Nga dr. Lavdosh Ahmetaj

Fillimi i janarit 1914, një moment kritik ky për gjendjen politike të Shqipërisë, kur institucionet e brishta dhe formale vendore ishin në kolaps ndërsa punët administrative për aq sa ishte e mundur i ishin ngarkuar KNK, pasohet nga impresione të thella politike në koshiencën e Ismail Qemalit. Pikërisht nga Parisi Ismail Qemali, i cili po përgatitej për në Konferencën e Paqes me atributin e delegatit të Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, reflektonte politikisht për vitet e tranzicionit shqiptar 1912-1914. Ajo që spikat në shënimet e tij, ka të bëjë me përgjegjësinë politike të Sovranit për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ku ndodhej. Reflektimet politike e marrin nismën e tyre në vendimin e Fuqive të Mëdha, ku ishte sanksionuar forma e funksionimit politik-juridik të qeverisjes shqiptare me atributet e një principate autonome, sovrane dhe trashëgimore, duke përjashtuar çdo lidhje suzereniteti me Turqinë, dhe me kursin e asnjanësisë nën garancinë e gjashtë fuqive të mëdha. Ndërsa kontrolli i administratës civile dhe financiare i ngarkohej një Komisioni Ndërkombëtar të përbërë nga përfaqësuesit e gjashtë fuqive dhe një përfaqësues nga Shqipëria .
Memoria politike e Ismail Qemalit ndalet në një nga momentet më të bukur të jetës princërore, pikërisht atë të zbritjes së Princit në qytetin e Durrësit, i shoqëruar nga princesha (e shoqja) dhe trashëgimtarët e tij, ndërsa oborri përbëhej nga një mareshall, një mjek, një sekretar privat dhe dy dama nderi, njëherësh nuk mungonin ta shoqëronin edhe një çift qensh të egër!
Në bazë të vendimit të Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913, ishte përcaktuar edhe mbështetja financiare për Vidin, e cila, në bazë të kujtimeve të Ismai Qemalit nuk ishte akorduar ende dhe nuk kishte kaluar në arkën princërore, pasi në kohën e zbritjes së sovranit në Durrës kishte vetëm dhjetë milion franga ari, prej të cilave sipas gjasave mediatike Princi kishte në dorë vetëm atë pjesë të subvencionuar nga shtetet e Austrisë dhe të Italisë, e konsideruar si paradhënie, ndërsa 75 milionët e shteteve të tjerë ende nuk ishin lëvruar, duke mos plotësuar pikërisht atë vendim ndërkombëtar që kishin marrë vetë.
Ndërkohë, ajo që bie në sy në vështrim të parë, është fakti se ardhja e Sovranit shoqërohet me entuziazëm nga një publik i gjerë shqiptarësh, me shpresën se do të kishin Sovranin e tyre, gjë e cila tregonte njëherësh edhe besimin që ata kishin ndaj vendimit politik të Fuqive të Mëdha.
Por, nga ana tjetër, në vëmendjen politike të Ismail Qemalit kishte lënë gjurmë të thellë fakti që Princi ne kabinetin qeveritar kishte zgjedhur si Ministër Lufte rivalin e qeverimit të tij, Esad Pashë Toptanin!
Në një tjetër këndvështrim, mendimi i politikës europiane dukej se ishte ngjizur urtësisht duke caktuar një Princ të shoqëruar me një karakter politik të matur dhe në funksion të kundërpeshës së humbjes së territorit politik shqiptar, i cili kishte pësuar tkurrje të konsiderueshme si asnjëherë në historinë e tij.
Megjithatë situata politike arriti të bëhej edhe më kritike, gjithnjë duke e parë në kontekstin e kohës dhe në terrenin ballkanik, dhe Ismail Qemali kritikonte veprimet e dhunës ndaj shtëpisë së Esat Toptanit, duke e bombarduar atë me miratimin e posaçëm të vetë Princit; pra, ishte gjetur rruga e dhunës për të zgjidhur situatën politike në krizë, gjë që nuk funksionoi sepse Princi nuk kishte vizion politik për të zgjidhur situatat në përshtatje me konjukturat e kohës, e njëherësh forca e ushtruar nuk kishte marrë parasysh forcën ushtarake të Esad Toptanit, i cili ishte në trevën e tij ushtarake dhe me një mbështetje sociale të cilën mbreti as që e çonte nëpër mend.
Kështu që nuk ishte gjetur i mundur funksionimi i mjeteve politike dhe ligjore për zgjidhjen e krizës së krijuar prej ambicieve personale të Esad Pashë Toptanit, krizë e cila u zgjidh nëpërmjet ndërhyrjes politike të ministrit italian Karlo Alioti, në sajë të cilit Esad Toptanit i ishte krijuar mundësia politike që të dilte pa ndonjë pasojë fizike nga situata e krijuar prej atij vetë . Esadi familjarisht u shoqëruar nën kujdesin e marinarëve italianë deri në anijen “Austria” dhe më pas nëpërmjet një anijeje italiane u largua në perëndimin europian, duke dhënë fjalën se nuk do të shkelte më në Shqipëri.
Ndërsa Durrësi gjendej i rrethuar dhe nuk kishte asnjë komunikim me trevat e tjera të Shqipërisë, njëherësh edhe juridiksioni më i lartë i shtetit shqiptar, Princ Vidi, ishte vënë në pozicionin e një mjerani pa asnjë informacion dhe lidhje politike, qoftë edhe me miqtë të cilët e sollën në fronin e principatës shqiptare. Pikërisht në këtë kohë Ismail Qemali ndërmori një lëvizje interesante: ai së bashku me pesëmbëdhjetë shoqërues të tij u drejtua për në qytetin e Durrësit, për t`i prezantuar Princit pikëpamjet e tij politike në lidhje me daljen nga kriza, pikëpamje që ishin diskutuar para së gjithash me San Xhulianon gjatë një takimi në Romë, në kohën që ishte duke ardhur nga Londra për në Shqipëri, madje ishin përcaktuar edhe disa masa si më të përshtatshme për daljen nga situata e krizës ku ishte futur shteti shqiptar. Në takimin e këtyre dy personaliteteve të politikës shqiptare, duket një kontradiktë e paevitueshme midis tyre: ndërsa Ismail Qemali i kishte paraqitur edhe konkluzione të cilat ishin konsultuar me San Xhulianon, mbeti i çuditur për mungesën e reflektimit të Vidit ndaj gjendjes së krizës, e cila ishte në fazën më dramatike për shtetin shqiptar, madje ishte treguar i paaftë të bënte qoftë edhe një vërejtje ose pyetje, të cilat mund të dilnin përgjatë diskutimit ose në kohën pas takimit.
Ndërsa Ismail Qemali, me urtësinë dhe maturinë e tij politike, jepte argumente për daljen nga gjendja e vështirë, Vidi përsëri nuk kishte arritur të artikulonte asnjë pyetje rreth masave të propozuara, kurse ditën tjetër të takimit Vidi kishte pritur delegacionin e Vlorës dhe të gjitha delegacionet e tjera, gjë e cila kishte marrë pamjen e një mbledhjeje të gjerë me krerët e të gjitha krahinave të Shqipërisë. Këtë mbledhje e kishte hapur vetë Princi në gjuhen frënge, duke shpjeguar se i kishte mbledhur për të shprehur opinionet e tyre personale lidhur me gjendjen e vendit. Dhe së fundi princi i kishte falenderuar krerët, duke u thënë se pasi t’i studionte vërejtjet e dala nga kjo mbledhje, do të njoftonte për vendimin e tij. Por ajo që u reflektua pas takimit, ishte vakësia në të cilën ndodhej sovrani për të mundësuar zgjidhje praktike të krizës.
Ismail Qemali, duke parë inaktivitetin politik të Vidit, kishte organizuar në sheshin e Vlorës një mbledhje të banorëve të të gjithë krahinës dhe të refugjatëve të krahinave të tjera, për shkak se nga trevat e jugut shqiptar kishin ardhur një numër i konsiderueshëm banorësh, të cilët ishin strehuar në ullishtat e Vlorës, pra në rrethinat e saj. Takimi ishte shoqëruar me diskutime të gjata dhe ishte vendosur formimi i një Komiteti Shpëtimi Publik, nën kryesinë e Ismail Qemalit . Njëherësh u njoftuan Fuqitë e Mëdha dhe Princi me një proklamatë, në të cilën prezantoheshin disa shqetësime politike, të cilat kishin të bënin me ekzistencën e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e Sovranit. Komiteti i Shpëtimit Publik, i përbërë prej tridhjetë përfaqësuesish nën kryesinë e Ismail Qemalit, përcaktoi disa masa konkrete:
së pari, i kërkonte Fuqive të Mëdha të garantonin transferimin e fuqisë së Princit tek Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe të merrnin të gjitha masat e nevojshme, por duke bërë të mundur mbajtjen e legjitimitetit të Sovranit në fronin shqiptar;
