Rruga "TAFAJ"

nga Kujtim Buza


Rruga "Tafaj" është një ndër 1300 rrugët e kryeqytetit. Në vitin 1937, kur Tirana kishte afro 25 mijë banorë, rrugët e emërtuara ishin të pakta. Te Selvia, sikundër edhe tani, ndaheshin rrugët e Saraçëve (Shinasi Dishnica), Tafajve (4 Dëshmorët), e Dibrës (Bajram Curri) dhe Gazhinës (Siri Kodra). Në rrënjë të selvisë, kësaj peme të lartë, "banori" më i vjetër i Tiranës, me një kurorë të vogël piramidale e gjethe të imta, kalonim çdo ditë. Ajo na shoqëronte e na rrinte mbi kokë si Kulla e Ejfelit. Në mbrëmje, pranë saj dhe Postës së Xhandërmarisë ndizej feneri me vojguri që xixëllonte i vetëm, pa mundur të ndriçonte banorët e fundit që ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe mbyllnin me hekur-kryq portat e oborrit. Mol Priska, në krye të rrugës, tërhiqte i fundit derën e furrit të tij, që shihte në të dy nahitë. Dyqani i Rahimit, që shiste ëmbëlsira, me kohë kishte ulur qepenat. Edhe Shahini, babai i Mikes, shoqes sime të klasës, e kishte shitur kosin me ajkë të trashë, të verdhë, të zënë për merak me qumësht deleje në tava të thella. Mbaj mend që me dëshirën e tij i pata shkruar me shkronja të mëdha mbi një copë kartoni: "Që të mos prishet miqësia, ndalohet veresia". Vetëm Honi i Berom Kallmetit, në këndin përkarshi rrugës, vazhdonte të priste mysafirët që vinin duke tërhequr pas kafshët e lodhura e të rraskapitura për të kaluar natën. Ndër të fundit që kthehej nga puna për të shkuar në shtëpinë e tij mbi Xhaminë e Zajmit, ishte Syrjai, biond e me trup të imët, që këndonte prekshëm me një zë të vogël melodioz këngën e tij të preferuar, duke i çuar mesazh një prej vajzave të shumta të bukura të mëhallës sonë, ku bashkë me “miss”-et tona numëroheshin edhe tetë piano që ndodheshin në shtëpitë e rrugës Tafaj. Gishtat e hollë të duarve të brishta të koncert-maestres së ardhshme, Lili Tafaj, dhe motrës së saj, Fati, luanin mbi tastierë Shopenin dhe Bramsin. Solistja e ardhshme e Teatrit të Operës dhe Baletit, Luiza Papa, këndonte ariet e Puçinit e shoqëruar nga motra e saj, Kozeta. Në një shtëpi me ne, Almeda Dobërdaku mësonte në piano Shopenin, madmazeli i jepte leksione në frëngjisht, ndërsa e ëma, Nusha, e familjes Kaçulini, merrej me pikturë. Pedagoget e ardhshme të Liceut Artistik, Zana Aliko dhe Lali Gabeci, e martuar me poetin Nexhat Hakiu, ushtronin talentin e tyre të rrallë, ndërsa Babuka e Shulcit energjike shpërthente në nota "molto vivace". Jeta, Çiljeta dhe Rexhina nuk ishin më pak të talentuara, ndërsa vajza me gërshetin e gjatë e të zi, Pranvera Mulleti, vajzë e Xhavites dhe motër e Myhyries, Azmiut e Gzimit, soliste e Ansamblit të Ushtrisë, zbukuronte edhe më shumë rrugën tonë. Terezina dhe motra ime, Lejla, studionin për pikturë dhe ëndërronin nën magjinë e ngjyrave. Mimika Tafaj, me trupin e saj të bukur, ishte një atlete e talentuar, ndërsa më vonë, pas shumë vitesh, kushërira e saj, Lindita Tafaj, do të shpallej kampione kombëtare në pingpong. Në këtë rrugë jetoi volejbollistja e shquar, Ela Tase, kapitene e skuadrës që u bë kampione e Ballkanit, volejbollistja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave, 16 herë kampione kombëtare, që bashkë me vëllanë, Leonard Tasen, ia ngritën vlerat sportit shqiptar. Në këtë pjesë të Tiranës jetonte në ato vite kryemamia e bashkisë, znj.Makbule Dizdari, gruaja e Tahir Dizdarit, farmacistja Mefarete Dhrami, mjeket Tefta Aliko, Antoneta Sheldia e Leman Tafaj. Inxhinieret Zhaneta Papa, Bukuroshe Tafaj dhe Afërdita Tafaj. Mësuesja ime e dashur e klasës së parë në shkollën “Et'hem Toto”, znj.Leman Dhrami (Isaku) ishte fqinjë e familjes sonë, ndërsa Sadija dhe Meleqja, të familjes Preza, banonin në krye të rrugës. Violeta Tafaj, me formim pedagogjik, njohëse e shumë gjuhëve të huaja, përkthyese dhe studiuese, qysh në rini na habiste kur e shihnim të udhëtonte me libër ndër duar në trenin për në Durrës, ku jepte mësim. Pandora Gaxho, Lule Sako, Fatbardha Tafaj, Tefta Hallulli etj., ishin arsimtare të dalluara, sikundër shquheshin Kleodora, montazhiere me eksperiencë në RTV, Myrveti dhe Ballkiz Binxhiu, Nikja dhe Leman Dibra, Suzi Dhrami dhe Lejla Prodani, të formuara në familje me tradita. Bile Lejla e Qazim Prodanit dhe Hedijes, diti të luftojë me dinjitet në vitet e rinisë së saj. Ne e deshëm atë për sjelljen dhe përpjekjet e saj të veçanta. Në rrugën tonë ne respektonim dhe tregoheshim të kujdesshëm me vajzën e zgjuar dhe me një portret shprehës, Nurijen, që qëndronte vetëm ulur në pragun e shtëpisë. E kështu lista e vajzave të mëhallës sonë është e gjatë dhe të më falin në qoftë se padashje kam harruar ndonjërën prej tyre.

