Ju tregoj vëllain tim, Xhevdet Mustafa

Rrëfimi i Gani Mustafës, njëri prej vëllezërve të të riut durrsak që hyri në histori në shtator 1982-in

Xhevdet Mustafa ishte njëri prej atyre të rinjve që nuk duronte dot mënyrën e jetesës dhe regjimin në Shqipëri.

Historia e tij është pak a shumë e njëjtë me ato të qindra shqiptarëve të tjerë që u arratisën nga Shqipëria e izoluar gjatë regjimit komunist, por ai u rikthye për të mbetur në vendlindje, atë të diel shtatori të vitit 1982-it, kur ai dhe shokët e tij të bandës mbetën të vrarë për përpjekje me forcat shqiptare të sigurisë.

Gani Mustafa, njëri prej vëllezërve të të mirënjohurit Xhevdet Mustafa, në një rrëfim për emisionin "Histori pa zhurmues", tregon se kush ishte vëllai i tij, si e përgatiti arratisjen për të mos dëmtuar familjarët dhe si arriti të bëhej milioner në Nju Jork.

Z. Mustafa, cila është historia e familjes suaj?

Unë jam një qytetar nga Durrësi dhe rrjedh nga një familje tregtare e mesme. Jemi tetë fëmijë, gjashtë çuna e dy vajza, nga baba me prejardhje nga Kavaja, nga nëna me prejardhje nga Shijaku. Me sa kam dëgjuar nga prindërit e mi, prindërit e tyre kanë qenë patriotë. Kjo është pak a shumë historia.
Regjimi komunist na i mori të gjitha pronat, normalisht, pakënaqësia ishte prezent.

Pra, ju sekuestruan pronat dhe kjo krijoi premisë dhe ndaj familja juaj kishte pakënaqësi për sistemin?

Patjetër. Nëna ka qenë shtëpiake, ndërsa babai punëtor. Vëllezërit filluan punë shumë shpejt, shumë të rinj, Petriti, Samiu e Shefqeti, Xhevdeti ishte i katërti dhe më i vogli. Pasi mbaroi shkollën shtatëvjeçare aq ishte mundësia, edhe ai filloi punë. Ka punuar si shofer në port. Aty si një pjesë e rinisë durrsake u mor me kontrabandë, ashtu si dhe një pjesë e shoferëve. Ishte nevoja për të jetuar.

Ç'lloj kontrabande bënte Xhevdeti?

Kontrabanda ishte e thjeshtë fare, me ndonjë orë, me ndonjë shami, me ndonjë paketë cigare, nuk ishte kushedi se çfarë. Fitohej pesë lekë, se blihej më lirë dhe shitej më shtrenjtë. Xhevdeti ishte tip shumë inteligjent, dinte disa gjuhë. Çfarë marinarësh vinin atëherë në Durrës, polakë, rus, gjermanë, merrej vesh me to shumë mirë.

Erdhi një kohë që si shumë të tjerë ai e pagoi atë punë që bëri, e arrestuan dhe u dënua 3 vjet burg. Ka qenë viti 1960-'61. Kur doli nga burgu, ka qenë 28-29 nëntori i vitit 1962, ka qenë falja. Ndenji shumë pak, sepse në mars 1963 u arratis, bashkë me një shok, komshi, Sekret Mezini. Momenti i arratisjes ndoshta ishte pak i përgatitur nga ana e Xhevdetit. Mbeti enigmë në atë kohë se si nuk vepruan me familjen.

Xhevdeti ishte shumë i zgjuar dhe e përgatiti, ndoshta që të na lehtësonte ne, ose të mos na preknin fare. Një javë apo dhjetë ditë para se të ikte, i thotë babës se do të shkonte në Shkodër, te një shok që e kishte pasur në burg.
Mirë, i thotë babai, por na njofto kur të ikësh. Vjen një ditë nga puna, vishet dhe del. Nuk i thotë gjë askujt. Nuk erdhi në darkë në shtëpi. Prindërit u bënë merak. Nuk erdhi as të nesërmen. Atëherë u shqetësuam se diçka kishte ndodhur. I thotë babai, njërit prej vëllezërve: "Shko e pyet se mos e kanë arrestuar prapë!". Ishte trim Xhevdeti, nuk i bënte syri dritë.

Ishte shumë i urtë, nuk ngiste njeri, por nga ana tjetër nuk duronte fare ta prekte njeri. Vëllai shkoi te Dega e Brendshme dhe u thotë: "Ka ikur vëllai nga shtëpia dhe ka dy ditë që nuk ka ardhur. Nëse është këtu na thoni". Ai oficeri përgjigjet shumë keq dhe i thotë: "Ne nuk pajtojmë njerëzit, shkoni pajtohuni në gjykatë, nëse jeni zënë me vëllezërit".

Vëllai mbeti i habitur. Me thënë të drejtën asnjëri nuk e kuptoi se do të ndodhte diçka. Kjo ishte përgatitja që bënte ai vetë për të lehtësuar familjen, për të mos na ndodhur gjë dhe faktikisht me ne nuk ndodhi gjë, pas arratisjes së Xhevdetit. Kaluan dhjetë ditë dhe... plasi.

Nga u arratisën?
Nga veriu ka dalë, bashkë me shokun e tij, komshiun, Sekret Mezinin. Fillimisht shkuan në Jugosllavi. Nëna e shkretë qante natë ditë se mendonte se e kanë vrarë, sepse dilnin shumë fjalë se ishte arratisur çuni i filanit, po shumë njerëz kishin humbur, nuk ishin përmendur më.

Pas një viti e gjysmë a dy vitesh na vjen një letër nga Jugosllavia. Kishte nja 6 muaj që sorollatej në dyert e Sigurimit. Mezi u lexua letra kur erdhi në shtëpi, sepse ata i hapnin dhe i lexonin vetë, dihej ajo punë.

Thoshte se ishte në Jugosllavi, se ishte mirë në një kamp, por asgjë tjetër. U gëzuam të paktën që ishte gjallë. Pas shumë kohësh iku nga kampi, për në Itali dhe pastaj në Amerikë.
Aty besoj nisi jetën normale, duke u vendosur në Nju Jork..
Po, u vendos në Nju Jork, ka punuar jashtë mase, sipas njerëzve që unë kam takuar më pas. Kishte një servis makinash. Aty punoi fillimisht. Familjar shumë i rregullt.

U martua?

Po, u martua me një vajzë shqiptare, edhe ato të arratisur. Lindën dy çuna dhe një vajzë.
Shoh në foto familjare se ka një simbol të Shqipërisë. Çfarë është?
Po, edhe fëmijët, po edhe Xhevdeti kanë flamurin shqiptar në bluza dhe xhaketë. Sipas atyre që kam takuar, e ka dashur shumë vendin e vet. Këtë verë në lokalin tim që kam te Shkëmbi i Kavajës erdhi një kosovar, që kish jetuar për shumë kohë në SHBA dhe tani në Gjermani.

"Më tha: 'kam ardh me të thënë vetëm dy llafe për vëllain tënd. Shqiptar që të flasë keq për Xhevdet Mustafën në Nju Jork nuk ka dhe emigrant që ta ketë dashur atdheun sa e ka dashur Xhevdet Mustafa nuk ka.

Ka ardhur shpesh në Jugosllavi, kishte njerëz nga ana e nuses në Ulqin dhe herë pas here dilte nga pjesa ku shihej Shqipëria në Ulqin dhe qante si fëmijë. Mendonte për njerëzit e vet, familjarët e vet, vëllezërit dhe motrat, popullin. Xhevdeti e ka ditur shumë mirë se si jetohej këtu, sepse ishte 21 vjeç kur iku.

Në fund të fundit ishte kundërshtar i regjimit, sepse kishte vuajtur. Në kuptimin ndoshta jo të gjerë, ai kishte edhe interesa politike, por ishte i interesuar që regjimi komunist të binte në Shqipëri, apo jo? Mbanit lidhje me të?

Nëpërmjet letrave, nëpërmjet telefonatave të rralla, ose më mirë me thënë i fundit që ka fol me të në telefon kam qenë unë. Ka qenë fundi i vitit 1980.

Kuptohet që fletëthirrjet e telefonatave ata i sillnin gjysmë ore apo 10 minuta përpara që të mos kishe mundësi të shkoje. Fatmirësisht erdhi nja 1-2 orë përpara fletëthirrja për telefonatën. Ashtu siç isha sëmurë, më thanë ke telefonatë.

Shikoj se ishte Xhevdeti. U vesha dhe shkova te Posta. Kuptohet që ishin përgatitur gjërat te posta. Fatmirësisht ajo zonja që ishte aty më bëri me shenjë që të kisha kujdes, sepse ajo ishte gocë lagjeje. Xhevdeti interesohej për vëllezërit, motrat, për pleqtë.

Mirë ishim të gjithë. Keni qenë në punë jo të mira, por profesionistë kemi qenë të gjithë. Është e habitshme, sepse asnjëherë nuk shfaqi ndonjë shenjë të keqe në muhabet, apo nëpër letra. Absolutisht asgjë.

E ndihmonte familjen?

Rrallë, ndoshta edhe shpesh. Këtë e kam mësuar më vonë, se ishte munduar shumë që të çonte jashtë mase lekë, por i ktheheshin mbrapsht. Shiko çfarë bënte. Ka qenë edhe besimtar. Të gjitha çeqet që çonte, 100 a 200 dollarë që çonte, e që i ktheheshin mbrapsht nuk i fuste në shtëpi më. I çonte në xhami, në Nju Jork, për fukarenjtë.

Krijoi një mirëqenie, apo jo?

Për të sqaruar edhe shumë njerëz që flasin, që thonë se Xhevdeti është marrë me trafiqe e gjëra të tjera. Xhevdeti është bërë milioner shumë shpejt. Do të të tregoj një aspekt. Kishte një klient që rregullonte makinën aty, një burrë shumë i vjetër që nuk kishte familje dhe punonte në kadastrën e qytetit të Nju Jorkut.