së dyti, të sigurohej bashkimi kombëtar dhe tërësia kombëtare shqiptare;
së treti, ndalimi i shkatërrimit të njëqindmijë jetëve njerëzore, të cilët ishin përndjekur nga tokat e tyre dhe ishin detyruar të nguleshin në rrethinat e Vlorës, pikërisht në qoshen e kombit e cila kishte mbetur ende e lirë.
Pra, ajo që është në përqasje të mendimit të Ismail Qemalit dhe sekretarit të Vidit ka të bëjë edhe me anën dëshpëruese të këtyre dy personaliteteve në lidhje me gjendjen depresive që binte në sy dhe se si ulej dita-ditës standardi mbretëror në Pallat. Kjo situatë kishe bërë një efekt të keq tek trupat mbrojtëse të Durrësit, të cilat në situatën e kulmit të krizës luftonin gjithë ditën pa asnjë inkurajim dhe “ishin lënë në baltë pikërisht nga njeriu për të cilin kishin luftuar” .
Ndërsa Armstrong vazhdon më tej arsyetimin se, në çastet e ikjes së “madhe”, njerëzit që e kishin shoqëruar Princin për zbritjen e tij në Durrës tani gjendeshin të dëshpëruar dhe me zemër të thyer për këtë fund të pakëndshëm të kësaj aventure mbretërore, madje disa prej kësaj trupave shoqëruese kishin menduar se edhe mund të kalonin jetën në Durrës, ndërsa shpresat e tyre ishin thyer më një të rënë të shpatës esadiste.
Pra, duke e analizuar situatën politike dhe kombëtare, duket se Princi ishte strukur në qytetin e intrigave ose në atë qytet të cilin Ismail Qemali, pasi ishte njohur me strehimin politik të Sovranit, ishte ndjerë i dëshpëruar dhe kishte menduar se ky qytet ishte një vend ideal për intrigat e shteteve që nuk e donin formimin e shtetit shqiptar, ndofta prandaj e kishin ideuar kryeqytetin e Princërisë shqiptare pikërisht në qytetin e Durrësit. Ishte situatë e cila analizohet nga Ismail Qemali për të shprehur me indinjatë fatkeqësinë e Princit, i cili ndodhej i strukur e i pa përkrahur politikisht dhe ushtarakisht, dhe në një dëshpërim të plotë, për të thënë se autoriteti i tij politik dhe sovraniteti i tij nuk ekzistonin më; ai politikisht nuk funksiononte.
Ndërsa analitika e Ismail Qemalit thellohet edhe më tej në kohën që ai jep argument për shpërdorimin në mënyrë jo efektive të parave që kishte dhënë Europa, kështu dhjetë milion franga ari Princi i kishte harxhuar marrëzisht në krijimin e një Gjykate Kasacioni, në kohën që në Shqipëri nuk kishte asnjë gjykatë ose emërimin e inspektorëve të arsimit publik, në kohën që nuk kishte shkolla, ndërsa edhe më e rënda ishte mbajtja e ministrave të plotfuqishëm të akredituar në shtete të huaja, por nga ana tjetër ata rrinin në shtëpitë e tyre. Ky fakt duket i pasqyruar edhe përmes kujtimeve politike të sekretarit të Princit: “Gjashtë muaj Mbretëri 1914”.
Aty del në pah se pikëpamjet e Ismail Qemalit përkojnë me dëshminë okulare të sekretarit të Princit. Për të argumentuar mbi këtë përqasje, po i referohem tre ideve të Armstrongut në pozicionin e sekretarit:
së pari, kabineti i kontestuar nga Ismail Qemali përbëhej në pjesën më të madhe nga “të huaj”, nga burra të cilët nuk kishin qëndruar kurrë në vendin e tyre dhe dinin pak për të;
së dyti, disa nga ministrat e qeverisë nuk arrinin të flisnin gjuhën shqipe, madje punët zyrtare i kryenin në gjuhën turke;
së treti, partia esadiste kishte një përfaqësim të fuqishëm në Shqipërinë e Mesme, pra ishte pikërisht Shqipëria e Mesme e cila ishte zgjedhur si kryeqendra e Sovranit të fronit shqiptar. Prandaj Ismail Qemali ishte i dëshpëruar në kohën që kishte marrë vesh vendndodhjen e qeverisë së Princit.
së katërti, Esad Toptani ishte pronar i një sipërfaqe tokash të konsiderueshme në Shqipërinë e Mesme, e për rrjedhojë influenca ekonomike ishte e fuqishme, madje duke iu referuar një telegrami të Aqif Pashë Elbasanit, në lidhje me situatën e fillim janarit 1914, tregohet se si regjistroheshin fshatarët në ushtrinë e Esad Toptanit: “Punët janë shumë keq. Rebelët po shtohen. Në çdo fshat shkruhen nga 15-20 xhandarë me 250 grosh rrogë. Thuhet se në mes tyre ndodhen edhe intelektualë e oficera”.
Ndërsa, në këto kushte Princi kishte dërguar Mehdi Bej Frashërin, me atributin e Ministrit të Financave, në dy kryeqytetet e Austrisë dhe Italisë, për të kërkuar ndihmë financiare, ndërsa ata luanin politikën e veshit të shurdhër; në këto rrethana Princi i ngjante një spekulatori të falimentuar, i cili e kishte kuptuar situatën politike por si kishte ngelur gjë tjetër veçse të largohej. Pra, ishte koha kur Lufta e e Parë Botërore kishte filluar të jepte shenjat e para, dhe Europa s`kishte mundësi të merrej me krizën e Shtetit Shqiptar, e për pasojë anijet e Fuqive të Mëdha e braktisën qytetin e Durrësit, duke e lënë në dorë të ngjarjeve të luftës, ndërsa “Sovrani” i ndiqte me jahtin e vogël italian që ia kishin lënë në dispozicion të largimit të turpshëm.
Bindja e Ismail Qemalit për daljen nga kriza ishte nëpërmjet një akti drejtësie me karakter ndërkombëtar, i cili duhet të jepej për shqiptarët dhe Shqipërinë; kjo, sipas tij, përbënte domosdoshmëri edhe për shtetet fqinjë, të cilët kishin kërkuar zgjerimin e kufijve të tyre politikë, e për rrjedhojë shkatërrimin e Shqipërisë politike. Në këto kushte, Ismail Qemali rekomandonte se duhet të krijohej blloku ballkanik, shoqëruar me një pavarësi të garantuar nga Fuqitë e Mëdha, i cili do të ishte faktori vendimtar për krijimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin që kishte demonstruar një nacionalizëm primitiv.
Duke parë kohën e shkurtër të mbretërimit, shoqëruar kjo me mungesën e një energjie princërore në koshiencën e Vidit, Ismail Qemali shprehet se ky mbretërim ishte më i pasur në episode groteske, sesa në veprime për organizimin e një shteti i cili ishte në moshën foshnjarake të tij; kjo me sa duket ishte një argument për të vërtetuar kujdesin e pamjaftueshëm që Europa politike kishte treguar në zgjedhjen e një princi i cili duhej të kishte treguar vullnet të jashtëzakonshëm për të ngritur një shtet që do të formonte institucionet politike, duke u shoqëruar me harmoninë politike midis krahinave të ndryshme shqiptare, gjë që nuk rezultoi si e tillë. Por nuk mund të neglizhojmë përzgjedhjen e Sovranit, nga pikëpamja fetare princi ishte protestant dhe si i tillë nuk mund të kontestohej nga asnjë përkatësi fetare, por e vërteta është tjetër gjë, pikërisht goditja iu dha në pikën më te fortë të tij, sepse nuk u shoqërua nga një propagandë efikase, madje u la në heshtje si rezultat i paaftësisë personale të vetë Vidit, i cili nuk e njihte terrenin politik të Shqipërisë; kështu në kohën e marrëveshjes së Korfuzit, ku bëhej fjalë edhe për Himarën, Princi sipas Eqerem Vlorës nuk e dinte se nga binte kjo krahinë.
Gjurmët e kohës na çojnë edhe më tej, të gjitha sulmet drejtoheshin tek përkatësia fetare e tij, qenia e Princit me besim të krishterë, duke u artikuluar si “kaurr” nën frymën e fondamentalizmit musliman, e shoqëruar me sulmin e esadistëve, të cilët kishin marrë formën e një ushtrie të rregullt, përbëjnë atë vektor politik të cilin Princi s’arriti ta kontrollonte ushtarakisht.
Pra, po ta shohim me kujdes kritikën politike të Ismail Qemalit ndaj Vidit, duket se rezultoi e drejtë, për shkak se Vidi ushtroi dhunë ndaj ministrit të kabinetit të tij, në kohën që kishte në dorë të gjithë instrumentet politikë dhe juridikë për ta evituar krizën e publikuar me aq ironi nga mediat europiane. Pra, trajtimi i Ismail Qemalit është një vlerë e shtuar, nga pikëpamja e përvojës politike, por edhe nga pikëpamja teorike e politikës si shkencë.

