Kuvendet e Dibrës

FATOS DACI



Kuvendet në Dibër kanë qenë parlamente të kohës. Me fjalën kuvend në Dibër kuptohej një mbledhje e zgjeruar e pjesëtarëve të një bashkësie ose e disa bashkësive ndërmjet tyre. Në kuvende malësorët diskutonin probleme që i përkisnin një komuniteti të caktuar në kohë paqeje e në kohë lufte. Probleme të kohës së paqes ishin problemet ekonomike të zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë (qetë e punës, çifçiu, fara, kultura që do të mbillej, barinjtë, stanet dhe vathët); e pronësisë, si të tokave, kullotave, pyjeve, merave, bjeshkëve (shitblerja e ndërresat tyre), të trojeve, të rrugëve, ujërave, kufijve; të miqësisë, si fejesa e martesa, kumarëllëku e byrazerllëku etj. Probleme të kohës së luftës ishin mobilizimi sipas thirrjes së fisit, mëhallës, katundit, krahinës (Malit ose Bajrakut) për të mbrojtur nderin, shtëpinë, tokën e pasurinë nga fiset e tjera, katundet fqinje, krahinat fqinje apo nga pushtimet e huaja; gjakmarrje e hakmarrje etj.





Kuvendet në Dibër kanë qenë parlamente të kohës. Me fjalën kuvend në Dibër kuptohej një mbledhje e zgjeruar e pjesëtarëve të një bashkësie ose e disa bashkësive ndërmjet tyre. Në kuvende malësorët diskutonin probleme që i përkisnin një komuniteti të caktuar në kohë paqeje e në kohë lufte. Probleme të kohës së paqes ishin problemet ekonomike të zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë (qetë e punës, çifçiu, fara, kultura që do të mbillej, barinjtë, stanet dhe vathët); e pronësisë, si të tokave, kullotave, pyjeve, merave, bjeshkëve (shitblerja e ndërresat tyre), të trojeve, të rrugëve, ujërave, kufijve; të miqësisë, si fejesa e martesa, kumarëllëku e byrazerllëku etj. Probleme të kohës së luftës ishin mobilizimi sipas thirrjes së fisit, mëhallës, katundit, krahinës (Malit ose Bajrakut) për të mbrojtur nderin, shtëpinë, tokën e pasurinë nga fiset e tjera, katundet fqinje, krahinat fqinje apo nga pushtimet e huaja; gjakmarrje e hakmarrje etj. Në kuvende diskutoheshin dhe problem të ndorjes, të besës, të mikut, të kremtimit të festave etj. Në atë kohë dalloheshin disa forma kuvendesh, si kuvendi i shtëpisë (ose i hises), kuvendi i vëllazërisë (ose i barkut ose i fisit), kuvendi i mëhallës (i barqeve ose i disa fiseve), kuvendi i katundit (ose i disa mëhallëve), kuvendi i krahinës ose i Malit (ose i disa katundeve) dhe kuvendi ndër Male (ku mblidheshin disa Male ose krahina). Lajmërimi për kuvende bëhej me qitje pushkë sipas mënyrës së caktuar, me ndezje zjarresh, me fjalëtorë që quheshin pojakë, mënyra të tjera etj. Në kuvende ishin të detyruar të merrnin pjesë burrë për pushkë (ose burrë për shtëpi), përfaqësues fisesh, përfaqësues fshatrash, përfaqësues krahinash ose Malesh, sipas qëllimit të kuvendit dhe sipas mënyrës së lajmërimit që bëhej.



Çfarë diskutohej në kuvendet e burrave?