Një ditë prej ditësh çon makinën dhe shkon e i thotë: "Xhevdet në filan vend është një tokë, do ta blesh?". Xhevdeti fillon të qeshë: - "Ku jam unë në gjendje të blej tokë!". - "Ti do të marrësh kredi dhe do ta blesh tokën", - i thotë plaku. Ia mbushi mendjen. Ajo pjesë toke kishte bërë 200 a 300 mijë dollarë.

Mori kredi në bankë, e bleu. "Shumë shpejt - i thotë plaku - këtu do të bëhet një rrugë dhe t'i do të përfitosh aq shumë sa nuk ta pret mendja". Dhe vërtetë ndodhi një gjë e tillë. Pas 6 muajsh bëhet një rrugë që përfshin gjithë tokën e Xhevdetit. Dhe Xhevdeti e shiti 1 milion dollarë. Lau kredinë e bankës dhe mori paratë.

Nga i keni këto informacione?

Nga familja e tij, nga njerëzit e shtëpisë.




Ata që tradhtuan Xhevdetin para dhe pas vrasjes



Dëshmia e Gani Mustafës, vëllait të djaloshit durrsak që deshi të vriste Enver Hoxhën, në shtator 1982-in

Vijon nga numri i kaluar
Ndërsa në pjesën e parë të dosjes për historinë e ardhjes së Xhevdet Mustafës në Shqipëri, u njohëm me fëmijërinë, rininë, arratisjen nga Shqipëria dhe jetën si azilant në SHBA, vëllai i tij, Gani Mustafa, vijon rrëfimin me ditën e vrasjes së tij nga forcat e armatosura në Shqipëri.

Sot, 27 vite pas eliminimit të tij, Ganiu thotë me bindje se Xhevdeti ishte në një mision të tradhtuar para dhe pas vdekjes: "Kishte qenë i tradhtuar pa u nisur", - pohon ai për emisionin "Histori me zhurmues", duke renditur të gjitha faktet dhe nuk lë pa akuzuar edhe pretendentin e fronit, Leka Zogu, i cili ende nuk ka thënë një fjalë për të.

Ngjarja ndodhi në shtator 1982-in. Kishte sinjale paraprake nga familjarët se mund të kishte një ardhje të tillë?
Nga ana jonë, nga familja, nuk kishte asnjë lloj sinjali që Xhevdeti do të vinte në Shqipëri, sepse e kemi vuajtur aq shumë këtë, pasi u internuam sa nuk e merrni me mend, për të sqaruar opinionin dhe ata njerëz të Sigurimit që na pyesnin çdo sekondë. Gjashtë muaj përpara pritej që të vinte Xhevdeti në Shqipëri.

Gjatë gjithë kësaj kohe ne jetonim normalisht në shtëpitë tona, që i kishin afër dhe secili në shtëpinë e vet. Mbrapa e morëm vesh, kur na ndodhi kjo fatkeqësi, përballë kishim një dhomë të zaptuar nga Sigurimi për të na survejuar, nga krahu tjetër, nga vëllai i madh po kjo punë, një familje tjetër që na survejonin.

Po tregoj një aspekt të vetëm... Kisha shkuar për vizitë te një shok në Shijak. Kisha dalë bashkë me gruan. Kur po kthehesha, te ura e Shijakut, ajo ura e vjetër, siç ka qenë, shikoj një makinë, Gazin e Degës së Brendshme.

Unë me profesion jam teknik frigoriferësh, jam njeri i njohur në Durrës si profesionist dhe i njihja pak a shumë njerëzit, sepse zanati ynë hyn në çdo lloj shtëpie, siç kam hyrë te shtëpia e sekretarit të parë apo tek ai i fundit. Ata më zunë rrugën. Unë u spostova dhe u thashë: "Avash se po na vritni". "Hë Ganio si po ia kalon? - sepse më njihnin".

Më pas e kujtoj, çne Gazi i Degës në atë orë. Unë ruhesha dhe të gjithë ne ruheshim në çdo lëvizje. Në atë kohë që ka ardhur Xhevdeti unë punoja në Rrogozhinë. Nuk e di, mund të them, fati i mirë a fati i keq, që ka qëlluar ditë e diel dhe unë nuk isha në punë, sepse po të isha do të përballesha edhe unë me situatën. Fati i mirë se po të kisha qenë aty do të më thoshin se kisha dalë me prit vëllanë, fati i keq, se ndoshta do ta kisha parë edhe një herë me sy.

Ku e morët vesh ngjarjen?

Ngjarjen e kemi marrë vesh ditën e diel. Ne kemi qenë nëpër shtëpitë tona në Durrës. Nusja në atë kohë ishte thirrur në dasmë dhe kishte shkuar, siç shkojnë për të marrë nusen.

Në darkë ishim të ftuar. Kanë ardhur në shtëpi, nëna ka qenë jashtë dhe e kanë pyetur për ne: "Ku janë?". Kanë marrë gjithë vëllezërit me nënën dhe i kanë çuar në Degë, pa u thënë absolutisht asgjë. Tani kërkohesha unë, ku isha.
Nuk pyetën plakën që rrinte me mua. Shkojnë te vjehrri dhe i thonë: "Ku e ke dhëndrin?" - Dhëndri në shtëpi te vet. Po goca? Goca është në dasmë. Marrin nusen nga dasma dhe e pyesin se ku është Ganiu. - Ganiu është në shtëpi, në gjumë - thotë ajo. Pastaj në shtëpi hyn nusja dhe një i Sigurimit.

Kur e pashë te dera, pyeta: Çfarë është ky? Nusja ime e mbaruar fare, femër 25 vjeçe që e kishin marrë me Gazin e Degës për ta sjellë te shtëpia.
- Nuk më njeh ti mua, unë jam operativi i lagjes - më tha.

- Çfarë do ti?

- Hajde se do të vish me ne!
- Dil, dil jashtë! - i thashë.
- Ore mos më flit kështu mua - më tha.
- Ore dil jashtë se është shtëpia ime këtu - iu ktheva.
Ai doli te dera.

Çfarë ka ndodhur? - pyeta. Ku është nëna, ku janë të tjerët? Kuptova diçka. Vesha një këmishë, shtator ishte. Degën e kishim larg 50 metra. Vendosa të shkojmë në këmbë.
- Hajde me makinë - më tha operativi.

Kapa nusen për krahu dhe i thashë të mos trembej, çfarë ka për të ndodhur të ndodhë. Kur hymë brenda, të gjithë vëllezërit aty edhe plaka. Më thotë vëllai i madh: "Ka ardhur Xhevdeti dhe ka bërë ndonjë gjë se nuk ka mundësi". Qe e rrufeshme ajo punë, t'i mblidhje njerëzit për një minutë.

Na lanë aty dhe pastaj filluan të na pyesnin një nga një duke na ndarë. Ndoshta edhe ata që na pyesnin nuk ishin kompetentë. Ne e vuajtëm këtë situatë për 7 vite e gjysmë internim, dhe na pyesnin: "Ku e ke takuar Xhevdetin, çfarë ke folur me Xhevdetin?".

Imagjino në kohën e Enver Hoxhës, të hynte një njeri dhe të mos merrej vesh në Shqipëri. U nis nëna me njërin nga vëllezërit, Rifatin, ndoshta i bënë presion Xhevdetit që të dorëzohej. I kanë hipur në makinë dhe i kanë çuar deri diku në Golem.

Aty janë ndeshur me një makinë të drejtuesve të asaj kohe që u thanë: "Kthehuni se gjithçka mori fund dhe ata u kthyen në shtëpi. Janë përralla këto, jo shkoi nëna e pa, jo i tha dorëzohu etj. Ndoshta i sajonin vetë edhe këta të Sigurimit, për të krijuar alibi.

Po ju trupin nuk e patë më?

Jo, nuk e pamë dhe nuk e kemi gjetur edhe sot e kësaj dite.

Pra, nuk e dini ku është, megjithëse keni tentuar disa herë?

Po kemi tentuar disa herë. Të nesërmen ishin përgatitur makinat rresht, na ngarkuan plaçkat dhe na shpërndanë, jo të gjithë bashkë. Filloi hataja, shqip. Nëna ishte me mua, nusja, dy fëmijët një djalë dhe një vajzë. Na çuan në fshatin Kosovë të Elbasanit.

Fatmirësisht ishte fermë, bujqësi gjatë gjithë kohës. Kam punuar jashtë mase dhe nuk kishte fshatar që të ma kalonte për punë. Nuk kam punuar se kisha frikë, por sepse kisha nevojë.

Shumë njerëz që e kanë njohur Xhevdetin, edhe gjatë kohës kur u shkëput nga Amerika dhe erdhi në Belgjikë, se në Bruksel ka ndenjur para se të vinte në Shqipëri, të zbarkonte, ka mbetur një thënie e Xhevdetit në një klub ku rrinë shqiptarët në Bruksel: "Shikoni këtu, unë do të shkoj në Shqipëri.

Ai që është burrë vjen me mua. Do të shkoj të vdes si luan në vendin tim, nuk do të vdes nëpër Evropë si qen". Dhe këto fjalë të Xhevdetit edhe sot e kësaj dite përmenden.
Në një botim të një gazetari amerikan, për sa i përket historikut të State Island, ku është zona ku ka jetuar një pjesë të mirë të kohës Xhevdet Mustafa, përmendet edhe emri i tij, përkrah shumë personazheve të tjerë të famshëm që jetuan aty.
Po, shkrimtari e ka renditur Xhevdetin bashkë me Gorkin apo Garibaldin, për aktin që bëri për vendin e vet.

Xhevdeti ishte familjar shumë i rregullt. Kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, një grua të mrekullueshme dhe një ekonomi shumë të mirë. Të sakrifikosh familjen, fëmijët, gruan, të vish në Shqipëri, të vdesësh për vendin tënd nuk është pak. Nuk ka pasur shqiptar që ta bëjë këtë për 50 vite.

Nuk erdhi për veten e tij Xhevdet Mustafa këtu, siç më thonin njerëzit e Sigurimit: "Ti do të bëheshe ministër i Brendshëm". Po ç'ministër more! Xhevdeti erdhi se i dhimbsej Shqipëria, i dhimbsej vendi i vet, populli i vet.

