Si lindi dhe si mbijetoi Himni i shqiptarëve

Në vitet 1940 i pari ishte Lasgush Poradeci ai që u përpoq t’i vishte himnit kombëtar shqiptar një histori. Do të ishte profesor Ramadan Sokli që do të bënte një përpjekje të dytë e në vitet e vona do t’i bashkëngjitej edhe Vasil Tole. Së fundmi, lindjes dhe mbijetesës së himnit kombëtar shqiptar i është kushtuar një monografi e tërë, e studiueses Valbona Karakaçi

Në vitet 1940, i pari ishte Lasgush Poradeci ai që u përpoq t’i vishte Himnit Kombëtar shqiptar një histori. Atë të lindjes e rrugëtimit deri në kohën kur vet poeti tregonte. Më tej, kjo histori në vite do të pasurohej nga copëza kujtimesh. Do të ishte profesor Ramadan Sokli që do të bënte një përpjekje të dytë e në vitet e vona do t’i bashkëngjitej edhe Vasil Tole. Së fundmi, lindjes dhe mbijetesës së Himnit Kombëtar shqiptar i është kushtuar një monografi e tërë, e studiueses Valbona Karakaçi, mbështetur nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe e botuar nga shtëpia botuese “Naimi”.

“Himni kombëtar i shqiptarëve” rreket të japë jo vetëm një histori kronologjike, por e vendos në paralele me himnin rumun, në rrethanat shoqërore dhe historike në të cilat lindi e mbijetoi më pas. “Duke qenë studimi i parë monografik në fushën e himnologjisë dhe për himnin kombëtar, ky punim dhe autorja e tij janë gjendur përballë përgjegjësisë për të shtruar dhe zgjidhur probleme të disa rendeve, prej atyre fillestare, të kuptimit dhe përkufizimit të termave; deri te çështjet e mirëfillta teorike e estetike-letrare, siç janë krahasimi i brendshëm dhe i jashtëm i tekstit të himnit; krahasimi i raporteve krijim-rikrijim dhe tekst-paratekst-intertekst; çështjet e stabilizimit filologjik-kritik të poezisë (për shkak të prekjeve dhe përshtatjeve të vërejtura mbi të gjatë afro një shekulli) që kryen funksionin e kumtit letrar të himnit kombëtar, deri tek receptimi historik dhe aktual i himnit në dy nivele: prej dijetarëve dhe prej qytetarëve - shtetas e lexues”, thekson studiuesi Shaban Sinani. Pas pjesës teorike të përkufizimit të Himnit, të lindjes së tij si zhanër e të funksionit, studiuesja ndalet në fillim të viteve 1900, pikërisht në shoqërinë “Bashkimi”.

“Në fund të 1907-ës, shënohet një tjetër prurje e shoqërisë ‘Bashkimi’, falë së cilës lindi kënga që do të lartësohej si himni i ardhshëm kombëtar: themelohet Kori Shqiptar Kishtar ku marrin pjesë tridhjetë të rinj. Kjo prurje është pjesë e përpjekjeve të anëtarëve të kolonisë për hapjen e një kishe ortodokse në gjuhën shqipe. Në mbledhjet e korit merrte pjesë edhe Asdreni, i cili ndërkohë ishte bërë i njohur si poet në sajë të botimit të librit ‘Rreze Dielli’ (1904)”, thekson Karakaçi. Lasgush Poradeci, mik i Asdrenit, në shkrimin Himni kombëtar “Flamurit pranë bashkuar dhe gjeneza e tij, shkruan: Mbledhja e parë e Korit me profesor Kiriak në Sala Transilvania: Në një pushim plot gaz dhe kënaqësi artistike, plot hov patriotik, Kiriak i thotë Asdrenit: Ti je poet, bëj një strofë shqip që t’a harmonizoj për korin e t’a këndojmë”... Punën e profesor Kiriak dalëngadalë e mori Ionesku, një djalë 25-vjeçar, i specializuar për këngë korale të kishës. Profesor Ionesku, përveç këngëve kishtare shqipe të korit, iu mësonte nxënësve shqiptarë shpesh edhe Mi flamurin t’onë-fjalë prej poetit Ioan Barsan e muzikë të Çiprian Porumbesku. Dhe një ditë… koristët ndërsa po këndonin,...iu lutnë Asdrenit në mund të bënte edhe ay fjalë të përshtatura me atë melodi, që të këndohej prej korit dhe një himn shqip, t’a shqipëronin.