Në kuvendin e shtëpisë ose të hises diskutoheshin probleme të bujqësisë, blegtorisë, toka, livadhet, pyjet, çobani, ustai i veglave të punës, martesat e fejesat, miku e byrazeri, marrëdhëniet me barqet ose fiset e tjera, probleme të gjakmarrjes e të gjakdhënies etj. Në kuvendin e barkut ose të fisit, diskutoheshin probleme midis barqeve ose fiseve, që kishin të bënin me rrugët, kufijtë e tokave, livadhet e pyjet, me barinjtë e ustain e veglave bujqësore, turpe ose bidate që mund të ndodhnin në vëllazëri apo fis ose qëndrimi që duhej të mbahej kur këto ndodhnin në fise të tjera, në katund ose katunde të tjera. Në kuvendin e fiseve ose të katundit diskutoheshin probleme të tokave, kufijve, ujërave, rrugëve, pyjeve, kullotave, për besëprerjen e mikun e prerë, për pushkë me llafe kur dikush qiste pushkë në kundërshtim me kararet e vëna. Të gjitha këto diskutoheshin si për ato që ndodhnin në fise, si për ato që ndodhnin në katund e ndër katunde. Në kuvendin e krahinës ose të Malit diskutoheshin probleme pronësie si ato që përmendëm në raste të tjera, probleme të marrëdhënieve shoqërore e zakonore, probleme etj. Forca e zbatimit të vendimit të kuvendeve ishte e madhe. Askush nuk guxonte të dilte mbi vendimet, kararet e itifaqet e marra. Gjithkush ishte i detyruar t’i zbatonte ato ose në raste moszbatimi gjendej menjëherë përballë një kundërveprimi të pazakontë, siç ishte dëbimi nga fshati i personit përgjegjës bashkë me familjen për një kohë të caktuar ose përgjithmonë, djegia e shtëpisë, prishja e të mbjellave, si kositja para pjekjes e të mbjellave të misrit dhe të lashtave, prerja e pyllit. Kuvendet ishin parlamente krejtësisht demokratike të kohës. Në kuvend para e hali ishin të barabartë. Të gjithë pjesëmarrësit në kuvend uleshin në mënyrë të barabartë. Burra uleshin me kujdes në kuvend dhe sipas një mënyrë të përcaktuar me rigorozitet. Zakonisht, më e preferuara ishte ulja e burrave në formë rrethi, si për të treguar se të gjithë ishin të barabartë. Secili ulej këmbëkryq. Kryetari i kuvendit ulej po këmbëkryq, në rreth me të tjerët, vetëm se me një distancë më të dallueshme nga paraardhësi dhe pasardhësi. Zakonisht burrat që merrnin pjesë në kuvend, shkonin të armatosur. Por edhe mënyra e mbajtjes së armëve në kuvend ishte e përcaktuar me një rregullore të veçantë. Pushkët duhej të mbaheshin në prehër. Fjala në kuvend bëhej me radhë. Një fliste, të tjerët dëgjonin në qetësi absolute. Në kuvend nuk lejohej fjala me zë të lartë, me kërcënime, me batuta, me sharje. Në kuvend gjestet e duarve ishin të matura. Askush nuk mund t’i drejtonte, në çfarëdo rrethane, gishtin tjetrit në kuvend dhe askush nuk mund të tundte qoftë edhe instinktivisht, shkopin në drejtim të tjetrit. Si drejtimi i gishtit, si drejtimi i shkopit quheshin kërcënime dhe për këtë gjest ai, në drejtim të të cilit dikush kishte drejtuar gishtin a shkopin, hakmerrej rëndë, deri edhe me vrasje, edhe pse veprime të tilla mund të kishin qenë të rastësishme e të paqëllimshme. Vendimet që merreshin në kuvende, quheshin karare e itifaqe. Vendimet e kuvendeve zbatoheshin sipas kohës së përcaktuar nga kuvendi, si tre muaj, gjashtë muaj, një vit, por zakonisht afatet ishin Shëngjergj më Shëngjergj, Bajram më Bajram, Shëndre më Shëndre.