Ka shumë gojëdhëna për ardhjen e tij dhe të grupit. Ju vetë personalisht, duke e njohur Xhevdetin, nga ato që keni biseduar më miqtë dhe familjarët, cili ka qenë thelbi i ardhjes së tij?

Shiko, Xhevdetit edhe njerëzit që vinin në Shqipëri si turistë, apo që shkonin në Amerikë, ia nxinin jetesën e familjes së vet këtu, por edhe të popullit. Ai e dinte pak a shumë, sepse kishte ikur vetëm 20 vite më parë, në një moshë të rritur dhe e dinte.

Kur flisnit në telefon ju i shprehnit ndonjë gjë, që ishit keq?

Jo kurrë, asnjëherë.
Ju pyeste se cila ishte gjendja e familjes?

Po, po, a e ke parasysh se në telefon ti nuk mund të flasësh kurrë atë që do, jo vetëm të flasësh, por as të rrëshqasësh.

Çfarë ju pyeste në telefon?

Pyeste thjesht, si jeni, si e kaloni, kaq. Kam takuar njerëz që e kanë shoqëruar Xhevdetin deri në minutat e fundit në Itali, kur u nis, sepse nga Italia kanë zbarkuar...
Në mos gabohem, ka qenë një grup akoma më i madh.

Kanë qenë rreth 40 vetë, por grupi u shkri. Ndoshta edhe Sigurimi ka bërë punën e tij, duke i spostuar. Bile edhe personi që ka qenë, sepse ishin katër, i katërti është kthyer në Leçe, i fundit është rrëzuar në barkë, kur u nisën. Them se ka qenë e sajuar, se nuk ka dashur të vinte. Xhevdeti e dinte se do të vdiste këtu.

Personit të fundit më të cilin është takuar, që erdhi dhe më takoi edhe mua, i ka thënë: "Shiko, 90 për qind jam i vdekur, 10 për qind, ka pasur një varëse floriri, Kuranin të vogël, e ka puthur ata dhe ka thënë, 'vetëm zoti do të më ndihmojë për këtë popull'." Kishte qenë i tradhtuar pa u nisur.

Sigurisht, derisa kishte 6 muaj që kontrolloheshin shtëpitë tona, ndoshta nuk dihej vendi i zbarkimit, ose si me thënë e ndërroi ai vetë vendin e zbarkimit, sepse ishte aq i zgjuar.

Mendoni se ka kombinuar edhe me forca të tjera të interesuara për rrëzimin e pushtetit, siç ishin Leka Zogu apo agjenturat e tjera?

Me agjenturat jo nuk bëhet fjalë fare. Më vjen keq vetëm për Mbretin, që me sa di unë e ka njohur shumë mirë Xhevdetin, që të mos them se e ka pasur mik dhe ka dokumente për këtë punë. Vetëm një fotografi mund të shohësh ku Xhevdeti ka qenë në një tavolinë me Zogun dhe më vjen keq që nuk e përmend në asnjë vend dhe kur është pyetur duhej të jepte një përgjigje që i takonte.

Ky është mendimi im, ndoshta është i gabuar. Një mbret që mohon ushtarët e vet, nuk mund të jetë kurrë mbret i ushtarëve. Leka Zogu duhet të fliste shumë për Xhevdet Mustafën.

Pra, ju mendoni se vëllai juaj erdhi në Shqipëri me një qëllim, eliminimin e figurës kryesore komuniste?

Po, kjo ishte shumë e vërtetë.



Roli i Sigurimit te banda e Xhevdet Mustafës


Dëshmia e Hasan Luçit, njërit prej pjesëtarëve të Sigurimit për rolin e bashkëpunëtorit Halit Bajrami dhe eliminimit të bandës

Duke u gdhirë 24 shtatori 1982, motoskafi i një shtetasi italian, në bordin e të cilit ishte Xhevdet Mustafa, Halit Bajrami dhe Sabaudin Haznedari zbarkojnë në Divjakë. Pasi kalojnë natën në xunkthe, paraditen e 25 shtatorit ata bëjnë disa lëvizje për t'u njohur me terrenin, me qëllim për të dalë në Divjakë dhe pastaj në Rrogozhinë.

Pikërisht në këtë vend janë ndeshur me zv.shefin e Policisë së Lushnjës, i cili shoqërohej edhe nga tre policë të tjerë.

Pasi eliminuan zv.shefin e policisë, Mustafa, Bajrami dhe Haznedari, morën peng njërin prej policëve, për ta detyruar që t'u tregonte rrugën për në qendër të Divjakës dhe më pas rrugën për në Rrogozhinë dhe pastaj pretendonin të udhëtonin në drejtim të Tiranës. Për të shkuar deri atje, ata kanë përshkruar gjithë pyllin, duke iu shmangur fshatarëve të zonës, apo ndonjë polici të mundshëm që ndodhej në këtë zonë.

Pasi përshkruan një rrugë prej 6-7 kilometrash mes pyllit të Divjakës, tre anëtarët me policin u takuan me fshatarin Vlash Bërdoti dhe nuk dihet se çfarë biseduan me të, por e vranë dhe më pas vazhduan drejt rrugës nacionale që lidh Rrogozhinën me Lushnjën.

Pasi përshkruan pak rrugë erdhën në vendin, ku edhe sot ndodhet stacioni i trenit i Rrogozhinës. Përballë stacionit, atëherë ndodhej një klub i vogël i stacionit të trenit, derisa të vinte treni me të cilin do të udhëtonin deri në Tiranë.

Pasi u zbuluan nga forcat vullnetare dhe agjentët e Sigurimit që ndodheshin aty, Halit Bajrami u vetëdorëzua, Xhevdeti doli nga lokali bashkë me Sabaudin Haznedarin. Ky i fundit përshkoi rrugën nga stacioni deri te një bunker.

Pas ngjarjes në Rrogozhinë, ku u vra Sabaudin Haznedari dhe u vetëdorëzua Halit Bajrami, Xhevdeti, që kishte marrë peng tre makina nën forcën e armëve erdhi te një vend ku lidhet rruga për në Lushnjë. Ky vend ishte fshati Zhamë, që u bë edhe stacioni i fundit i Xhevdet Mustafës. Në fund të asaj dite, pasi qëndroi 6-7 orë i rrethuar nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, ndërhyri diagaçi i ushtrisë, duke e lënë të vrarë.

Këtë pjesë të historisë e dëshmon për emisionin "Histori me zhurmues" njëri prej pjesëtarëve të Sigurimit që u morën me çështjen e Xhevdet Mustafës, Hasan Luçi.
Grupi i Xhevdet Mustafës ka ngjallur vërtetë polemika që vazhdojnë, por ne kemi qenë më afër të vërtetës dhe nuk kemi qenë pak, por dy vjet. Sinjali i parë na u dha nga një atdhetar, një çik jo shumë i besueshëm, por ai i ra në shenjë.

Xhevdet Mustafa kishte marrë pjesë në dy grupe të Legalitetit që u zbulua në vitet '70 në Nju Jork, një grup rreth 25 veta që merreshin me drogë dhe ishte dënuar më kusht, duke paguar garancinë 1 milion dollarë, nga kundërzbulimi amerikan dhe sigurisht ata e kanë vënë në lojë së bashku me zbulimin jugosllav, sepse bashkëpunëtorët e Xhevdet Mustafës që u gjetën, rreth 20 veta, po ata, pastaj u krehën dhe u përcaktuan vetëm nga Sabaudin Haznedari, edhe një shoku i tij Halit Bajrami, me origjinë nga Ulqini dhe Kotorri në Malin e Zi.

Mos gabohem Halit Bajrami ka qenë punonjës i Sigurimit?

Po, ka qenë në Ushtri. Kur shkoi jashtë shtetit pranoi bashkëpunim, pranoi fajin e arratisjes, të gjitha. Sabaudin Haznedari ishte një bashkëpunëtor i italianëve dhe punonte shumë me vendet islamike.
Sipas të dhënave që keni ju, kapoja i grupit ishte Haznedari, pavarësisht se quhej banda e Xhevdet Mustafës.

Po ishte truri. Xhevdet Mustafa ishte arratisur në 1964, por ishte njeri i marrë me drogën e të tjera gjëra, shumë sportiv, njeri që për mendimin tim, duhet të jetë përdorur në shumë veprime zbulimi, sepse ishte një qitës shumë i mirë, gjuante në çdo pozicion dhe ai u gjet si ai Ramboja. Për mua, detyra e kësaj bande ishte asgjësimi i Enver Hoxhës dhe gjithë përgatitja bëhej, pavarësisht se ishte e sajuar që do të vinin për të kërkuar florinj, se ishte fshehur diku një thesar.

Por, gjithë materiali që iu kap bandës dhe që ekspozua në Ministrinë e Brendshme, pastaj u tërhoq, sepse kur u bë ekspozita, nuk ishin marrë masa për të hequr disa gjëra, sepse ne vazhdonim punën me gjëra të tjera, dhe atje dilnin disa gjëra që dekonspironin veprimet tona. Por ishin të gjitha deri te fijet e telit për të lidhur ushtarët para se të hynte në godinë, janë të dokumentuara.

Sipas informacioneve që kishit, ky grup pritej që të zbarkonte një ditë dhe informacioni ju erdhi që ky grup kishte një qëllim serioz, të asgjësonte një nga figurat kryesore të shtetit, apo jo?

Ky grup u kompaktësua në mars dhe gjithë veprimtarinë e zhvilluan në Leçe. Nga Leçja merrnin barkën dhe bënin zbarkime afër bregdetit, kishin zgjedhur edhe njerëzit se kush do të vinte, bënin provat që do të vinin dhe bashkëpunëtori ynë ishte bërë pjesë e kësaj bande dhe ne i kishim dhënë të gjitha detyrat, deri te detyra që çfarë do të bënte nëse do të zbarkonin dhe pa dijeninë tonë. Dhe, në fakt, në fund kështu ndodhi. Ata ndërruan timonierin e barkës se si duket kishin ndonjë dyshim dhe ai timonier që i solli në Divjakë ngeci në rërë.

Timonieri ishte italian?