Para gati 4 shekujsh, të parët e fisit Tafaj, një degë e tyre, mbi troje të blera në këtë nohi, mes shkurresh, gurësh dhe vorrezash, ngritën prej qerpiçi shtëpitë e tyre përdhese që lidheshim me njëra-tjetrën përmes rrugica këmbësorësh pa ndonjë organizim urbanistik të veçantë. Mahmut Tafaj, babai i Xhemalit, Hamdiut, Osmanit, Jonuzit dhe Sadikut, ka lindur më 1812 dhe vdekur në këto shtëpi më 1927. Edhe Sadik Tafaj ka lindur në shtëpinë e vjetër që gjendej mbi këtë truall në vitin 1896. Kështu ka ndodhur edhe me vëllezërit e tjerë që kanë lindur në këto troje. Më vonë, në vitet 1924-1925 është ndërtuar shtëpia dykatëshe prej qerpiçi e Osmanit dhe Xhemalit, me hyrje përpara, dhe e Sadikut me portë nga mbrapa. Ajo paskësh qenë ndërtuar prej sipërmarrësit Kristo Pope, godinë që u shemb pjesërisht në vitin 2008 dhe tash po ndërtohet mbi të një pallat shtatëkatësh. Ky është fundi i kësaj shtëpie 85-vjeçare tiranase e familjes Tafaj. Në vitin 1931, inxhinier Pashollari, kryearkitekt i Bashkisë së Tiranës, projektoi tri vila të njëjta, të vendosura në radhë për Osmanin, Xhemalin dhe Jonuzin, i cili vazhdoi më tej së ndërtuari edhe me vilën e madhe, të bukur e funksionale të tij. Në vitin 1933 u ndërtua shtëpia e Shyqyri Tafajt. Para tyre, në të majtë të rrugës, ka qenë ndërtuar shtëpia e Mustafa Tafajt, që qepte opinga të veçanta me lëkurë. Ai hapi më vonë kafe, por vdiq i ri, duke lënë familjen, Dejën dhe gjashtë djemtë, në vështirësi ekonomike. Në vitin 1933 rruga "Tafaj" ka marrë formë. Gjatë viteve 1937-1938 u bënë kanalizimet dhe më vonë u asfaltua. Në vitin 1942 u ndërtua shtëpia e Shitit dhe Beqirit, dr.Asllan Tafajt dhe kushërinjve të tij, Sinan Tafaj (pedagog dhe psikolog), Selman Tafaj (gazetar) dhe Zyhdi Tafaj (arsimtar), djali i të cilit Arben Tafaj është aktualisht kryetar i Njësisë Bashkiake Nr.8 të Tiranës. Në këto vite u ndërtua edhe shtëpia e Met Tafajt, me hyrje nga Rruga e Dibrës. Pranë Vilës Goldi (ish-shtëpia e K.Floqit) në Rrugën e Dibrës u ndërtua gjithashtu vila e Xhemal Tafajt.

