gjithashtu të zgjidhte kundërshtitë në mes Fuqive të Mëdha, në mënyrë të veçantë ato në mes tri prej tyre, më drejtpërdrejtë të interesuara në Gadishullin Ballkanik: Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia. Në këtë mënyrë, rendi gjeopolitik i vendosur në Konferencën e Berlinit, në Londër do të zëvendësohej me një marrëveshje të re. Shikuar në një kontekst historik më të gjerë, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913, ishte etapa e fundit e sistemit të kongreseve të vënë në jetë më së pari nga Kongresi i Vjenës, 1814-1815.

Rusia e shikonte rënien e Perandorisë Otomane si një rast të përshtatshëm për të theksuar rolin e saj si mbrojtëse e sllavëve të Ballkanit, me synimin për të siguruar më shumë ndikim mbi Detin e Zi dhe Konstandinopojën, ndërsa Austro-Hungaria frikësohej se si pasojë e rënies së Perandorisë Otomane dhe shtrirjes së ndikimit serb, perandoria e saj shumëetnike do të dezintegrohej. Nga ana e tyre, shtetarët gjermanë nuk mund ta lejonin humbjen e aleatit të saj kryesor, prandaj problemi i Austrisë në Ballkan do të bëhej edhe një problem i Gjermanisë. Po ashtu në mënyrë të ngjashme, duke qenë se për Francën aleanca me Rusinë ishte themeltare për sigurinë e saj, edhe Franca nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të përkrahte ngushtësisht Rusinë . Në këtë kontekst interesash do të zhvilloheshin punimet e Konferencës së Ambasadorëve, që nuk është gjë tjetër veçse një prej shfaqjeve më të fundit të “diplomacisë së armatosur të Fuqive të Mëdha”, gjithnjë e më shumë e destabilizuar para Luftës së Parë Botërore, pavarësisht se në Londër Koncerti i Fuqive të Mëdha funksionoi edhe një herë, ndoshta për të fundit herë, në mënyrë të suksesshme. Fuqitë arritën se paku ta përmbanin Luftën Ballkanike që të mos shndërrohej në një krizë të përgjithshme të sistemit të shteteve. Pas këtij momenti parë nga Berlini dhe Vjena, e ardhmja nuk premtonte më bashkëpunim dhe moderacion, por izolim të mëtejshëm dhe inferioritet. Në vend që të punohej për garantimin e sigurisë dhe pavarësisë së të gjitha Fuqive të Mëdha, që kishte qenë një prej parimeve mbi bazën e të cilave kishte funksionuar koncerti i Fuqive të Mëdha gjatë shekullit XIX për të garantuar stabilitetin ndërkombëtar, sistemi tani shfaqej si rrezikues i mbijetesës së Fuqive Qendrore. Balanca e fuqive në këtë rast përjetohej si e prishur në qendrën e Evropës.

Mirëpo për shkak të kontradiktave të thella në mes Fuqive të Mëdha, para së gjithash, mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, Shqipëria më këtë konferencë, për të mbajtur më këmbë koncertin e Fuqive, u copëtua. Trungut kombëtar shqiptar iu ndërprenë arteriet themelore që e bëjnë të funksionueshëm një komb, lidhshmëria politike, ajo ekonomike, komunikimi i brendshëm njerëzor. Pasojë e drejtpërdrejtë e saj, natyrisht se nuk do të ishte tjetër veçse, varfërimi i mëtejshëm ekonomik i rajoneve të tëra malore shqiptare si rezultat i ndërprerjeve të marrëdhënieve tradicionale, ndërprerja e disa rrugëve tradicionale të komunikimit në Jug, fillimi i një periudhe të gjatë çrrënjosjeje ndaj pjesëve të mirëfillta shqiptare, gjë që çoi në një heshtje të përjetshme të tyre në shtetin helen, ruajtja e konservatorizmit gjysmëmesjetar edhe me tej në epokën moderne, mbajtja konstante e pasigurisë së brendshme politike në shtetin e ri shqiptar, dobësim i mëtejshëm i nukleve kulturore evropiane brenda kombit shqiptar, në Veri dhe në Jug, një Ballkan perëndimor krejtësisht të destabilizuar për një kohë të gjatë.

Trajtimi i problemit të kufirit të shtetit të ri shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj., por u bë nga Fuqitë nën prizmin e mosprishjes së “koncertit evropian”, gjë e cila, në këndvështrimin e kësaj diplomacie, do të mund të çonte më pas në një luftë evropiane.

Në Konferencën e Ambasadorëve, interesat e Shqipërisë u ndëshkuan veçanërisht nga qëndrimi i Rusisë dhe Francës. Rusia, më 1913, u përpoq me të gjitha mënyrat dhe ia arriti që të krijonte një Shqipëri sa më të vogël që të ishte e mundur, duke u bërë presion Fuqive të tjera që t’u lëshonin Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi rajone të banuara ekskluzivisht nga shqiptarë. Madje, Rusia dhe Franca arritën deri atje sa të parashtronin edhe objeksione ndaj marrjes në shqyrtim të konsideratave etnografike nga Komisioni Ndërkombëtar i Caktimit të Kufirit Jugor të Shqipërisë, që do të krijohej për të zgjidhur çështjet në kundërshti.

Në këtë qëndrim të saj antishqiptar në Konferencën e Ambasadorëve, Rusia u lehtësua nga qëndrimi i pavendosur i Italisë sidomos në trajtimin e kufirit verior. Në trajtimin e kufirit të Shqipërisë së Jugut Italia ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm, shumë më të përcaktuar dhe luftarak në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe të një kufiri sa më jugor në pjesën bregdetare. Gjithsesi, mungesa e luajalitetit të qëndrueshëm, përkujdesi maksimal për interesat e saj ekonomike momental, dhe nxjerrja në plan të dytë e parimeve kryesore që udhëheqin drejt një politikë konsekuente, kanë qenë tiparet themelore që kanë drejtuar klasën politike italiane në raport me çështjen kombëtare shqiptare. Ky qëndrim i saj, i rakorduar me pozicionin e hekurt politik të Gjermanisë në mbrojtje të një ekuilibri strikt mes Fuqive dhe pro interesave të kurorës mbretërore greke (kunati i Kajzerit të Gjermanisë ishte mbret i Greqisë), dhe politikën konstante prosllave të Francës së atëhershme, ishin shtyllat themelore mbi të cilat u mbështet mekanizmi i institucionit ndërkombëtar që sanksionoi aneksimin nga ana e Serbisë të Kosovës, Malit të Zi mbi Malësinë, apo e Greqisë mbi Çamërinë, Sulin dhe Konicën.

Për të përmbledhur rolin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, duhet të themi se kjo konferencë si në fillesën e vet, ashtu edhe në metodat e mëvonshme të veprimit, nxori në pah disa prej tipareve më të rrezikshme që mbartte situata ndërkombëtare, si dhe polarizimin ekstrem të dy kampeve të armatosura ushtarake, në ballë të të cilave qëndronin Austro-Hungaria dhe Rusia, e pas kësaj të fundit gati të gjitha shtetet sllave dhe ortodokse ballkanike. Mbi të gjitha, pasoja më afatgjatë e këtij polarizimi, që u shfaq si në Vjenë, ashtu edhe në Shën Petersburg, ishte një erozion i besueshmërisë brenda koncertit të Fuqive. Mirëpo besueshmëria reciproke kishte qenë deri në atë kohë, së paku në linjat kryesore, si një mënyrë për shpëtimin e interesave jetësore të sistemit të Fuqive të Mëdha. Megjithatë, në muajt vijues pas konferencës, ndonëse të mbartur me zhvillime mjaft të rrezikshme, këto fuqi arritën disa përparime në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të ruajtur se paku shëmbëllimin e një lloj uniteti dhe implementimin e disa ndryshimeve në hartën politike të Evropës, që ishin më të mëdhatë që nga koha e Kongresit të Berlinit më 1878. Një prej këtyre arritjeve në caktimet e hartës evropiane është Shqipëria, dhe brenda Shqipërisë, caktimi i kufirit mes këtij shtetit të ri ballkanik dhe Greqisë.