Timonieri ishte italian dhe ai ngeci, dhe ata mezi arritën ta shtyjnë barkën që të ikte. Plani u vonua. Ishin bërë planet që mund të gjuhej edhe nga barka, ku është vila e Enverit. Ishte bërë plan që të vinte një avion dhe të bombardonte në kalim, por përfundimisht u gjet kjo.

Vila e Enverit, ku ishte?

Ishte në Durrës. Mirëpo kontrolli i bregut ishte shumë i fortë, kështu që ata hoqën dorë edhe nga avioni edhe nga barka dhe menduan se ai që bënë ishte varianti më i mirë, sepse banda nga atje do të vinte në Tiranë. Ajo kishte bazën se ku do të fshihej në Tiranë, diku afër Bllokut dhe prej aty do të dilte natën, sepse operacioni do të bëhej natën.

Ju kishit informacione se kur do të mbërrinte barka dhe shtëpinë ku do të strehoheshin këta njerëz?

Kishim bazat, jo tamam të fiksuara, por dinim vendin dhe njerëzit, për këtë arsye u shpërndamë edhe fotografitë e këtyre.

Sa kohë përpara?

U shpërndanë tre muaj përpara dhe për këtë arsye ajo vajti edhe në vesh se lajmet shkojnë shpejt, ndaj dhe pati njëfarë dekonspirimi i qëllimit të ardhjes së bandës dhe prandaj këta morën masa të tjera plus për të ardhur.

Thuhet që në përbërje të bandës ka qenë edhe një person i katërt, i cili është tërhequr në momentin e fundit.

Këta, ai bashkëpunëtori tha se ai pati vërtetë frikë në fund, e pa që ishte një veprim vetëvrasës dhe në fund hoqi dorë.

Pak a shumë, cili ishte plani i zbulimit shqiptar, për njeriun që ishte pjesë e bandës, çfarë duhet të bënte ai, duhet të survejonte dy pjesëtarët e tjerë, pra Haznedarin dhe

Mustafën, apo duhej përdorur në një rast ekstrem?

Tani kur vjen puna në aksione kaq të mëdha, janë dy duar për një kokë. Kjo është luftë dhe në luftë ka edhe viktima. Historia ka dëshmuar dhe dëshmon akoma. Ne i thamë atij që kur të zbrisnin dhe të udhëtonin të merrte armatimin e tyre dhe të mos i lejonte atyre armatim si automatikë etj., dhe kështu ndodhi. Ai e kishte lidhur çantën si karroqe, si ie thonë, dhe e mbajti vetë.

Ata mbajtën nga një pistoletë "Braun" të blerë në Liezh me 14 fishekë. Mirëpo, ndodhën ato që ndodhën, të papriturat, u takuan dhe vranë policin, një tjetër e morën dhe u prish gjithë skema.

Kur erdhën në Rrogozhinë, ku do të hanin mëngjesin atje, sepse u iku treni, ishin porositur njerëzit, sepse ne e prisnim bandën edhe nga kufiri, jo vetëm nga deti dhe i kishim marrë masat dhe atje, kamerierja pa atlete, që nuk ishin në Shqipëri, ai dyshoi e i thotë policit.

Në kohën që polici po vinte, bashkëpunëtori ngrihet dhe i thotë: "Atë kapni, kryesorin, unë jam i juaji". Por, polici nuk reagoi shpejt dhe u krijua një pështjellim. Xhevdeti e kuptoi kur u afrua polici dhe u ngrit të ikte bashkë me Sabaudinin. Sabaudini pa një bunker aty afër dhe vajti u fut atje dhe filloi të bënte rezistencë.

Atë e vranë kot se ai do të mbaronte fishekët dhe s'kishin pse ta vrisnin, sepse ne na duhej i gjallë medoemos. Kështu ishte orientimi, i donin të gjallë të gjithë, pa asnjë dëmtim, kurse Xhevdeti mori makinën dhe bëri atë që bëri.
Ju deri në atë kohë ishit marrë me këtë grup. Por nuk u vutë në dijeni kur ata zbarkuan në Divjakë?

E prisnim. Bile kishte një Katër që rrinte natën ndezur në Durrës. Dhe një vartësi im i kundërzbulimit më thotë gjithnjë: "A ç'na ke bërë ti" se nuk i zinte gjumi gjithë natën, në dallgë. Mirëpo janë ditë të tëra.
Po përse nuk ju lajmëruan juve për të vazhduar operacionin?
Bashkëpunëtori nuk mundi të na njoftonte.

Nuk menduat se u mënjanuat si grup?

Ne e kishim edhe këtë parashikim. Plani ynë ishte ky që do të priteshin në të gjitha pikat dhe kishim zënë të gjitha vendet, kudo që të kalonte do të binte në sy, sepse fotografitë ishin shpërndarë qoftë në tren, qoftë në rrugë, është e pamundur të binte në sy, siç ra. Sepse ishte ajo që njerëzit ndonjëherë edhe tallen, vigjilenca e popullit.

Flitet se është njoftuar edhe Ramiz Alia për këtë grup dhe ai ka shënuar: "Të lejohet të vijë", në kuptimin që të stimulohet të vijë. Është e vërtetë?

Ne sigurisht, pas Hysni Kapos, Enveri caktoi Ramiz Alinë për të ndjekur zbulimin. Neve na i jepte udhëzimet ministri, Hekurna Isai, por edhe Ramizi do ta kishte dhënë me mendimin e Enverit, dhe jo të vetin, s'ma merr mendja.

Ju ku ishit kur morët vesh për ardhjen e grupit?

Unë isha në mbledhjen e partisë, lexonim librin, Sinoptikën e Enver Hoxhës për Mehmet Shehun. Ishte ditë e diel. Njoftohem urgjentisht që plasi në Rrogozhinë dhe ne na njoftuan me shumë vonesë, sepse ajo kish ndodhur në mëngjes.

Ishte si të thuash një mënjanim, aq më tepër që bashkëpunëtori, sapo ndodhi ngjarja tregoi se kush ishte. Shefi i Sigurimit na njoftoi dhe ne shkuam pak pa kaluar Kavajën, te Shkëmbi përplasemi zëvendësdrejtori dhe unë, e kishin lidhur me duar mbrapa, hequr rrobat se ishte e ngrohtë dita me diell, ishte gjakosur nga duart, po qante...

Bashkëpunëtori...

Bashkëpunëtori. Shkëmbyem nja dy fjalë. Unë u revoltova dhe kisha të drejtë, pavarësisht se çfarë roli luajti ai, sepse për mua ai e luajti rolin. Pati frikë, s'pati frikë, njerëzit këto janë, por nuk duhej trajtuar në atë mënyrë.
Ti e ke në dorë, pse ta gjakosësh, ai rezistencë nuk bëri. Megjithatë, erdhëm në Tiranë, biseduam pasdite dhe të nesërmen në mëngjes. Na tha gjërat më urgjente që i kërkuam, si u nisëm si u bënë, dhe të pasnesërmen unë u fshiva nga defteri.
Pra, ju mënjanuan?

E morën të tjerët. Nuk më kërkuan as llogari, çfarë bëra, çfarë s'bëra, por përfundimisht u mora me problemet e tjera që kisha, sepse isha kryetar dege dhe isha përgjegjës për antiterrorin siç quhej. Kishim halle të tjera atëherë se vinin shumë banda dhe banda e Xhevdetit, çuditem që e lanë vetëm me atë përgatitje që kishin bërë.

Pse ka pasur grupe të tjera?

Po kishte grupe të tjera dhe ishin të rrezikshme, me më përvojë se këta që dërguan.
Më thatë për Xhevdetin se kishte paguar një këst 1 milion dollarë për një problem që kishte me drejtësinë. Një njeri që e kishte rregulluar jetën shumë mirë, mos ishte tepër e rrezikshme që zgjodhi rrugën e një atentati ndaj Enver Hoxhës?

E detyruan të futej, nuk kishte rrugë tjetër. Në një nga letrat që i dërgon gruas së tij nga Belgjika i thotë: "Do të dëgjosh se çfarë do të bëj pas dy muajsh". Kjo më jep të drejtën të them se ai kishte edhe një fije mendjemadhësie, se ia kishin mbushur mendjen se mund ta bënte.

Si ju erdhi informacioni për këtë letër?

Në rrugë agjenturore si gjithmonë, nga bashkëpunëtorët. Ne atëherë arritëm të tërhiqnin në bashkëpunim shumë njerëz, edhe të afërm, sepse ishte lojë e madhe, nuk ishte e thjeshtë dhe kishim informacion të bollshëm. Unë mendoj se banda nuk erdhi për atë qëllim që u përdor mbrapa, për asgjësimin e Kadri Hazbiut.

Është një ide që u ngrit më pas dhe në një ballafaqim që kam pasur, nuk është gjallë ish-ministri Hekuran Isai, por unë arrita t'i flisja direkt ballë për ballë dhe më detyronte puna. Gjeta momentin dhe i thashë: "Kur doli e dhëna që banda të përdorej nga Kadri Hazbiu?".

Ai në moment se nuk e priste dhe u shkreh, por e mori veten pas pak. E pashë që sytë e tradhtuan. Dhe bashkëpunëtori që ka dhënë këto të dhëna është përgatitur në 15-katësh.

Ky bashkëpunëtor që ne e kishim në plan ta kthenim menjëherë, nuk duhej ekspozuar dhe do e legjendonim, siç thuhej në gjuhën tonë, dhe ai do të ikte prapë, pavarësisht se u ekspozua.

Ne do ta çonim në Mal të Zi se ishin lidhjet me jugosllavët, ose do ta nxirrnim në Greqi, këto ishin planet e veprimit, sepse donim të vazhdonte loja. Nga informacionet që ka dhënë unë nuk e njoha më atë njeri se unë kisha punuar me të, ashtu siç doli në gjyq, as nga ana fizike, as shpirtërore

Mendoni se është përpunuar?

Është përpunuar, i është bërë presion dhe prapë u dërgua në rrugën e arratisjes dhe kjo ishte prapë gabim. Ky ishte një naivitet i madh nga drejtuesit.
Mendoni se pas eliminimit të kryeministrit Mehmet Shehu dhe ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, më pas, ministria ra në duart e njerëzve joprofesionistë...
U morën njerëz nga prodhimi dhe pa bërë një kurs antiterrori, apo kundërzbulimi. Sidomos krerët u morën njerëz joprofesionistë.