Familja e vjetër Preza erdhi nga Preza dhe ndërtoi këtu në vitin 1686. Në kufi me vilën e dr.Ashtës, kalonte dikur rruga e vjetër që përcaktonte tokat e Zenel Beut (Preza). Këta kishin ndërtuar shtëpitë përpara se të ngrihej xhamia e Zajmit (1770) dhe ajo e Berxollit ngritur më vonë nga Sulejman Berxolli. Shtëpitë e tyre tashmë janë shembur, e në vend të tyre tani po ngrihen pallate të reja dhe shkolla me emrin E. Preza. Selimi që mbante emrin e të atit, vrarë nga Toptanasit për çështje pronësie, me mbështetjen e Bushatllinjve vendoset në Tiranë, në këto troje, fqinj me Tafajt. Selimi kishte djalë Zenel bej Prezën, i cili rrojti 104 vjeç, vdekur më 1924, një burrë i gjatë, veshur me fustanellë, i pashëm dhe merakli pemësh frutore. Ai në oborrin e shtëpisë kishte mbjellë gjithfarë varietetesh. Merrej me administrimin e pronave dhe e kishte kthyer kopshtin në një parcelë frutash të veçanta. Shaqiri, një nga djemtë e Zenelit, babai i studiuesit Abedin Preza, ishte anëtar i Këshillit Bashkiak në kohën e Zogut, i pasionuar pas gjuhëve të huaja. Ai fliste italisht, arabisht, turqisht, frëngjisht, gjermanisht. Prej tij, Abedin Preza mori shtysë për t'iu futur me zell studimit të gjuhëve, veçanërisht për t’u thelluar në italishte, ku arriti të hartojë disa fjalorë shqip-italisht, t'i botojë dhe ribotojë ato. Në dy takimet e fundit që pata me të, ai më dhuroi vëllimin "Poezia shqipe" të përkthyer shumë mirë në italisht. Abedin Preza është Laureat i Kalorësit të Solidaritetit nga Presidenti i Republikës Italiane, Xhorxho Napoletano. Është fitues i çmimit "Nositi" nga “Poeteka” si përthyes. Edhe i biri, Ervini, ndoqi traditën e të atit në italisht dhe anglisht dhe po ecte shumë mirë, mirëpo vdekja tragjike, duke qenë drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, e ndërpreu jetën e këtij talenti. Por, në familjen Preza shquhen shumë intelektualë dhe profesorë, mjek si radiologu Krenar Preza, inxhinieri i hidrocentraleve Enver Preza, prof.Hektor Preza që jep mësim Fizikë-Kimi në Romë, Sair Preza farmacist në Vareze, Shyret Preza ekonomiste etj. Në shtëpinë e Prezave ka jetuar gjeneral Gilardi, kur u vra në vitin 1935. Aty dëgjohej tingulli i telave të një violinçeli që prekej me virtuozitet nga harku i një gjermani që banonte me qira. Ali Duma, prestigjatori i Estradës së Shtetit ishte dhëndër i kësaj familjeje dhe banonte në shtëpinë e tyre. Në trojet e Prezave u ndërtua shkolla "Et'hem Toto". Në vitin 1939, italianët ndërtuan aty barakat për karabinierë me kuaj, pastaj erdhën karabinierët këmbësorë. Mbas çlirimit aty u ngrit Kursi i Shoferëve dhe tash sa vjet është shkolla "Partizani".

Në krye të rrugës "Tafaj" kishte shtëpitë fisi tjetër i madh, autokton tiranas, familja Hallulli, që ishte vendosur këtu shumë herët dhe që shtrihej edhe në rrugën e Saraçeve. Kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës dhe një ndër iniciatorët e krijimit të Strehës së parë Vorfnore më 1917 dhe që e financoi deri në vitin 1927, Zyber Hallulli, banonte këtu bashkë me gruan, katër djemtë dhe dy vajzat. Ai kishte vëlla Ibrahimin, kryearkëtar i Ministrisë së Financave, Myslymin, rrobaqepës që kishte djalë Bashkimin, vajzë Lilianën dhe Kasemin, këngëtarin e shquar të muzikës popullore me zë të veçantë, melodioz e plot ngjyrë, kitarist dhe njeri i dashur e komunikues, me të cilin kisha kaluar me shokë disa ndeje të paharruara. Familja e katërt e Hallullëve ishte ajo me portë karshi furrës së Mol Priskës, e Hysen Hallullit që jetonte me gruan dhe vajzat Teftën dhe Meritën. Tefta ishte drejtoreshë e kopshtit ku unë çoja çdo mëngjes Sokolin, që pothuaj çdo ditë më kërkonte t'i blija llokume e që me pluhurin e sheqerit më ndynte xhaketën e errët. Drejtoreshë Tefta, shoqe e fëmijërisë, dhe gruaja e mikut tim arsimtar, Qemal Gugushi, më jepte një pecetë të lagur për të fshirë njollat që më bënte im bir mbi supe. Atëherë çohesha herët në mëngjes për të marrë qumësht. Rruga për në çerdhe dhe kopsht nuk kishte më pak lodhje e peripeci. Tefta Hallulli ishte një grua e veçantë.