Duke qenë se fokusi i këtij punimi është Shqipëria e Jugut, në pjesën vijuese të trajtesës do të përqendrohemi kryesisht në qëndrimin e Greqisë. Pasi forcat ushtarake qeveritare greke pushtuan pjesën më të madhe të vendit, më 13 janar 1913, kryeministri grek Venizelos i drejtoi një memorandum Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në të cilën ai u kërkoi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, të drejtën e Greqisë për të aneksuar të gjitha territoret e pushtuara prej ushtrive të saj, d.m.th. tokat e ish-vilajetit të Janinës dhe krahinat e Gjirokastrës dhe Korçës. Duke abuzuar me ngatërrimin e besimit fetar ortodoks me nacionalitetin, ai përdori në mënyrë të qëllimtë statistikat e regjistrimit turk të Shqipërisë së vitit 1908, të përgatitura nën drejtimin e Vezirit të Madh Hilmi Pasha, sipas të cilave shumica e popullsisë së këtyre hapësirave ishte e krishterë ortodokse, e për rrjedhojë të konceptimit të tij, greke. Mirëpo pushtuesit otomanë nuk kishin bërë asnjëherë dallim në mes gjuhës dhe nacionalitetit për nënshtetasit otomanë dhe ndarjet brenda këtij shteti bazoheshin në besimin fetar, ku në rastin tonë më të diskriminuarit dhe më të “padallueshmit” kanë qenë shqiptarët e besimit ortodoks, të cilët klasifikoheshin në këtë mënyrë vetëm si grekë.

Më 17 mars 1913, qyteti i Gjirokastrës pa luftë u dorëzua në duart e ushtrisë greke dhe me dorëzimin e trupave turke në të gjithë Toskërinë shqiptare, ose siç dëshirojnë në mënyrë të pajustifikuar shkencërisht Epirin e Veriut, e gjithë kjo krahinë iu nënshtrua pushtimit grek. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve greke pas këtij momenti janë përqendruar për të mposhtur dhe shkurajuar çdo orvatje për të mbajtur gjallë patriotizmin e nacionalizmin shqiptar në këto anë dhe për ta ekspozuar këtë krahinë si një territor i banuar etnikisht nga popullsi e nacionalitetit helen.

Gjendja e krijuar në Shqipërinë jugore, pushtimi grek i ishullit të Sazanit dhe kërcënimi me bllokadë nga ana e flotës greke i portit të Durrësit, vuri në alarm shumë shpejt dy fuqitë më të interesuara të Adriatikut, Austro-Hungarinë dhe Italinë, të cilat nënshkruan me 8 maj 1913, në Romë, një marrëveshje të fshehtë, sipas së cilës të dyja fuqitë angazhoheshin për ta pushtuar dhe ndarë bashkërisht Shqipërinë. Italia veçanërisht dëshironte që Greqia duhej të largohej sa më parë nga territoret e pushtuara në bregun lindor të Adriatikut dhe veçanërisht nga Saranda dhe Gjirokastra. Qeveria italiane e informoi qeverinë greke se pushtimi i të dyja brigjeve të Ngushticës së Korfuzit vinte në rrezik komunikimin në një kanal që konsiderohej jetësor për Italinë. Ndaj, ky vend ishte i përgatitur të shkonte edhe në luftë për të parandaluar një zhvillim të tillë. Madje, Italia filloi të mobilizonte edhe trupat për të zbarkuar në Vlorë. Trupat italiane filluan të përqendrohen në Brindisi, ndërsa Austria filloi të përqendronte trupat në kufirin verior me Malin e Zi. Objektivat italiane të ekspeditës ushtarake ishin Vlora, Saranda dhe Shqipëria jugore deri në lumin Shkumbin, përndryshe objektivat austro-hungareze do të ishin Shëngjini, Shkodra dhe Shqipëria veriore. Objektivi zyrtar i dy Fuqive me këtë projekt sipërmarrjeje do të ishte angazhimi për të imponuar respektimin e vendimeve të Fuqive të Mëdha dhe për të vendosur pak rend të Shqipërinë e trazuar nga milicitë e rregullta turke, nga qeveritë e përkohshme që kishin lindur dhe lindnin ngado nëpër këtë vend, nga duart e grekëve që kërcënonin edhe Vlorën dhe serbëve që ende nuk e kishin lëshuar vendin.

Më 30 maj 1913 u nënshkrua Traktati i Londrës në mes Turqisë dhe aleatëve ballkanikë, në bazë të të cilit turqit u detyruan të dorëhiqeshin nga pjesa më e madhe e tokave ballkanike, të cilat u kalonin fuqive ballkanike, me përjashtim të pjesës që do t’i përkiste Shqipërisë, territori i së cilës do të duhej të përcaktohej nga Fuqitë e Mëdha në kufijtë veriorë dhe jugorë. Konferenca e Ambasadorëve në Londër konfirmoi njohjen e shtetit shqiptar, dhe Turqisë e fuqive aleate ballkanike iu imponua me pahir që t’ia linin gjashtë Fuqive të Mëdha detyrën e përcaktimit të kufijve të këtij shteti dhe zgjidhjes së problemeve të tjera që lidheshin me shtetformimin (nenet 2 dhe 3). Nëpërmjet formulimit të këtyre dy neneve, Fuqitë ia arritën ta përjashtonin çështjen shqiptare nga rrethi i kompetencave të Konferencës paralele të palëve ndërluftuese , gjë që në të kundërtën do të kishte qenë fatal për të ardhmen e këtij vendi. Në këtë mënyrë, çdo diskutim i çështjes shqiptare pas këtij vendimi doli jashtë çdo kompetence të aleatëve ballkanikë dhe do të diskutohej në nivelin e diplomacisë më të lartë.

Qeveria e Vlorës dhe forcat patriotike shqiptare iu përveshën punës për neutralizimin e veprimtarisë antikombëtare të Esad Pashë Toptanit, duke ia minimizuar mbështetjen e tij dhe duke bërë ç’ishte e mundur në planin diplomatik që territori nga Korça dhe Konica deri në gjirin e Ftelias t’i mbetej Shqipërisë. Për këtë na dëshmon një letër e Luigj Gurakuqit dërguar nga Roma më 18 maj 1913, Lef Nosit. Ndër të tjera ai shkruan: “Për kufinin e poshtëm të Shqipëniës po mundohena si në Londre, si këtu, me gjithë fuqië: po na shigurojnë se Korça e Konitza do jenë t’onat e nga ana e detit nukë do t’i japin Greqiës ma tepër se gjer në gji të Ftelies. D. Beratin e dërgova në Bukuresht të bajnë edhe një meeting për Korçën” .

Më 29 korrik 1913, Fuqitë e Mëdha vendosën formimin e “një principate sovrane të trashëgueshme dhe neutrale, nën garancinë e Fuqive”. Në këtë mënyrë, pas lindjes së vështirë të Vlorës, ky ishte pagëzimi zyrtar i njohur ndërkombëtarisht i shtetit shqiptar.

Pas diskutimesh të gjata, Fuqitë e Mëdha ranë dakord mes vetes të pranonin ndërtimin e një komisioni për përcaktimin e kufirit jugor të Shqipërisë. Ka qenë ministri i Jashtëm francez Stephen Pichon, që i propozoi ministrit të Jashtëm italian Tommaso Tittoni që dy fuqitë e Adriatikut, Italia dhe Austro-Hungaria, duhej ta pranonin komisionin e mësipërm, duke lënë brenda Shqipërisë Gjirokastrën dhe Korçën. Pas vendimit historik të 29 korrikut 1913, të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, mbi bazën e të cilit u konsistua formimi i shtetit të ri shqiptar si një principatë e pavarur sovrane dhe trashëgimtare në linjën e djalit të parë, nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha, vendimi më i rëndësishëm për objektin e temës sonë, të fokusuar në Shqipërinë e Jugut, ka qenë vendimi i datës 11 gusht 1913.

Gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha arritën sheshonin një pjesë të kontradiktave dhe gjithashtu qëndrimi intransigjent i Francës në mbrojtjen e paprinciptë të interesave shoviniste greke pësoi një zbutje. Në fillim të muajit gusht 1913, pas propozimit të ministrit të Jashtëm britanik Grey, drafti i kufirit jugor të Shqipërisë përcaktoi përfundimisht dy pika kryesore: 1. vija e kufirit do të shkonte nga Korça në Kepin Stillos, duke ia lënë të dyja këto pika dhe ishullin e Sazanit, Shqipërisë; 2) definitivisht u ra dakord për një komision teknik që do të vendoste pikat në terren për të gjitha krahinat e brendshme, me kushtin që të gjithë ishujt e Egjeut (të cilat deri tani Italia i kishte mbajtur si kundërpeshë ndaj Greqisë për kufirin jugor shqiptar), t’i kalonin Greqisë. Popullsia e Korçës e priti me gëzim të madh lajmin e mbetjes së qytetit të tyre në Shqipëri. Aleksandër Stavri Drenova shkruante nga Bukureshti se “këto ditë muarme edhe lajmin e bukur se Korça mbeti në Shqipëri pas vendimit të Konferencës ambasadorve të London”

Kështu, pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh në mes Fuqive të Mëdha, në këtë datë u arrit një marrëveshje për sa i përket vijës ndarëse të kufirit jugor të Shqipërisë. Konferenca e Ambasadorëve vendosi që kufiri në mes Shqipërisë dhe Greqisë duhej që të kalonte nga liqeni i Ohrit në kufirin më lindor të ish-kazasë turke të Korçës dhe do të shtrihej drejt në bregdet deri në Gjirin e Ftelias, në një pikë në jug të Kepit Stillos (përkundrejt Korfuzit). Kjo shtrirje do të përfshinte brenda Shqipërisë qytetet e Korçës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Delvinës, Manastirin e Shën Naumit dhe ishullin e Sazanit. Gjithashtu, që në këtë marrëveshje u caktua që krahina e Çamërisë duhej t’i kalonte Greqisë, pavarësisht se ajo krahinë ishte e populluar me popullsi shqiptare myslimane (50000) dhe ortodokse (suljote) 14000 dhe të asnjë banori me origjinë helene . Në shtesë të këtij vendimi u vendos që Kanali i Korfuzit duhej të asnjanësohej. Shtrirja e tokës së brendshme në hapësirën në kontestim në mes Shqipërisë së sapoformuar dhe Mbretërisë së Greqisë, në bazë të këtij vendimi do të duhej të përkufizohej brenda katër muajsh, prej një Komisioni Ndërkombëtar të Kufirit, të përbërë nga gjashtë ekspertë të caktuar prej gjashtë Fuqive të Mëdha. Linja do të duhej të caktohej në terren prej komisionit dhe do të duhej të ishte një kompromis në mes kufirit të pretenduar nga Greqia (në anën të së cilës qëndronte e patundur Franca) dhe atij të mbrojtur prej Italisë dhe Austro-Hungarisë. Komisionerët në përcaktimin e kufirit do të duhej të bazoheshin në karakteristikat etnografike të hapësirave të kontestuara mbi bazën e ndjenjave të banorëve dhe gjuhës së folur të popullsisë. Gjuha amtare duhej të përcaktohej e sqarohej mirë nga gjuha e folur në rrethet familjare. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, në fund fare u vendos që komisioni nuk duhej të merrte në llogarimbajtje çdo përpjekje për referendum apo për manifestime të tjera të karakterit politik. Në qoftë se lajmi i mbetjes së Korçës dhe Gjirokastrës në Shqipëri i gëzoi pa masë patriotët shqiptarë anekënd trevave etnike, vendimi për një komision që do të caktonte në vend pikat e kufirit, i “dëshproi fort gjithë shqiptarëtë të cilëtë i dinin intrigate që do përdoriji Greqia për të fituarë vendin tonë”. Për këtë arsye në Vlorë u bë një mbledhje, e cila zgjodhi një komision që do të nisej për në Romë dhe Vjenë për të mbrojtur “të drejtatë kombiare atje tek të jetë nevoja”. Në përbërje të këtij komisioni u zgjodhën: Eqrem bej Vlora, Ajaz bej Libohova, Rauf Fico, Thoma Papapano. Llambi Petri (pseudonimi i Gjergj Qiriazit), ndërsa rrugës komisionit iu bashkëngjit edhe Mufit bej Libohova dhe Pjetër Poga. Në Romë delegacioni shqiptar nuk arriti të takonte San Xhulianon, por u takua me zëvendësin e tij, i cili i premtoi se Italia do përpiqej sa të mundte për të mbrojtur territoret e caktuara Shqipërisë.

Dhe ashtu siç e parashikonin patriotët shqiptarë, qeveria mbretërore greke do të mbetej e pakënaqur nga ky vendim. Ajo vërtet kishte arritur objektivin e parë, atë të përfshirjes së Janinës në Greqi, por kishte aspiruar dhe aspironte edhe Korçën dhe Gjirokastrën. Ky vend, pas këtij momenti, i drejtuar për fatin e vet të mirë nga një prej diplomatëve dhe shtetarëve më të aftë të kësaj kohe në Ballkan, Elefterios Venizellos, dhe me një përkrahje të fuqishme prej së paku dy prej Fuqive të Antantës (Francë, Rusi), nëpërmjet një punë këmbëngulëse arriti të ndryshojë taktikën për realizmin e objektivave të veta, dhe vendosi në veprim bandat e armatosura të vetëquajtura epirote, që ishin në më të shumtën e rasteve të përbëra nga pjesëtarë të ushtrisë së rregullt mbretërore. Nëpërmjet aktivitetit edhe kriminal të këtyre bandave, Venizellos synonte t’u bënte presion Fuqive për ndryshimin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve mbi vijën kufitare, duke i vendosur Fuqitë para fakteve të kryera. Mund të themi se kjo taktikë politike dhe ushtarake e autoriteteve zyrtare helene të asaj kohe nuk mbeti pa dhënë rezultatet e veta në ndryshimet edhe të vogla të linjave themelore të brendshme të vendosura në terren në kufirin shqiptaro-grek. Suksesi i tyre është i lidhur para së gjithash me faktin që Fuqitë në këtë periudhë u detyruan të përballoheshin me probleme shumë më kërcënuese dhe kjo u dha mundësinë shteteve ballkanike, përfshirë edhe Greqisë, të arrijnë të dalin nga tutela, duke hyrë gradualisht, por gjithnjë e më shumë, në lojën politike të Evropës së mbërthyer nga kontradikta serioze dhe nën një garë të shfrenuar armatimesh, si forca politike të pavarura dhe të lira me të cilat do të duhej të bëhej llogari. Një diplomat francez i kohës do të vinte në dukje se pikërisht në fillimet e dekadës së dytë të shekullit XX, “për herë të parë në historinë e Çështjes Lindore, shtetet e vogla (ballkanike - shënim imi R.G.) kishin fituar një pozicion të një pavarësie të tillë nga Fuqitë e Mëdha, sa ata ndjeheshin të afta të vepronin plotësisht pa Fuqitë dhe madje për t’i marrë ata në rimorkoi”.

Veprimi grek në Shqipërinë e Jugut u lehtësua nga gjendja e mjeruar në të cilën ndodhej shteti i porsakrijuar shqiptar, parë edhe si krijesë shqiptare, ose edhe si proces asistence i Fuqive të Mëdha më vonë, permes Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Themi gjendje e mjeruar sepse pavarësisht një udhëheqësie shumë të ngushtë të kombit ende në ngjizje e sipër, pjesa më e madhe e Shqipërisë ‘flinte’ ende nën gjumin e rëndë të goditjes pesë shekullore otomane. Në fillimet e shekullit XX pushtimi e shtypja e egër, e hapur apo e kamufluar, kishte si rezultante një kompleks krahinash, ku vërtet origjina ilirike ishte ende e dallueshme, por intensiteti i ngjyrimit ilirik dhe ndjesia europiano-adriatikase, ndryshonte nga një vend të tjetrin dhe nga njëri segment i popullsisë në tjetrin. Pesha e rëndë e pushtimit otoman kishte rënduar ndërgjegjen etnike paraotomane, sidomos në krahinat e fushore dhe kodrinore të Shqipërisë Qendrore, ku përzjerja etnike me kolonët e ardhur nga Azia kishte qenë më e madhe dhe ku identifikimi fetar i shumicës së shqiptarëve me otomanët e bënte të vështirë pranimin e dallimit midis shqiptarëve europianë/të qytetëruar/të shtypur dhe turqëve aziatikë/ barbarë/ shtypës . Megjithëse në kohë ka ekzistuar një dëshirë e madhe për vetqeverisje dhe një rezistencë e fuqishme ndaj sistemit të taksave të vendosura nga ana e Portës së Lartë, një pjesë e popullsisë ka qenë në të mirë të qendrimit nën ombrellen e Perandorisë Otomane, për sa kohë që të drejtat dhe privilegjet tradicionale do të ruheshin. Kauza e përbashkët me pushtuesit otomanë e bejlerëve shqiptarë, nga ana tjetër, kishte ndikuar në një identifikim jo pozitiv të tyre brenda Shqipërisë, sidomos në përjetimin e popullsisë shqiptare të krishterë (rasti i Sulit që pas shtypjes brutale prej Ali Pashë Tepelenës u orientua drejt asocimit me kauzen hellenike ), por jo vetëm. Faktet historike të njohura por edhe të pathëna, që vijuan menjëherë pasi pjesa e ndriçuar e këtij kombi ende nën formim nën drejtimin e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit shpalli pavarësinë, e vertetojnë në një farë mënyrë mungesen e formësimit adekuat të ndërgjegjës kombëtare në disa segmente të popullsisë së Shqipërisë. Qeveria kombëtare e Vlorës, u vendos menjëhërë nën sulmet nga më të ashprat të kundërshtarëve politikë, që më së shumti ishin bejlerë që aspironin të merrnin vetë secili situatën në dorë në vendin e zbrazur nga autoriteti otoman. Më së shumti mbi kauzën indipendenstiste laike dhe proadriatikase shqiptare të përfaqësuar nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Abdi Toptani, Mustafa Kruja, Aqif Pashë Elbasani etj., ka peshuar faktori: Esad Pashë Toptani. Më shumë se sa një përsonazh i vetmuar, ai ka qenë përfaqësuesi tipik i një Shqipërie ndryshe, që mbartej në mendjet kastës së bejlerëve protomanë dhe të pasuesve të tyre të paditur: një Shqipëri e vogël e ”qethur” nga kristanizmat antike iliriko-arbnore, e drejtuar nga një princ otoman, me lidhje të fuqishme me perandorinë aziatike dhe puthadorase me fuqitë ballkanike, të cilave në këmbim do u jepte çdo gjë nga Shqipëria e krishterë; një Shqipëri para së gjithash anti-austriake dhe për rrjedhojë jo më kurrë adriatikase.

