REPORTAZH/ Qyteti i gurtë gati për startimim e Festivalit Folklorik Gjirokastër 2009

EDI MOLLA

GJIROKASTËR - Përgatitjet për dasmën e madhe të këngës e valles janë lënë pas. Tanimë krushqit do të mblidhen në sheshin e madh për të nisur udhëtimin e magjishëm në gjirin e folkut shqiptar, për të kërkuar sërish ashtu si në vitin 2000, 2004, referencat në identitetin tonë kombëtar.

Mirëseardhja

Gjirokastritët do të dalin të urojnë mirëseardhjen për mysafirët e folkut. Mbi 900 artistë, duke mos përjashtuar edhe grupet përshëndetëse, do të ngjiten në skenën e kalasë shumëshekullore të qytetit të gurtë. Me dhjetëra këngëtarë popullorë, valltarë, instrumentistë të folkut, do të vërshojnë në skenë për të shpalosur spontanisht ngjyrat e krahinave dhe trevave folklorike që përfaqësojnë në Festivalin Folklorik Kombëtarë Gjirokastër 2009, që do të hap siparin në datën 24 shtator dhe do të zgjasë plot gjashtë ditë. Sfondi i mrekullueshëm i skenës natyrale, nën perëndimin e zbehtë të diellit dhe në bedenat dhe sheshin e kalasë do të rigjallërohet pas pesë vjetësh nën ritmin e valles festive. “Ky festival përbën pikën kulmore për trashëgiminë shpirtërore shqiptare dhe ne i kemi kushtuar kujdesin e merituar, duke synuar realizimin e një megafeste të vërtetë për gjatë ditë me radhë, ku do të shpalosen qartë vlerat më të mira të etnosit tonë. Të gjithë së bashku ne arritën të ndërtojmë më së miri këtë monument të gjallë të trashëgimisë kulturore dhe unë dëshiroj ti falënderojë të gjithë aktorët që ndihmuan në realizimin e këtij festivali”, shprehet Esat Ruka, drejtori i Festivalit Folklorik Kombëtarë Gjirokastër 2009.

Qytet i festivaleve

Në tërë kompleksitetin e tij qyteti i Gjirokastrës mbetet unikal për nga vlerat historike dhe kulturore që përmban. “Kemi dëgjuar të quhet “qyteti i gurtë”, sepse realisht i tillë është. Të tjerët të mahnitur nga bukuritë arkitektonike dhe urbanistikë, e kanë vlerësuar “qytet magjik”. Ndërsa ne, studiuesve të trashëgimisë kulturore, na pëlqen ta quajmë “qyteti i festivaleve” dhe është vërtetë ky përcaktim”, shprehej pesë vjet më parë, prof. dr. Afërdita Onuzi.

Qyteti gri së bashku me kalanë e gurtë përbën një skenë natyrale madhështore dhe të pazëvendësueshme për zhvillimin e këtyre veprimtarive. Vetë pozicioni, përmasat dhe planimetria e sheshit ku është vendosur skena, mrekullisht plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme për një aktivitet të përmasa kombëtare. Këtij evenimenti i shtohet edhe pozicioni dhe jehona e maleve që rrethojnë kalanë, e cila ka shpërndarë dhe shpërndan tingujt e lahutës së ardhur nga Alpet e Shqipërisë, ritmin e daulles nga qyteti që mirëpriti në vitin 1999 mijëra kosovarë, zëri i bilbilit të iso-polifonisë labe, si dhe vallen tradicionale tiranase.