Rruga "Tafaj" në Tiranë, si Via Marguta e Romës, me emra të njohur e të vyeshëm për kombin. Një rrugë me intelektualë të shquar: shkrimtarë, shkencëtarë, artistë, muzikantë, piktorë, patriotë etj. Në këtë rrugë shiheshin të qarkullonin mbi 20 kapela republike. Kur vështronim të dilte nga porta e hekurt e shtëpisë së tij me tulla të kuqe, ndërtuar në vitin 1931, zotin Ramiz që mbante për dore një bastun të drunjtë, ne fëmijët e linim lojën dhe mbështeteshim pas murit, duke përshëndetur me respekt më të moshuarin e mëhallës, i lindur në vitin 1877, njëheri me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai kishte qenë një figurë e shquar e lëvizjes kombëtare demokratike. Ai kishte marrë pjesë aktive në luftën për ruajtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, si dhe në lëvizjen demokratike të viteve 1921-1924 dhe në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924. Zoti Ramiz kishte marrë pjesë edhe në Lëvizjen e Fierit të vitit 1935. Këto na i kishin treguar prindërit që kishin respekt të veçantë për të dhe familjen Dibra, për zonjën nga familja e shquar e Qorallijve të Tiranës, për djemtë: Beqirin, Estrefin, Luanin dhe Danin, vajzat Lemanin dhe Niken. Z.Maliq Dibra që banonte pranë, ishte djali i vëllait të z.Ramiz, studiues dhe gjuhëtar i formuar në Austri dhe Stamboll. Ishte një burrë i edukuar, intelektual i spikatur, elegant, përkthyes i mirë, që e patëm thirrur në Lidhje për të përkthyer piktorin e madh austriak, Peter Rikard Oberhuber, nxënës i Oskar Kokoshkës.

Për karshi familjes Dibra, sipas projektit të arkitektit Anton Lufi, u ndërtua në vitin 1935 një vilë e bukur dykatëshe e dr.Anton Ashtës. Ai ishte mjek mariollog, doktor i shkencave që kishte studiuar në Romë. Dr.Ashta, një burrë i plotë me hije të rëndë, vetulla të trasha, por i përzemërt, mbante me vete një çantë lëkure ngjyrë kafe, plot me libra. Flitej se në të ai mbante studimet e tij për luftën kundër malaries, monografinë "Malaria" të vitit 1932, prandaj edhe ne pëshpëritnim pasi ai largohej: "Dr.Ashta me ca shokë, mbledh mushkonja po me okë, dhe i mbyt midis oborrit, pa pretencë të prokurorit". Falë kontributit të tij dhe të bashkëpunëtorëve, në vitin 1960 sëmundja e malaries në Shqipëri u quajt e zhdukur. Shkrimi i tij në latinisht, "Delende malaria" (Të shkatërrohet malaria), botuar në vitin 1922 në revistën "Shpresa e Atdheut" (Organ i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë në Itali), shkruante: "Le të na mbetet mendja se armiku ynë më i madh dhe më i egër se armiqtë e kombit është malaria, që vjen dita me ditë tue paksue shëndetin tonë. E do ta rrëzojmë këtë armik pa kursye asnjë sakrificë e shpenzim. Lypset që Shqipëria të bëhet lulishte e bukur, me popull të shëndoshë e të fuqishëm". Shkrimtari Zisa Cikuli, në gazetën "Drita", pas 40 vjetëve pat shkruar për dr.Ashtën: "Deleta est malaria" në shqip domethënë "Malaria u shkatërrua". Djali i tij, Zef Ashta, u bë ekonomist i zoti, por edhe "Mjeshtër i madh i shahut". Ai ishte mësuesi ynë dhe i shahistëve të shquar që u formuan në "skakierën" e Zef Ashtës, në Shtëpinë e Pionierit, si Ylvi Pustina, Eqrem Konçi, Zija Keta etj. Vëllai i dr.Antonit, Gjergj Ashta, kishte studiuar në Francë për letërsi dhe kishte punuar në Parlament si përkthyes me Vangjel Koçën. Në këtë shtëpi banonte edhe z.Pjerin me znj.Antoneta, motra e Kardinal Koliqit dhe shkrimtarit Ernest Koliqi, dhe vajzat e tyre, Terezina, Luiza dhe Jola. Këtu vinte edhe nipi i kësaj familjeje, shkrimtari Gjergj Vlashi, që vazhdon të shkruajë me sukses e me po aq vlerë edhe djali i tij violinist, që luan në sallat koncertore të Europës.

Në katin e parë të shtëpisë me numër 40 të rrugës "Tafaj" jetonte "Artistja e Popullit", Marie Logoreci, me bashkëshortin Kolën dhe Pjerinin e vogël. Zëri i saj karakteristik kumbonte plot ngjyrë kur thërriste djalin e vetëm që e ndiqte në çdo hap të tij, e përkëdhelte dhe e ledhatonte prekshëm, si në teatër. Roli i znj.Marie në dramën "Toka jonë" (Lokja) përgatitej edhe në shtëpi, në dhomën që na ndante një tek tullë e që kumbonte me dhe pa orar. Aq shpesh, sa edhe ne e mësuam përmendësh dhe nganjëherë unë ia ktheja me të njëjtin intonacion. Zonjës Marie nuk i mbetej hatri. Ndërpriste punën e shpërthente në të qeshura si e kishte zakon, me kolpo mashkullore. Ajo përgatiti në këtë shtëpi rolet e Bernarda Albës të Lorkës, Gertrudës te "Hamleti", zonjës Lengton, nënës në dramën "Cuca e maleve" dhe Gjelës në dramën "Përmbytja e madhe". Këtu ajo përgatiti edhe rolin e saj në filmin e parë artistik shqiptar të metrazhit të shkurtër, "Fëmijët e saj", në 1957. Zëri tragjik i roleve të saj dëgjohej deri në oborrin e shtëpisë në rrugën "Tafaj". Ndërsa i shoqi, Kola, ishte një burrë i urtë e me formim kulturor perëndimor. Ai ishte djalë i Mati Logorecit, veprimtarit të shkollës shqipe, studiuesit e publicistit që mblodhi me përkushtim visarin leksikor të shqipes dhe që punoi për pastërtinë e saj dhe krijimin e fjalëve të reja.