E njejta linjë, madje me një ashpërsi edhe më të madhe vijoi edhe në periudhën gjashtë mujore të mbretërimit të Princ Vidit, kur kundër shtetit shqiptar u ngritën shqiptarë të paftilluar, të “përgjumur” e të manipuluar, aq sa shkatërruan çdo gjë që elita e brishtë drejtuese kishte krijue. Siç shkruan Misha Glenny, trimërinë e shqiptarëve “e dobësonte paaftësia për t’iu bindur një autoriteti qendror”. “Përpjekjet e krerëve nacionalistë shqiptarë si Ismail Qemal beu për të përhapur idenë e autonomisë dështuan në gjendjen e copëtuar fisnore të shoqërisë shqiptare”

Pas shfaqjes radikale të nacionalizmit shqiptar të përfaqësuar nga nuklet e sipërpërmenduar patriotike në fund të dekadës së parë të shekullit XX dhe në fillim të dekadës së dytë, politikanët e Serbisë dhe Greqisë e kuptuan se një Shqipëri e pavarur mund të ndryshonte thellësisht balancën e Fuqive në Ballkan. Lindja e nacionalizmit të organizuar dhe militant laik dhe iluminist në trevat e caktuara në Shqipëri i vuri në alarm intensiv Serbinë dhe Greqinë, mbasi secila pretendonin territore të cilat ishin në substancë shqipfolëse përsa i perket popullsisë. Nga ana tjetër, kjo shfaqje inkurajoi Austrinë dhe Italinë të endërrojnë një pikëmbështetje të re në Europën Juglindore, gjë që i alarmoi edhe më shumë shtetet ballkanike. Dhe këtë situatë e perspektivë të re në Shqipëri, politikanët e Serbisë dhe Greqisë janë përpjekur ta paraprijnë për ta kanalizuar sa më shpejt në rrjedhat destabilizuese. Në këtë paraprirje ata janë drejtuar nga një filozofi e sëndertuar me shumë kujdes. Faktet janë nga më të shumtat por unë dua të sjell për të ilustruar, ligjerimin e ish presidentit të Këshillit Serb, Vladan Gjorgeviq, i cili në pranveren e vitit 1913, botoi një libër të tërë, për të provuar se “shqiptarët nuk janë një komb”, por vetëm “një kompleks fisesh”, “pa një tip etnik” të përbashkët”, “pa një gjuhë të njësuar”, “pa një histori te vetën”, “pa një territor nacional”. Në fund fare ai arrinte në përfundimin se “tek shqiptarët nuk është zgjuar ndërgjegja kombëtare”, “as edhe nuk është shfaqur nevoja për themelimin e një shteti të pavarur”, duke arritur në këtë mënyrë në të njejtin përfundim që kishte arritur kryeministri Pashiq, sipas të cilit, “krijimi i shtetit shqiptar, përveç që do të ishte një gjë e pamundur, do të ishte edhe i rrezikshëm për qetësinë e Ballkanit dhe Europës”.

Pra strukturat drejtuese shoviniste ballkanike synuan t’ua mohojnë shqiptarëve atë çfarë ata kishin mbrojtur për vehtën. Ata goditën pikërisht filizat përbashkues të popullit me vektorë më të ç’orientuar, që po lindte nga shpërbërja e Perandorisë Osmane. Ata bënë ç’mos të ndalonin këtë proces të formimit të kombit dhe të shtetit në Shqipëri, nëpërmjet të cilit rreth një shekull më përpara ata vetë kishin kaluar. Kombi, nuk është një qënie primordiale, por është rezultat i një procesi të gjatë dhe të dhimbshëm historik. Asnjë popull, përfshirë edhe serbët dhe grekët, nuk kanë arritur të konstituohen në përiudhën moderne si shtete dhe kombe, ashtu vetvetiu, por permes një procesi shumë të gjatë dhe të vështirë ndriçimi të mendjes dhe luftrave mëvetësuese. Shqiptarët po e kryenin në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XX këtë proces mëvetësues dhe kombkrijues, që fqinjët e tyre e kishin kryer së paku 90 vite më parë.

Bazuar mbi opinionet e mësipërme, Fuqitë Ballkanike, Mbretëria e Serbisë dhe Mbretëria e Greqisë punuan me shumë etje, sidomos pas 28 nentorit 1912. Ata jo vetëm sulmuan dhe pushtuan pjesën më të madhe të vendit, por u përqendruan duke punuar më së shumti në ato segmente të popullsisë dhe individëve lehtësisht të manipulueshëm, duke krijuar vatra afatgjata destabiliteti për shtetin e ri shqiptar, i cili nuk do t’u rezistonte dot. Një prej këtyre vatrave do të ishte Shqipëria e Jugut. Në fakt, ekziston një dallim thelbësor midis krizës së Shqipërisë së Mesme dhe krizës në Shqipërinë e Jugut më 1914, nisur nga fakti që në qendër kemi një manipulim tërësor të popullsisë, ndërsa në jug është një pushtim i mirëfilltë i jashtëm, por i kamufluar, që operoi mbi bazën e frikësimeve dhe shkalla e manipulimit ka qenë shumë e reduktuar brenda popullsisë së krishterë rajonale. Por sidoqoftë, autoriteti i shtetit shqiptar në këtë krahinë nuk arriti asnjëherë të vendosej në periudhë në studim, ndaj dhe rezultantja ka qenë e njëjtë sikurse edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë.

Mbretëria e Greqisë në fakt nuk veproi në të njëjtën mënyrë sikurse veproi Mbretëria e Serbisë në territoret e pushtuara rishtas gjatë zhvillimeve të luftrave ballkanike. Ajo nuk shpalli ligje të jashtëzakonshme dhe të ashpra, për ta vendosur popullsinë e vendeve të pushtuara në Shqipërinë e Jugut, në një situatë përjashtimore, dhe këtë e ka bërë për të mos pranuar zyrtarisht se popullsia e Kosturit, Follorinës, Çamërisë, Sulit, Gjirokastrës, Korçës (nuk po llogarisim në këtë qasje popullsitë e perzjera të Janinës, Prevezës dhe Selanikut) etj., nuk ishte popullsi jo greke. Por ushtria greke dhe autoritetet zyrtare që e ndoqën pas, operuan edhe në Epir me të njejtat metoda shkombëtarizuese që operuan serbët në Shqipërinë Verilindore dhe Lindore. Unë dua të sjell në vemëndje dëshminë e bamirëses angleze Miss Edith Durham, e cila në një letër të dates 10 korrik 1914, dëshmon ndër të tjera masakrën e vendit të quajtur Kodra, ku mbi 200 persona të të dyja gjinive ishin copëtuar në pjesë në një kishë. Madje Durham protestonte duke iu shprehur mikut të saj Nevinson se, “pavarësisht kësaj dhe një numri rastesh të tjera plotësisht të provuara të shtazarisë së pashpjegueshme dot, Europa pa protestuar, lejoi grekët të përparojnë ripushtojnë Korçën.