Gjirokastra “qyteti i festivaleve” ka mbajtur peshë gjashtë festivale, dhe së shpejti do të përjetoj të shtatin. Në të gjitha rastet në këto mjedise janë krijuar situata të jashtëzakonshme festive e njëkohësisht pamje mahnitëse nga ndërthurja e vlerave arkitektonike e artistike. Tërë koha e festivalit ngjan si një dasmë të madhe, ku të zotët e shtëpisë janë gjirokastritë. Përgjegjësia dhe serioziteti e tyre ndjehet në përgatitjen që tashmë ka filluar disa ditë para festivalin. Vendosja në çdo çep të qytetit të gurtë të banderolave, ku shkruhet “Welcome in Gjirokastra” apo “Mirë se vini në sofrën e folklorit shqiptar”, të jep një ndjesi dhe siguri që qyteti shumëshekullor e meriton të quhet me plot kuptimin e fjalës “qyteti i festivaleve”.

Historiku i festivaleve

“Uljet e ngritjet” nuk ia zbehën shkëlqimin

Festivali Folklorik i Gjirokastrës është një nga evenimentet më të rëndësishëm, jo vetëm në fushën e folklorit, por në gjithë organizimet artistike me shtrirje mbarëkombëtare. Duke qenë i tillë, ai ka krijuar një traditë të pasur, e cila ndër vite e dekada ka ardhur duke u rritur nga masiviteti e cilësia. Për herë të parë një organizim i gjerë folklorik me pjesëmarrjen e krijuesve, këngëtarëve popullorë, instrumentistëve, valltarëve dhe nga disa rrethet e vendit, si Durrësi, Tirana, Shkodra, Korça, Elbasani etj., është organizuar në Tiranë në vitin 1949. Veçori e këtij prezantimi të folklorit ishte se në të nuk përfaqësoheshin gjitha trevat shqiptare dhe aq më shumë të shqiptarëve me banim jashtë tokës amë. Si i tillë ai nuk renditet në numrin e përgjithshëm të festivaleve, por megjithatë vlen të vlerësohet si përpjekja e parë për të sjellë në skenë krijimtarinë, ngjyrat, koloritet e pasura të krijimtarisë popullore. Pas një pauze 14-vjeçare, folklori do të zbriste sërish në skenë në një organizim të gjerë në vitin 1960 në kalanë e gurtë të Lezhës. Megjithatë, sërish në këtë festival nuk do të arrinin të përfaqësohen të gjitha trevat folklorike. Megjithëse ky organizim do të kishte më tepër karakter zonal, përsëri do të ishte shkëndija e parë për organizimin e një veprimtarie madhështore nga gjithë trevat folklorike të vendit. Ndërmarrja e parë serioze, e cila do të linte gjurmë në historikun e festivaleve folklorike, do të ishte organizimi i këtij festivali në vitin 1968, në kalanë e qytetit të Gjirokastrës. Në këtë festival do të përfaqësoheshin sipas ndarjes së atëhershme administrative 26 rrethe e vendit. Në të do të merrnin pjesë mbi 1200 këngëtarë, rapsodë, valltarë, instrumentistë, përfaqësues të artit popullor nga të gjitha trevat. Grupet e përfaqësimit kishin dalë nga konkurrimet që bëheshin në bazë zonash, lokaliteti dhe rrethi. Në festivalet në rang rrethi aktivizoheshin me mijëra grupe folklorike të këngëve e valleve, orkestrinave popullore dhe rapsodëve. Ky spektakël i madh i koloritit popullor do të organizohet në periudhën 6-12 tetor. Kështu kalaja madhështore e Gjirokastrës do të fitonte privilegjin për të qenë vendi organizator i Festivaleve Folklorike që do të vijonin në vitet në vazhdim. Me traditën e fituar, krijuesit e folklorit muzikor, koreografët, ngjyrat e kostumeve popullore do të zbrisnin sërish në kalanë e qytetit në vitin 1973. Prezantimi në këtë festival ishte nga më cilësorët në historinë e festivaleve të folkut shqiptar. Ky prezantim cilësor do të vërehej jo vetëm në krijimet folklorike, por edhe në paradën e kostumeve popullore, elementin studimor. Artistët të shumtë nga gjithë Shqipëria jepnin koncerte folklorike në rrethet e Përmetit, Tepelenës, Sarandës etj. Në këtë festival do të spikasin emrat e këngëtarëve dhe instrumentistëve popullorë, si Big Ndoja, Luçie Miloti, grupi i valleve të Kukësit, vallja dyshe lushnjare, kërcimtarët e Tropojës, lahutari Junoz Delja etj. Njëkohësisht në kujtesën e publikut do të ngeleshin krijime të tilla si “Bejk e bardhë”, apo “Kënga e kurbetit” (Zagorie). Flamurin e këtij festivali do ta fitonte grupi i rrethit të Lezhës.