Në pjesën e pasme të kësaj shtëpie jetonte me qira edhe familja jonë. Për një kohë të shkurtër, para lufte, baba ia liroi njërën dhomë shokut dhe kolegut të Gjimnazit të Tiranës, shkrimtarit Nonda Bulka, me gruan e tij të parë, rusen e bardhë – Tonjën, motër e Milla Logorecit, nënë e Viktorit, një nga katër dëshmorët. Nonda aso kohe jepte lëndën e letërsisë. Ai kishte studiuar në Liceun Kombëtar Francez në Korçë dhe kishte kryer studimet e larta për letërsi në Universitetin e Tuluzës, Francë. I rridhte goja mjaltë, i dashur dhe zemërmirë, i ditur dhe shumë i afërt. E shoqja ishte autoritare, serioze, por shumë e drejtë dhe korrekte, që priste dhe përcillte shpesh nipin e saj të vetëm, Viktorin. Te shkallët e drunjta të shtëpisë që lëkundeshin, qëllonte që t'ia lidhja unë çizmet e verdha me qafa, ia lustroja dhe fërkoja deri në shkëlqim me copën e trashë prej kadifeje dhe në fund përplasja gishtat si trumbetë për t'i treguar se puna kishte mbaruar. Kur e masakruan Viktor Gjokorecin më 28 shkurt 1944, bashkë me tre dëshmorët, Gjergj Frashrin, Trajan Pekmezin dhe Skënder Kosturin, unë shkova atje pranë pragut të shtëpisë, ku më vonë do të banonte i madhi prozator Mitrush Kuteli, dhe e pashë të shtrirë. Vura re se Viktorit ia kishin marrë çizmet e verdha me lidhëse. Çorapet e leshta të bardha qepur nga tezja e tij i kishte veshur. Kjo skenë më ka mbetur në mendje, e dhimbshme, makabër dhe nga më prekëset ndodhur në rrugën "Tafaj". Nonda Bulka ka qenë shumë i lidhur me Viktorin. Ai ka qenë një nga përfaqësuesit kryesorë të brezit letrar të viteve ‘30-të. Ai botonte tregime me pseudonimin Chri-Chri, që i mblodhi në librin "Kur qan e qesh bilbili". Pas çlirimit, Nonda Bulka do të botonte "Skica e tregime", "Fabula", “Bijtë e shkrepit”. Ai ishte poet dhe përkthyes i novelave të Mopasanit, "Universitetet e mia" të Gorkit etj., nga një prej të cilave na i dhuronte edhe ne si familje. Në ekspozitën personale të babës të vitit 1960, në librin e përshtypjeve Nonda Bulka ka shkruar një dedikim mjaft prekës prej kolegu, inkurajues dhe me besim në talentin e tij.

Kështu pra, ne jetonim në një komunitet artistësh, nën një çati me Marie Logorecin dhe Nonda Bulkën. Këtu, në këtë shtëpi të rrugës "Tafaj", Abdurrahimi realizoi shumë vepra për gati një çerek shekulli, si tablonë "Refugjatët", "Klithma", "Vajtimi". Ai punoi peizazhe të rrugës "Tafaj" dhe shumë punime përfaqësuese të tijat me temë nga Kosova, me një frymë të theksuar liridashëse. Në këtë shtëpi kanë ardhur shokët dhe kolegët e tij, Simon Rrota, Vangjush Mio, Zef Kolombi, Foto Stamo, Sadik Kaceli, Odhise Paskali, Llazar Nikolla, Bukurosh Sejdini, Kel Kodheli, e të tjerë të rinj e më të rinj, nxënës dhe studentë, dashamirës e kuriozë. Në rrugën "Tafaj" Nr.38 erdhën për të vazhduar shkollat nipërit dhe mbesat e Nënë Lekës, pinjollë të familjes Buza nga Kosova etj.