Dëshmia e Hasan Luçit, njërit prej pjesëtarëve të Sigurimit për rolin e bashkëpunëtorit Halit Bajrami dhe eliminimit të bandës



Duke u gdhirë 24 shtatori 1982, motoskafi i një shtetasi italian, në bordin e të cilit ishte Xhevdet Mustafa, Halit Bajrami dhe Sabaudin Haznedari zbarkojnë në Divjakë. Pasi kalojnë natën në xunkthe, paraditen e 25 shtatorit ata bëjnë disa lëvizje për t'u njohur me terrenin, me qëllim për të dalë në Divjakë dhe pastaj në Rrogozhinë. Pikërisht në këtë vend janë ndeshur me zv.shefin e Policisë së Lushnjës, i cili shoqërohej edhe nga tre policë të tjerë. Pasi eliminuan zv.shefin e policisë, Mustafa, Bajrami dhe Haznedari, morën peng njërin prej policëve, për ta detyruar që t'u tregonte rrugën për në qendër të Divjakës dhe më pas rrugën për në Rrogozhinë dhe pastaj pretendonin të udhëtonin në drejtim të Tiranës. Për të shkuar deri atje, ata kanë përshkruar gjithë pyllin, duke iu shmangur fshatarëve të zonës, apo ndonjë polici të mundshëm që ndodhej në këtë zonë. Pasi përshkruan një rrugë prej 6-7 kilometrash mes pyllit të Divjakës, tre anëtarët me policin u takuan me fshatarin Vlash Bërdoti dhe nuk dihet se çfarë biseduan me të, por e vranë dhe më pas vazhduan drejt rrugës nacionale që lidh Rrogozhinën me Lushnjën. Pasi përshkruan pak rrugë erdhën në vendin, ku edhe sot ndodhet stacioni i trenit i Rrogozhinës. Përballë stacionit, atëherë ndodhej një klub i vogël i stacionit të trenit, derisa të vinte treni me të cilin do të udhëtonin deri në Tiranë. Pasi u zbuluan nga forcat vullnetare dhe agjentët e Sigurimit që ndodheshin aty, Halit Bajrami u vetëdorëzua, Xhevdeti doli nga lokali bashkë me Sabaudin Haznedarin. Ky i fundit përshkoi rrugën nga stacioni deri te një bunker. Pas ngjarjes në Rrogozhinë, ku u vra Sabaudin Haznedari dhe u vetëdorëzua Halit Bajrami, Xhevdeti, që kishte marrë peng tre makina nën forcën e armëve erdhi te një vend ku lidhet rruga për në Lushnjë. Ky vend ishte fshati Zhamë, që u bë edhe stacioni i fundit i Xhevdet Mustafës. Në fund të asaj dite, pasi qëndroi 6-7 orë i rrethuar nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, ndërhyri diagaçi i ushtrisë, duke e lënë të vrarë.

Këtë pjesë të historisë e dëshmon për emisionin "Histori me zhurmues" njëri prej pjesëtarëve të Sigurimit që u morën me çështjen e Xhevdet Mustafës, Hasan Luçi.



Grupi i Xhevdet Mustafës ka ngjallur vërtetë polemika që vazhdojnë, por ne kemi qenë më afër të vërtetës dhe nuk kemi qenë pak, por dy vjet. Sinjali i parë na u dha nga një atdhetar, një çik jo shumë i besueshëm, por ai i ra në shenjë. Xhevdet Mustafa kishte marrë pjesë në dy grupe të Legalitetit që u zbulua në vitet '70 në Nju Jork, një grup rreth 25 veta që merreshin me drogë dhe ishte dënuar më kusht, duke paguar garancinë 1 milion dollarë, nga kundërzbulimi amerikan dhe sigurisht ata e kanë vënë në lojë së bashku me zbulimin jugosllav, sepse bashkëpunëtorët e Xhevdet Mustafës që u gjetën, rreth 20 veta, po ata, pastaj u krehën dhe u përcaktuan vetëm nga Sabaudin Haznedari, edhe një shoku i tij Halit Bajrami, me origjinë nga Ulqini dhe Kotorri në Malin e Zi.

Mos gabohem Halit Bajrami ka qenë punonjës i Sigurimit?

Po, ka qenë në Ushtri. Kur shkoi jashtë shtetit pranoi bashkëpunim, pranoi fajin e arratisjes, të gjitha. Sabaudin Haznedari ishte një bashkëpunëtor i italianëve dhe punonte shumë me vendet islamike.

Sipas të dhënave që keni ju, kapoja i grupit ishte Haznedari, pavarësisht se quhej banda e Xhevdet Mustafës.
Po ishte truri. Xhevdet Mustafa ishte arratisur në 1964, por ishte njeri i marrë me drogën e të tjera gjëra, shumë sportiv, njeri që për mendimin tim, duhet të jetë përdorur në shumë veprime zbulimi, sepse ishte një qitës shumë i mirë, gjuante në çdo pozicion dhe ai u gjet si ai Ramboja. Për mua, detyra e kësaj bande ishte asgjësimi i Enver Hoxhës dhe gjithë përgatitja bëhej, pavarësisht se ishte e sajuar që do të vinin për të kërkuar florinj, se ishte fshehur diku një thesar. Por, gjithë materiali që iu kap bandës dhe që ekspozua në Ministrinë e Brendshme, pastaj u tërhoq, sepse kur u bë ekspozita, nuk ishin marrë masa për të hequr disa gjëra, sepse ne vazhdonim punën me gjëra të tjera, dhe atje dilnin disa gjëra që dekonspironin veprimet tona. Por ishin të gjitha deri te fijet e telit për të lidhur ushtarët para se të hynte në godinë, janë të dokumentuara.

Sipas informacioneve që kishit, ky grup pritej që të zbarkonte një ditë dhe informacioni ju erdhi që ky grup kishte një qëllim serioz, të asgjësonte një nga figurat kryesore të shtetit, apo jo?
Ky grup u kompaktësua në mars dhe gjithë veprimtarinë e zhvilluan në Leçe. Nga Leçja merrnin barkën dhe bënin zbarkime afër bregdetit, kishin zgjedhur edhe njerëzit se kush do të vinte, bënin provat që do të vinin dhe bashkëpunëtori ynë ishte bërë pjesë e kësaj bande dhe ne i kishim dhënë të gjitha detyrat, deri te detyra që çfarë do të bënte nëse do të zbarkonin dhe pa dijeninë tonë. Dhe, në fakt, në fund kështu ndodhi. Ata ndërruan timonierin e barkës se si duket kishin ndonjë dyshim dhe ai timonier që i solli në Divjakë ngeci në rërë.

Timonieri ishte italian?

Timonieri ishte italian dhe ai ngeci, dhe ata mezi arritën ta shtyjnë barkën që të ikte. Plani u vonua. Ishin bërë planet që mund të gjuhej edhe nga barka, ku është vila e Enverit. Ishte bërë plan që të vinte një avion dhe të bombardonte në kalim, por përfundimisht u gjet kjo.

Vila e Enverit, ku ishte?

Ishte në Durrës. Mirëpo kontrolli i bregut ishte shumë i fortë, kështu që ata hoqën dorë edhe nga avioni edhe nga barka dhe menduan se ai që bënë ishte varianti më i mirë, sepse banda nga atje do të vinte në Tiranë. Ajo kishte bazën se ku do të fshihej në Tiranë, diku afër Bllokut dhe prej aty do të dilte natën, sepse operacioni do të bëhej natën.

Ju kishit informacione se kur do të mbërrinte barka dhe shtëpinë ku do të strehoheshin këta njerëz?

Kishim bazat, jo tamam të fiksuara, por dinim vendin dhe njerëzit, për këtë arsye u shpërndamë edhe fotografitë e këtyre.

Sa kohë përpara?

U shpërndanë tre muaj përpara dhe për këtë arsye ajo vajti edhe në vesh se lajmet shkojnë shpejt, ndaj dhe pati njëfarë dekonspirimi i qëllimit të ardhjes së bandës dhe prandaj këta morën masa të tjera plus për të ardhur.

Thuhet që në përbërje të bandës ka qenë edhe një person i katërt, i cili është tërhequr në momentin e fundit.


Këta, ai bashkëpunëtori tha se ai pati vërtetë frikë në fund, e pa që ishte një veprim vetëvrasës dhe në fund hoqi dorë.

Pak a shumë, cili ishte plani i zbulimit shqiptar, për njeriun që ishte pjesë e bandës, çfarë duhet të bënte ai, duhet të survejonte dy pjesëtarët e tjerë, pra Haznedarin dhe Mustafën, apo duhej përdorur në një rast ekstrem?



Tani kur vjen puna në aksione kaq të mëdha, janë dy duar për një kokë. Kjo është luftë dhe në luftë ka edhe viktima. Historia ka dëshmuar dhe dëshmon akoma. Ne i thamë atij që kur të zbrisnin dhe të udhëtonin të merrte armatimin e tyre dhe të mos i lejonte atyre armatim si automatikë etj., dhe kështu ndodhi. Ai e kishte lidhur çantën si karroqe, si ie thonë, dhe e mbajti vetë. Ata mbajtën nga një pistoletë "Braun" të blerë në Liezh me 14 fishekë. Mirëpo, ndodhën ato që ndodhën, të papriturat, u takuan dhe vranë policin, një tjetër e morën dhe u prish gjithë skema. Kur erdhën në Rrogozhinë, ku do të hanin mëngjesin atje, sepse u iku treni, ishin porositur njerëzit, sepse ne e prisnim bandën edhe nga kufiri, jo vetëm nga deti dhe i kishim marrë masat dhe atje, kamerierja pa atlete, që nuk ishin në Shqipëri, ai dyshoi e i thotë policit. Në kohën që polici po vinte, bashkëpunëtori ngrihet dhe i thotë: "Atë kapni, kryesorin, unë jam i juaji". Por, polici nuk reagoi shpejt dhe u krijua një pështjellim. Xhevdeti e kuptoi kur u afrua polici dhe u ngrit të ikte bashkë me Sabaudinin. Sabaudini pa një bunker aty afër dhe vajti u fut atje dhe filloi të bënte rezistencë. Atë e vranë kot se ai do të mbaronte fishekët dhe s'kishin pse ta vrisnin, sepse ne na duhej i gjallë medoemos. Kështu ishte orientimi, i donin të gjallë të gjithë, pa asnjë dëmtim, kurse Xhevdeti mori makinën dhe bëri atë që bëri.