Ndërkohë, pesë vjet më vonë në Festivalin e Tretë Folklorik Kombëtar, që do të organizohej përsëri në periudhën 6-12 tetor 1978, po në kalanë e Gjirokastrës, do të merrnin pjesë 1560 këngëtarë popullorë, të cilët do të përfaqësonin 26 rrethet e Shqipërisë. Në paradën e kostumeve folklorike këta pjesëmarrës do të sillnin mbi 100 veshje popullore. E veçanta e këtij festivali ishte se në të do të përfaqësoheshin të gjitha llojet e instrumenteve tradicionale shqiptare, nga ekzekutimi me gjeth e deri tak ai me cule apo bilbil. Mbresë të veçantë tek spektatori do të linte orkestra e Ndue Shytit, vallet e Gramshit, grupi popullor i Bënçes etj. Ndër krijimet që do të spikasnin ishin motivet e valleve gramshiote, grupi i pleqve të Gjirokastrës me artistin e mirënjohur Xhevat Avdallin etj. Flamurin e Festivalit do të fitonte qyteti organizator, Gjirokastra.

Festivali që pasonte do të ishte ai i vitit 1983. Krijimet popullore do të zbrisnin sërish në sofrën e gurtë përpara artdashësve gjirokastritë, duke krijuar ngjyrat e papërsëritshme të folkut shqiptar. Kësaj radhe spikatën “Kënga e Çelo Mezanit” nga grupi çam i Rrogozhinës, “Çu këput një këngë mali” nga grupi Kallarat i Vlorës. Surprizë e këtij festivali do të ishte interpretimi i grupit të të rinjve Gjirokastër, me marrësin Arjan Shehu. Ndërsa, festivali më i arrirë si nga ana organizative, ashtu edhe nga cilësia e krijimeve dhe ekzekutimeve folklorike do të ishte ai i vitit 1988. Në të do të shpaloseshin të gjitha ngjyrat e krijimtarisë folklorike nga mbarë trevat e vendit. Një vend të gjerë do të zinte edhe kostumografia popullore. Të paharrueshme për publikun do të ngeleshin interpretimi i orkestrës së instrumentistit Laver Bariut me grupin e Përmetit, grupi i Kolonjës, kënga “Janinës çi panë sytë”, grupi i të rinjve të Gjirokastrës etj. Pas një heshtjeje të gjatë, organizimet e festivaleve do të ripërsëriteshin në qytetin 2400-vjeçar të Beratit, në tetor të vitit 1995. Megjithëse jo në nivelin e festivaleve të mëparshme, përsëri ky organizim i folklorit në rang kombëtar do të linte gjurmë në historikun e organizimeve të folkut. Ndër krijimet me të arrira do të ishte vallja gjëmë e Shkodrës, krijimi i grupit të Bënçës, me krijimtarinë e poetit lirik Maliq Lila etj.Pesë vjet më vonë, në vitin 2000, Festivali Folklorik Kombëtarë u rikthyer për të mos u larguar më nga kalaja e Gjirokastrës. Për herë të parë në këtë festival grupe popullore nga Kosova morën pjesë në konkurrim, ndërkohë që në ndryshim nga festivalet e kaluara këtë herë konkurrimi u bë në rang qarku. Organizimi mjaft i mirë i festivalit përforcoi fuqishëm idenë se ky eveniment i përket skenës së Gjirokastrës. Ndërsa katër vjet më vonë, në vitin 2004, u organizua festivali i shtatë në qytetin e gurtë. Në këtë festival morën pjesë 1200 artistë nga Shqipëria dhe nga të gjitha trevat dhe komunitetet shqiptare në botë. Për herë të parë në këtë skenë do të konkurrojnë rreth 350 artistë interpretues që u përkasin grupeve etnike të shqiptarëve jashtë kufijve. Gjatë këtij evenimenti spikatën prefektura e Dibrës dhe Shkodra, ndërsa nga grupet popullore jashtë kufijve të vendit, spikatën shqiptarët e Maqedonisë që sollën në skenën e kalasë prurjet e pasurive burimore origjinale.