***

Në Dibër vepronin dy kuvende. Kur mblidheshin Malet e dy Dibrave në Dibër të Epërme kuvendi bëhej te Gurra e Mazhicës dhe kur mblidheshin në Dibër të Poshtme, kuvendi zhvillohej te Ferra e Pashës, në Çidhën. Si katund, vendi i mbledhjeve ishin Zogjaj në Dibër të Epërme dhe Arrasi në Dibër të Poshtme. Kur mblidheshin veç e veç, ata të Dibrës së Epërme mblidheshin tek Kisha në Vorre të Shupenzës, ndërsa kur mblidhej Dibra e Poshtme, kuvendi bëhej te Ferra e Pashës ose te varret e Dali Hasanit. “Mbi të gjitha ishte Mbledhja e Popullit, “Besëlidhja”, “Itifaku” apo “Kuvendi i Madh”. Kuvendet te Ferra e Pashës janë drejtuar nga Salë Demiri dhe në kohë të tjera nga Lusha, Noka, Troci etj., sipas kohës. Ndërsa kuvendet e Dibrës së Epër janë drejtuar nga Salë Markja, Sheh Zerqani, Mersin Dema, Dalip Kara, Cen Leka etj. Afër vitit 1800 filloi të përdorej emërtimi “itifak” që do të thotë besëlidhje, ndërsa më vonë, në fillimet e shekullit XX hyri fjala “kongres”. Itifaqe u lidhen në çdo fshat, në çdo Mal e në çdo krahinë. Kongreset më të rëndësishme të asaj periudhe janë Kongresi i Dibrës 1880 dhe Kongresi i Dibrës 1909. Kohë më vonë gjejmë të përdoret thjesht fjala mbledhje si mbledhja te Varret e Dali Hasanit afër Pilafeve, mbledhja e Gjurrës së Mazhicës, mbledhja te Ferra e Pashës, mbledhja te varret e Shupenzës etj. Të gjitha këto forma ishin besëlidhje të mirëfillta. Të tilla “besëlidhje “ janë bërë dhe në luftërat e tensionet kundër Zogut të zhvilluara në Sllovë, te Kulla e Lumës, në Allajbegi, në Dhoks etj. Pjesëmarrja në këto kuvende ishte masive. Kështu, në Kuvendin e Dibrës, që u mbajt në fushën e hapur të Qernanicës, në korrik 1878, morën pjesë 10 000 veta, kurse në besëlidhjen në malin e Dhoksit morën pjesë 12 000 veta. “Në vitin 1872, Malet e Dibrës lidhën besën për të luftuar kundër turqve osmanë. Luftimet në Kastriot, Sllovë, Muhurr, Zogjaj e Bulqizë, të udhëhequra nga Mahmut Daci, Dalip Karaj dhe Hasan Shini u shkaktuan dëme të mëdha forcave të ushtrisë turke të Demir Pashës, që erdhën për të shtypur kryengritjen në Dibër Mbledhje të Maleve, betime e kuvende janë bërë në shtëpitë e fshatarëve në Viçisht, në Çerenec, në Gropat e Ujkut (Shupenzë), në Mejë të Kalasë, tek Guri i Shpuar (Mazhicë) etj.… 10 mijë dibranë u mblodhën në fushë të Maqellarës, ku u folën Abdyl Frashëri e Iljaz Dibra, të cilët u kërkuan të falnin gjaqet dhe të lidhnin besën…”



***

Kuvendet më të rëndësishme të Dibrës janë mbajtur për t’u organizuar që të përballonin situatat e reja që krijoheshin pas sulmeve, pushtimeve të fuqive të huaja. Të gjitha kuvendet e Dibrës kanë pasur si synim kryesor luftën për liri e pavarësi kombëtare. Disa nga këto kuvende të rëndësishme jo vetëm për historinë e Dibrës janë:



Kuvendi i Shënlleshit

Kuvendi i Shënlleshit ose Kuvendi i Dukagjinit, u mbajt në vitin 1603 në Shënllesh të Dardhës. Në këtë kuvend morën pjesë 2000 delegatë, përfaqësues të të gjithë krahinave të Shqipërisë së Veriut dhe të Shqipërisë së Mesme, nga të gjitha krahinat e Veriut dhe të Dukagjinit.



Kuvendi i Dibrës (1878)

Kuvendi u mblodh më 1 nëntor 1878 në kryesinë e Iljaz pashë Dibrës. Kuvendi i Dibrës miratoi rezolutën në trajtë memorandumi, e cila përmbante 5 pikat që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit: formimi i vilajetit të Shqipërisë, krijimi i administratës me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh, përdorimi i një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore. Në rezolutë thuhej se këto kërkesa do t’i paraqiteshin brenda 1 muaji Portës së Lartë me anë të një delegacioni të përbërë nga personalitete të shquara të Shqipërisë, të cilët do të merrnin pëlqimin me shkrim nga të gjitha kazatë dhe sanxhakët shqiptarë. Në rezolutë theksohej vendosmëria e popullit shqiptar për të siguruar plotësimin e kërkesave të lartpërmendura. Rezoluta iu paraqit Portës së Lartë në fillim të shkurtit 1879.