Ju deri në atë kohë ishit marrë me këtë grup. Por nuk u vutë në dijeni kur ata zbarkuan në Divjakë?

E prisnim. Bile kishte një Katër që rrinte natën ndezur në Durrës. Dhe një vartësi im i kundërzbulimit më thotë gjithnjë: "A ç'na ke bërë ti" se nuk i zinte gjumi gjithë natën, në dallgë. Mirëpo janë ditë të tëra.

Po përse nuk ju lajmëruan juve për të vazhduar operacionin?

Bashkëpunëtori nuk mundi të na njoftonte.

Nuk menduat se u mënjanuat si grup?
Ne e kishim edhe këtë parashikim. Plani ynë ishte ky që do të priteshin në të gjitha pikat dhe kishim zënë të gjitha vendet, kudo që të kalonte do të binte në sy, sepse fotografitë ishin shpërndarë qoftë në tren, qoftë në rrugë, është e pamundur të binte në sy, siç ra. Sepse ishte ajo që njerëzit ndonjëherë edhe tallen, vigjilenca e popullit.

Flitet se është njoftuar edhe Ramiz Alia për këtë grup dhe ai ka shënuar: "Të lejohet të vijë", në kuptimin që të stimulohet të vijë. Është e vërtetë?

Ne sigurisht, pas Hysni Kapos, Enveri caktoi Ramiz Alinë për të ndjekur zbulimin. Neve na i jepte udhëzimet ministri, Hekurna Isai, por edhe Ramizi do ta kishte dhënë me mendimin e Enverit, dhe jo të vetin, s'ma merr mendja.

Ju ku ishit kur morët vesh për ardhjen e grupit?
Unë isha në mbledhjen e partisë, lexonim librin, Sinoptikën e Enver Hoxhës për Mehmet Shehun. Ishte ditë e diel. Njoftohem urgjentisht që plasi në Rrogozhinë dhe ne na njoftuan me shumë vonesë, sepse ajo kish ndodhur në mëngjes. Ishte si të thuash një mënjanim, aq më tepër që bashkëpunëtori, sapo ndodhi ngjarja tregoi se kush ishte. Shefi i Sigurimit na njoftoi dhe ne shkuam pak pa kaluar Kavajën, te Shkëmbi përplasemi zëvendësdrejtori dhe unë, e kishin lidhur me duar mbrapa, hequr rrobat se ishte e ngrohtë dita me diell, ishte gjakosur nga duart, po qante...

Bashkëpunëtori...
Bashkëpunëtori. Shkëmbyem nja dy fjalë. Unë u revoltova dhe kisha të drejtë, pavarësisht se çfarë roli luajti ai, sepse për mua ai e luajti rolin. Pati frikë, s'pati frikë, njerëzit këto janë, por nuk duhej trajtuar në atë mënyrë. Ti e ke në dorë, pse ta gjakosësh, ai rezistencë nuk bëri. Megjithatë, erdhëm në Tiranë, biseduam pasdite dhe të nesërmen në mëngjes. Na tha gjërat më urgjente që i kërkuam, si u nisëm si u bënë, dhe të pasnesërmen unë u fshiva nga defteri.


Pra, ju mënjanuan?
E morën të tjerët. Nuk më kërkuan as llogari, çfarë bëra, çfarë s'bëra, por përfundimisht u mora me problemet e tjera që kisha, sepse isha kryetar dege dhe isha përgjegjës për antiterrorin siç quhej. Kishim halle të tjera atëherë se vinin shumë banda dhe banda e Xhevdetit, çuditem që e lanë vetëm me atë përgatitje që kishin bërë.

Pse ka pasur grupe të tjera?
Po kishte grupe të tjera dhe ishin të rrezikshme, me më përvojë se këta që dërguan.


Më thatë për Xhevdetin se kishte paguar një këst 1 milion dollarë për një problem që kishte me drejtësinë. Një njeri që e kishte rregulluar jetën shumë mirë, mos ishte tepër e rrezikshme që zgjodhi rrugën e një atentati ndaj Enver Hoxhës?
E detyruan të futej, nuk kishte rrugë tjetër. Në një nga letrat që i dërgon gruas së tij nga Belgjika i thotë: "Do të dëgjosh se çfarë do të bëj pas dy muajsh". Kjo më jep të drejtën të them se ai kishte edhe një fije mendjemadhësie, se ia kishin mbushur mendjen se mund ta bënte.

Si ju erdhi informacioni për këtë letër?
Në rrugë agjenturore si gjithmonë, nga bashkëpunëtorët. Ne atëherë arritëm të tërhiqnin në bashkëpunim shumë njerëz, edhe të afërm, sepse ishte lojë e madhe, nuk ishte e thjeshtë dhe kishim informacion të bollshëm. Unë mendoj se banda nuk erdhi për atë qëllim që u përdor mbrapa, për asgjësimin e Kadri Hazbiut. Është një ide që u ngrit më pas dhe në një ballafaqim që kam pasur, nuk është gjallë ish-ministri Hekuran Isai, por unë arrita t'i flisja direkt ballë për ballë dhe më detyronte puna. Gjeta momentin dhe i thashë: "Kur doli e dhëna që banda të përdorej nga Kadri Hazbiu?". Ai në moment se nuk e priste dhe u shkreh, por e mori veten pas pak. E pashë që sytë e tradhtuan. Dhe bashkëpunëtori që ka dhënë këto të dhëna është përgatitur në 15-katësh. Ky bashkëpunëtor që ne e kishim në plan ta kthenim menjëherë, nuk duhej ekspozuar dhe do e legjendonim, siç thuhej në gjuhën tonë, dhe ai do të ikte prapë, pavarësisht se u ekspozua. Ne do ta çonim në Mal të Zi se ishin lidhjet me jugosllavët, ose do ta nxirrnim në Greqi, këto ishin planet e veprimit, sepse donim të vazhdonte loja. Nga informacionet që ka dhënë unë nuk e njoha më atë njeri se unë kisha punuar me të, ashtu siç doli në gjyq, as nga ana fizike, as shpirtërore

Mendoni se është përpunuar?

Është përpunuar, i është bërë presion dhe prapë u dërgua në rrugën e arratisjes dhe kjo ishte prapë gabim. Ky ishte një naivitet i madh nga drejtuesit.

Mendoni se pas eliminimit të kryeministrit Mehmet Shehu dhe ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, më pas, ministria ra në duart e njerëzve joprofesionistë...

U morën njerëz nga prodhimi dhe pa bërë një kurs antiterrori, apo kundërzbulimi. Sidomos krerët u morën njerëz joprofesionistë.

**************

26 nentor
Pjesa e dytë e rrëfimit: Ata që tradhëtuan Xhevdetin

Dëshmia e Gani Mustafës, vëllait të djaloshit durrsak që deshi të vriste Enver Hoxhën, në shtator 1982-in

Ndërsa në pjesën e parë të dosjes për historinë e ardhjes së Xhevdet Mustafës në Shqipëri, u njohëm me fëmijërinë, rininë, arratisjen nga Shqipëria dhe jetën si azilant në SHBA, vëllai i tij, Gani Mustafa, vijon rrëfimin me ditën e vrasjes së tij nga forcat e armatosura në Shqipëri. Sot, 27 vite pas eliminimit të tij, Ganiu thotë me bindje se Xhevdeti ishte në një mision të tradhtuar para dhe pas vdekjes: "Kishte qenë i tradhtuar pa u nisur", - pohon ai për emisionin "Histori me zhurmues", duke renditur të gjitha faktet dhe nuk lë pa akuzuar edhe pretendentin e fronit, Leka Zogu, i cili ende nuk ka thënë një fjalë për të.

Ngjarja ndodhi në shtator 1982-in. Kishte sinjale paraprake nga familjarët se mund të kishte një ardhje të tillë?

Nga ana jonë, nga familja, nuk kishte asnjë lloj sinjali që Xhevdeti do të vinte në Shqipëri, sepse e kemi vuajtur aq shumë këtë, pasi u internuam sa nuk e merrni me mend, për të sqaruar opinionin dhe ata njerëz të Sigurimit që na pyesnin çdo sekondë. Gjashtë muaj përpara pritej që të vinte Xhevdeti në Shqipëri. Gjatë gjithë kësaj kohe ne jetonim normalisht në shtëpitë tona, që i kishin afër dhe secili në shtëpinë e vet. Mbrapa e morëm vesh, kur na ndodhi kjo fatkeqësi, përballë kishim një dhomë të zaptuar nga Sigurimi për të na survejuar, nga krahu tjetër, nga vëllai i madh po kjo punë, një familje tjetër që na survejonin. Po tregoj një aspekt të vetëm... Kisha shkuar për vizitë te një shok në Shijak. Kisha dalë bashkë me gruan. Kur po kthehesha, te ura e Shijakut, ajo ura e vjetër, siç ka qenë, shikoj një makinë, Gazin e Degës së Brendshme. Unë me profesion jam teknik frigoriferësh, jam njeri i njohur në Durrës si profesionist dhe i njihja pak a shumë njerëzit, sepse zanati ynë hyn në çdo lloj shtëpie, siç kam hyrë te shtëpia e sekretarit të parë apo tek ai i fundit. Ata më zunë rrugën. Unë u spostova dhe u thashë: "Avash se po na vritni". "Hë Ganio si po ia kalon? - sepse më njihnin".
Më pas e kujtoj, çne Gazi i Degës në atë orë. Unë ruhesha dhe të gjithë ne ruheshim në çdo lëvizje. Në atë kohë që ka ardhur Xhevdeti unë punoja në Rrogozhinë. Nuk e di, mund të them, fati i mirë a fati i keq, që ka qëlluar ditë e diel dhe unë nuk isha në punë, sepse po të isha do të përballesha edhe unë me situatën. Fati i mirë se po të kisha qenë aty do të më thoshin se kisha dalë me prit vëllanë, fati i keq, se ndoshta do ta kisha parë edhe një herë me sy.
Ku e morët vesh ngjarjen?
Ngjarjen e kemi marrë vesh ditën e diel. Ne kemi qenë nëpër shtëpitë tona në Durrës. Nusja në atë kohë ishte thirrur në dasmë dhe kishte shkuar, siç shkojnë për të marrë nusen. Në darkë ishim të ftuar. Kanë ardhur në shtëpi, nëna ka qenë jashtë dhe e kanë pyetur për ne: "Ku janë?". Kanë marrë gjithë vëllezërit me nënën dhe i kanë çuar në Degë, pa u thënë absolutisht asgjë. Tani kërkohesha unë, ku isha. Nuk pyetën plakën që rrinte me mua. Shkojnë te vjehrri dhe i thonë: "Ku e ke dhëndrin?" - Dhëndri në shtëpi te vet. Po goca? Goca është në dasmë. Marrin nusen nga dasma dhe e pyesin se ku është Ganiu. - Ganiu është në shtëpi, në gjumë - thotë ajo. Pastaj në shtëpi hyn nusja dhe një i Sigurimit. Kur e pashë te dera, pyeta: Çfarë është ky? Nusja ime e mbaruar fare, femër 25 vjeçe që e kishin marrë me Gazin e Degës për ta sjellë te shtëpia.