Del në qarkullim

Guidë turistike, “Gjirokastra, qyteti i

festivaleve dhe monumenteve”

GJIROKASTËR - Në prag të çeljes së Festivalit Folklorik Mbarëkombëtarë Gjirokastër 2009, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore Tiranë, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka hedhur ditën mërkurë në qarkullim guidën e re dygjuhëshe shqip dhe anglisht “Gjirokastra, qyteti i festivaleve dhe monumenteve”. Guida është përgatitur për botim nga ekspertët e trashëgimisë kulturore të kësaj drejtorie, Genci Bejleri, Arjana Avrazi dhe Arlinda Kondi, në bashkëpunim me Drejtorinë rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër. Sipas drejtorit të Trashëgimisë Kombëtare, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Oli Lafe, nëpërmjet këtij botimi special, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore dëshiron të promovojë vlerat e rralla të trashëgimisë kulturore dhe materiale të qarkut të Gjirokastrës, veçanërisht qytetit të Gjirokastrës, në përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, në kuadrin e Festivalit Folklorik Kombëtarë, që është veprimtaria më e arrirë e trashëgimisë shpirtërore të kombit shqiptar. “Vlerat monumentale të Gjirokastrës po përjetojnë një ringjallje të vrullshme, nëpërmjet investimeve që qeverisë shqiptare dhe përkujdesjesh së ekspertëve të UNESCO-s, dhe këto vlera së bashku me vlerat e disa pikave dhe monumenteve, sikur janë teatri i Hadrianopolit, Teqeja e Melanit, Kisha e Libovës së Kryqit, Kalaja e Libohovës, Ura e Bënçes dhe Parkut Arkeologjik i Antigones, përbëjnë një agjendë të plotë turistike dhe janë një mundësi e madhe për ti dhënë një destinacion turistikë krejt luginës së Drinos”, është shprehur Lafe. Ndërkaq, bashkëpunëtori i këtij realizimin të veçantë, Engjëllush Serjani, njëherazi drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Angitone, e ka cilësuar këtë botim, si guida e parë e plotë që përfshin edhe vlerat e kulturës materiale monumentale, por edhe vlerat shpirtërore që mbartë eksperienca e gjatë 40-vjeçare e organizmit të festivaleve folklorike në kalanë shumëshekullore të Gjirokastrës.

“Për herë të parë një guidë turistike, përdoruesi do të gjej historinë e festivaleve folklorike, si dhe paraqitjen e disa emrave më të spikatur të artistëve popullorë, të cilët kanë kontribuar në tetë edicionet e mëparshme të festivalit folklorik kombëtarë, si Ndue Shyti, Demir Zyko, Xhevat Avdalli, Laver Bariu, Fatime Sokoli, Dervisht Shaqja, Ali Kondi, Taip Madani, Aziz Ndreu, Golk Jaupi dhe Fitneta Rexha”, shprehet Serjani. Guida turistike “Gjirokastra, qyteti i festivaleve dhe monumenteve” është botuar me 1200 kopje dhe është e shoqëruar me 54 fotografi artistike me ngjyra, që sjellin imazhe të papërsëritshme të monumenteve dhe festivaleve në vite. Ky është botimi i parë që brenda një guide ndërthuren në harmoni të plotë historia i festivalit dhe publikohen vlerat kulturore dhe historike të Gjirokastrës. Gjirokastra është një nga qytetet më të rëndësishme nga pikëpamja kulturore dhe turistike në jug të vendit. Ajo shtrihet në këmbët e Malit të Gjerë, në luginën e lumit Drino, në një pozicion sundues e pamje magjepse. Gjirokastra është personifikimi i një qyteti të hershëm plot histori, kulturës dhe traditë të rralla.