Nga Man POGA

Kush po shkon përpjetë çarshisë?!
Hazir Syla i Shqipnisë
Kush po shkon përpjetë sokakit?!
Hazir Syla djali i Hasit
Populli

Fati e deshi që ashtu rastësisht gjatë punës sime të përditshme kërkimore për çështje e tema krejt të tjera, më ra në dorë një libër historik, monografia me titull: “Ram Binaku i Dashinocit”. Në vija të përgjithshme në këtë monografi shkruhej me lavde për Ramë Binakun (1888-1961), ku i visheshin merita të mëdha kësaj figure historike nga Komuna e Gjakovës, deri atë çast i panjohur për mua. Mes të tjerash, në hyrje të këtij libri por që e hasa pastaj edhe në shkrime e studime të tjera, me ra në sy një paragraf që jepte disa të dhëna mbi fillesat e aktivitetit luftarak të subjektit, citoj: “Lule Hajdari, nipin e saj, Ramë Binakun 17 vjeçar, e dërgon tek Ahmet Begu babai i Bajram Currit, prej të cilit kërkoi ndimë për të mundur me e regjistrue në çetën e Hazir Sylës i cili rrjedh nga familja Kurpali-Shqipëri .
Më mjaftoi ky paragraf që të më grishte, të ma prishte qetësinë, t’i lë mënjanë projektet e tjera, të më nxiste që të kërkoja më tej në skutat e historisë, në mënyrë që të ndriçoja sadopak profilin e Hazir Sylë Kurpalit, e në terrin e historisë së Hasit, të ndez një qiri të vogël. E si mund të lihet një kapedan i tillë pa as edhe një artikull, të paktën, kur për një anëtar a pjesëtar të çetës së tij ka libër monografik?!-mendoja me vete.
Eh! Në këtë gjendje është katandisur historiografia e visit të Hasit. I cili ka prodhuar me shumicë histori në çdo shekull, ka nxjerrë kapedanë, komandantë, heronj e dëshmorë me shumicë por shkrimtarë (historianë) jo…për me e shkruar të vërtetën-historinë. Ndaj është bjerrë historia, aq sa, shumëkujt (ndoshta dhe disa hasjanëve të sotëm…), ju është mbushur mendja që Hasi nuk ka histori, nuk ka pasë prijsa që i kanë dale zot vendit të vet, kombit të vet, në kohë e fate te zeza kur visi a Kombi i lypi! Paj, e vërteta është se, veç pak “koren e kohës” me ja heq historisë së visit të Hasit, kemi me gjetë kuvendarë e prijsa, trima e dëshmorë, shtetarë e fisnikë të naltë, klerikë e arsimtarë ndër shekuj, sa s’na ka pre menja…! Një nga ta, prijs e trim që gjalloi rreth shekullit XIX-XX është sot e gjithë ditën patrioti Hazir Sylë Kurpali (1874-1913).
Vendlindja e Hazir Sylë Kurpali
Hazir Kurpali lindi me 1874 në Letaj, pinjoll i familjes së madhe e të njohur Kurpali nga Hasi. Familje e cila dha kontribut të madh në çeshtjen Kombëtare Shqiptare. Kulla e tyre, duke qenë buzë grykës së qaf-prushit, ishte në kontakt me shumë patriotë e atdhetarë të shumë trevave Shqiptare. Letajt, si emërtim fshati na del qysh me 1415, ngjarjet historike na tregojnë se Letajt në shek XIX ishin një nga vendbanimet me ne zë të Hasit, por dhe të Malsisë. Ndër betejat ku shquhen shumë Hasjanët e në veçanti nga Letajt mund të përmendim luftën e vitit 1887, në këtë luftë u shquan Ahmet Zeneli, Keç Ademi, Myftar Syla dhe Ali Hoxha. Ne luften Turke të 1912, Bajram Sylë Kurpali dhe Rexhe Mehmeti Letajt dhe Qaf-Prushi si grykë, nga pikëpamja gjeografike janë mu në udhëkryqin ku pikëtakoheshin historikisht, pushonin një cope here, karvane tregtare, tregtar e prijës, patriot e njerëz të thjeshtë nga vise të ndryshme shqiptare, duke filluar nga Kruma e një pjesë e mire e Hasit, Bytyqit dhe e Va-Spasit (nga vinte Puka e Shkodra), prej nga nxirrnin krye pastaj për të dalë përballë Gjakovës për punë minutash. Fillimisht lëvizej për çështje tregtie, pune administrative etj., por jo vetëm. Gjatë fillimit të lëvizjes Kombtariste e sidomos gjatë Lidhjes së Prizrenit lëviznin patriotë e ideologë me za nga Shqipëria drejt Kosovës, e anasjelltas nga Gjakova, Peja e më gjerë në drejtim të Hasit, Bytyçit, Pukës, Shkodres… per te mbajtur ndezur e shpërndarë sa me shumë flakën e atdhedashurisë! E tek kjo kullë si në çdo kulle të Hasit, ata gjeten ndezur zjarrin e atdhedashurisë, shtruar sofren e bukes, e thatë barutin e luftës…!
Ndikimi familjar në formësimin patriotik dhe atdhetar
Nëpër kohë bijtë e kësaj familje janë shquar për patriotizëm, ata ranë në kontakt dhe bashkëpunuan me ideologë, luftëtarë e patriotë të lëvizjen Kombëtare Shqiptare si Asim Vokshi, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Bajram e Hysni Curri, Isa Boletini, Azen e Shote Galica e shumë e shumë të tjerë. Syl Kurti ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në aksionin e Gjakovës, e në të gjitha veprimet luftarake të mëpastme. Në total 8 djem të kësaj dere kanë dhënë jetën për atdheun dhe 5 të tjerë janë plagosur
Kulla e tyre u bë qendra kryesore mbështetëse e kryengritjes shqiptare kundër Osmaneve sidomos në kryengritjet e viteve 1900-1912-tës, ku në Qaf-Prush u bënë beteja të përgjakshme. Sipas të dhënave autentike që na jep direkt shumë afër nga vendi i betejës diplomati A.N. Elmenjalov asokohë i ngarkuar me punë në nënkonsullatën e Perandorisë Ruse në Prizeren, nëpërmjet një telegrami drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme Sankt-Petersburg, raporton se: “me 27 Qeshor / 10 Korrik 1912, kryengritësit e Hasit, të Gashit dhe të Bytyçit, nën drejtimin e Bajram Currit, goditën katër batalione të përqendruara në Qafën e Prushit. Forcat qeveritare u thyen keq, duke lënë në duart e shqiptarëve municione, armë, mitraloza e topa, që u përdorën për armatosjen e kryengritësve. Ata lanë gjatë këtij luftimi 300 të vrarë, të plagosur e robër lufte” Suksesi i kryengritësve në Qafë të Prushit ushtroi ndikim në popull dhe, siç shkruante direkt nga Stambolli Hasan Prishtina: “i dha një shtytje të fuqishme lëvizjes së armatosur edhe në viset e tjera. Kjo fitore bëri të aktivizoheshin edhe elementët opozitarë në radhët e oficerëve të garnizoneve ushtarake në viset verilindore e lindore të Shqipërisë” Për kontributin e tyre gjatë përfshirjes në çështjen Kombëtare janë ruajtur dhe përcjellur brez pas brezi, këngë, histori, bëma që këndohet e ruhen si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri (Has, Malesi e Gjakovës, etj), kënge që janë kënduar jo vetëm ne oda por deri në Festivale Folklorike.
Kësisoj, edhe Hazir Syla nuk kishte si të dilte ndryshe, ambienti ku u rrit dhe u formua ishte i gatuar nga shqiptarizma, qe kur lindi deri sa vdiq, jeta e tij i shkoi në betejë. Sepse i tillë ishte fati i Kombit, betejë për mbijetesë nga asimilimi..! Ai e vazhdoi me tej lidhjen e familjen e tij me figurat me te shquara të kohës që punonin për çeshtjen Kombëtare. Fati i tij ishte lufta, ashtu si e gjithe familja e tij që ishte e përfshirë kryekreje në lëvizjen Kombëtare Shqiptare, i ati ashtu dhe vellezerit e tij kishin marre pjese ne beteja e kuvende, duke filluar qysh me reformat e tanzimatit, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e deri tek Kryengritja e Përgjithshme për Pavarësinë Kombëtare Shqiptare. Nga Kulla e tyre kanë dalë nëpër kohë shumë trima, si Haziri, Avdia, Zymeri, Dervishi, Bajrami, Selimi etj, ndër to cilësoheshin si: prijsit shumë të njohur të barakut të vogël të Hasit, Haziri, Bajram, e vllazëris “Kurpali” – kështjella e Konaku i luftëtarëve të lirisë, në pikën më nevralgjike “Qaf e Prushit” Siç vëren gjithashtu studiuesi Besim R. Cengu: kjo kullë, nuk ngjasonte me një shtëpi banimi. Më shumë qe një institucion që lindte e skaliste luftëtarë. E pastaj nëpërmjet tyre përhapte pareshtur nëpër historinë tonë të vështirë patriotizëm dhe atdhedashuri.
Këtu duhet foto e kullës