Në rrugën "Tafaj", në njërën nga tri kullat e vëllezërve Tafaj, banonte me qira ing.Ismail Topçiu, ndër të parët inxhinierë hidroteknikë dhe elektrikë, intelektual i formuar në dy fakultete, i cili në vitet 1941–1944, bashkë me Petrit Daklin dhe Petrit Merlikën, krijuan shoqërinë S.E.R.M.I. (Shoqëria private e Elektrikut dhe Hidrologjisë) dhe montuan Radiostacionin e Kasharit. Ing.Topçiu ka qenë drejtor i Industrisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe këshilltar i ministrit të Industrisë, Nako Spiru, pas çlirimit. Në vitin 1949 ai ka qenë i pari drejtor i Institutit Meteorologjik deri në 1960, kur kaloi si pedagog i mekanikës në universitet. E mbaj mend kur inxhinieri vinte nga puna mbi një biçikletë burrash, "Bianchi", që mezi i mbërrinte pedalet, të cilën deri në majë të shkallëve e ngjiste me një frymë. Ai e kishte gruan franceze nga Tuluza, Valentinën, nga familja Reji, me tradita kulturore. Nëna e saj kishte kryer konservatorin dhe pianon "Pleiel" të 1895-s ia kishte dhuruar të bijës, e cila në vitin 1933 e solli në Shqipëri, në rrugën "Tafaj". Lulëzimi (Luli) i biri, në traditë të babait, kreu Shkollën Teknike (Politeknikumin 7 Nëntori) në vitin 1953 dhe Fakultetin Elektrik në 1959. Ai punoi me sukses në grupet e projektimit elektrik të hidrocentraleve, në hidrocentralet e Shkopetit e Bistricës, deri kur në 1962 ndërtoi të parën antenë profesionale për TV me dy kate, tip yavi me 20 elemente dhe tepër të saktë. Ai u bë përgjegjës i RTV eksperimental të Tiranës në vitin 1963 dhe që bashkë me Vezir Hoxhën, Jani Melon, Beqir Derhemin dhe Stoli Belin formuan bërthamën e parë të RTV shqiptar.

Në vilën e noterit të shquar tiranas, burrit me kulturë profesionale dhe patriotit Jonuz Tafaj, që jetonte me të shoqen, znj.Habibe, një grua e veçantë dhe plot virtyte, dhe pesë vajzat që rrezatonin kulturë dhe emancipim në gjithë Tiranën, jetonte qysh prej vitit 1935 edhe ing.Jozef Shulc me familjen e tij të ardhur nga Hungaria. J.Shulci ka qenë një ndër ata specialistë që ndërtuan Radio Tiranën dhe rregullonte aparatet kinematografike në Kino "Rex" dhe "Imperial" ("17 Nëntori" dhe "Republika"). Gjatë luftës ai përgatiti radio për njësitë partizane, si dhe rregullonte ato të qytetarëve në Tiranë. Ishte një burrë me kulturë të gjerë teknike, me shkollë të lartë profesionale, punëtor dhe specialist i zoti, një baba shembullor, veshur thjeshtë me pantallona – aski. Nëna e tij flitej se ishte çifute, që në rrugën "Tafaj" gjeti qetësi dhe respekt të plotë. Gruaja e tij ishte një zonjë e komunikueshme, një rrobaqepëse me shije dhe e papërtuar. Vajza e tyre, Babuka (Amalia) ishte e gëzuar, e bukur dhe tërheqëse, ndërsa vëllai, Xhorxhi (Ëçi) sportiv dhe mjaft i rregullt në mësime. Ata, motër e vëlla, shiheshin jo rrallë që të rrëshqisnin mbi patina me rrota në bulevard, apo të bënin kurs me biçikleta me ne çunat e mëhallës. Xhorxhi kishte biçikletën e të atit, unë "Naumanin" e rëndë të Abdurrahimit, ndërsa shokët merrnin biçikletat e vogla me qira te Mer Topalli. Xhorxhi zakonisht dilte i pari në gara, por një ditë unë i zura rrugën dhe e rrezova pa dashje. Gjuri iu gjakos dhe iu fërrua në gurët zmeril të bulevardit, aq sa nuk ecte dot. Ia lidhëm gjurin dhe e çuam në shtëpi duke e shtyrë hipur mbi biçikletë. Ing.Shulci me Xhorxhin shpesh fëmijëve të mëhallës iu shfaqnin sekuenca filmash, bënim teatër hijesh dhe luanim lojën "mos u nxeh" në tabela, që mua mi vizatonte im atë. U prekëm shumë kur familja Shulc u largua në vitet ‘50 për në vendlindje, ku, si patëm marrë vesh, punët iu shkonin mirë. Shoku ynë Xhorxhi ishte bërë inxhinier konstruktor avionësh në Francë, ku kishte shkuar të punonte si specialist i përgatitur.