Në lidhje me Shqipërinë e Jugut është vendi të shtrohet edhe një pyetje: a ka pasur në këtë rajon një sentiment të përkatësisë greke? Duhet të saktësohet se pjesa më madhe e popullsisë orthodokse të Shqipërisë së Jugut, përjashtim fshatrat e Dropullit dhe një pjese e Vurgut, është e nacionalitetit shqiptar dhe shumë pak vllah. Mirëpo propaganda greke përmes kishës orthodokse greke dhe shkollave greke, në kushtet kur turqit këmbëngulnin që të gjithë orthodoksët duhej t’i frekuentonin këto institucione, kishte bërë që pjesë të paformuara mirë të kësaj bashkësie ta konsideronin vehten edhe greke. Si qeveria otomane ashtu edhe Patriarkati Grek kanë qenë të vetëdijshëm për rrezikun që gjuha e bazuar në etno-nacionalizmin përbënte ndaj vazhdimësisë së autoritetit të tyre mbi shqiptarët, ndaj këto dy autoritete bënë gjithshka në dorë të tyre për t’i penguar shqiptarët nga mësimi i gjuhës së shkruar shqipe. Otomanët kishin urdhëruar gjuhën turke si gjuhë e arsimimit në shkollat e tyre shtetërore në Shqipëri dhe kishin ndaluar botimin e veprave në gjuhën shqipe, ndërsa Patriarkati përdori shkollat e veta për të ushqyer ndjenjat progreke në mes studentëve shqiptare Nga ana tjetër, popullsia e krishterë e Shqipërisë së Jugut, sistematikisht është ushqyer me shumë kujdes prej shtypit grek me frikën e masakrave të shqiptarëve. Shtypi grek vazhdonte të propogandonte në këtë kohë se bandat shqiptare ishin duke pritur momentin e tërheqjes së trupave greke për të plaçkitur fshatrat e Shqipërisë së Jugut. Realisht kjo propagandë kishte bërë efektet e veta. Por rastet episodike nuk shprehnin gjendjen e vertetë të vendit, e sidomos të qendrave kryesore urbane të Shqipërisë së Jugut. Për ta ilustruar gjendjen reale etnike në Shqipërinë e Jugut me duhet të citoj hollësisht një raport të një udhëtari britanik të quajtur Mr. Lister, i cili ndodhej në Korçë me 19 qershor 1914 në shoqërinë e Reverend Kristo Dako, një shqiptar i mirënjohur i këtij qyteti, protestant në religjion, i lidhur me një mision fetar amerikan dhe njëkohësisht bashkëshorti i Miss Qiriazit, e edukuar në Robert College, dhe themeluese e të parës shkollë shqipe. Lister shkruan: “Korça, nacionalistët shprehen së është një qytet i pastër shqiptar. Njerëzit të cilët nuk e njohin vendin mendojnë se është një qytet grek, sepse pjesa më e madhe e popullsisë i përket Kishës Orthodokse Greke dhe sikurse të gjithë të krishterët orthodoksë shqiptarë janë shkolluar në shkollat greke. Megjithatë, në kontrast me Korçën, duhet të pranohet se grekët, nepërmjet propagandës së tyre, që është e një date të hershme, kanë nxitur një numër më pak të arsimuarish të të krishterëvë orthodoksë në zonat fshatare, të flasin greqisht dhe ta konsiderojnë vehten grekë prej races dhe kanë ushqyer ndjenjat pro greke. Mr. Kousnetzis, Kryetar i Gjykatës së Apelit në Korçë, i cili është një himariot, pranoi se më shumë se gjysma e banorëve të fshatrave orthodokse ishin nxitur kështu të hiqnin dorë nga kombësia shqiptare dhe ta thërrisnin vehtën epirotë. Ky pranim, megjithatë, nuk i vendos ndonjë bazë pretendimeve greke në të tilla krahinat, sepse të krishterët, si grekë apo shqiptarë në simpatitë e tyre, janë gjithandej territoreve të diskutueshme, në një minoritet ndaj popullsisë së besimit islam. Deri edhe Himara, një krahinë e cituar përherë si tipike greke, katër nga shtatë fshatrat e krahinës janë musulmane” .

Për të qenë të saktë duhet të pranohet se pjesa më e madhe e popullsisë të Shqipërisë së Jugut aso kohe, por jo të gjithë, flisnin gjuhën shqipe si gjuhë të parë në shtëpitë e tyre dhe ky ka qenë faktori kryesor që do të ndikonte edhe në vendimet e Komisionit të Caktimit të Kufirit të Shqipërisë së Jugut. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e banorëve ishin anëtarë të Kishës Orthodokse të dirigjuar nga Patriarkana greke dhe ky institucion mbështetur edhe nga një linjë politike e caktuar brenda Mbretërisë së Greqisë, ka bërë shumë që identiteti iliriko-epirot të shkrihej gradualisht në një identitet epiroto-hellen. Në këtë përpjekje të tyre ata janë ndihmuar fuqimisht nga mentaliteti turkoman i drejtuesve rajonalë shqiptarë dhe gjendja anarkike në pikpamje politike që kishte rrjedhur për shkak të luftës për pushtet që këto zhvillonin brenda Shqipërisë së sapoformuar. Pushtimi otoman pesëshekullor kishte konservuar barbarisht konservatorizmin mesjetar, ruralizimin e shoqërisë shqiptare, mbajtjen e sforcuar të çdo prirjeje për ringritje kulturore dhe civilizuese të shoqërisë në tërësi. Fuqitë e Mëdha në këtë mënyrë, në vend që t’i hapnin poret jetësore një kombi në rrugën e tij për ripërtëritje qytetare, në pamundësi për t’u marrë vesht mes vehtës, në pamundësi për të zgjidhur problemet e tyre të brendshme, e cunguan atë territorialisht, i këputën arteriet jetësore dhe ushqyen faktorët që bëjnë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm një popull të penguar historikisht në rrugën e tij të zhvillimit.

Por qendrimi i Fuqive të Mëdha duhet parë në një plan shumë më kompleks. Për dekada me radhë Fuqitë e Mëdha të rreshtuara në kampet kundërshtare ishin përfshirë në një garë të shfrenuar armatimi. Paqa e armatosur e mbajtur në një rivalitet të ashpër mes tyre për dhjetëvjeçarë, në momentin e krizës ballkanike u gjend në një moment kthese shumë të rëndësishëm. Fuqitë në momentin kur ballkanikët u përfshinë në luftë, shfaqen qartësisht se nuk kishin deshirë të bënin luftë mes tyre. Secila prej tyre, e kishte të qartë se edhe vendi më i pasur në një luftë mund të humbiste më shumë, ndaj secila prej tyre bënë të gjitha përpjekjet për ta izoluar Ballkanin. Kështu në dy Luftërat Ballkanike shkruan Glenny, ndodhi një çudi tjetër: “mirëkuptimi aktiv dhe i hapur i Fuqive të Mëdha, që, duke ndërruar taktikë, bënë çmos që të lokalizonin konfliktin dhe dolën në Ballkan si mbrojtës të asaj paqeje, që ata vetë e paten kërcënuar tridhjetë e pesë vjet më parë në Kongresin e Berlinit”

Krijimi i shtetit shqiptar dhe marrëveshja mes Fuqive të Mëdha në këtë pikë, ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e mirëkuptimit në mes Fuqive të Mëdha. Austriakët, me mbështetjen e fuqishme të gjermanëve, arritën të impononin mes Fuqive marrëveshjen për ta detyruar Serbinë të largohej në tetor 1913 nga territori verior i shtetit të porsakrijuar shqiptar. Ndryshe nga suksesi që austriakët korrën me Serbinë, me Greqinë situata për Austrinë ndryshonte. Me 30 tetor 1913, katër ditë pasi Serbisë i ishte dorëzuar ultimatumi austriak për Shqipërinë e Veriut, austriakët në bashkëpunim me italianët, i drejtuan Greqisë një ultimatum të ngjashëm. Mirëpo Greqia ishte në një pozicion shumë më të favorshëm gjeografik dhe diplomatik se sa Serbia, po të kemi parasysh ndarjen nga Austria prej një tërësie territoriale krejtësisht malore nepër Shqipëri dhe faktin që Greqia miklohej njëkohësisht prej Gjermanisë dhe prej Fuqive të Antantës. Ndaj Austria ka vepruar me shumë kujdes në rastin e Greqisë, duke pasur parasysh raportet krejt speciale në mes perandorit Gjerman dhe mbretit të Greqisë. Duhet të kemi parasysh se në përgjithësi, në krizen e viteve 1912-1913 në Ballkan, Berlini u përmbajt nga mbështetja e vet për Austrinë dhe e ka këshilluar atë të ketë kujdes. Për të gjitha këto arsye, grekët qenë të gjendje të zgjasnin, duke rënë dakord më në fund për një marrëveshje kompromisi që u linte atyre pjesën e luanit të territoreve të diskutuar në Shqipërinë e Jugut. Madje edhe në pjesën prej nga ata u larguan, forcat e parregullta greke vazhduan të ndihmojnë qeverinë progreke, e cila më vonë do të deklaronte një lëvizje separatiste brenda Shqipërisë. Nga ana tjetër, miklimi që Gjermania i bëri Greqisë arriti pak më shumë sa fitimi i një pozicioni të shkëlqyeshëm ujdie për grekët, jo vetëm në rastin e Shqipërisë së Jugut, por edhe në pjesët e tjera të diskutueshmë në ishujt e Egjeut.