Kongresi i Dibrës (1880)

Më 20 tetor 1880, në qytetin e Dibrës, u mblodh një kongres. Në të morën pjesë përfaqësues nga të katër vilajetet, gjithsej 300 delegatë të shoqëruar nga 5000 luftëtarë. Kongresi diskutoi në lidhje me mbrojtjen e Ulqinit, për krijimin e një principate autonome shqiptare dhe të një qeverie të përkohshme. Kongresi, me shumicë votash, u shpreh për mbrojtjen e Ulqinit me tërë rrethinat e tij dhe i dërgoi Riza Pashës, komandantit të Garnizonit të Shkodrës, një kërkesë në formë ultimatumi, ku kërkohej të mbrohej Ulqini. Në kongres u diskutua rreth bashkimit të katër vilajeteve në një principatë të vetme autonome nën protektoratin otoman, me qendër në Elbasan. U vendos që tokat shqiptare të mbroheshin për çdo pëllëmbë, të kishte shkolla e gjykata në gjuhën shqipe dhe administrata të ishte me nëpunës vendas. U vendos që për mbrojtjen e vendit të zbatohej rekrutimi i detyruar ushtarak. Nga të ardhurat që do të mblidheshin prej taksave, 20% e tyre të shpenzohej për arsimin dhe punët botore. Lidhur me formimin e qeverisë së përkohshme pati shumë diskutime e debate të forta. Radikalët dhe të moderuarit ishin kontradiktorë midis tyre dhe asnjëra palë nuk lëshonte pe. U diskutua që në çdo qytet të krijohej një “Bashkim-besëlidhje”, që të kishte edhe zyrat e tij. Këto do të ishin organet qeverisëse të vendit, që do të ruanin rregullin, do të ndalonin vrasjet e vjedhjet dhe do të mblidhnin taksat. Pavarësisht nga debatet, këto “Bashkime-besëlidhje” filluan nga puna në Dibër, Tetovë, Kumanovë, Shkup e gjetkë. Në Shkup shpërtheu një demonstratë, ku morën pjesë rreth 10 mijë vetë, sepse myftiu i qytetit u përpoq të pengonte veprimtarinë e këtyre bashkimeve. Por ai nuk mundi të sabotonte këto besëlidhje, përkundrazi demonstruesit përzunë myftiun. Nga ky kongres iu dërguan dy peticione Portës së Lartë, ndërsa pushtuesi iu kundërpërgjigj këtyre vendimeve me masa të rrepta ndëshkuese. Ky kongres ndihmoi që të mbahej gjallë fryma e patriotike. Prandaj, gjatë muajve mars-prill 1881, dibranët disa herë u ngritën kundër pushtuesit osman. Për t’i shtypur këto rezistenca, Porta e Lartë dërgoi Dervish Pashën në krye të 6 batalioneve, por nuk arriti ta nënshtronte Dibrën. Kongresi i Dibrës u pasua nga kuvende e besëlidhje të tjera, që i paraprinë Kongresit të Dibrës të vitit 1909.



Kongresi i Dibrës (1909)

Mbledhje e organizuar nga Komiteti Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim” me karakter të përgjithshëm osman. Kishte për qëllim të bashkonte, nën flamurin e osmanizmit, vendet e Turqisë evropiane, e veçanërisht klasat drejtuese të Shqipërisë. Morën pjesë 325 delegatë nga qytete e ndryshme të vilajeteve të Turqisë evropiane, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Pjesa më e madhe e delegatëve përbëhej nga elementë proturq. Në kongres morën pjesë edhe përfaqësues të forcave patriotike shqiptare, si Dervish Hima, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Loni Logori etj. Kongresi miratoi një program prej 17 pikash. Pjesa e parë prej pesë pikash përfaqësonte programin osman të paraqitur qysh në fillim nga xhonturqit. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë prej 12 pikash, që iu imponua kongresit prej atdhetarëve shqiptarë, u përfshinë, megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, edhe disa nga kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me karakter kulturor.

Megjithëse Kongresi i Dibrës u thirr si një mbledhje osmane, atdhetarët shqiptarë e shndërruan atë në një arenë të luftës kundër reaksionit xhonturk për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar.