…Vjershëtori kombëtar i kollonisë e dorëzoj himnin e punuar mirë e bukur shqip, pa asnjë vonim, që në njërën nga mbledhjet më të para të pastajme të shoqërisë”. Në një histori kronologjike, himni dërgohet në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit në vitin 1908, përmes Tashko Ilos dhe Hil Mosit. Kur ndodhej përkohësisht në gjirin e shoqërisë ‘Bashkimi’, atdhetari Hil Mosi e dëgjoi këtë himn, e pëlqeu dhe e solli së andejmi në Korçë, ku e përhapi nëpërmjet anëtarëve të shoqërisë Vëllazënia. Mësimi dhe përhapja e himnit filloi nga Korça në të gjithë Shqipërinë përmes mësimit të këngës.

“Ende është e paqartë se si atdhetarët që udhëhoqën lëvizjen për Pavarësi vendosën të njohin si Himn Kombëtar poezinë e shqipëruar e përshtatur nga Asdreni me muzikë të kompozitorit rumun Ciprian Porumbesku (1853-1883). Fakti që as teksti e aq më pak muzika e kësaj vepre nuk janë pastërtisht shqiptare i bashkohet edhe qëllimit për të cilin u krijua kënga, me funksion të ndryshëm nga ai i simbolit kombëtar. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ndërkohë që përpjekjet për ta ndryshuar atë kanë dështuar për katër herë me radhë më 1922, 1937, 1946 dhe 1970.

Duke iu rikthyer vizitës së Ismail Qemalit në Bukuresht, pak ditë para shpalljes së Pavarësisë, na duket e udhës të hedhim hipotezën, se kjo shoqëri mund të ketë ndikuar në zgjedhjen dhe vendimin për këngën që do të protokollohej si Himni Kombëtar i Shqipërisë së pavarur. Koha nuk priste. Vështirësitë me të cilat pritej të ndeshej lëvizja ishin të mëdha. Akti, më shumë se sa ceremonial, duhej të ishte një mesazh i qartë për Perandorinë Osmane dhe Fuqitë e Mëdha, se Shqipëria “me sot të bahet në vete, e lirë e mosvarme”, sipas Aktit të Shpalljes së Pavarësisë”, shkruan Karakaçi. Studimi i saj shtrihet edhe në përpjekjet e shumta të mëvonshme për të bërë një himn të ri në tekst dhe me muzikë, me konkurse të shpallura, përzgjedhje tekstesh dhe mungesën e një zyrtarizmi deri në vitet e vonshme si Himn Kombëtar.

Më 1913 Gjergj Fishta shkruan poezinë ‘Hymni i flamurit kombëtar’, këngë e cila u këndua për herë të parë nga nxënësit françeskanë nëpër rrugët e Shkodrës, ditën që autori me shokët e vet kishte ngritur flamurin kombëtar në kambanoren e Kishës së Gjuhadolit. Më 1914, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, u kompozua një himn për Princ Vidin, me titull ‘Hymni Mbretnor’ (Teksti: L.Ligori, muzika: Spiridon T.Ilo). Thoma Nasi, më 1918 botoi në Amerikë një version për zë dhe piano (me nota dhe me fjalë të himnit), të cilin e riboton në prill të 1947.