Muzeu i gjallë dhe dëshmia e përpjekjeve të kësaj kulle ishte trupi i Bajram Sylës, stolisur me tetëmbëdhjetë plagë në trup. Pas vdekjes së Hazirit, Bajrami do të vazhdonte me tej lidhjet me patriot e ideologë të lidhjes, për të si trim dhe luftëtar i madh, (ndryshe nga Haziri), janë shkruar shumë artikuj e studime. Studiuesit Sejdi DIDA, Agim SPAHIU dhe Dr. Besim MUHADRI e kane cilësuar Bajram Sylë Kurpalin me epitete si: “Njeriun e miqësuar me plumbat” , “Legjenda Hasjane e 18 plagëve” etj. Për të njohur dimensionin e vertetë ku u rrit dhe u brumos Hazir Kurpali na jep me tej shpirti krijues hasjan i cili i ka përshkruar në grup, vllazërimin Kurpali, ku përmenden me rrallë Bajrami, Haziri, Avdia dhe Zymeri, përcjellë në këngën e njohur “Djemt e Hasit”, këngë e cila përkujton betejën e lavdishme të Qaf-Prushit:
Djemt e Hasit n’kulla t’bardha
Me pushkë n’dorë i ka le nana
N’kullë t’Kurpalit, shtiz flamurit
Prush asht ba themel’ i gurit
Bajram Syla gjallë s’po kapet
Asht ma i vogli n’katër vllaznit
Shqipja e vogël me 18 plagë
Po pisket o nëpër flake
Ka Hazirin, ka Avdinë
Kur lshojnë za dridhin Turqinë
Ka Zymerin lule t’motit
Oso Kukë n’kullë t’barotit
Veton Hasi Ishon rrugë
I thotë Hasmit-mor ku je?
Luftë e dasëm shortet e mija
Nji bajrak kam për te dyja
Në luftë deri në ditën e mbrame
Hazir Kurpali ishte një prijës i lindur, ai ja kishte arritur që të themelonte e drejtonte në moshë të re një çetë mjaft aktive e cila la gjurmë të pashlyeshme në kronikat e kohës e ku aktiviteti i dendur luftarak shtrihej që nga lufta e Qaf-Prushit, beteja e Gjakovës, Deçan, Plavë-Guci, beteja e përgjakshme e Kaçanikut e deri në Shkup. Aktivitet i gjerë dëshmuar e ruajtur në arkiva, dokumente, foto, kujtime e studime të bashkëkohësve. Në çetën e tij shohim se do të gjenin besim e bashkohen shumë të rinj e patriotë jo vetëm nga Hasi, prej nga ishte Hazir Syla por dhe nga Malsia, Deçani, Gjakova e shumë treva të tjera të Kosovës, fakt që flet për shtrirjen e gjerë të influencës së tij. Sipas dëshmive të gjalla të anëtarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij të cilët patën fatin të jetonin me gjatë, është vërtetuar se çeta e Hazir Sylës u themelua në vitin 1903 . Një dëshmi tjetër të dorës së parë dhe mjaft kuptimplotë mbi aktivitetin dhe rolin e Hazir Sylë Kurpalit kemi nga nipi i Isa Boletinit: Tafil Boleti, i cili duke përshkruar tre tarafët e Gjakovës, mes të tjerat thekson: “…në Gjakovë doli në shesh dhe grupimi i tretë me Hazir Sylën në krye..”
F. Mehmetaj në monografinë: “Qel Shabani i Becit – jeta dhe vepra atdhetare”, megjithëse mbart disa lajthitje lidhur me disa të dhena mbi Hazir Kurpalit, na jep detaje te reja mbi shtrirjen e aktivitetit të Hazirit, ku shton dhe vendbanimin e ri të tij, citoj: Qel Shabani një kohë të gjatë i ka takuar çetës së Hazir Sylë Kurpalit, trim i dëgjuar i Malësisë së Gjakovës, i cili aso kohe ishte me vendbanim në fshatin Radoniq të Dushkajës. Me tej: Luftëtarët e kësaj çete morën pjesë në shumë aksione lokale dhe në kryengritjet e armatosura të viteve 1908 – 1910. Kësaj çete i ka takuar edhe vëllai më i ri i Hazirit, Bajram Syla, po ashtu trim i dëgjuar. Pas vdekjes së Hazirit, Qeli i ka takuar çetës së Bajram Sylës. Kohë pas kohe Qeli ka bashkëvepruar edhe me Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, Zymer Fazlinë, Mon Avdinë, Avdi Sylë Kurpalin (i vrarë në Pejë në përleshje me forcat turke në kohën e Hyrrjetit), Idriz Jahën e Smolicës, Jahë Salihun e Babajve të Bokës etj Haziri mori pjesë në luftën e përgjakshme të Kaçanikut të vitit 1910, në betejën e së cilës ju plagos i vëllai Bajrami, të cilin e dërgoi për kurim në Shkup, shoqëruan nga Hysni Curri (vëllai i Bajram Currit), dhe Islam Aga i Batushes, bashkëluftëtarë ne Kaçanik. Nga ku kemi dhe sot të vetmen foto –dëshmi të këtij trimi. Profilin e tij e shohim si një nga prijësat i forcave të Hasit si dhe luftëtarëve nga zona të ndryshme të Kosovës gjatë kryengritjes Kombëtare Shqiptare. Siç e hasim edhe në kujtesën e zonës ruajtur në kënge:

Shumëkush jeten se kurseu
Me gjak t’kuq lirinë e bleu
Për dy trima e kemi fjalën
Hazir Sylën e Kurpalit
Ram Isufin pika e djalit
Kur Turkia kupen mushi
Batalionet çoi n’Qafë Prushi
Bajram Curri kur ka ndigjue
Hazir Sylës fjalë i ka çue
Hazir Syla çfarë i ka thanë:
Plot barut kullat i kam
E me trimat që kam me veti
S’ka shka na ban krali as mbreti…
Mes të tjerash aktivitet të dendur patriotit dhe shume aktiv kishte në Deçan të Kosovës. Përleshjet e para me forcat osmane në këtë trevë gjatë kryengritjes gjithëpopullore kundërosmane të viteve 1908-1912, u bënë në beleg të Deçanit nga luftëtarët e çetës së Hazir Sylës.
Krahas betejave përkrah trimave të Kosovës atë e gjejmë edhe si pjesëmarrës në kuvendin e Pejës, Besa-Besë, Besëlidhjen e Verrave të Llukës, së Ferizajve dhe Gjakovës etj. Hazir Kurpali është një nga pjesëmarrësit e “Kuvendit të Përgjithshëm të Krerëve Shqiptarë” në Gerçë, ku ofrohet programi i autonomisë kombëtare në 12 pika. Ky program, përmes një memorandum, siç u quajt “Libri i Kuq”, iu paraqit qeverisë Turke e fuqive të mëdha me 23 qershor 1911.
Figura e Hazir Kurpalit ashtu si shume trimave të Letajve e Hasit meriton vëmendje dhe duhet studiuar me tej për të nxjerrë sa me shumë në pah kontributin e tij për çështjen Kombëtare, në mënyrë që brezat ta njohin ashtu siç e meriton vepra e kontributi i tij për Letajt, Hasin, Deçanin, Kosovën, Shqipërinë, që kur lindi e deri në frymën e ditës së mbrame të 14 janarit të vitit 1913të kur ra në Moravë në përpjekje me Bullgarët.

Gjendja skandaloze e formacioneve partizane dhe realiteti i marrëdhënieve të Partisë Komuniste Shqiptare me Ballin Kombëtar, Legalitetin, anglezët dhe jugosllavët, në nëntor 1943
 Dosier/ 20 nëntor 1943 – Letra e Enver Hoxhës për Miladin Popoviçin


 Nga Veli HAKLAJ*
Në Arkivin Qendror të PPSH, Fondi 14 – Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare (1941 – 1944), Viti 1943, Dosja 23/1, gjendet një nga letrat që udhëheqësi i PKSH dhe i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, Enver Hoxha, i dërgon Aliut (pseudonimi i Miladin Popoviçit, njeriut të Titos, që kontrollonte partizanët shqiptarë), ku e informon për gjendjen skandaloze të formacioneve partizane, duke fajësuar edhe disa prej drejtuesve të tyre; për bisedimet e Enver Hoxhës me anglezët për qëndrimin e Partisë Komuniste Shqiptare kundrejt Ballit Kombëtar, Legalitetit etj. Informacioni që pasqyrohet në pesë faqet e kësaj letre, që do ta japim të plotë për lexuesin e gazetës “Standard” në vijim të këtij dosieri, të krijon njohje për gjendjen reale, aspak të mirë, të formacioneve partizane në nëntorin e vitit 1943; pakënaqësitë dhe dyshimet e shumta të Enver Hoxhës për pjesën dërmuese të bashkëpunëtorëve të tij, si Mustafa Gjinishi, Nako Spiru, çka paralajmëronte edhe fatin e tyre në të ardhmen e afërt; qëndrimet e kundërta të Enver Hoxhës me ato të përfaqësuesve të misioneve angleze në Shqipëri dhe mosmirënjohjen e tij për kontributin e anglezëve në Luftën e Dytë Botërore; konsolidimin e qëndrimit politik dhe ushtarak të Enver Hoxhës për një luftë civile në Shqipëri duke përjashtuar çdo lloj mundësie bashkëpunimi me Ballin Kombëtar, por edhe Legalitetin; ndjenjat e servilizmit të dukshëm të Enver Hoxhës për udhëheqësit jugosllavë dhe rusë dhe mbivlerësimi i faktorit të tyre etj.
I kërkojmë ndjesë lexuesit për fjalorin e përdorur nga Enver Hoxha në ndonjë pjesë të letrës, por vlerësuam se është më i drejtë publikimi i plotë i këtij dokumenti arkivor.