Madje në pranverën e vitit 1914, kemi një zhvendosje shumë të qartë të pozicionit të Gjermanisë drejt asnjanësisë së mirëfilltë. Kjo zhvendosje i detyrohej jo vetëm shqetësimit të shkaktuar nga grindja midis aleatëve austro-hungarezë dhe italianë, por edhe synimit gjerman për të ruajtur asnjanësinë e Greqisë në krizën e ardhshme të mundshme në Europë. Në këtë pozicion asnjanës në çështjet shqiptare Gjermania është shoqëruar edhe nga Britania e Madhe, pavarësisht se secila prej tyre ishte e lidhur me bashkësi të ndryshme interesash strategjike me aleatët përkatës dhe pavarësisht nevojës reciproke për ta mbajtur të lidhur Greqinë në krahët e vet. Në këtë mënyrë Greqia u gjend në një pozicion mjaft të privilegjuar dhe e mikluar nga të dyja krahët, e për rrjedhojë në komoditet dhe qetësi për të ndjekur me shumë këmbëngulje politiken e saj mbi Shqipërinë e Jugut.

Italia në konkurrencë dhe rivalitet të përhershëm me Austro-Hungarinë në çështjen shqiptare u mundua me të gjitha mjetet që ta kompensonte ndikimin e stabilizuar të perandorisë dualiste mbi rrethet më të përparuara të Shqipërisë kryesisht në Veri, por jo edhe aq pak në jug, me mbështetjen dhënë Esad Pashës, të cilin ajo e përzgjodhi si instrument të politikës së vet në Shqipëri, duke ia kundërvënë madje edhe princ Wied-it.

Pa ngurrim mund të mendojmë se tek pavendosmëria dhe divergjencat mes Fuqive të Mëdha duhen gjetur shkaqet e moszgjidhjes së situatës kaotike në Shqipërinë e Jugut 1913-1914, por edhe të rënies së shtetit shqiptar në rrjedhen e vitit 1914.

3. Përfundime

Përfshirja e pjesës veriore të Shqipërisë së Jugut në principaten shqiptare më 1913-1914, ka qenë një pjesë e procesit shumë të ndërlikuar të përkufizimit politik të Shqipërisë, proces që është kushtëzuar nga ndërveprimi i një sërë faktorëvë që shtrihen në historinë pararëndese dhe nga zhvillimet dramatike të krizës ballkanike 1912-1914. Këto faktorë janë shumë kompleksë dhe si në planin ndërkombëtar e ballkanik, ashtu edhe në planin e brendshëm shqiptar, kanë vepruar në kahe të përkundërta, aq sa e kanë ndërlikuar gjetjen e vijës ndarëse në mes së drejtës dhe të padrejtës, midis të drejtave të Shqipërisë dhe të drejtave të Greqisë, midis botës iliro-epirote dhe asaj heleno-epirote. Thënë ndryshe, në planin e brendshëm ballkanik, gjetja e një vije ndarëse është ndërlikuar nga strategjia politike greke në rajon, strategji e ndërtuar jo mbi realitetin faktik etnik, religjioz, por mbi një mit të sendertuar mbi teza të pavertetuara të historisë antike, të përforcuara në shekujt otomanë në kahun prohelen, por që ndodheshin jashtë konteksteve e realiteteve historike dhe etnike bashkëkohore. Miti i Epirit Hellen u imponua mbi kanceleritë e punëve të jashtme të Fuqive të Mëdha me anën e një propagandë të shfrenuar mbi tryezat diplomatike të diskutimeve nga ana e makinës së diplomacisë hellene, aq sa ky mit filloi të shndërrohej gradualisht, për shkak të mosnjohjes historike, në një entitet të dallueshëm etniko-religjioz për këtë diplomaci, të cilit, kryesisht Fuqitë e Antantës, filluan t’i referohen gradualisht si ndaj një të drejte aksiomatike të Greqisë. Nga Fuqitë e Antantës, sidomos Franca dhe Rusia e “huazuan” dhe e përdorën këtë mit për ta shndërruar në një entitet me përmbajtje etnike dhe religjioze të veçantë dhe për ta përdorur si argument kundërpeshe në ballafaqimin me Perandorinë Austro-Hungareze dhe Mbretërinë e Italisë në këtë pjesë të Europës Juglindore, në një moment shumë delikat të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës, kur dy blloqet zhvillonin një diplomaci mjaft konfrontuese. Nga ana tjetër, “operacioni” diplomatiko-ushtarak i Greqisë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, ose një pjese të Epirit të Jugut dhe gjithë Epirit të Veriut, është lehtësuar nga situata e mjeruar kulturore, ekonomike dhe identitare në të cilen ndodhej Shqipëria. Ky vend më shumë se sa një entitet politik i bashkuar, ishte një atdhe i një populli që ndodhej vetëm në mendjet e njerëzve të edukuar të tij, tek të cilët nuk ishte shterrur asnjëherë, brez pas brezi, gjurma para otomane iliro-epiroto-arbnore, dhe që me veprimtarinë e tyre të pashembullt, nuk ngurruan ta gjejnë këtë gjurmë nga thellësitë e Alpeve deri në brendësi të Maleve të Sulit, për ta përdorur si argument të së drejtës së një populli për vetëpërcaktim dhe vetëngritje identitare politike në Ballkan. Përndryshe, në segmente të popullsisë së entitetit shqiptar, ndergjegja arbnore kishte pësuar një deformim të cilësueshëm, aq sa segmente të caktuara të kësaj popullsie, sidomos në Shqipërinë qendrore (kam parasysh kryengritjen fshhatare të Shqipërisë se Mesme), vepruan me po aq forcë kundra zemrës së shtetit të tyre, sa vepruan edhe pushtuesit serbë, grekë dhe malazezë në periferitë e tij. Faktori i mentalitetit pro-otoman ka vepruar me një forcë të madhe kundër identitetit europian të Shqipërisë së re, sepse ky mentalitet do të godiste para së gjithash prirjet për një shtet të së drejtës, një shtet që mbron dhe respekton lirinë për të gjithë dhe do të godiste që në gjenezë krijimin e Shqipërie me një identitet të mirëfilltë europian, të bashkuar nga një princ europian (siç ishte bërë zakon në emërimet e Fuqive të Mëdha për shtetet ballkanike në fillimet e lirisë së tyre), nga një prej dinastive të famshme europiane, siç ishte dinastia e Hohenzolernëve. Në këto rrethana, lëvizja otomaniste në Shqipërinë Qendrore, ekzistenca e një segmenti pro-otomanist brenda klasës politike shqiptare në shtetin shqiptar të sapoformuar (komploti i Beqir Grebenesë), jo vetëm kanë përbërë një pengesë shumë të madhe në ngjizjen e brendshme të Shqipërisë së re në kahun e lirisë për të gjithë, por ka shërbyer edhe si një argument (alibi) shumë i fortë për lëvizjen manipuluese autonomiste vorioepirote në arritjen e objektivave të saj për copëtimin e Shqipërisë së Jugut (Korça u ripushtua nga forcat e vetëquajtura vorioepriote më 1914 pikërisht kur kryengritësit otomanistë po hynin atje). Kjo sepse pavarësisht se frymëzimi dhe drejtimi i lëvizjes autonomiste dhe separatiste vorioepirote vinte nga qarqe jo zyrtare apo edhe zyrtare të Athinës, e drejta e popullsisë së krishterë për pjesmarrje të barabartë në përcaktimin e klasës politike përfaqësuese, për vendimarrje të barabartë politike në shtetin e ri, ishte dhe është një e drejtë elementare dhe themeltare e një komuniteti në një vend të lirë, mu në zemër të Europës. Kjo jo në kuptimin se këto të drejta teorike nuk ekzistonin në bazamentin konstitucional të shtetit (Statuti Organik), por e keqja është se ato nuk ekzistonin në mendjen, zemren dhe vullnetin e pjesës më të fuqishme të klasës drejtuese të vendit që vepronte në hije të qeverisë legjitime. Elementë të veçantë të kësaj klase, të formuar me një mentalitet tipik otoman, nuk jepnin në fakt asnjë garanci për implementim të njimendtë të të drejtave konstitucionale të shtetasve. E keqja qendronte në fakt se pas klasës drejtuese të bejlerëve shqiptarë, qendronin pasues verbërisht besnikë, që u shkonin pas në mënyrë të pavetëdijshme.