Në vend të familjes Shulc atëherë pati ardhur nga Gjirokastra shkrimtari dhe folkloristi Zihni Sako, që ishte drejtor i Shtypit në Ministrinë e Kulturës dhe qe bërë nën/president i Komitetit të Kulturës dhe për gati 20 vjet drejtor i Institutit të Folklorit. Xha Zihniu ecte shpejt, duke mbajtur nën sqetull çantën plot shënime. Ai ishte sa autoritar, aq edhe i përzemërt. Mustaqet e mëdha si të Maksim Gorkit, shkrimtarit tonë shpirtëror atëherë, na e bënin xha Zihniun edhe më të afërt. Ai shkruante vjersha për të vegjlit, novela si "Bereqeti" dhe "Ditë të gëzueshme", që qenë pritur mirë dhe që në vitet ‘50 i dhanë popullaritet si shkrimtar. Kur dhashë provimin e Folklorit me xha Zihninë në Fakultetin Histori–Filologji, ai më tha: "Lëri pyetjet, e di që ato i di ti", dhe duke kthyer kokën nga anëtarët e tjerë të komisionit, më inkurajoi: "Hë mo djali i mëhallës, më thuaj veç dy radhë për partizanët, si ju këndon atyre populli"? Kuptohej ashiqare që ai donte të më ndihmonte. Unë menjëherë u përgjigja: "Se ka trima partizanë, që barutin me grusht e hanë"! "Të lumtë", ma ktheu xha Zihniu. Teto Nalo, nëna e Zihniut, e tregonte qartë nga rridhte folkloristi dhe gojëmbli shkrimtar. Asaj sikur i kishte mbirë mbi kurriz i nipi, Miroshi, që i rëndonte sa s'ka më, po a e lëshonte në tokë teto Nalua?! Atëherë unë kisha triskë të mirë sportisti si lojtar i të rinjve të Tiranës dhe kur nënë Leka merrte ushqimet, teto Nalo pranë e ngacmonte: "Ë mo, edhe qy çilimi u bë njëlloj me Zihninë!". Miroshi u bë diplomat, Lulja studioi për Arkivë dhe punoi në arsim, Iliri inxhinier i hekurudhave, një familje për të cilën ruajmë kujtime.

Pas ndërrimit të sistemeve, në nderim të meritave të motrës së tyre Lili, pianistes virtuoze dhe koncertmaestres sonë të paharruar, motrat ngritën në këtë hyrje muzeun "Lili Tafaj" dhe "Akademinë Iliria". Një rrugë me histori kjo rruga "Tafaj", sigurisht si shumë të tjera në Tiranë.

Familja Cerga, edhe pse portën e kishte nga rruga "Ali Pashë Gucija", përmes deriçkës që kishim hapur, ata kalonin për shkurt në oborrin tonë për të dalë në rrugën "Tafaj". Zoti Hamza dhe nënë Refikaja ishin prindër dhe komshinj të veçantë. Djali i madh i tyre u bë arsimtar, Qazimi mjek, Iljazi inxhinier, Agimi shkrimtar dhe Alkyzi diplomat, një familje arsimdashësish, plot kujtime vitesh pune e përpjekje për shkollim.

Tradita e formimit intelektual në lëmenj të ndryshëm të arsimit të lartë vazhdoi me sukses në mëhallën tonë me inxhinierë si djemtë e Shefki Alikos, kryeinspektor i Ministrisë së Arsimit, i cili kishte studiuar në Turqi, me Bardhylin, inxhinier hidroteknik me kulturë të gjerë profesionale, eksperiencë dhe njohje konkrete praktike të terrenit, të cilin e mbaj mend me atë fizikun e zhvilluar, që e mbante në formë me ushtrimet e me atë vagonin e rëndë që mbante pas porte. Fatosi u bë inxhinier pyjesh. Inxhinieri i hekurudhave, Lek Sheldia, aty pranë, me flokët ric-kaçurrela, binte në sy për inteligjencën dhe përparimin në mësime. Pjesëtarë të familjes Xhunga, dr.Bardhi Çako ishte specialist dhe pedagog i veçantë i mjekësisë. Dr.Ilo Gaxho u bë trajner i volejbollit dhe pedagog në Akademinë e Sporteve, Berti vëllai i tij, me atë rr-në frankofone, ishte shumë i dashur dhe i edukuar, Minella me të motrën etj. Gut Tafaj, djalë i Nexhës dhe nip i Xhemal Tafajt, ishte portier i “17 Nëntorit” dhe piktor, ndërsa Edmond Tafaj operator në “Top “Channel. Djemtë e familjes Veli Shtylla dhe nj.Muazez, Valteri u profilizua në lëmin e Monumenteve të Kulturës, ndërsa Muharremi drejtor i Teatrit Kombëtar. Edi, Meti, Beni ishin të urtë e shumë të sjellshëm. Fatos Selenica, bashkë me Tomorr Meçen, ishin ndër më të përgatiturit në repartin teknik të Kinostudios, kurse djemtë e Non Dejes: Hysniu, Reshati, Eqeremi, Skënderi, Muharremi dhe Faja, që u bënë profesionistë të aftë dhe djem fisnikë. Sikundër dallohej për formimin e tij, sjelljen dhe edukatën, kampioni absolut i bilardos, djali i z.Ali Binxhiu, Estrefi. Përmes derës së hapur në oborrin e Dejes, në rrugën "Tafaj" dilte alfi i Partizanit dhe lojtari i Ballkaniadës Bajram Kurani dhe vëllezërit e tij, Tahiri dhe Dini. Portieri i "17 Nëntorit", Bujar Tafaj, ishte mbrojtës i portës në periudhën e lavdishme të kësaj skuadre të madhe të kryeqytetit. Djemtë e Hasan Metulit, Bardhyli dhe Tini, ishin të veçantë. Fqinji ynë, Gani Ismailati, shkoi për studime, inxhinier konstruktor anijesh në Poloni (Gdansk) dhe pas përfundimit të tyre caktohet në Durrës, në vitin 1954, duke u ndarë kështu përfundimisht me rrugën "Tafaj". Djali i Uçes, asaj gruas së vogël, të urtë e punëtore, por krenare për dy vajzat dhe djalin inxhinier, arriti të udhëheqë ndërtimin e anijeve të para shqiptare të viteve ‘60. Ai projektoi qysh nga motoskafët e anijet me vela, deri te transoqeanikët 2700 tonësh. Me flokët e zeza me onde, krehur për merak, librat nën sqetull, Ganiu ngjiti shkallët e jetës nisur nga shtëpia "gërdallë" prej qerpiçi në rrugën "Tafaj", ndërtuar rreth viteve 1925 dhe rrëzuar këtë dimër, për t’u ndërtuar pallate betoni. Por ja që në ato shtëpi të vjetra lindën dhe u rritën njerëz me vlera. Aty jetonin znj.Margarita dhe znj.Olimbi, këngëtare të Korit të Operës dhe Baletit, vëllai tyre z.Toli dhe znj.Liri, prindërit e shkrimtarit të talentuar Roland Gjoza etj.