Letra e plotë Enver Hoxhës për Miladin Popoviçin

Më 20 nëndor 1943

I dashur shok Ali,

E dinja fare mirë që të 7 ditët e tu do të bëheshin 37 ditë. Kjo gjë duhet të jetë një mësim për ty që më bëje kritika mua që s’u ktheva në kohën e duhur nga Tirana. Punët s’mbarohen në praktikë ashtu si kujtonje ti. Tash besoj se vure mend. Me gjithë këtë kjo s’do të thotë që ti duhet ta zgjaç muhabetin më shumë, por duhet të mbaroç shpejt dhe të ktheheç. Ç’them unë për të kthyer. Këtu brenda po të dërgoj një letër që vjen nga Titua nga kanali i Veliut dhe kush e di se ç’të thotë brenda. Në rast se të thotë të shkoç në Kosovë, e lajmëro që je shumë i nevojshëm të rrish tek ne pse situatat sa venë po bëhen të vështira. E ke merak vetë besoj. Tash ti u bëre i joni, të të martojmë dhe një Shqiptare. Po t’i lëmë shakatë se s’kemi kohë.
Topin (pseudonimi i Tomorr Sinanit-V.H.) e Elbasanit e kapën Gjermanët. Moskujdesja e tij dhe mënyra e punës që bënin si në një Demokraci të lirë dhe popullore janë shkaqet e kapjes së tij. E këshillova ashpër edhe herën e fundit që u poqa më të të ruhesh, të kish mendjen, por ai i binte fyellit njësoj; jo vetëm që e zunë po i zunë edhe gjithë dokumentet që nga qarkoret e K.C. e deri te lista e anëtarëve të partisë. Me kapjen e listës së anëtarëve të Partisë u detyrova që një pjesë të mirë të kuadrove t’i heq në mal si kuadro të Partisë ashtu edhe të rinisë. Një pjesë të tyre i dërgova në çeta për t’i forcuar dhe një pjesë të mirë e çova në brigadën e II ku mungon krejt kuadri i Partisë. Kuadri i brigadës së II i gjithë është me batalionin e Çermenikës në Dibër. Qëndrimi i këtij batalioni në Dibër na pengon formimin e Brigadës.
Shokët e Elbasanit tentuan ta shpëtojë Topin nga burgu, ku hynë me armë automatike dhe vranë e plagosën mjaft gjermanë, por tentativa ishte pa frut. Asnjë nga tonët nuk humbi po Topin na thonë se e hoqën për në Strugë dhe andej për në Bullgari. Gjë e sigurtë s’është, por sidoqoftë shokët maqedonas dhe të interesohen një herë andej nga Struga.
Brigada e III që ishte në Pezë e ka qelbur punën. Ajo s’doli kur i kishim dhënë urdhër por u muar atje me Myslimin dhe me Shulen dhe kur e vendosi të dilte, në një kohë shumë të keqe, ajo u godit prej Gjermanëve. Humbjet tona ishin të shumta, 5 të vrarë e 6 të plagosur, të njëqind mushkat të humbura tok me mitralozat e rëndë dhe mortajat e rënda. Komandanti miku im më duket s’e s’ka qenë në naltësin e duhur të detyrës. Ay s’ka ditur të manovrojë dhe ka rënë në pozitat e Myslimit dhe të Shules duke mos zbatuar urdhërin që i kishim dhënë të dilte nga ay pellg. Përveç humbjes materiale kemi pasë dhe humbje morale. Afro 30 partizanë të asaj brigade janë shkëputur kush i sëmurë, kush i lodhur, kush dezertuar; dhe në mes të të dezertuarve është dhe miku tënd dhe i Mustafa Gjinishit, shoku i famshëm TOMI. Ky jo vetëm që ka dezertuar, por është treguar shumë defetist në Tiranë. Tash brigadën pa mitraloza të rëndë dhe pa mortaja e pa mushka e kemi këtu dhe po përpiqemi t’i gjejmë diçka për ta armatosë dhe ta nisim për Dibër, për të ndihmuar Haxhinë dhe më shumë që të na kthehet që andej batalioni i Çermenikës pse na mbeti brigada e II në llucë.
Këtu kemi disa ditë që jemi në alarm. Forca Gjermane janë grumbulluar në Elbasan, Gjermanët po armatosin Ballistat, njerëzit e Beut dhe të Pashës dhe kemi lajme se do të bëjnë një operacion në këtë zonë. Në pikëpamje ushtarake këtu jemi për të qarë hallin. Baca s’ka punuar aspak mirë; s’ka as komandë as mut; batalionet të gjitha të shkatrruara. Lila po fle me gjithë kuptimin e fjalës, ay s’bën përveçse një komandant kompanije jo një drejtues ushtarak i gjithë krahinës.
Kemi mbetur këtu vetëm me ato elementat e Brigadës që më në fund na i dërgoj Gjin Marku pas një letre kërcënuese që i bëra dhe na ka çuar gjithë plehrat që s’kanë qenë kurrë në çetë dhe në mes të tyre, afro 200 veta, asnjë anëtar partie. Zoti na nxjerrtë faqe bardhë me shokë të tillë që s’janë aspak koshientë dhe s’e kuptojnë fare rëndësinë e detyrës dhe të kërkesave që ju bëhen. Ne jemi larguar nga Shmili, jemi në bazën e Brigadës së Dytë, pse gjithë pozitat e Labinotit, Godoleshit dhe Xibrakës janë hapët. Gjithashtu dhe ana e Librazhdit. Pse s’kemi me se i mbrojmë. Batalioni i Çermenikës është në Dibër, tjetër forcë s’ka. Kemi mobilizue çetat e vendit dhe ato i ruajnë pozitat tok me bashibozukët e brigadës. Asnjë parashikim s’kish bërë Baca, për të grumbulluar ushqime sipas porosisë që i kishim dhënë. Tash s’kemi aspak se ç’hanë brigadat dhe batalionet, sidomos tash që u pre edhe rruga e Elbasanit. Nga Baca dhe nga Lila, i dashur Ali, unë s’jam aspak i kënaqur.
Inglizët i kam merak vetë. Gjenerali (Gjenerali Dejvis –V.H.) kërkoi të na lonte një lodër por s’i shkoj. Nuk mund të ta them dot me hollësira se si i rashë kresë por vetëm do të të tregoj manovrën e tij. Kur erdhi dhe u poq me ne e merr me mend që na tha fjalë të bukura e premtime, e plot të tjera pordhë që na ja pritmë ashtu si e di ti. Kur zumë t’u thoshim të palarat e tyre, ai tha t’i harrojmë këto, pse oficerët tonë kanë qenë të rinj, kanë bërë gabime etj. etj.
Ay na kërkoj mendim për mi Ballin dhe ne ja thamë copë. Na tha se unë do të piqem me ata të Ballit që t’i shof vetë me sytë e mi dhe të bindem vetë se ç’njerëz janë. Ai kërkoj mendimin tonë. Dhe ne i thamë që s’duhesh të piqesh por ay ishte i lirë të bënte ç’të donte por duhet të kishte parasysh që në rast se na delte në rrugëkryq ne do të luftonim pa mëshirë këdo që të ishte (këto natyrisht ia thashë me gjakftohtësi dhe me diplomaci, mos ki frikë, por ja thaçë aq mirë sa edhe vetë jam i kënaqur). Më vonë u takua me Lumo Skendon dhe na thirri edhe ne që të na komunikonte rezultatet. Dhe ja lodra që kërkonte të na bënte. Ay na thotë që u fjalosa pesë orë me Lumo Skendon, ku ishte dhe Bazi dhe s’jam aspak i kënaqur me ta (jo nga Bazi për të cilin flet me admirim) e konstatoj dhe vetë që Balli Kombëtar është në rrugë të gabuar dhe që bashkëpunon me gjermanët, por unë do të bëj tentativën e fundit që Ballin Kombëtar ta hedh në luftë kundër Gjermanëve. I kërkova tha Lumo Skendos një deklaratë në emër të Ballit Kombëtar