- Nuk më njeh ti mua, unë jam operativi i lagjes - më tha.
- Çfarë do ti?
- Hajde se do të vish me ne!
- Dil, dil jashtë! - i thashë.
- Ore mos më flit kështu mua - më tha.
- Ore dil jashtë se është shtëpia ime këtu - iu ktheva.
Ai doli te dera.
Çfarë ka ndodhur? - pyeta. Ku është nëna, ku janë të tjerët? Kuptova diçka. Vesha një këmishë, shtator ishte. Degën e kishim larg 50 metra. Vendosa të shkojmë në këmbë.
- Hajde me makinë - më tha operativi.
Kapa nusen për krahu dhe i thashë të mos trembej, çfarë ka për të ndodhur të ndodhë. Kur hymë brenda, të gjithë vëllezërit aty edhe plaka. Më thotë vëllai i madh: "Ka ardhur Xhevdeti dhe ka bërë ndonjë gjë se nuk ka mundësi". Qe e rrufeshme ajo punë, t'i mblidhje njerëzit për një minutë.
Na lanë aty dhe pastaj filluan të na pyesnin një nga një duke na ndarë. Ndoshta edhe ata që na pyesnin nuk ishin kompetentë. Ne e vuajtëm këtë situatë për 7 vite e gjysmë internim, dhe na pyesnin: "Ku e ke takuar Xhevdetin, çfarë ke folur me Xhevdetin?". Imagjino në kohën e Enver Hoxhës, të hynte një njeri dhe të mos merrej vesh në Shqipëri. U nis nëna me njërin nga vëllezërit, Rifatin, ndoshta i bënë presion Xhevdetit që të dorëzohej. I kanë hipur në makinë dhe i kanë çuar deri diku në Golem. Aty janë ndeshur me një makinë të drejtuesve të asaj kohe që u thanë: "Kthehuni se gjithçka mori fund dhe ata u kthyen në shtëpi. Janë përralla këto, jo shkoi nëna e pa, jo i tha dorëzohu etj. Ndoshta i sajonin vetë edhe këta të Sigurimit, për të krijuar alibi.
Po ju trupin nuk e patë më?

Jo, nuk e pamë dhe nuk e kemi gjetur edhe sot e kësaj dite.
Pra, nuk e dini ku është, megjithëse keni tentuar disa herë?

Po kemi tentuar disa herë. Të nesërmen ishin përgatitur makinat rresht, na ngarkuan plaçkat dhe na shpërndanë, jo të gjithë bashkë. Filloi hataja, shqip. Nëna ishte me mua, nusja, dy fëmijët një djalë dhe një vajzë. Na çuan në fshatin Kosovë të Elbasanit. Fatmirësisht ishte fermë, bujqësi gjatë gjithë kohës. Kam punuar jashtë mase dhe nuk kishte fshatar që të ma kalonte për punë. Nuk kam punuar se kisha frikë, por sepse kisha nevojë.
Shumë njerëz që e kanë njohur Xhevdetin, edhe gjatë kohës kur u shkëput nga Amerika dhe erdhi në Belgjikë, se në Bruksel ka ndenjur para se të vinte në Shqipëri, të zbarkonte, ka mbetur një thënie e Xhevdetit në një klub ku rrinë shqiptarët në Bruksel: "Shikoni këtu, unë do të shkoj në Shqipëri. Ai që është burrë vjen me mua. Do të shkoj të vdes si luan në vendin tim, nuk do të vdes nëpër Evropë si qen". Dhe këto fjalë të Xhevdetit edhe sot e kësaj dite përmenden.

Në një botim të një gazetari amerikan, për sa i përket historikut të State Island, ku është zona ku ka jetuar një pjesë të mirë të kohës Xhevdet Mustafa, përmendet edhe emri i tij, përkrah shumë personazheve të tjerë të famshëm që jetuan aty.

Po, shkrimtari e ka renditur Xhevdetin bashkë me Gorkin apo Garibaldin, për aktin që bëri për vendin e vet. Xhevdeti ishte familjar shumë i rregullt. Kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, një grua të mrekullueshme dhe një ekonomi shumë të mirë. Të sakrifikosh familjen, fëmijët, gruan, të vish në Shqipëri, të vdesësh për vendin tënd nuk është pak. Nuk ka pasur shqiptar që ta bëjë këtë për 50 vite. Nuk erdhi për veten e tij Xhevdet Mustafa këtu, siç më thonin njerëzit e Sigurimit: "Ti do të bëheshe ministër i Brendshëm". Po ç'ministër more! Xhevdeti erdhi se i dhimbsej Shqipëria, i dhimbsej vendi i vet, populli i vet.
Ka shumë gojëdhëna për ardhjen e tij dhe të grupit. Ju vetë personalisht, duke e njohur Xhevdetin, nga ato që keni biseduar më miqtë dhe familjarët, cili ka qenë thelbi i ardhjes së tij?
Shiko, Xhevdetit edhe njerëzit që vinin në Shqipëri si turistë, apo që shkonin në Amerikë, ia nxinin jetesën e familjes së vet këtu, por edhe të popullit. Ai e dinte pak a shumë, sepse kishte ikur vetëm 20 vite më parë, në një moshë të rritur dhe e dinte.
Kur flisnit në telefon ju i shprehnit ndonjë gjë, që ishit keq?

Jo kurrë, asnjëherë.
Ju pyeste se cila ishte gjendja e familjes?

Po, po, a e ke parasysh se në telefon ti nuk mund të flasësh kurrë atë që do, jo vetëm të flasësh, por as të rrëshqasësh.
Çfarë ju pyeste në telefon?

Pyeste thjesht, si jeni, si e kaloni, kaq. Kam takuar njerëz që e kanë shoqëruar Xhevdetin deri në minutat e fundit në Itali, kur u nis, sepse nga Italia kanë zbarkuar...

Në mos gabohem, ka qenë një grup akoma më i madh. Kanë qenë rreth 40 vetë, por grupi u shkri. Ndoshta edhe Sigurimi ka bërë punën e tij, duke i spostuar. Bile edhe personi që ka qenë, sepse ishin katër, i katërti është kthyer në Leçe, i fundit është rrëzuar në barkë, kur u nisën. Them se ka qenë e sajuar, se nuk ka dashur të vinte. Xhevdeti e dinte se do të vdiste këtu. Personit të fundit më të cilin është takuar, që erdhi dhe më takoi edhe mua, i ka thënë: "Shiko, 90 për qind jam i vdekur, 10 për qind, ka pasur një varëse floriri, Kuranin të vogël, e ka puthur ata dhe ka thënë, 'vetëm zoti do të më ndihmojë për këtë popull'." Kishte qenë i tradhtuar pa u nisur. Sigurisht, derisa kishte 6 muaj që kontrolloheshin shtëpitë tona, ndoshta nuk dihej vendi i zbarkimit, ose si me thënë e ndërroi ai vetë vendin e zbarkimit, sepse ishte aq i zgjuar.
Mendoni se ka kombinuar edhe me forca të tjera të interesuara për rrëzimin e pushtetit, siç ishin Leka Zogu apo agjenturat e tjera?

Me agjenturat jo nuk bëhet fjalë fare. Më vjen keq vetëm për Mbretin, që me sa di unë e ka njohur shumë mirë Xhevdetin, që të mos them se e ka pasur mik dhe ka dokumente për këtë punë. Vetëm një fotografi mund të shohësh ku Xhevdeti ka qenë në një tavolinë me Zogun dhe më vjen keq që nuk e përmend në asnjë vend dhe kur është pyetur duhej të jepte një përgjigje që i takonte. Ky është mendimi im, ndoshta është i gabuar. Një mbret që mohon ushtarët e vet, nuk mund të jetë kurrë mbret i ushtarëve. Leka Zogu duhet të fliste shumë për Xhevdet Mustafën.
Pra, ju mendoni se vëllai juaj erdhi në Shqipëri me një qëllim, eliminimin e figurës kryesore komuniste?

Po, kjo ishte shumë e vërtetë.

**************
25 nentor

Rrëfimi i Gani Mustafës, njëri prej vëllezërve të të riut durrsak që hyri në histori në shtator 1982-in

Xhevdet Mustafa ishte njëri prej atyre të rinjve që nuk duronte dot mënyrën e jetesës dhe regjimin në Shqipëri. Historia e tij është pak a shumë e njëjtë me ato të qindra shqiptarëve të tjerë që u arratisën nga Shqipëria e izoluar gjatë regjimit komunist, por ai u rikthye për të mbetur në vendlindje, atë të diel shtatori të vitit 1982-it, kur ai dhe shokët e tij të bandës mbetën të vrarë për përpjekje me forcat shqiptare të sigurisë. Gani Mustafa, njëri prej vëllezërve të të mirënjohurit Xhevdet Mustafa, në një rrëfim për emisionin "Histori pa zhurmues", tregon se kush ishte vëllai i tij, si e përgatiti arratisjen për të mos dëmtuar familjarët dhe si arriti të bëhej milioner në Nju Jork.
Z. Mustafa, cila është historia e familjes suaj?