Kuvendi te Guri i Mazhicës (pranverë, 1910)

Për herë të parë dy Dibrat u mblodhën në Kuvend së bashku më 1910 te Guri i Mazhicës. Bile, këtë kuvend e drejtoi një përfaqësues i Dibrës së Poshtme, Isuf bej Karahasani nga Brezhdani. Pjesëmarrës të tjerë të parisë së Maleve ishin: Zenel Hoxha nga Gjurrasi; Mersim Dema nga Homeshi, Zenel Kraja nga Gjorica; Sheh Hajredini nga Zerqani, Myftar Murrja nga Luznia; Tahir Bazi e Kurt Hoxha nga Muhurri; Llan Kaloshi, Selman Alia, Mud Lusha dhe Selim Noka nga Çidhna, Avdi Ndreu dhe Shaban Kaca nga Dardha; Baftjar Doda, sheh Abazi dhe Hysen Shabani nga Reçi etj. Krerë të Fushës në Kuvend ishin: sheh Abazi i Dohoshishtit, sheh Hasani i Tominit, Rustem Bardulla i Peshkopisë dhe Tahir Tafa i Sohodollit. Në këtë kuvend u diskutua për situatën në të cilën ndodhej Dibra dhe u vendos për vazhdimin e kryengritjes së armatosur kundër osmanëve.

Kuvendi i Arrasit (13 gusht 1920)

Ramiz Daci, më 7 gusht 1920, ishte në Arras dhe organizoi një miting me pjesëmarrjen e mbi 3000 vetave (pari e hali) ku shprehën krenarinë për Luftën e Vlorës kundër italianëve dhe shprehën gatishmërinë për të mbrojtur me të gjitha mjete tokat e atdheun e tyre. Në kuvend të Arrasit morën pjesë edhe Ramiz Bej Dibra (i Iljaz Pashës), Dine bej Maqellara, Izet bej Maqellara, Selman Alia (Fushë-Alie), Ramiz Daci, Jashar Erëbara, Ismail Strazimiri, Selë Bajraktari (Arras), Shaqir Dema, Dine Dema, Riza Lusha, Dervish Lusha, Dine Hoxha, Selim Noka (Kandër), Haxhi Noka (Grykë-Nokë), Murat Kaloshi, Abdi Kaloshi, Sali e Selim Noka (Sinë), Dan Cami (Sepetovë), Selman e Haki Mena (Lurë), Llan Destani (Ndregjoni-Lukan), Kurt Spata e Dikë Spata (Blliçe), Ali Tahiri (Pira-Muhurr), nga Daci i Kalisit dhe Lita i Ploshtanit, si dhe disa përfaqësues nga paria e Matit. Më 13 shkurt 1920 u mblodh Kuvendi i Arrasit, mori disa vendime të rëndësishme, të cilat në gojën e popullit u quajtën si vendime të “Qeverisë së Përkohshme”. Kuvendi zgjodhi një shtab, anëtarë të të cilit ishin Ramiz Daci, Jashar Erëbara, Suf Xhelili, Ismail Strazimiri, Destan Puca etj. Shtabi, brenda dy-tri ditëve zgjidhi disa probleme të rëndësishme me karakter politik, ekonomik e ushtarak. Ramiz Daci mori një letër nga Hasan Prishtina, i cili e informonte se kishte marrë pjesë në një kongres të delegatëve fuqiplotë dhe diplomatëve të kombit italian, hungarez e bullgar, të cilët kishin përgatitur programin e një kryengritjeje të përgjithshme dhe se kongresi kishte vendosur që “dibranët të sulmonin ushtrinë serbe më 15 gusht 1920”. Atë ditë që u mblodh Kuvendi i Arrasit, ushtria serbe bombardoi nga Lisi i Trenës stacionin e gjindarmërisë në Luzni. Një ditë më pas, Ramiz Dibra i dërgoi komandës së ushtrisë serbe në Llasen një ultimatum për tërheqje brenda 24 orëve. Serbët qëndruan në heshtje, sepse ata kishin 10 batalione e disa bateri të vendosura në skalione nga Shumbati në Gollobordë, ndërsa kryengritësit ishin më të paktë në numër dhe të pa armatosur. Sulmi i kryengritësve filloi më 13 gusht. Malësorët e Çidhnës, Reçit, Dardhës, Kastriotit, Muhurrit, Zerqanit dhe Gollobordës sulmuan me aq furi sa më 13 gusht Dibra ishte plotësisht e çliruar. Serbët lanë në betejë 1000 të vrarë e 2000 të kapur rob dhe u tërhoqën në tmerr drejt Gostivarit.