Për herë të parë emri Gjirokastër përmendet në shek. XIII. Fillimet e qytetit mendohet të jete në këtë shekull, pas rënies së Hadrianopolit. Historia e qytetit është e lidhur ngushtë me kështjellën që dominon qytetin. Kështjella e Gjirokastrës përmendet për herë të parë “si qytet dhe kështjellë” në vitin 1336. Në këto vite ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë të Zenevisë.

Sipas historianëve, kështjella ka pasur dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës. Aktualisht, Gjirokastra është një nga qendrat më të rëndësishme dhe me vlerë të trashëgimisë kulturore shqiptare, si edhe të zhvillimit të turizmit kulturor. Gjirokastra është shpallur qytet-muze në vitin 1963 dhe pas 32 vjetësh në vitin 2005 është shpallur pasuri botërore nga UNESCO. Gjithashtu, Gjirokastra është qyteti i festivaleve folklorike kombëtare prej vitit 1968. Në kështjellën të ndodhen në kodrën më të lartë të qytetit, mblidhen çdo pesë vjet grupe shqiptare popullore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Arbëreshët e Italisë dhe diaspora, duke sjellë në këtë qytet vlera të papërsëritshme të interpretimin dhe ekzekutimin e trashëgimisë kulturore dhe tradicionale shqiptare.

Si do lëvizet me mjete

Policia garanton rendin

gjatë netëve të festivalit

GJIROKASTËR - Drejtoria e Policisë së qarkut të Gjirokastrës ka marrë të gjitha masat për të përballuar garantimin e rendit dhe qetësisë në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009. Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër, gjatë një konference shtypi të organizuar pasditen e mërkurë në mjediset e kësaj drejtorie, ka deklaruar se, gjatë gjashtë ditëve të festivalin, në pjesën e sipër të qytetit do të kufizohen qarkullimi i automjeteve, kjo për të garantuar lëvizjen e lirë të artdashësve, si dhe artistëve.

“Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti janë ngarkuar me detyrë shërbimet e qarkullimit rrugor, patrullat e përgjithshme, strukturat e hetimit të krimit, të cilat do të bashkëpunojnë edhe me Policinë Bashkiake”, është shprehur Mullai. Sipas tij, nga dita e parë të festivalit deri në mbyllja të këtij evenimenti do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në të gjitha degëzimet që të çojnë drejt Qafën e Pazarit, prej orës 09.00 deri në orën 22.00, si dhe prej orës 17.00 deri në orën 22.00 do të bllokohet edhe lëvizja rreth Kalasë deri në urat e lagjes “Dunavat”.

Gjatë ditëve të festivalit kur qarkullimi do jetë i lirë në zonën muzeale dhe për në kala do lejohen vetëm autoveturat, ndërsa për fugonat, kamionçinat dhe autobusët, si dhe mjetet e tonazhit më të rëndë nuk do të lejohet qarkullimi deri në orën 22.00, përveç autobusëve të shërbimit publik.

“Për të realizuar me sukses këtë aktivitet të rëndësishëm të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjirokastritë, si dhe të drejtuesve të automjeteve që ditët e festivalit të kufizojnë lëvizjen me makinë”, nënvizoi Mullai.

Njëkohësisht, Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastër ka vënë në dispozicion të qytetarëve edhe dy numrat pa pagesë 129 dhe 126, të cilët mund të telefonojnë nga çdo operator që operon në vendin tonë.

Blogger news

Blogroll

Archives

About