Regjistrimi i parë muzikor në disk i Himnit Kombëtar në Amerikë, pranë shoqërisë diskografike ‘Columbia’, seksioni i publikimeve patriotike (interpretues tenori me origjinë arbëreshe Giusepe Mauro dhe shqiptari Spiridon Tasi Ilo). Në vitin 1920 emrave që u përpoqën të shkruajnë një himn alternativ ishte Lasgush Poradeci me Marshin e djalërisë me përcaktimin zhanror Himn kombëtar, por e botuar në librin e poezisë ‘Vallja e Yjeve’ në vitin 1933. Më 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për ‘Himnin zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij ngarkohet Ministria e Arsimit, ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin. Tekstet e Ernest Koliqit dhe Kristo Floqit shpallen si më të mirët. Në konkurs mendohet të ketë marrë pjesë edhe Asdreni. Më 14 nëntor 1926, Noli shkroi vjershën ‘Hymni i Flamurit’ dhe kjo u botua në një numër të “Lirisë kombëtare” të Gjenevës, numër që i kushtohet festës së 28 Nëntorit.

Më 1 shtator 1928 Shqipëria emërtohet Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe e Trashëgueshme dhe që në vitin e parë të vendosjes së monarkisë, Shqipëria bëhet edhe me himnin e mbretërisë (Muzika: Thoma Nasi, teksti: Kristo Floqi; këta dy autorë ruajtën të paprekur vijën melodike të Himnit të Flamurit). Teksteve, kompozimeve dhe konkurseve i bashkëngjitet në vitin 1937 konkursi për himn kombëtar si pjesë e aktiviteteve për 25-vjetorin e vetëqeverisjes. Fitues i konkursit ‘Tekst për konkursin e Hymnit të Flamurit’ shpallet, nga 76 krijime, himni i Beqir Çelës me pseudonim Osoja i Ri. Më pas pati edhe një konkurs për muzikën, ku u shpall fitues një kompozitor italian E. A. Mario, por edhe për këtë nuk pati një vendim zyrtar të mëtejshëm.

Nga fundi i viteve ‘40 himni është kënduar dendur dhe pjesërisht interpretuar me nota. Pas çlirimit u botua e u orkestrua në disa variante, si për orkestër simfonike, për solist, kor dhe orkestër, për fanfarë e deri për formacione me vegla popullore. Në vitet 1945-1946 organizohet konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Fitues shpallet “Himni i Shqipërisë së Re” me poezi të Skënder Luarasit e muzikë të Cristo Konos. Rezultati u bë i ditur me rastin e shpalljes së Shqipërisë Republikë më 11 janar 1946. Himni pati interpretime të ndryshme, sidomos nga kori i ushtrisë. Në fillimi të viteve ‘70 të shek. XX, Këshilli i Ministrave në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, shpalli konkursin për Himnin e Republikës. Në fund u arrit në dy variante: himni i krijuar nga Çesk Zadeja dhe Nikolla Zoraqi me poezi të Fatos Arapit, “E lirë u ngrit toka jonë”, dhe kënga e Pjetër Gacit “Për ty atdhe”. Atëkohë morën pjesë poetë si Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi etj, dhe muzikantët Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi etj.

Më 1992 himni kombëtar rikonfirmohet si Himni i Flamurit pas ndryshimeve demokratike me ligjin “Për Flamurin, stemën, himnin kombëtar, festën kombëtare dhe kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, ku në nenin 4 thuhet Himni kombëtar është Himni i Flamurit dhe më 1993, për herë të parë në dokumentet themeltare të shtetit, himni merr mandatin e vet si simbol kombëtar me Projektkushtetutën për Republikën e Shqipërisë, ku si himn kombëtar citohet “Për rreth flamurit tonë të bashkuar”. Më 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, miratuar me referendum popullor më 21 tetor 1998: neni 14, pika 4, sanksionon: Himni Kombëtar është “Rreth Flamurit të Përbashkuar”. Më 2002, himni Kombëtar rikonfirmohet me ligjin 8926 “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre.

Blogger news

Blogroll

Archives

About