“Mbledhja e Kompromisit”

Më 6 shtator 1943 u mblodhën përfaqësues të Zonës I Operative të Ushtrisë NAÇL dhe të batalioneve të Maqedonisë (zotërinjtë Jeleste Popovski dhe Toma Sofronovski), përfaqësuesit e forcave popullore të Dibrës (zotërinjtë Cen Elezi, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinia etj.) dhe përfaqësuesit e Ushtrisë NAÇL, Esat Ndreu, Njazi Islami e Sotir Vullkani. Mbledhja zgjodhi një shtab të luftimeve. Në shtab u zgjodhën: Cen Elezi (kryetar-komandant ) dhe Shaban Strazimiri që përfaqësonin Esat Ndreun, Jeleste Popovskin dhe Hamdi Demën. Në takim u vendos të bëhej bashkimi në luftë me forcat partizane. U ra dakord që shtabi operativ të njihej vetëm kur të futeshin në luftë të dy palët. Shtabi nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të qytetit. Rregulli dhe qetësia në qytet do të mbaheshin nga roje të përbashkëta, forcat partizane dhe të Cen Elezit.



Takimi te Varri i Deli Hasanit

Më 11 gusht 1943 erdhën në Dibër krerët e Ballit Kombëtar, Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, Ethem Haxhiademi, Thoma Orogllai, Isuf Luzi, Hasan Dosti, Faik Quku, Sulejman Meçe… Këta zhvilluan një takim te Varri i Deli Hasanit. Këtu u bisedua për zhvillimin e luftës kundër pushtuesve dhe kundër rrezikut komunist.



“Kryengritja e Plugjeve”

1910. Te Gropat e Ujkut, në Shupenzë, u mblodhën në kuvend mbi 500 burra të cilët morën vendime të reja për luftë kundër pushtuesit turk. Mersim Dema nga Homeshi i Grykës së Vogël dhe Mehmet Duriçi nga Vajkali, bashkë me të tjerë patriotë e prijës popullorë të Bulqizës, Grykës së Madhe e Grykës së Vogël, lëshuan kushtrimin për kryengritje të armatosur dhe kërkuan të lidhej besa. Ata u bënë thirrje malësorëve të këtyre krahinave që parmendat t’i zëvendësonin me pushkë e fishekë se jeta e tyre nuk kishte kuptim nën pushtim e në skllavëri. Thirrjes së tyre iu përgjigjen mbi 500 luftëtarë. Burrat u mblodhën tek Gropat e Ujkut, vend që ndodhet 7 km larg Homeshit. Mehmet Duriçi u caktua nga kuvendi që të ishte edhe kontrolluesi i zbatimit të këtij vendimi të rëndësishëm. Të gjitha mjetet e punimit të tokës, si parmendat, zgjedhat e kularët e qeve u grumbulluan në Malin e Bardhë, tek Gropat e Ujkut. Turku u vu në pozita të vështira. Sulmet e kryengritësve bulqizakë e dibranë mbi ushtrinë turke qenë të shumta e të egra. Luftohej shpi më shpi. Luftohej rrugë më rrugë. Luftonin burrat e luftonin gratë. Dikush me pushkë e dikush me sëpatë. I madh e i vogël ishte në mbrojtje të lirisë e ta vatanit. Vetëm nga Bulqiza, Gryka e Madhe e Gryka e Vogël luftonin jo më pak se 500 trima. Asqeria e ushtrisë turke përditë e më shumë merrte goditje vdekjeprurëse. Përditë e më shumë të vrarët në radhët e tyre bëheshin qindra e qindra. Atëherë zaptuesit turq dërguan dy oficerë që të bënin bisedime me prijësit e kryengritësve shqiptarë për t’i zbrapsur e për t’i joshur ata me grada e shpërblime. Por, as Mersim Dema e as Mehmet Duriçi nuk ranë në grackën e tyre, nuk e këmbyen lirinë e Dibrës me përfitimet e tyre. Ata dhanë kushtrim për luftë dhe mobilizuan qindra luftëtarë të rinj për t’u bërë ballë sulmeve inatçore të turqve. Qëndrimi i mëtejshëm i ushtrisë turke në këto anë, përballë këtij rebelimi mbarëpopullor, ishte i pamundur. Perandoria Osmane mblodhi “leckat” nga trojet dibrane e bulqizake… Iku e mundur, për të mos u kthyer më. U duk se shqiptarët fituan lirinë…

Blogger news

Blogroll

Archives

About