Unë jam një qytetar nga Durrësi dhe rrjedh nga një familje tregtare e mesme. Jemi tetë fëmijë, gjashtë çuna e dy vajza, nga baba me prejardhje nga Kavaja, nga nëna me prejardhje nga Shijaku. Me sa kam dëgjuar nga prindërit e mi, prindërit e tyre kanë qenë patriotë. Kjo është pak a shumë historia. Regjimi komunist na i mori të gjitha pronat, normalisht, pakënaqësia ishte prezent.

Pra, ju sekuestruan pronat dhe kjo krijoi premisë dhe ndaj familja juaj kishte pakënaqësi për sistemin?

Patjetër. Nëna ka qenë shtëpiake, ndërsa babai punëtor. Vëllezërit filluan punë shumë shpejt, shumë të rinj, Petriti, Samiu e Shefqeti, Xhevdeti ishte i katërti dhe më i vogli. Pasi mbaroi shkollën shtatëvjeçare aq ishte mundësia, edhe ai filloi punë. Ka punuar si shofer në port. Aty si një pjesë e rinisë durrsake u mor me kontrabandë, ashtu si dhe një pjesë e shoferëve. Ishte nevoja për të jetuar.

Ç'lloj kontrabande bënte Xhevdeti?
Kontrabanda ishte e thjeshtë fare, me ndonjë orë, me ndonjë shami, me ndonjë paketë cigare, nuk ishte kushedi se çfarë. Fitohej pesë lekë, se blihej më lirë dhe shitej më shtrenjtë. Xhevdeti ishte tip shumë inteligjent, dinte disa gjuhë. Çfarë marinarësh vinin atëherë në Durrës, polakë, rus, gjermanë, merrej vesh me to shumë mirë. Erdhi një kohë që si shumë të tjerë ai e pagoi atë punë që bëri, e arrestuan dhe u dënua 3 vjet burg. Ka qenë viti 1960-'61. Kur doli nga burgu, ka qenë 28-29 nëntori i vitit 1962, ka qenë falja. Ndenji shumë pak, sepse në mars 1963 u arratis, bashkë me një shok, komshi, Sekret Mezini. Momenti i arratisjes ndoshta ishte pak i përgatitur nga ana e Xhevdetit. Mbeti enigmë në atë kohë se si nuk vepruan me familjen. Xhevdeti ishte shumë i zgjuar dhe e përgatiti, ndoshta që të na lehtësonte ne, ose të mos na preknin fare. Një javë apo dhjetë ditë para se të ikte, i thotë babës se do të shkonte në Shkodër, te një shok që e kishte pasur në burg. Mirë, i thotë babai, por na njofto kur të ikësh. Vjen një ditë nga puna, vishet dhe del. Nuk i thotë gjë askujt. Nuk erdhi në darkë në shtëpi. Prindërit u bënë merak. Nuk erdhi as të nesërmen. Atëherë u shqetësuam se diçka kishte ndodhur. I thotë babai, njërit prej vëllezërve: "Shko e pyet se mos e kanë arrestuar prapë!". Ishte trim Xhevdeti, nuk i bënte syri dritë. Ishte shumë i urtë, nuk ngiste njeri, por nga ana tjetër nuk duronte fare ta prekte njeri. Vëllai shkoi te Dega e Brendshme dhe u thotë: "Ka ikur vëllai nga shtëpia dhe ka dy ditë që nuk ka ardhur. Nëse është këtu na thoni". Ai oficeri përgjigjet shumë keq dhe i thotë: "Ne nuk pajtojmë njerëzit, shkoni pajtohuni në gjykatë, nëse jeni zënë me vëllezërit". Vëllai mbeti i habitur. Me thënë të drejtën asnjëri nuk e kuptoi se do të ndodhte diçka. Kjo ishte përgatitja që bënte ai vetë për të lehtësuar familjen, për të mos na ndodhur gjë dhe faktikisht me ne nuk ndodhi gjë, pas arratisjes së Xhevdetit. Kaluan dhjetë ditë dhe... plasi.

Nga u arratisën?
Nga veriu ka dalë, bashkë me shokun e tij, komshiun, Sekret Mezinin. Fillimisht shkuan në Jugosllavi. Nëna e shkretë qante natë ditë se mendonte se e kanë vrarë, sepse dilnin shumë fjalë se ishte arratisur çuni i filanit, po shumë njerëz kishin humbur, nuk ishin përmendur më. Pas një viti e gjysmë a dy vitesh na vjen një letër nga Jugosllavia. Kishte nja 6 muaj që sorollatej në dyert e Sigurimit. Mezi u lexua letra kur erdhi në shtëpi, sepse ata i hapnin dhe i lexonin vetë, dihej ajo punë. Thoshte se ishte në Jugosllavi, se ishte mirë në një kamp, por asgjë tjetër. U gëzuam të paktën që ishte gjallë. Pas shumë kohësh iku nga kampi, për në Itali dhe pastaj në Amerikë.

Aty besoj nisi jetën normale, duke u vendosur në Nju Jork..
Po, u vendos në Nju Jork, ka punuar jashtë mase, sipas njerëzve që unë kam takuar më pas. Kishte një servis makinash. Aty punoi fillimisht. Familjar shumë i rregullt.
U martua?

Po, u martua me një vajzë shqiptare, edhe ato të arratisur. Lindën dy çuna dhe një vajzë.

Shoh në foto familjare se ka një simbol të Shqipërisë. Çfarë është?
Po, edhe fëmijët, po edhe Xhevdeti kanë flamurin shqiptar në bluza dhe xhaketë. Sipas atyre që kam takuar, e ka dashur shumë vendin e vet. Këtë verë në lokalin tim që kam te Shkëmbi i Kavajës erdhi një kosovar, që kish jetuar për shumë kohë në SHBA dhe tani në Gjermani. "Më tha: 'kam ardh me të thënë vetëm dy llafe për vëllain tënd. Shqiptar që të flasë keq për Xhevdet Mustafën në Nju Jork nuk ka dhe emigrant që ta ketë dashur atdheun sa e ka dashur Xhevdet Mustafa nuk ka. Ka ardhur shpesh në Jugosllavi, kishte njerëz nga ana e nuses në Ulqin dhe herë pas here dilte nga pjesa ku shihej Shqipëria në Ulqin dhe qante si fëmijë. Mendonte për njerëzit e vet, familjarët e vet, vëllezërit dhe motrat, popullin. Xhevdeti e ka ditur shumë mirë se si jetohej këtu, sepse ishte 21 vjeç kur iku.

Në fund të fundit ishte kundërshtar i regjimit, sepse kishte vuajtur. Në kuptimin ndoshta jo të gjerë, ai kishte edhe interesa politike, por ishte i interesuar që regjimi komunist të binte në Shqipëri, apo jo? Mbanit lidhje me të?
Nëpërmjet letrave, nëpërmjet telefonatave të rralla, ose më mirë me thënë i fundit që ka fol me të në telefon kam qenë unë. Ka qenë fundi i vitit 1980. Kuptohet që fletëthirrjet e telefonatave ata i sillnin gjysmë ore apo 10 minuta përpara që të mos kishe mundësi të shkoje. Fatmirësisht erdhi nja 1-2 orë përpara fletëthirrja për telefonatën. Ashtu siç isha sëmurë, më thanë ke telefonatë. Shikoj se ishte Xhevdeti. U vesha dhe shkova te Posta. Kuptohet që ishin përgatitur gjërat te posta. Fatmirësisht ajo zonja që ishte aty më bëri me shenjë që të kisha kujdes, sepse ajo ishte gocë lagjeje. Xhevdeti interesohej për vëllezërit, motrat, për pleqtë. Mirë ishim të gjithë. Keni qenë në punë jo të mira, por profesionistë kemi qenë të gjithë. Është e habitshme, sepse asnjëherë nuk shfaqi ndonjë shenjë të keqe në muhabet, apo nëpër letra. Absolutisht asgjë.

E ndihmonte familjen?

Rrallë, ndoshta edhe shpesh. Këtë e kam mësuar më vonë, se ishte munduar shumë që të çonte jashtë mase lekë, por i ktheheshin mbrapsht. Shiko çfarë bënte. Ka qenë edhe besimtar. Të gjitha çeqet që çonte, 100 a 200 dollarë që çonte, e që i ktheheshin mbrapsht nuk i fuste në shtëpi më. I çonte në xhami, në Nju Jork, për fukarenjtë.

Krijoi një mirëqenie, apo jo?

Për të sqaruar edhe shumë njerëz që flasin, që thonë se Xhevdeti është marrë me trafiqe e gjëra të tjera. Xhevdeti është bërë milioner shumë shpejt. Do të të tregoj një aspekt. Kishte një klient që rregullonte makinën aty, një burrë shumë i vjetër që nuk kishte familje dhe punonte në kadastrën e qytetit të Nju Jorkut. Një ditë prej ditësh çon makinën dhe shkon e i thotë: "Xhevdet në filan vend është një tokë, do ta blesh?". Xhevdeti fillon të qeshë: - "Ku jam unë në gjendje të blej tokë!". - "Ti do të marrësh kredi dhe do ta blesh tokën", - i thotë plaku. Ia mbushi mendjen. Ajo pjesë toke kishte bërë 200 a 300 mijë dollarë. Mori kredi në bankë, e bleu. "Shumë shpejt - i thotë plaku - këtu do të bëhet një rrugë dhe t'i do të përfitosh aq shumë sa nuk ta pret mendja". Dhe vërtetë ndodhi një gjë e tillë. Pas 6 muajsh bëhet një rrugë që përfshin gjithë tokën e Xhevdetit. Dhe Xhevdeti e shiti 1 milion dollarë. Lau kredinë e bankës dhe mori paratë.

Nga i keni këto informacione?

Nga familja e tij, nga njerëzit e shtëpisë.

Blogger news

Blogroll

Archives

About