i cili të deklarojë se është kundër Gjermanëve dhe do të luftojë Gjermanët dhe Lumo Skendua ma refuzoj, por nesër në mëngjes, tha Gjenerali, Lumo Skendua ma dërgoj këtë deklaratë dhe unë e dhashë menjëherë në Londër që ta proklamojë BBC. Kjo deklaratë thosh kështu: Balli Kombëtar është një organizatë patriotike që ka luftuar katër vjet me radhë Italinë fashiste dhe tashti është e vendosur të luftojë okupatorin gjerman. E merr me mend i dashur Ali se si ja prita. I thaçë hapët se s’jemi dakord me këtë punë që keni bërë dhe në rast se Londra e prokllamon këtë ne do të demaskojmë Londrën pa mëshirë dhe marrëdhëniet me ju do të jenë jo të mira. Dhe masandej ja lëshova të tëra ç’kisha në bark. Edhe këtu, nuk dua të mburrem por jam i kënaqur pse dy orë të tëra i kam rënë rëndë kokës sa s’kishte hiç se ç’të thoshte, përveç se keni të drejtë. Në fund pasi mbarova unë ay tha: Mejtoja të ndalonja gjakderdhjen e popullit Shqiptar por nuk reussisova dhe tash këndej e tutje unë nuk do të përzihem në vëllavrasjen e juaj. Ne i thamë se kjo s’është vëllavrasje pse Balli dhe Lumo Skendua me shokë janë tradhëtorë dhe ju në rast se nuk merrni qëndrim kundër tyre, meqë ju e pohoni vetë se ata bashkëpunojnë me Gjermanët, natyrisht nuk jeni në rrugë të drejtë dhe ne po ju lajmërojmë se kemi dalë për të luftuar okupatorin, tradhëtarët dhe të gjithë ata që bashkëpunojë me ta. Nuk dëshirojmë që ju t’ju gjejmë të ngatrruar me tradhtarët e vendit tonë, por në rast se konstatojmë një gjë të tillë s’do hezitojmë as një minutë të godasim këdo që të na pengojë në rrugën tonë të drejtë, qofshin këta shumë të fuqishëm. Ja mbushëm Gjeneralit gojën me nder me mut. Me sa fole ti që s’ishe atje, aq foli dhe Xhenerali.
Këtu jemi me ta. Të gjithë shokëve ju kam shkruar qëndrimin që duhet të kenë me ta, por shumë shokë s’hanë shqip dhe bien brenda në grackat e tyre, gënjehen nga fjalët dhe premtimet e tyre. Për çështjen e Dibrës, jam duke i bërë Gjeneralit një protestë të mirë.
Në Berat ata thonë se puna vete mirë, “Ballin e kanë shpartalluar, Abaz Ermenji ka mbetë vetëm në Lushnje tok me gjermanët, në krahinat e Abazit kanë hyrë tonët dhe shumë njerëz të Abazit janë bashkuar me ne”. Berati vazhdon të jetë një Shqipëri e Lirë, ku kapërceu brigada e I-rë e pritur me lule. Xhelal Staravecka u martua në Berat me ligjin e Këshillit Nacionalçlirimtar. Kompromisi me Gjermanët po ishte i vërtetë si buka që ha ti dhe Gjin Marku fjalë të mëdha sa të duash. Kjo ishte situata atje. Tash gjykoje vetë.
Harrova të të them një gjë interesante me inglezët. Pasi na bënë vizitën e parë ku ishte dhe Mustafa Gjinishi, ne vamë i kthyem vizitën Gjeneralit. Në këtë pjekje biseduam vetëm gjëra në përgjithësi, sepse ishte vizitë kortezije. Asgjë s’u bisedua serioze. Kur u kthyem në otomobil, Mustafa Gjinishi më bën mua një pyetje dhe më thotë pse nuk dërgojmë një delegacion në Londër të na përfaqësojë. Si e mendon ti më thotë, a duhet a s’duhet. Unë i thaçë se nuk mund të dërgojmë ne një delegacion deri sa s’ka dërguar as Jugosllavija, as Greqija. Pastaj delegacioni i jonë në Londër do të jetë vetëm një vegël e Inglizëve sikundër që është ajo e Karl Petrit dhe e Jorgos të Greqisë. Një delegacion i jonë duhet të ketë aprovimin e Urssit (Rusit-V.H.) në radhë të parë dhe ne duhet të kemi aprovimin nga nalt. Mos harro që ne jemi Parti Komuniste etj. etj. S’mund të veproja dot ndryshe me Tafarin, se po të mbaja anën e tij ai do të kuptonte lodrën teme. Kur u poqëm të tretën herë me Gjeneralin për çështjen e Ballit, Xhenerali na tha në mes të të tjerave që Lumo Skendua i tha që Balli Kombëtar si përfaqësues jashtë pranonte Ahmet Zogun. Pastaj Xhenerali më pyeti se a mund të dërgonim dhe ne një delegacion në Londër. Unë ju përgjegja që kjo çështje më vjen papritur, është një propozim i ri, për të cilin duhet vendimi i gjithë Këshillit të Përgjithshëm dhe nuk është punë e lehtë me e mbledhë tërë këshillin; pastaj një delegacion do dhe konditat e veta dhe njohjen e të tre shteteve aleate. Si do qoftë, i thashë unë, s’mund të të përgjigjem pse është me rëndësi, po duhet vendimi i Këshillit dhe kur të kemi rastin që të mbledhim Këshillin do ta bisedojmë këtë çështje. Propozimi i Xheneralit s’më çudit, por puna e Tafarit më intrigon dita ditës më shumë. Prandaj Ali, duhet të vish me informata për të.
Reaksioni po grumbullohet rreth Zogut. Të gjithë lozin letrën e tij. Qeverija e tradhëtarëve dhe ajo lot letrën e tij. Bazin e Canes e kemi thirrur të vijë të piqet, por hala s’po vjen.
Për delegatë te Titua unë kam lajmëruar Trashin. Nakua propozon dhe ay të shkoj me Trashin. Unë ja refuzova. Në këto momente kaq kritike të tërë kërkojë të shkojnë. Se gjej aspak të mirë këtë punë. Unë qëndroj kurdoherë të vejë vetëm Trashi. Puna atje ka rëndësi të madhe, por edhe terreni këtu ka më shumë rëndësi. Momentet i shof të kritikshme. Shokët s’janë në naltësinë e situatës. Kemi në kurriz Gjermanin që po na atakon, reaksionin të tërë që po armatos Gjermani dhe që haptazi po na lufton me forca Gjermane. Duhet bythë e fortë që të dalim matanë. Do t’i dalim por jo shokët të kërkojnë të largohen. Kush nuk do të vejë te Titua. Kush është ai qorr që s’i do sytë. Por duhet të mendojmë edhe për punën e këtushme.
Greqinë e lajmërova që kur mora letrën nga Tempua. Tash varet nga Grekërit për ta çuar. Koçi hala po vjen, asnjë përgjigje s’kam nga ay. Shtëpija tënde as që është filluar të bëhet. Pse? Ata e dinë Shyqyriu me Saminë, unë u kam thënë dy-tre herë. Radiot nga Tirana as që na i kanë dërguar. Ti e di sa herë u kam shkruar. Po ju shkruaj përsëri.
Kam shumë shumë gjëra për të thënë, po hajde sa ma parë. Mos u vono me Tempon se ay i ka punët në rregull, po na duhet t’i rregullojmë dhe ca më mirë. Po i thuaj Tempos që nuk do të turpërohemi edhe ne. Do të bëjmë ç’mos që ta ndjekim në mos afër, por ç’ka edhe ca më larg Partinë Heroike Jugosllave.
Mices i thuaj shumë të fala nga unë dhe nga shokët dhe e falendero për fjalët dhe mendimet e mira që ka për ne dhe për partinë tonë.
I urojmë të gjithë shëndet të mirë dhe suksese të shkëlqyera për ushtrinë lavdiplotë të Titos.
Eja sa më parë.
Shumë të fala.