Me një fjalë, formimi i shtetit shqiptar, konsideruar ky formim nga Kuvendi i Vlorës i nëntorit 1912 dhe më pas me mbretërimin e princ Wied-it, edhe pse kontribuoi në drejtim të një dinamike të re kombëtare dhe i dha një impuls procesit të ndërtimit të identitetit kombëtar dhe shtetëror shqiptar, nuk arriti të zhvillohej përtej një embrioni fillestar dhe preku jo tërësisht ndjesinë e masave të gjëra të popullsisë sidomos në pjesët pro-otomaniste të saj e për rrjedhojë nuk ka përbërë një pengesë serioze në drejtim të pengimit të ambicieve të pamotivuara greke në Shqipëri.

Por në qoftë se ka një vend që populli dhe shteti shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës për ndihmë të pakursyer, të sinqertë në formimin politik nacional, në ringjalljen e formimin e një identiteti kulturor, gjuhësor dhe letrar dhe në mbrojtjen deri në pamundësi të tërësisë territoriale shtetërore në kufijt etnikë, ky vend është Austria Habsburge dhe populli austriak e ai hungarez. I një mendimi të tillë është edhe studiuesja Nathalie Clayer, pavarësisht se ajo e bashkëngjit në këtë pozicion edhe Italinë, gjë për të cilen unë nuk jam tërësisht në një mendje dhe çuditërisht edhe vendet ballkanike, për të cilen unë mendoj se është e pasaktë. Ajo shkruan se “zhvillimi i një identiteti kombëtar shqiptar i detyrohet shumë politikës së Austro-Hungarisë dhe Italisë, madje edhe asaj të vendeve ballkanike”. Ndërsa më pas ajo saktëson me të drejtë se “përfaqësuesit e Monarkisë së Dyfishtë kanë qenë motorët e vërtetë të përhapjes së shqiptarizimit...” , gjë që bie tërësisht kontradiktë me fragmentin e parë.

Studiuesja e mirënjohur bullgaro-amerikane, Maria Todorova e sheh rastin shqiptar si pjesë e përpjekjeve të Austro-Hungarisë për të gjetur një pararojë strategjike në Ballkan. “Shqipëria, sipas saj, nuk përbënte një rast të pastër secesionist sikurse të gjitha kombet e tjera Ballkanike. Arsyeja për këtë ishte statusi i veçantë i shqiptarëve në Perandorinë otomane dhe përpjekjet e tyre krahasimisht të vona për të fituar autonomine kulturore. Prej dhjetëveçarit të parë të shekullit XX, kur lëvizja e shqiptarëve për emancipim pati fituar një momentum të konsiderueshëm, ata u benë objekt i synimeve ekspansioniste prej anës së fqinjëve të tyre tashmë të pavarur. Kështu, ndersa kronologjikisht rilindja shqiptare rastisi me periudhën e largimit të Perandorisë Otomane, lufta e Shqipërisë për mbijetesë dhe levizja e saj irredentiste u zhvillua përkundrejt kombeve të tjera ballkanike, në mënyrë të veçantë, Serbisë dhe Greqisë. Megjithatë, ka qenë së pari dhe më i shquari presioni i Austro-Hungarisë dhe Italisë që garantoi ekzistencën e pavarësisë së Shqipërisë”

Është pretenduar shpesh herë që Austro-Hungaria mbrojti vetëm Shqipërinë katolike. Por faktet e sotme të nxjerra nga burimet arkivore, ridimensionojnë tërësisht në një pozicion plotësisht gjithpërfshirës politikën austro-hungareze ndaj Shqipërisë. Në qoftë se kufiri i Shqipërisë së Jugut është ai që njohim ne aktualisht, ai kufi, ndonëse la jashtë malësitë e Çamërisë dhe Sulit dhe Konicen, përfshiu brenda shtetit shqiptar pjesën më të madhe të territoreve shqipfolëse në Jug. Ndryshe nga ajo çfarë ndodhi në Shqipërinë Verilindore dhe atë Veriperendimore, kufiri i këmbëngulur para së gjithash nga perandoria dualiste, i caktuar më 1913, do të shërbente si një linjë shumë e rëndësishme reference dhe precedence për kufirin e Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore, kohë kur kjo perandori ishte dezintegruar plotësisht, por piketat që ajo kishte vënë kufirin e Principatës Shqiptare, nuk mund të fshiheshin më lehtësisht. A ka qenë politika pro shqiptare e Austrisë edhe pjesë e politikës së saj për të kundërbalancuar Rusinë në Ballkan? Normalisht që po. Shqipëria ka qenë një pjesë e rëndësishme e politikës perandorake të ekspansionit drejt Lindjes, Juglindjes (Östpolitik). Një Shqipëri sa më e madhe e mundshme do të përbënte një zvogëlim të fitoreve ruse në Ballkan dhe një pengesë shumë të rëndësishme ndaj ambicjeve të Serbisë dhe Greqisë. Por në ndërtimin e kësaj politike proshqiptare ka ndikuar veçanërisht Kisha Katolike, mbështetëse e fuqishme e së cilës ka qenë perandoria dualiste, kanë ndikuar edhe një numër shumë influent shkencëtarësh humanistë të këtij vendi të madh, të cilët me kohë kishin hedhur bazat e shkencave albanologjike dhe kishin zbërthyer në detaje rrënjet dhe piketat e përhapjes së popullsisë iliro-arbnore. Mund të themi që ministria e punëve të jashtme e perandorisë dualiste ka qenë e mbështetur më së miri në mbrojtje të çështjes shqiptare, nga një ekspertizë me argumenta shkencore të suportuar nga një numër albanologësh të klasit të parë, gjë të cilen kanceleritë e Fuqive të tjera nuk e kanë pasur në dispozicion. Austria ka mbështetur që herët financiarisht lëvizjen kombëtare shqiptare, klerin katolik si frymëzues i orientimit proeuropian brenda kësaj lëvizjeje, intelektualë të veçantë të orientimit laik shqiptar. Studiues të caktuar në Shqipëri dikur, e kanë komentuar këtë mbështetje financiare si pjesë e një suporti agjenturor austriak. Për mendimin tim kjo përbën një vlerësim tërësisht të pabazuar dhe të mbarsur me paragjykime ideologjike. Ata studiues nuk duhet të harrojnë se falë kësaj mbështetjeje mori udhë lëvizja laike për një Shqipëri të lirë, konstitucionale dhe të shkëputur plotësisht nga Perandoria Otomane, një Shqipërie laike dhe albanianiste, me një sistem arsimor kombëtar, mbështetur mbi një alfabet dhe gjuhë të përbashkët. Mjafton të vlerësohet zhvillimi reformave administrative dhe arsimore të Shqipërisë së viteve 1916-1918, në pjesën nën zotërimin austriak, për të kuptuar rolin e kësaj perandorie në formimin e identitetit shqiptar, formimin e klasës politike që drejtoi qeveritë por edhe bëri opozitë pas Luftës së Parë Botërore dhe vendosjen e shtyllave bazë të shtetformimit në Shqipëri në periudhen e Republikës Shqiptare dhe Mbretnisë Shqiptare.

Pushtimi nga ana e Greqisë i trevave jugore të Shqipërisë Natyrale dhe më pas vendosja nën zotërim të një pjesë të rëndësishme të këtij territori për shkak të një vendimi të Fuqive të Mëdha, ka qenë pjesë e një strategjie të përcaktuar qartë, që synonte përfshirjen brenda mbretërisë helene të të gjitha tokave të banuara nga grekët. Mund të themi se zgjerimi i vitit 1913 përbënte fazen e dytë të konfigurimit gjeopolitik të shtetit helen, një synim krejtësisht i drejtë përderi sa ai nuk cenonte të drejtat e popujve të tjerë. Megjithatë, kjo përpjekje humbiste çdo justifikim me të drejtën kur shkelte të drejtat jetësore të popujve të tjerë, kur injoronte realitetet etnike dhe demografike të Ballkanit të fillim shekullit XX, dhe mbi të gjitha kur abuzonte me nocione gjeografike të antikitetit klasik dhe hellenistik. Këto nocione antike, por jo të vlefshme në bashkëkohesi, kanë shërbyer si argumente për të justifikuar gjithë politiken e Mbretërisë së Greqisë në këtë fazë të dytë të rikompozimit gjeopolitik të shtetit helen. Ato nocione antike të ofruara në tavolinë nga propaganda e qarqeve të caktuara, nga ana tjetër, kanë dezikuilibruar Fuqitë e Mëdha në vendimarrje mbi vijat ndarese të të drejtave kombëtare (në rastin kur ka munguar ekspertiza e mirëfilltë në zyrat diplomatike të fuqive); në rastin e fuqive që mbeshtesnin pa kushte Greqinë, këto nocione kanë shërbyer si “argumente” për të përhapur në errësirë “të drejtën”, për të justifikuar qendrimet e paprincipta prohelene dhe qendrimet e padrejta e jomiqësore ndaj shqiptarëve e maqedonasve sllavë. Të mendoje se pas njëzet shekujsh të trazuar në Ballkan, situacionet etnike dhe demografike të Ilirisë, Epirit, Maqedonisë, Greqisë dhe Trakisë, kishin (kanë) mbetur të palëvizshme, përbënte (përbën) një abuzim të dëmshëm me historinë e realitetin, që do të peshonte (peshon) rëndë mbi të drejtën, mbi paqen dhe mbi harmoninë mes popujve të kësaj anë të Europës për shumë kohë edhe pas viteve 1913 e 1914.