Në mëhallën tonë jetonte dhe punonte rrobaqepësi i "Speciales" së Tiranës, Usta Balla, me të shoqen, motrën e futbollistit Besim Boriçi. Usta Adem Shala kishte punë ditë e natë, ashtu si mjeshtri Haxhi Matja me të shoqen, Metije, shoqen time të klasës. Nuk di sa makina qepëse "Singer" ndodheshin në rrugën tonë, por besoj se mbi 20 që punoheshin me këmbë, dhe të tjera më të vogla me dorë. Nënat punëtore të rrugës sonë ishin zonja të vërteta që mbanin familjen dhe shtëpinë, gatuanin dhe lanin e pastronin në grykë të pusit, mbanin pastër fëmijët dhe arnonin jakat e këmishëve të burrave intelektualë. Kështu bënin znj.Habibe, Krisë, Vangjeli, Ollgë, Nadir, Hazize, Refika e shumë të tjera. Non Deja mbuluar me merimanin e pastër që i shkëlqente mbi kokë nga bardhësia, me nurin e saj që hijeshonte prej lëkurës së hollë, qepte në hije të pjergullës me një makinë të lodhur dore. Kalldrëmi i shtëpisë së saj, edhe pse shkelej nga gjithë çunat e mëhallës, mbetej i pastër. Ne kalonim nëpër të dhe shtëpinë e Tones dhe Shykriut për të shkuar te "Fusha e Tajës" e për të luajtur me top, apo edhe për “të ngarë” ndonjëherë kumbullën shinjine të Hafizit, Tajës dhe Sabriut. Hapnim me kujdes derën e thatë të drunjtë, që kërciste çjerrë dhe futeshim në kopshtin e tyre. Pas saj dëgjonim që dikush na fliste me zë të ulët: "Mosni more çuna, mos hyni në gjynah". Po ne çunat qafirë nuk hiqnim dorë nga gjuetia e frutit të parë pas dimrit, me të cilin lagnim gojën. Ne e dinim që i zoti i shtëpisë nuk na bënte më shumë se kaq: "Mosni more çuna, mos hyni në gjynah". Ndjesë o Hafiz për sherret tona të fëmijërisë!

Në rrugën "Tafaj" kalonin çdo ditë dr.Jorgoni me zonjën e tij, vajzë e Hil Mosit, djemtë e veçantë Perikliu, Mihali dhe Arbeni; kalonte prozatori i madh Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), që nganjëherë, me të motrën, kthehej për një kafe sa për të kujtuar me nënën Pogradecin. Këtu kalonte prof.Gabriel Meksi, Myrteza Krasta, Vexhit Demiraj, Avni Skrapari, dr.Sulçebe, këngëtari Bajram Spahia me vëllanë Kadri Spahia, dr.Vreto, mësuesi ynë R.Hatibi, tenori Kristaq Antonia dhe motrat Zengo, familjet Mara, Basha, Sallaku, Minarolli, Hana, Reso, Halimi, Koraqi, Çakmaxhian etj.

Blogger news

Blogroll

Archives

About