*Studiues

Burimet

1. AQPPSH, F.14/APL Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare (1941 – 1944), V.1943, D.23/1.
2. David Smajli, Vitet shqiptare ’43-’45, “UET Press”, Tiranë, 2012.
3. Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, V. I, Botimi i dytë, “8 Nëntori”, Tiranë, 1976.
4. Epopeja e luftës antifashiste nacionalçlirimtare e popullit shqiptar 1939-1944, “8 Nëntori”, Tiranë, 1981.

nga Dok. Genti Kruja

Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta kanë hyrë në vitin jubilar të 100 vjetorit të ngritjes së flamurit, shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar. Kështu është një fat që bashkësitë islame shqiptare ndërmorën nismën e organizimit të kësaj konference shkencore, për të ndriçuar jo pak historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimim dhe aspirata në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale islame dhe trashëgimisë së madhe kulturore te shqiptarët, nëpërmjet figurave të ndritura të prijësve myslimanë shqiptarë.
Kur hulumtojmë mbi librat e historisë shqiptare, por fatkeqësisht jo shumë asaj të botuar dhe zyrtare, por asaj arkivore dhe që akoma nuk njihet shumë, e flet për këto lëvizje dhe përpjekje mbarëkombëtare, kupton se një rol të jashtëzakonshëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë, të cilët në shumë raste ishin prijës myslimanë me detyra të larta fetare, ku në kushtet dhe rrethana të ndryshme dhe shpesh herë mjaft të vështira, punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe kontribuuan në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit tonë.
Periudha e Rilindjes, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Dibrës, i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë, e në vazhdimësi përbëjnë kauzën shekullore shqiptare në mbrojtje të vlerave kombëtare. Dhe padyshim se kësaj epoke të vështirë iu bashkëngjitën edhe dijetarët myslimanë shqiptarë, madje në shumë raste roli i tyre ishte vendimtar.
1.1.
Me shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912, krahas figurave patriotike të të gjitha besimeve në vendin tonë, do të ishin pikërisht prijësit myslimanë, hoxhallarë, myderrizë, imamë, pedagogë e studiues, të cilët të brumosur me kulturën e lartë islame dhe atdhedashurinë ndaj vendit të tyre, shkruan me jetën dhe veprat e tyre historinë e lavdishme të vendit tonë.
Në fakt, liria e fesë është më e vjetra ndër të drejtat e njeriut të njohura ndërkombëtarisht dhe çdo ditë e më shumë vërtetohet fakti se, jeta fetare nuk venitet. Argumenti më i fuqishëm për ta mbrojtur atë është se liria e ndërgjegjes, feja dhe besimi mbështeten në thelbin e dinjitetit njerëzor. Periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo e pavarësisë dhe e luftërave të ndryshme në mbrojtje të trojeve shqiptare, dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar, jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të atyre kohërave, por u bë faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit, duke u vlerësuar se diversiteti fetar ka qenë dhe është një pasuri kombëtare, falë kjo prijësve të shquar fetarë. Një realitet ky i cili herë pas here vlerësohet edhe nga opinioni ndërkombëtar. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, klerikët myslimanë, së bashku me ata të besimeve të tjera, radhiteshin mes personaliteteve politike e shoqërore dhe krah përpjekjeve të lëvizjes kombëtare.
Shqipëria përgjatë historisë së saj ka qenë një shembull se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin.
Periudha e Rilindjes, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Dibrës, i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë, përbëjnë kauzën shekullore shqiptare në mbrojtje të vlerave kombëtare. Padyshim se kësaj epoke të vështirë iu bashkëngjit dhe kleri mysliman shqiptar, madje në shumë raste ai ishte vendimtar.
I zgjedhur në krye të Pleqësisë më 1912 me propozim të Luigj Gurakuqit, H. Vehbi Dibra u ngarkua nga kuvendi me detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë për organizimin e Komunitetit Mysliman në maj 1913 dhe më 24 shkurt 1923 në Kongresin e Parë Mysliman, mbajtur në Tiranë, ku kishte një përfaqësi mbarëkombëtare, Kryemyftiu i Shqipërisë i emëruar nga qeveria e Vlorës, do të zgjidhej si kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Në muajin mars të vitit 1924, me vendim të Kongresit të Parë Mysliman, u hap Medreseja e Naltë, e më vonë u quajt Medreseja e Përgjithshme e Tiranës. Këtë shkollë, e cila shumë shpejt u bë djepi i dijes dhe kulturës kombëtare, e kanë drejtuar personalitete të shquara si: Qamil Bala, Hafiz Ismet Dibra, Jonuz Buliqi, Haki Sharofi, Esat Myftia, Sherif Putra etj.
Më pas shkrimet kundër ideve komuniste vijnë te revista “Zani i Naltë” që në numrat e parë të botimit të saj më 1923. Kurse gjatë kohës së komunizmit, të gjithë ata hoxhallarë dhe atdhetarë, që kundërshtuan idetë shkatërrimtare të këtij regjimi, u përndoqën, u burgosën, u internuan dhe u vranë, por as kjo nuk mundi të shkulë rrënjët e besimit në vendin tonë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, për herë të parë në këtë lloj, me rastin edhe të 100 vjetorit të pavarësisë ka hartuar një enciklopedi të përbërë prej 100 personaliteteve të shquara shqiptare të kulturës islame, të cilët kryesisht janë dijetarë dhe prijës fetarë, por nuk mungojnë edhe myderrizë, profesorë katedrash universitare, udhëheqës politikë, deputetë, senatorë, ministra, mjekë, kryetarë parlamenti, kryetarë bashkish, liderë dhe udhëheqës të lartë të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, në trojet tona dhe diasporë. E përbashkëta e këtyre është se ishin të brumosur me besimin e lartë islam dhe me dashurinë për atdheun dhe shërbimin ndaj vendit dhe popullit shqiptar, por jo vetëm.
Shumica e këtyre figurave të ndritura janë shkolluar dhe diplomuar në universitetet e shquara të botës islame të asaj kohe, si në Stamboll, Kajro, e vende të tjera dhe në mjaft raste, disa prej tyre për shumë kohë kanë qenë pjesë e stafit akademik të atyre katedrave, që dikur kishin qenë vetë studentë. Një prej figurave më të shquara mund të përmendet edhe Hoxha Hasan Tahsini, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si dhe shumë të tjerë, të cilët shërbyen si pedagogë në universitetet dhe medresetë e Stambollit, Edirnesë, Kajros, etj.
Në këtë enciklopedi, këto figura historike shtrihen nga mesi i shekullit të XIX deri në fund të shekullit XX, por kryesisht i përkasin plejadës së rilindësve dhe dijetarëve të një fillimshekulli, si ai XX, plot dallgë historie dhe ngjarjesh të shumta në përpjekje për krijimin e shtetit shqiptar dhe institucioneve zyrtare, qofshin ato shtetërore, apo fetare.

Disa prej figurave më të shquara shqiptare të kulturës islame:

1.2. H. Vehbi Dibra
Genti Kruja-Vehbi DIBRA
Me shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912, krahas figurave patriotike të të gjitha besimeve në vendin tonë, do të ishin pikërisht prijësit myslimanë, hoxhallarë, myderrizë, imamë, pedagogë e studiues, të cilët të brumosur me kulturën e lartë islame dhe atdhedashurinë ndaj vendit të tyre, shkruan me jetën dhe veprat e tyre historinë e lavdishme të vendit tonë. Në krye të tyre vjen Haxhi Vehbi Dibra, i cili do të firmoste aktin e pavarësisë, duke i dhënë një shtysë të fortë themelimit të shtetit shqiptar. Ai ishte gjithashtu kryetari i parë i Pleqësisë (Kuvendit, apo Senatit) Shqiptar.
H. Vehbi Dibra njihet edhe si komentuesi më i mirë i Kur’anit në gjuhën shqipe.
Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit.
Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i Kongresit.
Në Qeverinë e Parë të Shqipërisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë.
Kur Ismail Qemali për ndonjë arsye, mungonte, ishte Haxhi Vehbi Dibra që e zëvendësonte.
Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Në vitin 1916, nuk qe e rastit kur ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit.
Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1929.
Komuniteti që fitoi njohjen juridike, filloi të botojë revistën e përmuajshme “Zani i Naltë”. Ai ndikoi në hapjen e “Medresesë së Naltë” në Tiranë. Më 1935 H. Vehbi Dibra shkon për herë të dytë në Haxh.
Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, ai që e përuroi Medresenë e Naltë në Tiranë.
Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari.
Ka shkruar, ka botuar shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939.
H. Dibra ishte një nga komentuesit më të shkëlqyer të Kur’anit në gjuhën shqipe. Këto ligjërata të mbajtura në xhami janë botuar në revistën “Zani i Naltë”. Ndërsa në vitin 1993 botohen të plota në Detroitit, SHBA nga Imam Vehbi Ismaili, nën titullin “Ç’urdhëron Kur’ani?”
Të gjitha cilësitë e teologut mysliman përsonifikoheshin te Vehbi Dibra, imam dhe haxhi, kryemyfti dhe kryetar senati, vaiz dhe komentator i Kur’anit. Kryesoi dhe drejtoi për vite me radhë teologët më të shquar shqiptarë.
Në komentin që i bënte Haxhi Vehbiu disa citateve Kur’anore thoshte:
“Me zgjedhë të aftin e të meritueshmin dhe me e vu në krye të detyrës, e pastaj ky me veprue e me gjykue me arsye, me drejtësi…”
Në planin politik te Haxhi Vehbiu gjejmë një propagandist të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e kombit e të atdheut. Në unitetin dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë. Ai do të thoshte në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 se “Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”. “Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”; “Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.
Vehbi Dibra për çdo veprim mbështeti Ismail Qemalin. Kur u nis në krye të delegacionit, Ismail Qemali, la në krye të Qeverisë së Përkohshme Vehbi Agollin (Dibrën), i cili nga data 30 mars 1913, për dy muaj rresht kryesoi qeverinë në mbledhjet e saj, madje përballoi lakmitë serbe e malazeze dhe organizoi kryengritje shqiptare në mbrojtje të trojeve, që udhëhiqeshin nga Bajram Curri, Elez Isufi, Hasan Prishtina etj. dhe se mbajtja e tërësisë tokësore mund të bëhet vetëm me armë dhe se kryengritësit patën mbështetjen e qeverisë së përkohshme dhe veçanërisht të Vehbi Dibrës.
Vlen të theksohet se pas vitit 1925, Vehbi Dibra i përkushtohet tërësisht punëve të Komunitetit Mysliman dhe u shkëput nga veprimtaria e drejtpërdrejtë politike, sido që deri në frymën e fundit ai pati për moto Fe – Atdhe, këtë binom.
Haxhi Vehbi Dibra u nda nga kjo jetë, kaloi në jetën e vërtetë, më 24 mars 1937, në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare…
Në fjalën e Imzot Vissarionit, kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, mbajtur me rastin e ceremonisë mortore të Haxhi Vehbi Dibrës, shihet vlerësimi maksimal që i bën lideri ortodoks një lideri mysliman, duke e thënë edhe vetë, se mund të jetë ndoshta rasti i vetëm dhe unikal në botë, sidomos për atë kohë, kur një kryeprift mban një ligjëratë në varrimin e një kryehoxhe.
Ndër figurat të tjera më të spikatura mund të përmendim shkurtimisht disa prej tyre:
Hafiz Ali Korça (1873-1957)
Publicist dhe shkrimtar, atdhetar i shquar.
Hasan Tahsini (1811-1881)
Rektor i parë i universitetit të Stambollit. I dekoruar me titujt:
Mësues i Popullit” (1961), Urdhrat “Për veprimtari patriotike” të kl. II-të (1962), dhe “Naim Frashëri”, kl. I-rë (1995)
Sheh Ibrahim Karbunara (1879-1947)
Klerik, patriot e politikan i pushkatuar nga komunizmi.
Hafiz Ibrahim Repishti (1882-1943)
Deputet, klerik, politikan
Personalitet i shquar i jetës qytetare, politike, shoqërore e fetare, luftëtar në mbrojtje të trojeve tona dhe kontribuues në arsim, si kryetar i Këshillit Arsimor të Bashkisë Shkodër (1919), anëtar i Asamblesë Kombëtare e deputet, klerik i përkushtuar për Fe e Atdhe.
Hoxha Kadri Prishtina (1878-1925)
Avokat, Deputet, Ministër i Drejtësisë në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Mahmud Hastopalli
Myderriz, Atdhetar i Rilindjes Kombëtare, i dekoruar me medaljen “Për kontributin patriotik që ka dhënë, për propagandimin e tij aktiv në klubet patriotike që punonin për çlirimin e Shqipërisë”.
Vildan Faik Dibra (?-1925)
Mbrojtësi i Alfabetit Shqip.
Hafiz Xhemal Mullaj (1881-1959)
Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi”, Stamboll, Deputet, Nënkryetar i Asamblesë.
Xhemal Naipi (1887-1955)
Kadi, kryetar komisioni i arsimit, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, senator, deputet, kryetari i parë i parlamentit pluralist, intelektual i shquar fetar e atdhetar. I dekoruar me Urdhërin “Për veprimtari patriotike të Klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”.
Ymer Haxhi Prizreni (1826-1886)
Myderriz, Myfti, Udhëheqës i qeverisë së Lidhjes së Prizrenit.
H. Hafiz Abaz Golemi (1870-1925)
Drejtor i parë i shkollës shtetërore të Parrucës (1913-1925)
MËSUES I POPULLIT (1993), me këtë motivacion:
Mësues dhe drejtor i shquar që punoi me pasion tërë jetën për edukimin dhe formimin moral e qytetar të nxënësve, për ngritjen e përparimin shoqëror, shembull devotshmërie e përkushtimi ndaj idealeve njerëzore për mirëkuptim, bashkëpunim e drejtësi shoqërore, që themeloi e drejtoi plot autoritet shkollën e Parrucës në agimet e arsimit tonë shtetëror.
Haxhi Ali Derhemi
(1850-1938)
Kryetar i Bashkisë së Tiranës (1923-1924). I dekoruar me urdhërin “Skënderbeu”, Klasi I”, 1937.