Mbretëria e Greqisë më 1913-1914 ka ndjekur me një vendosmëri të qendrueshme ndaj Shqipërisë Natyrale të Jugut, një politikë intensive aneksioniste, duke mos marrë aspak parasysh realitetin e të drejtës nacionale në këtë rajon, ku blloku kompakt entik shqiptar dhe blloku kompakt entik helen takoheshin paqësisht si dikur në antikitet. Për realizimin e synimeve janë përdorur të gjitha mjetet e mundshme: duke filluar nga ekspozimi diplomatik deri edhe tek agresionet e hapura dhe të fshehta. Shfaqja më e pajustifikuar e kësaj politike ka qenë nxitja e lëvizjes autonomiste vorio-epirote të drejtuar nga Zografos dhe Karapanos, dhe brenda saj komponenti më i rëndë ka qenë veprimi i armatosur dhe kriminal i krahut radikal vorio-epirotist, i drejtuar nga Spiro Spiromilo dhe koloneli Doulis. Pavarësisht frazeologjisë paqësore dhe gjuhës diplomatike të përdorur ndaj Shqipërisë nga autoritet zyrtare greke, në veprimin praktik në terren, në formë direkte ose indirekte, është operuar përkundrejt interesave të kompozimit të Principatës shqiptare dhe vendimit të Fuqive të Mëdha për sa i përket këtij entiteti të ri ballkanik (Perjashto qendrimin e mbretit Gjergj). Nën peshen e një politike diskriminuese dhe presuese nacionale u synua të fshihej identiteti i popullsisë shqiptare orthodokse, pjesë e një kompromisi të kahershem me autoritetet otomane të pushtimit, u orientua në kah të kundërt ndjesia nacionale e popullsisë së krahinës së Sulit dhe u stimuluan ndjenjat ekzistuese helenofile në segmente të caktuara të krahinës së Himarës. Pjesa më e stërholluar e kësaj politike, në të cilën bashkëpunimi me Mbretërinë e Serbisë ishte evident, ka qenë përkrahja e kryengritësve otomanistë të Shqipërisë së Mesme, zhvillimi i suksesshëm i së cilës iu bashkëngjit në mënyrë të përshtatshme komplotit aleat ballkanik të shkatërrimit të shtetit shqiptar dhe shkatërrimit të politikës austriake në Ballkan.

Por nga ana tjetër e gjithë kjo histori e dhimbshme, ka ngritur për herë të parë edhe një nevojë të brendshme politike në Shqipëri, nevojë që për fat të keq qendron ende për t’u zgjidhur njimendësisht: atë të themelimit të një shteti serioz, të shkëputur nga mendësia otomane, një vendi që kishte si nevojë urgjente modernizimin e përshpejtuar, europianizimin institucional dhe krijimin e bazave për ç’rrenjosjen e prapambetjes së thellë në të cilën e kishte lënë vendin pushtimi turk. Një shteti që do të dinte të formësonte strukturat e brendshme organizative në mënyrë të njimendtë, një shteti që do të respektonte aktet konstitucionale, liritë për të gjithë dhe veçantitë e të gjitha segmenteve përbërëse, një vend me institucione vetvepruese në të mirë të lirisë për të gjithë, një vend që nuk ngurron të respektojë veçantitë e komponentëve përbërës të saj religjiozë me vepra të lira përfaqësuese. Shumë pak herë në historinë e pas vitit 1913 kjo nevojë e brendshme është marrë me seriozitetin që do të duhej të trajtohej. Ai problem ka mbetur peng i trajtimeve diletante, ose është groposur nën frikën e forcës së autoritarizmave.

Krijimi i shteteve autonome dhe të pavarura në Ballkan, ka qenë jo vetëm një thyerje me të kaluarën otomane, por një hedhje poshtë e plotë e trashëgimisë politike të kësaj të kaluare. Një përpjekje e tillë ka qenë evidente dhe është karakterizuar nga përpjekjet për zëvëndësimin institucioneve të shtetit otoman me institucione europiane. Krejt evidente një gjë e tillë, kuptohet jo në mënyrë të menjëhershme, ka qenë në Greqi, Serbi, Rumani etj. Ndryshe kanë qenë rrjedhat e Shqipërisë. Shkëputja e këtij vendi me të kaluarën ka qenë shumë e vështirë, për shkak se forcat politike shkëputëse dhe europianizuese kanë qenë në minorancë dhe klasa politike lokale otomane arriti të mbijetonte fuqimisht në principaten e re. Elementët pro-perendimore arritën të impononin me vështirësi vetëm nevojen e shkëputjes nga Turqia, por dështuan në një masë të caktuar, të realizonin fazën e domosdoshme europianizuese të sistemit drejtues politik në tërësi, për një seri rrethanash të brendshme, por edhe të jashtme.

Studiuesi Jason Tomes, në librin e tij “King Zog self made monark of Albania”, e përshkruan në këtë mënyrë sa më sipër: “Bejlerët e turqizuar, në sipërfaqe më të qytetëruar, patën përpunuar nje sistem ku zyrtarët blinin postet e tyre dhe nxirrnin nga këto poste më pas aq para sa ata mundnin, ku çdonjëri me pushtet të mjaftueshem mund të bëhej vetë gjykatës dhe vetë polic. Në vendet e tjera ballkanike, kur të krishterët fituan pavarësinë, bejlerët më të keqinj u larguan së bashku me ushtrinë turke, por në Shqipëri ato mbetën në vend. Pavarësia kombëtare nënkuptonte për ata shfuqizimin e çdo privilegj të autoritetit mbi ata vetë”.

Europianizimi, si kusht paraprak për procesin e stabilitetit të një vendi të kësaj hemisfere, i shtruar për herë të parë në muajt e vitin e parë të jetës së shtetit shqiptar më 1913, është mbajtur si proces vetëm në planin sipërfaqësor dhe propagandistik. Pamundësia që të jep një vend me formime të ndryshme kulturore dhe interesat dhe përkushtimet e aktorëve më të fuqishëm të politikës të përiudhave të ndryshme, kanë penguar trajtimin dhe zbatimin e njimendtë të këtij procesi.

Në procesin europianizues të Shqipërisë nuk mjaftuan vetëm institucionet e modeluara sipas standarteve europiane (statuti organik i vitit 1914 ka qenë i formëzuar mbi standarde krejtësisht bashkëkohore për dekaden e dytë të shekullit XX), as edhe disa individë të formëzuara sipas të njëjtave parametra. Mbi këtë proces ndikuan egërsisht idetë dhe sfondet kulturore dhe ideore, shkollimet e (pa)përshtatshme dhe identitetet e aktorëve me fuqi paramilitare të politikës shqiptare, të cilët për fat të keq u përkisnin formimeve (dhe të paformimeve) nga më të skajshme. Për këtë mjafton të shqyrtojmë se si kanë qënë të formëzuar sistemet e tyre të arsimimit, prejardhjet e tyre sociale dhe vendet e emigracionit, motivimet dhe vlerat e tyre për të kuptuar se si ata kanë ndikuar apo se si ata kanë përthithur kontekstin e brendshëm institucional të ofruar nga Fuqitë e Mëdha (sot vendet demokratike perëndimore) mbi këtë vend.

Ndoshta sot, kur kufiri i Europës së Bashkuar po vjen e afrohet gjithnjë e më shumë drejt kufirit tonë verior, ka ardhë koha që importimi i procesit europianizues të merret seriozisht, dhe të behet gjithëpërfshirës në jetën politike dhe institucionale shqiptare.



Shkodër- Tiranë, shkurt 2010

PROF. DR. ROMEO GURAKUQI

UNIVERSITETI EUROPIAN I TIRANËS