Haxhi Ali Elbasani
(1835-1928)
Patriot dhe predikues, Kryetar i Klubit “Bashkimi” dhe “Komiteti i zgjimit dhe i besës shqiptare”.

Hafiz Ali Podgorica
(1855-1929)
Kryetar i parë i Bashkisë Durrës (1909-1912), Kadi e Myfti i Durrësit, Ngritës i Flamurit në Durrës. I dekoruar me urdhërin e Klasit I në vitin 1992, “Qytetar nderi i Durrësit” 1996, “Mirënjohje e qytetit të Durrësit” 2005.

Daut efendi Boriçi
(1825-1896)
Drejtor Arsimi, Kryetar i Lidhjes së Prizrenit – Dega Shkodër, Gjuhëtar, Autor Abetaresh dhe Fjalorësh.

Ferit Vokopola
1887-1967
Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, Deputet në Vlorë e Berat, Ministër i Bujqësisë (1927-1928), Teolog, Ekonomist, Poet, Publicist, Themelues i Organizatës “Drita Hyjnore”, Drejtor i Revistës “Njeriu”.

Hoxhë Hasan Moglica (1852-1915)
Atdhetar me përmasa mbarëkombëtare, klerik, luftëtar dhe dijetar i shquar.
Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952)
Dijetar dhe publicist, iniciues në hapjen e shkollave të vajzave në Tiranë.

Haxhi Ibrahim Kaduku (1869-1949)
Myfti, pedagog universiteti në Stamboll dhe Kajro, drejtor i parë i medresesë Shkodër. I dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri të Klasit I” me këtë motivacion: “Klerik që iu kushtua tërë jetën çështjes së lartë të edukimit fetar dhe atdhetar të popullit, i devotshmërisë së lartë, i formimit intelektual, mësues dhe edukator i nderuar”, si dhe “Qytetar Nderi” i Shkodrës, më 2012.

Ismail efendi Ndroqi (1876-1944)
Myderriz, hoxhë, pedagog, kadi, myfti, gjuhëtar, atdhetar, Kryetari i parë i Bashkisë Tiranë, si kryeqytet.
Mytesim Këlliçi (1866-1924)
Myfti, Kadi në Kavajë, Durrës e Tiranë.

Qamil Bala (1878-1933)
Drejtor i Arsimit në Bagdat, Inspektor i Përgjithshëm i Arsimit në Siri, Drejtor i Gjimnazit në Jeruzalem, mësues në Manastir e Selanik, Drejtor i parë i Medresesë së Tiranës, Deputet 1924.

Rexhep Voka (1847-1917)
Myfti i Vilajetit të Manastirit
I dekoruar me Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë, me motivacion:
“Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit e ripushtuesit, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim”, Tiranë, 1993.
Said Najdeni “Hoxhë Voka (Vogli)” (1864-1903)
“Nuk vuaj për para e për grada por për komb e atdhe”.
Hafiz Sherif Langu (1877-1956)
Patriot i shquar, aktivist në çështjet kombëtare, kryetar i Komunitetit Mysliman në vitet 1942-1945.

Zyber Hallulli (1842-1927)
Atdhetar i shquar, kryetar bashkie i Tiranës, hapës i shkollave shqipe dhe i jetimores së parë në Shqipëri, që edhe sot Shtëpia e Fëmijës e Tiranës mban emrin e tij.
Hafiz Adem Kazazi (1880-1944)
“Klerik i përkushtuar në shërbim të njerëzve, atdhedashës, humanitar dhe promotor i përdorimit të gjuhës shqipe në ligjërata dhe tubime qytetare.”
Jusuf efendi Tabaku
(1797-1904)
Myfti që hapi dinastinë e myftive në Shkodër, drejtues i Komisionit të Ndihmave për ulqinakët e ardhur gjatë luftës, personalitet i shquar me një kontribut të veçantë në jetën kulturore, arsimore, shkencore e fetare të vendit.
Haxhi Muhamed Shaban Efendi Domnori (1868 -1934)
Shembull i ndritur për të gjithë besimtarët, prijës islam i Tarikatit Tixhani, përhapës i kulturës, qytetarisë dhe virtyteve më të larta në Shkodër dhe mbarë trojet shqiptare.
Hafiz Musa Dërguti (1888-1961)
Pishtar i Demokracisë, hoxhë i nderuar, i shquar për devotshmërinë e tij të thellë, në ndihmë të nevojtarit, atdhetar e antikomunist, promovues i tolerancës dhe bashkëjetesës.
Sheh Qazim Hoxha (1893-1959)
Klerik i përkushtuar në edukimin e brezave me moralin e lartë shpirtëror, interpretues i Kur’anit Famëlartë, kontribuues i shquar në ngritjen e institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Haxhi Hasan Alia (Sheh Shamia)
(1814 -1891)
Reformator i gjendjes social-kulturore dhe administrativo-politike të qytetit të Shkodrës, aktiv i çështjes kombëtare, prijës i shquar islam.
Vehbi Ismaili (1919-2008)
Themelues i Qendrës së parë Islame Shqiptare në Amerikë, patriot i shquar dhe prijës i lartë islam, edukues me moral islam dhe atdhetar i mijëra emigrantëve shqiptarë në SHBA dhe më gjerë.
Xhemal Naipi (1887-1955)
Kadi, kryetar komisioni i arsimit, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, senator, deputet, kryetari i parë i parlamentit pluralist, intelektual i shquar islam.
Dhe qindra e qindra të tjerë..


Blogger news

Blogroll

Archives

About